Letërsia e Gjergj Fishtës

Letërsia e Gjergj Fishtës

Ndue Ukaj

I pari shkrimtar shqiptar i propozuar për çmim Nobel, prozator, poet, përkthyes, “Militant i letërsisë shqipe” – i vlerësuar nga Lasgush Poradeci, për të marrë epitetin e meritum. “Poet kombëtar i shqiptarëve” – Eqrem Çabej dhe “Homeri Shqipta” (Maximilian Lamberci dhe pastaj Engjell Sedaj), Gjergj Fishta do të mbete për më se një shekull personaliteti më i spikatur i kulturës letrare shqipe, duke u çmuar klasiku më i dalluar i kësaj letërsie. Figura madhore e Fishtës është vlerësuar dhe vlerësohet lartë, jo vetëm në fushën e letërsisë, por përgjithësisht në kulturën shqiptare, dimensionet dhe përmasat e së cilit prekin gjitha sferat me rëndësi kombëtare. Personaliteti i tij ndriçon në kulturën shqipe në shumë aspekte. Në kulturën e shkrimit shqipe, mbetet krijues kulmor, autori më i veçantë, më i shumëllojshëm dhe më i popullarizuari. Portreti i tij poliedrik, rrezaton në shumë drejtime në kulturën letrare shqipe. Me fuqinë intelektuale dhe shpirtin e pasionuar artistik, është bërë, për mase një shekull enciklopedia e shpirtit dhe mendësisë shqiptare, duke mbet zëri më influencues i kulturës letrare shqipe, edhe pse vepra e tij dhe ai vet përjetuan çmendurin më të madhe të komunizmit ateist në Shqipëri, kur u ekskomunikua dhe u abuzua me veprën e tij, kur u shtrembua dhe kur autori për së vdekuri përjetoj tragjiken e zhvarrosjes. Me të drejtë, Sabri Hamiti shkruan se ky akt vetëm sforcon mitin e martirizimit të krijuesve shqiptar, të ngjashëm me Pjetër Bogdanin.

Poet me sens të brumosur artistik, dramaturg me shpirt të rrëmbyer skenik, lirik më ndjenja të holla e drithërima vibruese, epikë me natyrë glorifikeuse e diskurs të fuqishëm heroik, Fishta është paradigma më interesante e letërsisë shqiptare të shekullit XX, por edhe letërsisë shqiptare vështruar përgjithësisht. Vepra e tij e gjerë dhe e larmishme, e shkruar brenda një periudhe dramatike kombëtare, që përfshinë katër deceniet e para të shekullit të kalum, wshtw referencat më të rëndësishme e kulturës letrare shqipe, duke ja dhwnw pikërisht fizionominë që i mungonte gjatë shekujve qenësimit të saj.

Me sensin e njeriut të përkushtuar dhe të pasionuar për artin letrar, autori diti të bënte një sintetizim të mrekullueshëm të shpirtit dhe mendësisë shqiptare, të kaluarës dhe të tashmes, sikur në një pikturë, ku spikaten virtytet dhe veset e kombit, ku rrëfehen degradimet kombëtare dhe ku shihen rrugët e trasuara për një ardhme të ndritshme herë me ngjyra subtile, herë ne nuanca të rënda, të ashpra, dramatike. Duke zgjeruar gamën tematike, duke sintetizuar kohë, ngjarje e mënyra mw tw shumwllojshme të këndimit artistik, autori i dha letërsisë shqipe një dimension të ri. Në mënyrë të jashtëzakonshme diti të harmonizoj estetikën e tekstit dhe tematikën. Me mjeshtëri e dije të kulluar letrare, shkriu empirin letrare dhe fiksionalitetin, në shtratin e intencës letrare që përplotëson tendencat e letërsisë misionare, me të cilin ideal Fishta ishte i mishëruar plotësisht, për t’u konsideruar apostull i lirisë së atdheut, misionar i letërsisë e kulturës shqiptare, ngase mishëroi në tekste popullin, aspiratat, gjallimin e shpirtin luftarak, natyrën rebeluse, të kaluarën e të tashmen. Ai ndërtoj një univers letrar, një Olimp Shqiptar, me qenie mitike e reale, duke ndërtuar kontraste të fuqishme dhe dramatike të letërsisë; madje më dramatikët në letërsinë shqipe. Aty ndeshim diskurset më glorifikuese, por edhe diskursin më sarkastik, që bëhen përmes ironisë së hollë, ku autori godet pamëshirshëm. Përmes veprës së vet të larmishme, autori donte të theksonte një aspekt të rëndësishëm për shpatarët; një identiteti kolektiv, që endet se karakteristikë e përhershme e veprës së tij. Autori e shqiptari i madh, Fishta diti t’i himnizojë mrekullisht virtytet shqiptare, shenjat identifikuese nacionale, gjuhën shqipe, flamurin kombëtar, trimërinë, figurat nacionale, të cilat i personifikon përmes heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu; portreti i së cilit do të endet në mënyrë funksionale dhe domethënëse në gjithë veprën e tij letrare. Fishta, figurë poliedrike, mbetet shembull eklatant e njeriut të ndritur, eruditë në shkrim, eruditë në kërkimet letrare, së këndejmi eruditë edhe në shkrimet e natyrës diskurseve analitike. Prandaj ka të drejtë njëri ndër njohësit e mirë të veprës së Fishtës, Atë Daniel Gjeçaj kur shkruan: “S’do mend se janë të rrallë ata studiues që kur shkruajnë diçka për Fishtën të mos tronditën thellë e të mos i qasen me një kujdesej të veçantë veprës së tij, sepse portreti i tij është klasik e aq i lartë sa kishte për t’u dashtë me ardh një tjetër Fishtë për ta paraqitur si duhet pa ia deformuar profilin, pa ju vorgnue ngjyrat“.

Atë Gjergj Fishta, personalitet i rrallë i letërsisë shqipe, i cili më shumë se cilido shkrimtar tjetër i dha shprehje artistike shpirtit kërkues të shtetit të ri sovran shqiptar (Robert Elsie). Fishta ndjente nevojën e ripërtëritjes së kombit. Dhe kjo ripërtëritje, duhej bërë përmes njohjes së rrënjëve që lidhen me dimensionet etno-kulturore, mitike, epiko-historike. Andaj Fishta frymëzohet nga ideale që e karakterizonin shpirtin shqiptar. Prandaj, i jap të drejtë njërës nder njohëset e veprës së Fishtës, Janice Mathie-Heck, kur shkruan: …Unë mendoj se Fishta u frymëzua nga sensi që ata kishin për nderin, drejtësinë dhe trimërinë. Ishte një atdhetar krenar dhe e vështronte Shqipërinë si një komb të rrezikuar, i cili donte të zinte vendin e vet përkrah kombeve të tjera të pavarura të Europës“.

Konceptet krijuese të Fishtës, sikundër e riformulon e artikulon teoritë klasike për artin e letërsinë. Në tekstet e tij letrare, autori jetëson konceptet Horacit për të dobishme dhe të këndshmen në art e letërsi (Dulce et Utule). Duke ditur që është e dobishme të këndohet kodi i mitit nacional, njësojë diti se është i këndshme ky lloj kangëtimi për të frymëzuar zemrat djaloshare në lirinë e popullit. Për këtë zgjodhi kurdoherë diskursin substancial, diskurs ky që korrespondon me mitet dhe kulturën nacionale, që fuqizon tregimet për Orët, Zanat e Dragonjtë, për kujtesën historike, e figurat e dalluara, për ngjarje e personazhe të njohura biblike dhe religjioze. Koncepti krijues e letrar i fishtian, njëkohësisht e dinte dhe e njihte mirë funksionin e letërsisë, funksion ky që lidhet me konceptin aristotelian për Katharsis-in. Autori e ndjente se përmes teksteve të tij ai duhet të ndikojë në zemrat dhe ndërgjegjen shqiptare t’i shkund në vetëdije kombëtare. Më tej, autori në shkrimet e shumta, nuk aplikon ndonjë metodë letrare, shkollë të caktuar, por thithi gjitha diskurset e mundshme, aty ku pretendonte t’i fuqizonte konceptet e lartshënuara. Për të qenë klasik e modern; i kuptueshëm e elitar, stil ky që u formësua përmes koloritit të lloj-llojet ngjyrash poetike dhe që kulmon si një margaritar i rrallë. Në të vërtetë çdo autor ka qëllim origjinalitetin, edhe atëherë kur është i vetëdijshme se nuk ka ligjërim virgjër (Roland Barthi), dhe se diskursi personal/fiksional, me vetëdije apo pa të, huazon ligjërime të njohura, për ta pasuruar Universin Letrar. Nivelet e këtilla, si modele të përmendura i gjejmë në shumë plane të krijimtarisë së Fishtës, veçanërisht tek tekstet themelore, në të cilat autori funksionalizon gjithë potencën krijuese (në epikë te teksti fundamental “Lahuta e Malcis“, në lirikë te dy përmbledhjet “Mirizi i Zanavet” dhe “Vallja e Parrizit“, në dramatikë te tragjedia letrare “Juda Mukabe“, në satirikë te “Anzat e Parnasit” dhe “Gomari i Babatasit“.

Diskurset në letërsinë e Fishtës

Artet janë memece (Fraji), anda duhet kritika t’i bwjw ato tw flasin. Semiologu dhe dijetari i mirënjohur Umberto Eco shkuan: “Nëse është e vërtetë se të bësh kritikë do të thotë të kuptosh dhe të na bësh edhe ne të kuptojmë se si është krijuar një tekst“. Ky mision i dyfishtw qw na sugjeron Eco, shtreson dy lloje kërkimore qw pretendojmë t’i analizojmë.

Me intencën e sprovës së formuluar, Diskurset në letërsinë e Fishtës, emërtohet korpusi letrar i Fishtës, domethënë tekstet letrare të fushës së artit (letërsisë), në të gjitha zhanret e krijimit letrar, nëpër të cilat kaloi dhe la gjurmë pena krijuese e autorit; me një intencë sprovuese në imanencën e teksteve letrar; tekste (krijime) këto të cilat i shqyrtojmë nga prizmi i një kërkimi poetik e letrare, që kërkon stilin e diskursit autorial, si diskurs i veçantë, personal dhe model i konstruktimit të ligjëratës letrare, artikuluar në diskurs letrar e estetik, brenda një sistemi më të zgjeruar, i cili asimilon dimensionin empirik letrare, si pjesë e produktivitetit referencial në shkrim; status ky të cilin e njeh letërsia e Gjergj Fishtës. Ky sistem, në instancën poetike, formësohet nëpërmjet ruajtjes së shenjave dhe kodeve të njohura letrare, në kuptimin e parë, që vijnë nga një proveniencë e caktuar kulturore a letrare. Pra në letërsinë e Fishtës, këto janë shprehje, kode a tema të “huazuaranga referencialiteti dhe që ndërtojnë simbolizmin letrar kryetipor (Northrop Fraji), duke futur në shkrim imazhe letrare, që prekin në kujtesën letrare. Këto trajta e kategori letrare, na shfaqën si pjesë e diskurseve letrare e kulturore të njohura (Linda Hacion), të cilat kurdoherë në veprat letrare të autorit, bartin variante empirike funksionale e evidente, si dhe paraqesin rol të posaçëm në konstruktimin e ligjëratës poetike, brenda universit letrar të Fishtës. Paramodelet e diskurseve (ligjërimeve) qoftë kulturore apo letrare, të evidencuara në kultura të ndryshme të shkrimit, bashkë me diskursin autorial, bashkëjetojnë në letërsinë e tij, përmes një aparature poetike të perfeksionuar me gjetje letrare të nivelit të lartë estetik. Kësisoj autori sforcon dhe përmbushu dimensionin origjinal universal dhe statusin qëllimor të letërsisë së tij, që ka për tandem shkrimin misionar. Diskurset, duke u rikualifikuar nga variantet e mëhershme letrare, nga pikëshikim poetik autorial, përveç se marrin shenjëzime të reja semantike e estetike, nga pozicioni autorit empirik, ato natyrshëm konvertohen dhe marrin konotacione, të cilat ndërlidhen me një gjendje kohore letrare dhe retorike, që është qëllim i autorit. Kodet tematike apo diskurset e “huazuara” konotojnë, edhe trajta me nuanca dihotomike, duke hibridizuar diskursin personal e autorial ligjërimet e njohura, vetëm sa sforcohet tekstin, ngase bëhet pjesë aktive e diskurseve të mëparshme (Linda Haçion). Kategoritë letrare, të përkufizuara si diskurse, të cilat formësojnë stilin e shkrimtarit Gjergj Fishta, janë shumëplanëshe, dhe si të këtilla funksionojnë në kuadër të sistemit letrar të krijimtarisë artistike të autorit përmes një vetëdije të ngritur letrare, ku dallohet delli i fuqishëm i shqiptimit të botës artistik. Në këtë studim, kemi për synim përkufizimin e disa kategorive të diskurseve, të hetuara në korpusin letrar të teksteve letrare të autorit, të fushave fundamentale të prodhimtarisë artistike (epikë, lirikë, dramatikë, satirik), në të cilat autori shkëlqeu në mënyrë krejt origjinale dhe ndërtojë modelin letrar të papërsëritshëm. Hulumtimet, qoftë edhe sprovuese, me përcjellje të disa teksteve konkrete, janë një tregues i qartë se letërsia e Fishtës, në shkallë të gjerë formësohet nëpërmjet ligjërimeve letrare të njohura në kulturën letrare dhe për tej saj, që vijnë nga modele të ndryshme kulturore e religjioze. Në këtë aspekt analizat e tipareve të veçanta dhe të përbashkëta, si dhe statusi i tyre në pozicionim autorial është qelës për të hyrë dhe kuptuar universin e diskueseve që e karakterizojnë letërsinë e Fishtës. Diskursi origjinal, i konceptuar si autorial, është specifik në gjuhë e stil. Ka status të fuqishëm dhe tingëllon fuqishëm në tekst. Ky lloj diskursi përzgjedh një gjuhë të goditur poetike dhe përdor një figuracioni të qëlluar, kryeisht oral e religjioz biblik. Në këtë rrafshe të konfirgurimit të ligjeratës letrare, autorit del mjaft spirtuoz dhe elokuent në shprehej. Ky diskurs në bashkë-artikulim me diskurset tjera që janë refernciale, të cilat shfaqen analog me tekstet të ndryshme të njohura, qoftë nga oraliteti, mitet, kultura e moçme nacionale, apo edhe nga sferat e filozofisë dhe religjiozitetit, konvertohet në diskursin e veçantë që e ka vulën e stilit fishtian të shkrimit, karakterizuar nga një dramticitet në tekst, një emocionalitet dhe shprehej e përpunuar letrare. Në veprën letrare të Fishtës shohim të sajuara disa rrjete tekstesh e diskursesh: tekste të Shkrimit Shenjtë Biblik; tekste nga literatura e përbotshme, veçanërisht ajo antike, që mbeten shënjues letrare specifike. Kjo mënyrë e shkrimtarisë, në sistemin e tërësishëm poetik, na sugjeron edhe për shumëplanësinë e diskurseve. Në fakt, kjo formë kreacioni, realizon tekstualitet dramatik; tekstet duke ruajtur inter/shenjat me diskurse të njohura, karakterizohet nga gjuha e gjallë, stili i rrjedhshëm, idetë e shpërthimet dinamike e dramatike, shprehjet e përpunuar letrare, figuracioni i transformuar gjithnjë me gjetje brilante poetike, të thithura nga frazeologjia popullore, apo kultura universale letrare.

Në sistemim letrar të krijimtarisë letrare të Fishtës, me theksime në zhanrin e epikës, të teksti “Lahuta e Malcis“, Fishta shpërfaq fuqishëm dhe plotënisht diskursin që rezulton nga kultura e letërsia nacionale folklorike, që bënte jetë aktive në Malësi, ku autori kaloj pjesën më të madhe të jetës. Njëherit ky tekst pasurohet edhe nga mitologjia e pasur vendëse dhe e huaj. Të gjitha këto, bashkë-artikuluara, të shpërnderuara në strukturën e brendshme letrare, me një sens kreacioni specifik formësojnë epin “Lahta e Malcis”. Ligjërata poetike ndërlidhet fuqishëm me kodet tematike e historike. Rrjedhimisht edhe me personazhet e njohura të ambientit shqiptar. Ky lloj i ligjëratës poetike, ruan karakteristikat me formulimet e frazeologjisë popullore, ritmin e melodinë e gjallë, për të formësuar një asociacion të shumëllojshëm artistik, pastaj edhe semantik të tekstit. Në tërësi, sistemi poetik, stilistik brendapërbrenda këtij konstulacioni e bën këtë vepër krijim poetik brilant. Diskursi-teksti letrar ruan inter/shenjat me shenja e diskurse popullore e orale, në shumë plane të ndërtimit dhe organizmit të lëndës letrare. Edhe në makro e mikro strukturë. Kënga për “Tringën“, përveç se shënjon e hibridizon diskursin letrar autorial; Fishta nga diskursi epik këtu shpërthen në shënjues të treguesit lirik; statusi i këngës ka shenja të pastra lirike dhe në të njëjtën kohë, kënga shënjon lidhjet e fuqishme interletrare mes “Lahutës…” dhe letërsisë orale, respektivisht shënjon raportin interletrar me këngën e njohur për Gjergj Elez Alinë dhe motrën e tij. Ligjërata poetike, përveç në planin e kodit tematik, ku spikatet heroina Tringa, e cila shëmbëllen dukshëm me motrën e Gjergj Elez Alinë, edhe në planin e strukturimit të idesë qendrore, ruan shenjat e intertekstit të pastër letrar. Dimensioni interaktiv është i fuqishëm dhe dinamik. Madje modeli referencial thithet edhe në planin e strukturimit të idesë letrare. Teksti trajton trimërinë shqiptare, projeksionet morale të autorit për qenien femërore, qenie kjo që vazhdonte të jetë tragjike; ashtu siç ngjet në paratekstin poetik, Tringa për të mbrojtur pragun, moralin, virgjërinë, vetëflijohet. Ky vetëflijim është ndodhi që lexuesi i ka të ditur nga varianti i njohur në këngën për Gjergj Elez Alinë. Teksti autorial duke ruajtur në esencë shenjat e fuqishme me paramodelin e këngës në fjalë; në dimensionin autorial, vetëm sforcon variantet e njohura referenciale, idenë, dialogun, sëmundjen, perceptimet, vetëflijimin e motrës. Më tej, teksti në intenca shpërthen në domosdonë e fuqizimit të këtyre tipareve, nga fakti se rezulton statusi i pavdekësisë në shkrimin letrar-estetik për heroinën. Jo vetëm mënyra e këndimit të luftës shqiptare për liri, e cila thithë poetikën e Këngëve Kreshnike, pastaj Këngëve historike, si dhe legjendave për qenie mitologjike, përshkon tekstin e “Lahutës…”, brenda tridhjetë këngëve, por edhe ritmi e melodia aq popullore, të cilat i japin një karakteristikë të veçantë poetikës së epit. Gjitha këto, kur autori insiston fuqishëm në fuqizimin e raportit të ndërliqshëm e intencional: Atme e Fe. Afria në planin e kompozicionit, në planin stilistik, pastaj edhe në kodet tematike, me variantet e njohura letrare, e bënë “Lahutën…” krijim kulmor epik në literaturën shqipe, të përpunuara mjeshtërisht nga dora e krijuesit me dell të fuqishëm artistik. Që të shfrytëzohet kjo materie letrare, përveç edukimit të poetit ka ndikuar në përmasa të mëdha gjendja e kombit në përgjithësi, kontestet socio-kulturore, që në tërësi i dhanë frymëzim në vullkanet krijuese autorit. Andaj tipet e diskurseve që i gjejmë brenda letërsisë së tij janë të shumëllojshme: ato janë orale, mitike, biblike, klasike, për t’u pasuruar fuqishëm përmes pikëshikimeve fiksionale. Kësofare, poetika e letërsisë fishtiane është e realizuar në shkallë të gjerë. Aty literariteti (Roman Jakobsoni) funksionon para se gjithash, përmes shenjave e simboleve që shprehin qenësinë shqiptare, qenësi që pikaset përmes Mallit, Dashunisë dhe Dhembjes Autoriale.

Rrafshet interpretuese

Semiologu i njohur Umberto Eco në eseun “Autori dhe interpretuesit e tij”, shtron një intencë, të cilën e vlerësojmë të rëndësishme ta përmendim në këtë studim, ngase analizon marrëdhëniet e mundshme ndërmjet tekstit letrar dhe interpretuesve të tekstit letrar, nga ana e kritikëve letrar. Kjo intencë kërkimore dhe letrare, shtrohet-analizohet në kontekstin e rolit aktiv që duhet të ketë interpretuesi i letërsisë në parakonceptimin e një ndarje të mundshme mes dialektikës se: ekziston e drejta e teksteve dhe drejta e interpretueseve të tij (tekstit letrar v. ime). Përmes kësaj dialektike të supozuar, nuancat e së cilave janë dy hallka, secila autonome në mënyrën e vet, në esencë, na dalin dy aspekte kualifikuese për statusin e tekstit letrar si autonom, në kuadër të korpusit më të gjerë letrar të Fishtës, duke implikuar edhe autorin origjinal si subjekt të gjithëpushtetshëm në tekstet letrarë dhe duke njohur e pranuar, edhe rrjetin intertekstual, si element konstituiv brendapërbrenda strukturës së teksteve letrare, si filozofi e cila formëson “qenien letrare” (Zhenti). Në këtë kontekst, parakuptohet pozicioni edhe i interpretuesit të tekstit apo teksteve letrare, që gjithashtu ka status autonom, karshi objektit të studimit/interpretimit; pra teksteve letrare. Ky dimension kërkimor, përveç tjerash, mëton hetimin nivelit të letrarsisë në tekstet Fishtës, domethënë karakteristikat dhe kategoritë letrare, të cilat e bëjnë një tekst të dhënë vepër letrare, me një intencë kërkimore që pretendon të analizoj rrafshet ligjërimore (diskurset) si kategori dhe përbërës të ligjëratës letrare të Fishtës. Në këtë sens, ky studim i projektuar nga qasja e analizës së diskursit apo diskurseve letrare, në esencë pikëqëllim ka “deshifrimin” e natyrës ligjërimore në letërsinë e Fishtës (diskurset letrare si kategori që konfigurojnë tekstet letrar të autorit në kuadër të korpusit të gjerë të krijimtarisë së tij letrare që përbëjnë zhanret themelore të letërsisë, epikë, lirikë, dramatikë dhe satirikë). Në këtë arenë kërkimesh, na implikohet përkufizimi i teoricienit të letërsisë, Ian Meclani në eseun Leximi dhe Interpretimi, kur thotë se procesi i leximit dhe interpretimit të një teksti letrar ka në shtratin e tij, së paku dy kategorizime; i pari nënkupton se “roli i interpretimit është të korrigjojë ose të arsyetoj një lexim; i dyti sugjeron se interpretimi, në të vërtetë vendos kuptim dhe lidhje në një mjedis historikisht të përcaktuar“. Në këtë rrafsh të procesit të leximit dhe interpretimit të letërsisë së Fishtës, autorit më specifik në kulturën letrare shqipe, i cili ka përjetuar vlerësime nga më të ndryshmet, prej atyre në glorifikim, deri në përbuzje dhe mohim të plotë, synojmë të arsyetojmë një mënyrë leximi, që do pretendon të korrigjojë ose arsyetoj një lexim, duke e vendosur në marrëdhënie me historinë e letërsisë shqipe. Për të realizuar sa më esencialisht këtë intencë, duhet praktikojmë atë që na sugjeron teoricieni i letërsisë Roland Barthi për vdekjen e autorit, për hir të vet qenies së tekstit, ngase që kur shkruhet teksti, autori humb origjinën dhe fillon jetën shkrimi. Procesi i leximit, së bashku me procesin e interpretimit të letërsisë, mund të shoqërohet edhe me “konfrontime” letrare, që mund të shkaktojnë mospërputhje pikëpamjesh me interpretime të tjera që kanë dalur rreth korpusit letrar të Fishtës. Konsiderojmë se kundërvënia e mënyrave së më të shumta të shqyrtimit të letërsisë së këtij autori (apo edhe më gjerë, të korpusit të letërsisë shqiptare), vetëm do ta pasuronin sfondin e vlerave letrare dhe zhvillimin e letërsisë shqiptare. Mirëpo, edhe do të arsyeton a “dëshmon” bindjen tonë (dhe jo vetëm tonën) se letërsia e Fishtës, i përket përmasave të majave letrare në kulturën e shkrimit shqip. I parë nga këndvështrimi se interpretimi ideal për letërsinë mbetet vetëm një “dëshirë”, ngase kemi të bëjmë me një objekt të larmishëm letrar dhe kompleks, korpusin e vëllimshëm dhe shumëdimensional të autorit do e shqyrtojmë në kontekstin e poetikës së diskurseve narrative dhe kategorive diskurseve si ligjërime letrare. Kjo formë e shqyrtimit të korpusit të gjerë letrar të Fishtës, do të bëhej më e pranueshme nëse pranohet mendimi, të cilin na sugjeron studiuesi Umberto Eco në librin “Gjashtë udhëtime nëpër pyjet narrativ” kur shkruan se:Rregulli themelor për t’iu qasur një teksti narrativ (një vepre letrare , vërejtja ime N.U.) është që lexuesi të pranoj heshtazi një marrëveshje fiktive me autorin. Këto referenca që i përmendëm, më shumë se terma e mendime teorike letrare, shtresojnë një dimension logjik të interpretimit të tekstit letrar, pra letërsisë së Fishtës; dimension i cili korrespondon me esencën e “qenies” së teksteve letrare, esencë kjo e cila mëton të hetohet përmes analizës së imanencës e teksteve letrare. Po i kthehemi edhe njëherë referencës së semiologut Eco të më lartë cituar për arsye operuese, ngase na sugjeron dy aspekte letrare, të cilat i vlerësojmë esenciale për të hyrë në universin e letërsisë së autorit. Po ashtu japin premisat, për dy kategori të rëndësishme të marrëdhënieve mes tekstit letrar dhe deshifruesve të tij, kritikëve letrar:

a) së pari, se ekziston teksti letrar që është unikat, në tersi, me strukturën e shpërndarë në sipërfaqen e tekstit, ndërtuar përmes një rrjeti strukturor shumështresore dhe shenjave letrare, në formë të kodeve informuese letrare që prodhojnë shumësi kuptimore, dhe:

b) së dyti, ekzistojnë deshifruesit e tekstit letrar, që janë, në këtë rast kritikët letrar, të cilët interpretimet letrare i bëjnë sipas një kuadri parimesh kritike letrare dhe estetike karshi objektit të caktuar letrar, në këtë rast korpusit të letërsisë së Fishtës.

Letërsia si dialog

Përmes analizës së kategorive të diskurseve dhe diskurseve narrative, synojmë të interpretojmë, përveç tjerash, relacionet jashta letrare (të natyrës intertekstuale a interdiskursive), që shfaqën në letërsinë e Fishtës, si në nivel të topikës, të figuracionit letrar, ashtu edhe në aspektin e ligjërimit dhe shenjave poetike në tërësi. Hetimi i funksioneve që paraqesin kategoritë e veçanta të diskurseve, brenda korpusit të përgjithshëm të veprave letrare të Fishtës dhe veprave në veçanti, mundëson për t’i vënë relacionet në raporte interkomunikative, për të parë si funksionojnë brenda diskursit autorial në shkrim, në kuptimin Unik që ka Teksti Letrar kategoritë e diskurseve.

Korpusi letrar i Fishtës, brenda fushave themelore të shkrimtarisë së tij, ndërtohen përmes një strategjie letrare, që njeh në mënyrë funksionale dy komponentë të ndërmjetme shkrimore, të cilat shkrihen nën stilin autorial: fiksionin dhe rrjetin e parateksteve; rrjet ky që shfaqët në formë të ndikimeve intertekstuale përbrenda sistemit letrar të opusit letrar të Fishtës. Në të vërtetë, Fishta duke qenë njohës dhe pasionues i madh i letërsisë, e dinte se shprehja e rikrijuar rishtazi (Horaci) përmbush intencën estetike më plotësisht dhe realizon katharsisin Aristotelian, si një dimension i domosdoshëm i krijimit poetik. Andaj rrekët së shkruari në këtë formë, duke krijuar shprehje, të cilat tingëllojnë të njohura për audiencën letrare, por që në vete ngërthenin vlera universale të domosdoshme për shpirtin shqiptar. Këtë logjikë letrare autori i ndjek në gjitha zhanret letrare ku krijoi. Ndërsa kjo formë e krijimit ndeshet më fuqishëm dhe atë në shumë plane strukturore, në konfigurimin e tekstit epikë, “Lahutën e Malcis“.

Fishta letërsinë e shkruan nga një referencë letrare, të cilën e përpunon mjeshtërisht dhe e rikontekstualizon në gjendjen e tij, për t’i dhënë status të qëndrueshëm dhe të tejkohshëm autorial, për të dëshmuar atë që shkruan Linda Hacion se: “Libri është thurje me libra tjerë, me tekste tjera, me fjalë tjera: ai është nyje përbrenda rrjetit“. Është ky lloj i letërsisë që merr karakter konotues. Mesazhi letrar tingëllon aktual, sa do që autori, ta zëmë shkruan për ngjarje, personazhe të kaluara e të largëta. Ky tip i krijimit, brenda letërsisë së Fishtës paraqitet në nivele të ndryshme dhe dallon prej zhanrit në zhanër. Në tjetër formë e gjejmë në epikë, tjetër në lirikë dhe në tjetër në dramatikë e satirikë.

Duke qenë librat thurje gramatikore, sipas një renditje të organizuar në princip, nga disa parakonceptime për letërsinë, Fishta tekstet i ndërlidh brenda një sistemi poetik me një nyje triadike: aty inkorporon fiksioni letrar, si element i parë konstituiv e shkrimit artistik, për ta zgjeruar me mbarështimin e figurave, ideve dhe ngjarje të njohura (letrare e religjioze); dhe pastaj i realizon brenda konteksti shoqëror, i cili kontekst motivon disa segmente letrare të krijimtarisë së tij.

Semiologu Umberto Eco në eseun “Borghesi dhe ankthi im nga ndikimet” shkruan: “Librat flasin njëri tjetrin“-. Duke “folur” librat me njëri-tjetrin, bëjnë procesin më të natyrshëm të ngjasimit. Në këtë aspekt, letërsia e Fishtës ndërton një rrjet të gjerë të interkomunikimeve aktive me tekste dhe parateksteve letrare, kulturore, historike a religjioze. Epika e tij mund të lexohet në relacion të ngjashëm më epet klasike, Iliada, Odisea, Eneida. Ndërsa, tragjedia “Juda Mukabe” shkruhet në relacion me Biblën. Mirëpo në lirikë bëhet një hibridizim, ku diskursi biblik dhe ai historik e oral shkrihen në konfigurimin e lirikës së Fishtës. Në satirikë, referencat letrare janë kryesisht shoqërore, por që hasen shenja, figura dhe aspekte interdiskursive, qoftë me diskursin biblik, qoftë më trajtat tjera interdiskursive.

Dialogu letrar, natyrshëm nënkupton relacionet, referencialitein, të cilat elemente i ndërton teksti nw rrjet me tekste për rreth tij, që në kritikën letrare, kategori kjo qw tashmë njihen me nocionin intertekstualiet. Këto marrëdhënie të ndërmjetme letrare, në të vërtetë përbëjnë segment me rëndësi në procesin e leximit, kuptimit dhe interpretimit të letërsisë së Fishtës. Letërsia e Fishtës në këtë rrafsh, në gjitha planet e ligjërimit na shpie kah referencialiteti, edhe si aspekt tematik, por më shumë si diskurs. Pra letërsia e Fishtës bën një dialog aktivë. Çështja e relacioneve interletrare, në kuadër të poetikës letrare që ndërton Fishta, paraqitet mjaft specifike, jo vetëm si karakteristikë për autorin, por edhe për kulturën e shkrimit shqip përgjithësisht. Letërsia e Fishtës në planin e çështjes së relacioneve me referencialitetin, nuk dallon shumë nga pjesa dominuese e letërsisë shqipe: veprat e autorit kanë për bazë strumbullarët fundamentale që influencuan letërsinë tonë; kultura letrare biblike dhe kulturën letrare orale. Mirëpo këtu trajtat e ligjërimit dallojnë nga gjithë autorët tjerë që kanë për objekt të trajtimit këto dukuri Por dallon esencialisht me mënyrën e transformimeve të diskurseve dhe temave. Këto lloje të ndikimeve i gjejmë në epikë te “Lahuta e Malcis“, në lirikë te dy librat me poezi “Mirzi i Zanavet” dhe “Vallja e parrizit“, në dramatikë te “Juda Mukabe“, me ca nuanca edhe në satirik, përshembull te libri “Anzat e Paransit“. Por Fishta hë për hë, përvidhet nga këto strumbullarë dhe “del” e hedhet thellësive mistike të poezisë, për të dalur në pah krijuesi i vërtetë, shpirti artistik fishtian. Këtë e bënë te lirika “Një lule vjeshte” dhe një tufë lirikash religjioze ku pulson shirit i madh krijues. Megjithëse “thenë” natyrën tematike të rënd, shkëmbore e mashkullore, siç e përkufizon stilin Fishtës Lasgush Poradeci, edhe këtu Fishta nuk i ik ndikimit të gjuhës ligjërimore orale, sidomos në formësimit figurative dhe gjuhën religjioze biblike që përbën shpirtin e kësaj kategorie lirike. Por autori këtu, më fuqishëm se kudo, shpërfaq potencën e jashtëzakonshme krijese, potencë kjo që ka fuqitë e një krijuesi me përmasa universale.

U tha se librat “flasin” me njëri tjetrin. Së këndejmi, është e natyrshëm që procesi i riartikulimeve të konvertoj trajtat burimore në një status që merr shenjën e autorit. Megjithëse në esencialitetin e transformimeve letrar, marrëdhëniet mes kodit letrar dhe ligjërimit autorial ndërrojnë esencialisht, në letërsinë e Fishtës, kemi tekste ku vetëm sugjerohen konotome letrare, siç është tragjedia “Juda Mukabe“. Ngase, duke u manifestuar në trajta qoftë të ndryshme shkrimore (e kam fjalën zhanore), apo edhe shkrimore, nga poezia në prozë, apo anasjelltas, referencat shkrihen dhe marrin karakter të ri letrar, që vishen mjeshtërisht nga stili dhe diskursi fishtian. Duke u “ndryshuar” referencat ndryshojnë mesazhin dhe riartikulohen natyrshëm nga një pozicion i ri. Këto trajta të shkrimit i ndeshim, ta zëmë në tragjedinë “Juda Mukabe“, ku Fishta lëndën religjioze e dramatizon në zhanrin e tragjedisë, me nuanca të klasicizmit dhe ja “përshtat” gjendjes kulturore dhe shoqërore të audiencës së tij letrare. Këndej, kjo tragjedi ruan statusi të dyfishtë letrar: përcjell ngjarjen e njohur biblike si reminsehcë, me gjithë pasojat që sjell dhe përshkruan gjendjet e kësollojshme në kontekstin shqiptar për të implikuar analogjitë e mundshme.

Letërsia është dialog, mbase dialog permanent, që zhvillohet në relacion të gjera, në të cilat relacione të dialogimit, bota e plotfuqishme artistike autoriale ka statusin special. Poiesisi (krijimi nga asgjëja, sipas Aristotelit), mbetet në këtë rrafsh përcaktues i qenësisë së letërsisë. Krijimi poetik në kuadër të korpusit të letërsisë së Fishtës, në të shumtën e herave konstruktohet duke ruajtur natyrshëm referenca letrare a kulturore. Kjo letërsi ka modelin, riprodhohet përmes modelit dhe simboleve kryetipore (Fraji), si pjesë e imazheve që merr sistemi psikik krijues në procesin e shkrimit. Ky nivel letrar në relacion më diskursit autorial-personal, rrafshi i së cilit dallon artikulimin e pastër fiksional të autorit, në relacion me rrafshin tjetër, i japin korpusit të letërsisë së Fishtës, karakter polisemantik edhe në planin e topikës, po ashtu edhe të diskursit.

Mendimi lartëshkruara që konceptojnë e letërsisë si dialog, na shpie te vlerësimi: duke qenë letërsia dialog permanent interaktive dhe dinamik, produkti i kësaj qenie letrare, që është teksti letrar/estetik, dialogun e bën me tekste që janë të shkruara më herët, të fushës se letërsisë dhe joletërsisë, por që kanë cilësi letrare. Si të këtilla, përgjallojnë sipas sajesës së sojit letrar (zhanrit). Tekstet letrare të Fishtës krijojnë analogji brenda llojit letrar, por edhe veçmas. Sidomos në letërsinë e Fishtës, gjejmë tekste që derivohen dhe humbin në esencë natyrën origjinale. Tragjedinë “Juda Mukabe“, Fishta e shkruan në vargje, përkundër shkrimit origjinal që është në prozë. Po ashtu, inkorporomi i personazheve letrare, citateve a figurave të ndryshme, leksikut apo rrjeti i toposit (temave dhe motiveve), në letërsinë e Fishtës merr fuqishëm karakter personal, stil të veçantë, që është stili fishtian, i karakterizuar fund e krye në nga diskurs specifik i shkrimit letrare ligjërimor dhe që ka një karakteristikë të përhershme, që Michel Fuco e thekson si Diskursi i Fuqise (Poëer discourse) Në këtë kuadër, duhet përmendim rrjetin predominant që kanë ndikuar në letërsinë e Fishtës, siç janë veprat e lashta të antikitetit greko-romak, Iliada, Odisea, Eneida, pastaj Bibla dhe letërsia orale.

Studimet bashkëkohore të letërsisë, kanë avancuar me metodën që i analizon tekstet në rrjet, duke i parë në lidhje të ngushta me tekstet pararendëse. Teoritë e këtilla, tashmë i mbështesin dijetar të shumtë të studimeve letrare, dhe atë të disiplinave të ndryshme. Mbase, mendime të kësaj kategorie ndeshim edhe në antikitet, edhe pse të paformuluara sikur sot. Kështu në Artin Poetik të Horacit gjejmë këtë sugjerim për shkrimtarët: “shprehja e krijuar rishtazi do të ketë vlerë të qëndrueshme“. Ky është dimensioni intertekstual i letërsisë, të cilin aspekt të letërsisë e sforcon Roland Barti kur pohon në formë përkufizuese se: “çdo tekst, është intertekst“. Ndërsa edhe semiologu i njohur i letërsisë Umberto Eco, kur diskuton për ndikimet letrare shkruan: “gjëja më interesante është se librat flasin mes vete“. Rrjeti intertekstual i tekstit letrar i jep status poli/letrar. Duke interkomunikuar, duke “folur”, librat njëra me tjetrin, natyrshëm marrin e japin trajta të ndryshme letrare, “shfrytëzojnë” njëra-tjetrën, për të thithur përvojat e qëndrueshme letrare dhe diskursin, që në transformimet letrare merr shenjën autoriale, nga fakti se çdo libër letrar ka vulën e origjinalitetit, të cilën ja jep stili autorit, i cili në kuadër të ndikimeve intertekstuale, gjithherë ruan aspektin autorial si pjesë e natyrshme e sistemi fiksional të krijimit. Në sensin e kësaj ideje letrare, kërkimi i letrarsisë në kuadër të veprës letrare të Fishtës, si tërësi, përmes aplikimit të modelit interkomunikues mes literaturës, pra nga konteksti se librat “flasin” me libra tjerë, me kultura e modele të ndryshme ligjërimi, të cilat qoftë si sekuenca narrative letrare, apo edhe tërësi diskursesh, paraqesin, posaçërisht dimension me rëndësi në konfigurimin e tekstit poetik të Fishtës, paraqet një aspekt të rëndësishëm dhe me mjaft peshë në kuadër të kuptimit të korpusit të autorit tonë.

Të lexosh diçka si letërsi është ta trajtosh atë si një ngjarje që ka kuptim në lidhje me ligjërimet tjera” (Xhonatan Keller). Letërsia e Fishtës është pikë ku gjendën trajta të nyjëtimit të ligjërimeve të ndryshme letrare e kulturore, që si të tilla përbëjnë në vete rol të rëndësishëm letrar dhe përmes së cilës nxjerrim kuptimet e ligjërimeve të ndryshime të qenies njerëzore dhe botës së letërsisë.

Teoricieni dhe poeti gjenial antik Horaci, në vargjet brilante poetike, por edhe teorike kritike, sugjeron shkrimtarët e gjitha brezave: “Ju që shkruani, zgjeshni lëndën që u përshtatet fuqive dhe mendonin gjatë së çfarë mund e çfarë s’mund të bartni mbi supet tuaja”, për të shtruar se “shprehja e krijuar rishtazi do të ketë vlerë të qëndrueshme“. Sugjerimin në fjalë, Fishta e bën pjesë funksionale të letërsisë së tij më vetëdije të plotë krijuese, për ta zbatuar me devotshmëri krijuese në gjitha zhanret letrare. Sidomos në aspektin e rikrijimit të trajtave të njohura letrare, që tekstet e Fishtës i bën të gjalla, dinamike dhe sugjestionuese, përmes frazeologjisë dhe gjuhës popullore dhe dialektit gege, që e bën krejt e veçantë në kulturën letrare shqipe këtë lloj shkrimi.

Gjergj Fishta dijet letrare i zhvilloj përmes asimilimit të kulturës së lashtë folklorike, me atë mitologjike. Ernest Koliqi mendon se Fishta landën letrar për epikën e nxori pas kontakti me botën e Malësorëve, ku ndesh botën heroike dhe patriotike dhe kështu duke “mbledhun kangë e fjala e fraza, tue banue midis tynëe, tue pas rast si bari shpirtënash më u a njoftun me themel psiken, ai atëherë rrinte e mbyllej me shtatë dryje në vetvete“.

Për t’i pasuruar e zgjeruar kurdoherë këto thesare letrare e kulturore, Fishta tharmon imagjinatën për të interkomunikuar edhe me artin universal e veprat më eminente të artit botënor. Këtë e dëshmon në tekstet teorike për probleme të ndryshme të estetikës, artit, letërsisë, muzikës. Konceptet krijuese të autorit, sikundër riformulojnë e artikulojnë teoritë fundamentale klasike për artin e letërsinë. Në tekst, autori jetëson konceptet për të këndshmen dhe të dobishmen në art e letërsi . Duke ditur që është e dobishme, njëherit e këndshme të këndohet kodi i mitit nacional, tekstet kurdoherë ruajnë shenjat e intencës kërkimore, që rezultojnë me destinimin; ky lloj kangëtimi influencon për të frymëzuar zemrat djaloshare për lirinë Atmes e fesë, që ishte projekt letrar e kulturor i Fishtës, i nisur fillimisht, më himnizimin e trimërisë, lavdisë, bukurisë shqiptare, kujtesës historike, implikon, pastaj diskursin historik, me përmasat e mitit për prejardhjen lashtë Ilire, dhe për kohën e lavdishme të Gjergj Kastriotit: komponente këto që do të bëhen hallka të rëndësishme në orkestrimin e letërsisë së tij, sidomos epikës dhe lirikës. Duke pasur për bazë këto komponente autori krijon disa lloje të diskurseve. Në këtë rrafsh, diskursi historik është përcaktues, por përmasa diskursit glorifikues e sforcon ligjërimin historik dhe i jep intenconalitet më të fuqishëm e më kumbues. Këtë autori i bën përmes diskursit të fuqisë (Michel Focou) që ka potencë të thellë krijuese. Por çka ndodh, ky lloj diskursi përfundon në kontrastin letrar, në sarkazëm therëse e rrënqethëse, që të trandë shpirtin e të ngjeth trupin, kur shkrimtari godet pamëshirshëm dvarrësit e idealeve dhe qëllimkëqijtë e kombit. Jo vetëm në satirë, por edhe në epikë e lirikë ndeshim nuanca të shumta të këtij lloj diskursi. Kjo domethënë se autori nuk donë kompromis me prishësit a thyerësit e idealit të misionarit. Në të vërtetë, ku soj ligjërim më së miri gjen vetën në zhanrin e satirës, ku Fishta tejkalon kornizat konvencionale të shkrimit letrare, edhe të lirikës edhe të epikës. Këtu diskursi glorifikues tretet, dhe gjitha dobësitë shqiptare autori i merr në thumbim. Në fakt, këtu Fishta përdor kamçikun. Mu sikurse bariu i tij shpirtëror biblik, kryetipi njohur nga mësimet biblike, dhe me të fishkëllen gjithë ata që devijojnë idealeve të projektit shqiptar për emancipim e liri, si projekt autorial. Në këtë rrafsh, Fishta ndërton analogji implicite me ngjarjen biblike, kur Jezu Krishtin, në Sinagogë sheh të bëhet tregti dhe merr kamçikun e fishkëllen me të. Ky dimensioni simbolik i teksteve, që Northrep Fraji i analizon në kontekstin e përfytyrimeve që kanë ngjarjet, personazhet në shkrimin letrar, edhe pse i padukshëm në sipërfaqen e jashtme të tekstit lexohet nëse analizohet në kontekste të ngjarjes së përmendur.

Teoricieni e mendimtari i letërsisë Roland Barthi, shkruante: “teksti është një endje citimesh që vijnë nga mijëra kultura”. Ky mendim i Bariti mund të “shërbejë” në shumë nivele sprovues, domethënës në mëtimet /kërkimet tona, ngase në tërësi çështja e sistemit letrar të autorit, në të gjitha zhanret ku shkroi letërsi, funksionin si endje funksionale citimesh, ngjarjesh e personazhesh që vijnë nga kultura të ndryshme të njohura në kulturën tekstuale shqiptare apo edhe dimensionet universale të shtrirjes së botës së letërsisë.

Fishta në zhvillimet letrare dhe kulturore, niset me një projekt letrar, dhe këtë shohim qartë se e jetëson përmes një strategjia letrare. Në këtë strategji, krijimi e tekstit poetik ka një qëllim, një funksion, dhe në të njëjtën kohë përcjell një ide-mesazh. Në zhanrin e epikës, te teksti “Lahuta e Malcis”, Fishta jep totalitetin e mundshëm të historisë shqiptare, duke zbritur në të kaluarën dhe duke kënduar aktualitetin, si premisë për të ardhmen. Përmes dijes empirike letrare, autori thithë në përmasa eksplicite kulturën e letërsinë orale, ngjarjet dhe personazhet e njohura nga diskurset historike e orale, thith kodet tematike e retorike, të së cilat i hibridizohen, mbivendosë, kombinon dhe i ridistribuon përmes mekanizmave poetik në strukturën e tekstit, për të funksionalizuar e formësuar diskursin epik, i cili ka shenjat poetike personale dhe ndikimet intertekstuale, sidomos ato që vijnë nga lloji përkatës poetik. Shenjat poetike referenciale shfaqen edhe në planin kompozicional (të jashtëm, që shenjën e parë e ka në formulimin Lahuta, dhe mbiemërzimin e Malësisë, që nënkupton një vendbanim të njohur gjeografik, që implikon llojin e këngës me ritëm e elemente të diskursit përshkrues që del nga fushëveprimi ambiental). Model letrar, i përshtatshëm për Fishtën, mbetet kultura retorike e komunikimit poetik me elemente heroike: (autori fillon me bariun Marash Ucin, Oso Kuka, Trinëgn, Dedë Gjo Luli, Naim Frashri e përfundon me Abdyl Frashrin, etj.), të ndërthurura në një planë tjetër nga shfrytëzimi i mitologjisë së lashtë (përmes Zanave, Orëve, Dragonjve). Për të sforcuar diskursin, autori kurdoherë referencat, citatet, shenjat, ngjarjet i transformon në mënyrë eksplicite për t’u jetësuar në dritën e kohës, me metafora e krahasime e gjetje brilante poetike. Edhe pse teksti epik ndërtohet sipas modeleve klasike të epëve, në esencat e shenjave letrare gjejmë shtratin e kulturën retorike shqiptare, përmes leksikut, fjalëformimit, figurshmërisë, elemente këto që përgjallojnë nëpër ambientet e përditshmërisë shqiptare Gjitha këto elemente bazike, brenda strategjisë së autorit për tekstin, pra projektimet ideore dalin të përpunuara mjeshtërisht. Autori empirik thërret referentin, për t’i shpërthyer ekzaltimet shpirtërore, idetë letrare dhe me narratorin ndërton një relacion shkak/pasojë. Rrjedhimisht, këtë filozofi krijuese, autori empirik e shpreh në vargun ftillues të “Lahutës…”, përmes së cilit varg sugjeron dhe njëherit thekson në formë kushtruese intencën letrare, duke kërkuar mbështetjen e Zotit, për të kënduar gjallimin e kombit, në pesëçindvjetët robërisë turke, që kishin pllakosur vendin në një prapambeturi tmerruese, shenjat denigruese të së cilës kishin bërë të zvetonheshin ato idealet kastriotinae: “Ndihmo Zot, si m’ke ndihmue“. Kjo hyrje ftilluese, njëherit na sugjeron futjen në lojë të dimensionit intertekstual e interdiskursiv të tekstit, i cili në rend të parë i referohet filozofisë së tij religjioze, së dyti modelit epik, për të bërë të ditur se në këtë tekst rrëfehet, tregohet, pra ka narracion për një ngjarje të caktuar në të cilën ai krijon të ndërtoj marrëdhënien mes narratorit dhe audiencës. Fishta kërkon referentin për të nisur kangëtimin e nacionit dhe me këtë referent vepron tutje, duke u bërë teksti i tij endje funksionale citimesh e ngjarjesh që vijnë nga kultura dhe letërsi të ndryshme. Hyrja në Lahutë, shënjon edhe një analogji me “Iliadën” e Homerit. Këndo hyjneshë mërinë e Akilit. Vetëm dallon narracioni. Te Fishta kemi interkomunikim të drejtpërdrejtë poet/zot, ndërsa të Homeri kemi narracion atributive.

Letërsia e Fishtës zhvillohet në një kontekst kulturor dhe letrar që dominohej nga retorika heroike që përcillte zhvillimet shoqërore dhe transformimet e shumta dhe shumëdimensionale. Kjo dominacnë, deri diku, vetvetiu nënkupton edhe modelin letrar dhe diskursin, i cili natyrshëm ka shenja të fuqishme të korrespondimit të thellë me këtë gjendje, motivohet prej saj dhe ka këtë synim letrar.

Në këtë univers, rëndësi kanë edhe rrugët e formësimi të autorit, ajo që Sharl Lalo e quan psikologji autoriale. Ky estet i njohur frëng duke diskutuar aspektin psikologjik në vepër dhe në kapitullin “Estetika psikologjike” duke shkruar për personalitetin, sinqeritetin dhe fiksionin shkruan: “Shpesh përsëritet se vepra duhet të jetë shprehje e personalitetit të autorit të saj dhe se, sa më personal që është, aq më e bukur del. Shenjat me autentike të estetikes së tekstit të Fishtës, formësohet përmes dy komponentëve të rëndësishme estetike: dijës paraprake letrare, në formë të një parakonceptimi që ndërton autori për letërsinë në rrugën e formimit të tij artistik. Në këtë rrafsh, doemos inkuadrohet edhe talentit krijues, fiksionaliteti, që përbëhen bashkë më modelet pjesë e “qenies letrare” të letërsisë.

Letërsia Fishtës në esencën e saj ka vulën e gjendjes shoqërore. Autori njihte mirë trendët letrare në kulturën letrare perëndimore. Por kundronte gjendjen dhe zgjidhte dilemat e tij; për shqiptarët nuk ishte momenti të shkruhej letërsi e dimensioneve që përfaqësonin shembull, autorët si Kafka, Xhojsi e Kamys, por duhej sforcuar morali, duhej mobilizuar për të shpëtuar ekzistencën, duhej, në fund të fundit, të motivohej një shpirt kombëtar i degraduar në synim për liri e pavarësi. Në këtë synim, Fishta zgjodhi lëndën që i përshtatej fuqive të tij krijuese (Horaci), por, edhe artikuloj pozicionin e fuqishëm kundruall audiencën letrare dhe presupozoj një audiencë të caktuar letrare. Duke e ditur se kulturës letrare shqipe i mungonte një tekst themelor nacional i identifikimit, Fishta iu rrek shkrimit të epit, kur ky zhanër i përkiste së kaluarës. Dhe në këtë qëllim, autori e kuptonte se më së miri, mund të ndikoj epopeja kombëtare, që do të këndonte përpjekjet për pavarësi, vështruar në planin historik dhe perspektivë, e cila vepër i mungonte letërsisë shqipe. Këtë gjë nuk e kishin bërë më parë as autorët si De Rada, Naimi, Noli, Skiroi, përkundër përpjekjeve të herëpashershme. Dhe ndërtoj një simfoni epike të brilante, e cila pati ndikim të jashtëzakonshëm jo vetëm në botën letrare, por edhe në përgjithësi në audiencën e shumtë, që u bë model. Fishta donte që letërsia të influencoj.

Fishta ishte njeri religjioz me formim, i ndërtuar mbi mësimin e krishterë dhe biblik. Ky segment, do të bëhet dimension fundamental, që i jep shenjën autoriale, ngjyrë krijimtarisë së tij, parashenja e së cilit zë fill me artikulimin e projektit bazik autorial për Atme e Fe, postulate rreth së cilit sillet pjesa dominonte e krijimtarisë së tij. Fishta si bari shpirtëror dhe frat françeskan (rregull i krishterë që ka si objektivë jetën sa më të vështirë, për t’iu ndihmuar të tjerëve), i gjendur në një ambient ku funksionon në përmasa të mëdha kodi oral i jetës dhe i organizmit shoqëror (në Malësi), del në furtunat letrare dhe shkruan nga pozicioni i artistit, duke aplikuar një diskurs të fuqishëm. I mahnitur nga madhështia e bujaria e shpirtit të malësorëve, Fishta krijon miqësi me njërin nga malësorët, i cili do të behet edhe personazh i rëndësishëm në “Lauhtë e Malcis“, me Marash Ucin, personazh letrar i dokumentuar historik, i cili do të ndikoj shumë në epikën e tij. Po ashtu njihet për së afërmi me trajta të moçme folklorike, të cilat i absorbon dhe i funksionalizon duke ju dhënë stil të veçantë poetik. Jashtë këtyre pikave të rëndësishme, për të kuptuar natyrën e letrarsisë së Fishtës, mbetet me rëndësi të përmendim edhe përvojën letrare, si fushë empirike autoriale për letërsinë që zë fill më kontaktet e tij më letërsitë sllave, gjatë studimeve të tij në Sarajevë. Për këto Fishta në flet edhe vete në diskutimet e tij për artin dhe estetikën, përsiatjet që shpalosin karakterin shkrimtarit. Autori është lexues i pasionuar i autorëve të mëdhenj antikë, prej së cilëve magjepsej.

Gjitha këto ndërlidhën në literaturë përmes një indi, i cili njeh shndërrimet e mëdha, të cilat i gjejmë ne veprën e tij letrare; shndërrime do thoshim epokale, të cilat i përjetonte populli shqiptar, barrën kryesore të së cilës natyrisht e kishin intelektualët dhe shkrimtarët; nga të cilat zhvillime Fishta nuk shkëputet asnjë qastë; kalimi nga joliria drejtë lirisë, emancipimit dhe konsolidimit të kombit shqiptar, është beteja në të cilën Fishta artikulon vetën në art. Në fakt, Shqipëria dhe shqiptarët gjendeshin në një djerrinë kombëtare, por edhe religjioze. Nga i cili aspekt edhe motivohet shkrimi i bazuar në dy komponentë Atme e Fe, të cilat marrin trajta poetike të jashtëzakonshme, personale për t’u bërë tema të mëdha të letërsisë së autorit; madje tema fundamentale, të cilat do të përshkojnë ligjëratën poetike të Fishtës, në kuadër të gjitha zhanreve letrare; veçanërisht epikën. Në fakt, përmendja e këtyre elementeve jashta letrare, ka një motiv shpjegues për letërsinë e autorit. Sepse, prej këtij konteksti u motivua një pjesë e konsiderueshme e krijimtarisë letrare, ndikim që del në mënyrë eksplicite, me përjashtim të disa lirikave dhe teksteve metafizike e kushtuese (religjioze). Gjithsesi një përjashtim nga ky kuadër paraqet teksti poetik “Një lule vjeshte“, dhe si i këtillë del me status karakteristikë në kuadër të korpusit letrar fishtian, dhe që këndej shtron domosdonë e një ekstrainterpretim, ngase aty Fishta përvijohet nga vetja, për të dal i pastër në pasionin e tij krijues, në të cilën shpërfaq fuqinë brilante të këndimit poetik, duk mbetur larg zhvillimeve shoqërore.

Dimensioni semantik dhe estetik në letërsinë e Fishtës

Teksti letrar, “qenia e letërsisë së tij“, ndërtohet mbi dy kategori esenciale, të cilat njëherit janë preokupim i vazhdueshëm në fushën e interpretimit të letërsisë: aksi semantike dhe aksi estetike. Kualifikimi i parë ndërlidhet me idetë, kuptimet, ngjarjet, rrjetin narratologjik (mënyra si thuret ngjarja nga këndvështrimi i diegesisit aristotelian); dhe, kualifikimi i dytë ndërlidhet me rrafshin e mënyrës se si janë manifestuar në tekstet letrare elementet kostutituive estetike, elemente këto që janë të natyrës gjuhësor, stilistike, përgjithësisht atë që mund ta konceptonim gramatikë e tekstit letrar. Këto dy komponentë të cilat i përmendëm, implikojnë dy nivele të leximit të tekstit letrar, të cilat Umberto Eco i shtron në kuadër të nivelit të leximit semantik dhe leximit estetik të tekstit letrar. Po ashtu, kategoritë e lartëshkruara sugjerojnë edhe dy akse të mundshme të interpretimit të letërsisë pas procesit të leximit dhe gjenerimit të kuptimeve në tekste të caktuara letrare. Duke operuar me këtë kuadër termash (nocionesh) letrare, letërsinë e Fishtës e dimensionojmë, në dy segmente, të cilat i identifikojmë tek tekstet letrare të fushave themelore të letrarsisë së tij: në epikë, lirikë, dramatikë dhe satirikë. Në këtë korpus tekstesh, dy kategoritë e përmendura, paraqiten në plan të ndryshme dhe dalin në funksion të përmbushjes së idesë finale të tekstit, pra asaj që i është statusi letrar. Prandaj edhe shqyrtimi-kuptimi i letërsisë fishtian, përmes këtyre dy kategorive, bëhet për të specifikuar dy përbërës themelore të letërsisë së tij, që janë:

  1. Dimensioni semantik,
  2. Dimensioni estetik.

Ky kategorizim, në pikëshikim të një analize tekstuale, synon sintetizimin e funksioneve semantike dhe estetike, në strukturën apo strukturat shumështresore të teksteve letrare të autorit. Po ashtu, këto dy kategori letrare, prekin logjikën e funksionimit të teksteve letrare të Fishtës, në planin qëllimor që shtron ai para objektit të quajtur letërsi. Në fakt, niveli semantik dhe niveli estetik i tekstit, jo vetëm që janë pjesë e strategjisë autoriale, në një analizë më të gjithanshme, shprehin esencën e letrarsisë së Fishtës, letërsi kjo që ngërthen në vete këto dy boshte s elemente të fuqishme: teksti të ketë ide, mesazh letrar dhe konfigurim estetik letrar. Këtë pikësynim mbase autori e funksionalizon për të realizuar konceptin aristotelian për letërsinë: Katharsis-in. Në të vërtetë, kjo intencë letrare ndërlidhet me misionin e autorit në shkrim, mision ky që ndeshet në gjitha zhanret letrare, në gjitha mënyrat e artikulimit të diskursit, që për pandehmë ka prototipin e Misionarit Biblik, që studiuesi amerikan Northrep Fraji e analizon në kontekstin e figurës kryetipore të bariut të mirë biblik. Këto dy nivele të konfigurimit të tekstit te Fishtës, kurdoherë pikëtakohen dhe realizojnë fuqishëm poetikën letrare. Sidomos në tekstet narrative (epikë), ku idetë, kuptimet, ngjarjet kanë rol predominant, përpiqen njëra me tjetrën dhe konstruktojnë tërësinë letrare. Këtë tip të shkrimit Fishta më fuqishëm se kudo në tekstet e tij, autori e plason në epikë, te “Lahuta e Malcis“. Në këtë tekst, përpjekja e autorit për të harmonizuar idenë (ngjarjet) me mënyrën e të thanit (nivelin retorik/poetik dhe estetik e stilistik), mbetet një ndër karakteristikat e stilit fishtian. Në këtë aspekt, sekuencat narrative realizojnë nivelin letrarsisë, asaj që Zherar Zhent i thotë “qenie e letërsisë“, të epit në fjalë. Këtë logjikë, autori e ndërton përmes idesë së projektuar, që njohu paramodelin. Në epikë, ky model përshembull ka për bazë së pari rrëfimin sipas tipave të epëve të lashta (Iliada dhe OdiseaHomerit dhe Eneida e Virgjilit), i dyti, ka pikëmbështetje trashëgiminë e pasur vendëse (formë kjo që rezulton në mënyrë eksplicite prej letërsisë orale) dhe që ndeshet në krijimtarinë e Fishtës në formë të diskursit oral, që të bashkuara në shtratin narrativ konfigurojnë statusin final të “Lahutës së Malcis“. Këto elemente letrare gërshetohen, thithën, hibridizon, mbivendos dhe shpërndahen (ridistribuon) në ligjëratën letrare, përmes emocinalitetit poetik, të ndjenjës së thellë lirike dhe fuqisë së diskursit epik.

Në librin “Bërja e analizës së diskursit” (Doing discourse analyses), autorët Linda A. Ëood dhe Rolf O. Krogër, shpjegojnë modele të ndryshme të bërjes së analizave të diskursit. Në këtë kontekst, autorët flasin për “strategjinë e interpretimit“, si orientim efektiv për të analizuar funksionet e diskursit brenda një vepre letrare. Kjo mënyrë e shpjegimit të diskurseve në tekstet letrare të Fishtës, është orientim bazik dhe funksional, i cili në të njëjtën kohë mundëson të aplikohet si metodë e mundshme që kërkon mënyrën e funksionimit të tekstit letrar fishtian, në planin e ligjërimit, dhe idesë së hetimit të tipave të diskuesve brenda strukturës së tekstit konkret.

Letërsia e Fishtës synon të jetë funksionale. Ky term në fakt prek dinamikën e teksteve, në procesin e gjenerimit të kuptimit. I kontekstualizuar në tekstet letrare të Fishtës, termi përbën një komponent me rëndësi, për faktin se nënkupton funksionet që pretendojnë të luajnë tekstet e Fishtës në audiencën. Sidomos atëherë kur rrjeti i këtyre shenjave si kode letrare (semiozave sipas Ecos) në tekst funksionalizohen më qëllim të prodhimit të kuptimeve letrare të caktuara, çfarë synonte autori.

Veprat letrare në ftojnë ka liria e interpretimit, sepse na propozojnë një diskurs shumëplanësh të leximit dhe na vënë përballë ambiguitetit të jetës dhe gjuhës” shkruan Umberto Eco. Në këtë mendim, Eco identifikon dy koncepcione esenciale: ambiguitetin e diskursit dhe jetës. Ky i fundit kap statusin e empirisë letrare. I pari ndërlidhet me tekstin. I dyti me autorin empirik dhe psikologjik. Kësofare ligjërata poetike e Fishtës, në instancën letrare derdh në shtratin e botës narrative letrare, shumëplanësinë e diskurseve të jetës dhe empirisë letrare, drejtë qëllimit final të tekstit, që prodhon ambiguitetin e gjuhës letrare. Në letërsinë e Fishtës ka polidiskurse letrare. Teksti fishtian artikulohet nga një referencë, pastaj merr statusin autorial.

Paradigma letrare Atme e Fe- universi Letrar Fishtian

Gjergj Fishta është autori i përmasave universale, sa do që karakteri i letërsisë së tij, të shumtën e herëve zhvillohet në suaza të qenësisë së botës shqiptare dhe nuk largohet shumë nga topika ekzistenciale nacionale, pra trajtimi i temave që lidhen me etnikumin. Në këtë aspekt, letërsia e tij ndërlidhet pashmangshëm me një kontekst të caktuar shoqëror. Kësisoj edhe iu përgjigjet natyrshëm zhvillimeve të kohës. Sidomos këtë përmasë e ndeshim më fuqishëm te “Lahuta e Malcis“, në të cilin tekst letrar, Fishta shpërfaq fuqishëm dhe hapur qëllimet jashtaletrare dhe kështu arrit të ndërtoj një rrjet paradigmatik letrar që ndërlidhet me Shenjën Letrare, që përbëjnë Strumbullarin e binomit përshkues letrar: Atme e Fe, që do të bëhet, në kuadër të letërsisë së Fishtës, një kod i madh letrar, i ndjekur edhe në strukturat ligjërimore.

Letërsia e Fishtës përfaqëson njërin ndër korpuset më specifike në literaturën shqipe, përgjithësisht. Në kontekstin e kontinuitetit letrar, shënjon dhe avancon ndërlidhjen e fuqishme letrare, me traditën gege të kulturës e shkrimit letrar, kulturë kjo letrare e cila shtresoi elementet bazike për gjithë kulturën e letërsinë shqipe, shpërnderuar në pikëpamje të kodeve tematike, të cilat ndërlidhet me autorët klasik (Buzuku, Budi e Bogdani), të cilët autori Anton Berishaj i vlerëson me formulimin e qëlluar se këta autor përfaqësojnë themeluesit e kulturës tekstuale shqiptare, kulturë letrare dhe estetik kjo, e cila zhvillohet brenda një shtrati specifik, përmes letërsisë së arbëreshëve të Italisë, dhe që më tej, merr vulën përmes autorëve modern të viteve të 30-ta, të cilët përfaqësojnë themeluesit e modernitetit në kulturën letrare shqipe, bashkautor i së cilës është Gjergj Fishta me korpusin e tij letrar, roli i së cilit shkrimtar në letërsinë shqipe do të jetë e rëndësishëm dhe shumëplanesh. Mbase, për shumëçka autori me inflencues. Madje këtë kulturë letrare, autori do ta avancoj në pikëpamje poetike dhe zhanrore në një shkallë të lartë dhe të paarritshme. Kjo frymë zhvillohet edhe më tej, përfundimisht, me zgjerime në kodet ligjërimore. Pikat e përbashkëta interletrare sforcohen përmes Fishtës në formën poetike të shkrimit, në vargje, dhe Koliqit, Camjat e Pashkut në prozë. Shënjues i përbashkët i kësaj literature, mbetet intenca e shkrimtarëve, për të qenë misionar në ide dhe në angazhime konkrete. Te Fishta kjo del në mënyrë eksplicite. Ndërsa tek autorët tjerë fshehët në ndërtekst (përmes trajtave implicite). Këtu edhe njëherë vetëm sa na ripërsëritet mendimi i Cabejt, se poeti në të njëjtën kohë i duhet të jetë edhe prijës, apostull dhe bari i kombit. Dhe në të njëjtën kohë shkrimtar. Veçmas kjo hetohet te letërsia e Fishtës. Dhe më pas, te letërsia e Nolit, letërsi që në pika të përbashkëta, edhe pse zhvillohen në kontrast, pretendojnë të ndërtojnë heroin, misionarin, që hidhet edhe për tej letërsisë, në angazhimet konkrete shoqërore. Noli i kërkon në personalitet, ndërsa Fishta në dy akse, në shpirtin e popullit dhe personalitet historike. Në të vërtetë ky fenomen, nëpër kohë do të bëhet karakteristikë letrare në shtratin topikës dominonte të letërsisë shqiptare. Nëse do të synonim të kërkonim një paradigmë të përbashkët në universin poetik të letërsisë së Fishtës, si nyje që ndërlidh indet e letërsisë së Fishtës, atëherë ideja e kulturim të gjithmbarshëm e emancipim për liri të njëmendtë e shfaqur kurdoherë, dhe atë, me përmasa të gjithanshme, në substratin e së cilit formulim, implikohet formula esenciale, e cila determinon poetikën letrare të Fishtës, pra formula e shënjuar përmes binomit paradigmatik letrar e estetik: Atme e Fe. Ky binom do të bëhet model organizues i teksteve të autorit në shumë nivele dhe me përmasa funksionale. Paradigmë kjo që shenjëzohet përmes kërkesës patetike fishtian, për rinjohje të vlerave nacionale, përmes identifikimit në strumbullarin Atme e Fe. Ky binomi letrar endet në letërsinë e Fishtës me status intencional dhe përbën esencialitetin e ligjërimit letrar. Në fakt, përtej dy termeve/koncepteve abstrakte, ky binome letërsinë e Fishtës do të bëhet paradigmë/shenjë letrare, figurë poetike edhe kur ka përdegëzime intretekstuale e interdiskursive. Me këtë formulim, gërshetohet edhe filozofia e qenësimit kombëtar, në planin e diskursit historik. Njëherit bëhet domosdoshmëri edhe në dritën e së ardhmes. Ky kulturim në tekstin epik, ka për qëllimin edukimin dhe emancipimin kombëtar, ndërsa në tekstet lirike dhe dramatike, mbitheksohet nga pretendimi për edukim dhe kulturim fetar, në përmbushje të misionit të përbashkët: Atme e Fe, që lidhet me Atdheun dhe Kishën. Kjo paradigmë krijuese, siç vlerëson Injac Zamputi mbetet “fanari i jetës së tij, qe sinteza e artit dhe filozofisë së tij. Andaj tekstet e Fishtës ruajnë fuqishëm shenjat e mishërimit me misionin, duke identifikuar plotësisht me misionarin. Me këtë formë të shkrimit, autori vetëm se aplikon teorinë që analizon arketipat letrare, përmes formulës së Bariut të Mirë, e cila sipas Northrop Frajit, nënkupton figurën kryetipore të Bariut të mirë Biblik (Jezu Krishtin), një figurë retorike kryetipore që evokon, dhe e cila sublimon kërkesat e intencës letrare, pas së cilës ec letërsia e Fishtës. Kjo intencë, në statusin letrar të teksteve të autorit, është esenciale, në të njëjtën kohë e nxjerr autorin nga vetvetja dhe e hedh në labirintet e kërkimeve të tij, edhe jashtë letrare. Gjithherë përmes tendencave artistike/letrare. Kësisoj, autori arrin të krijon ambivalencen e gjuhës dhe ligjërimit. Me kujdes të sofistikuar, merr rolin e bariut të grigjës së tij, si bari shpirtëror i popullit të tij, por asnjëherë duke tejkaluar rrethanat e përgjithshme. Ideja e bariut të mirë, funksionalizohet në mënyrë implicite te Kënga e Patër Gjonit në “Lahutën e Malcis“, në të cilën autori vetë identifikohet me narratorin, merr përmasat e tij mbi supë, në rrugën e lirisë së kombit dhe fesë, duke implikuar një rrjet shenjash interdiskursive të modelit biblik e religjioz. Më tej, kjo ide funksionon për mrekulli në personazhin e tragjedisë “Juda Mukabe” dhe në përgjithësi në tragjedinë në fjalë. Vetëflijimin e heroit Juda Mukabes në këtë tragjedi implikon autorin dhe qëndrimet e tij karshi rrethanave të kohës dhe kontekstit të përgjithshëm shoqëror e kulturor të shqiptarëve. Përmes ligjërimit dramatik, autori rrah ndër temat më të rëndësishme të kohës: tradhtinë, mohimin e mikut, nevojën për vetëflijim. Rrjedhimisht, këtë segment letrar e ndeshim edhe në fushën e lirikës, sidomos te personifikimi autorial i cili shkon deri në nivelin e vetëflijimit për atdheun, kur jepet kushtrimi në vargjet: “Qe mue tek m’kni, merreni e m’boni fli“, (“Surgite mortu, Qohuni të vdekun“). Në këtë formë Fishta shkroi letërsi për të mishnuar filozofinë e tij të Kulturimit.

Letërsia e Gjergj Fishtës zhvillohet brenda një periudhë kohore relativisht të gjatë dhe me zhvillime dramatike për popullin e tij. Në kuadër të këtyre zhvillime, autori botën e tij artistike nuk e përqendroj vetëm në epikë, por sprovoj talentin dhe fantazinë krijuese në lirikë, dramatikë dhe satirik, për të mos lanë anash as tekstet e shumta diskursive, socio-psikologjike, etno-psikologjike, religjioze, politike etj. Madje edhe tekstet metakritike të aspektit teorik për artin dhe qenësinë e tij. Në gjitha shkëlqej në mënyrën e vetë, duke formësuar stilin e veçantë poetik e letrar. Me një diskurs të kondensuar estetik pikasi ndjeshmet e kohës, duke i bërë dhimbje e kërkesa universale. Fishta duke i riinterpretuar në një kontekst letrar e kulturor, kontekstualizmit të teksteve të njohura letrare ju jep konotime aktuale, ku pikasën fuqishëm idetë me shpërthimet e tij letrare, që kërkojnë përmbushjen e intencionalitetin ideor, nëpërmjet shenjave e simboleve letrare, të cilat kurdoherë korrespondojnë me projektin letrar fishtian për emancipim e kulturim të gjithmbarshëm të kombit e fesë, mision ky që kapërcen kufijtë letrar dhe bëhet paradigmë krijuese, e papërsëritshme në letrat shqipe. Formula poetike, binomi i shenjtë: Atme e Fe përtej kuptimeve ideore, është shenjë që përcakton letërsinë e tij. Si e tillë, formula bëhet shënjues i letërsisë fishtiane, në të gjitha planet dhe në gjitha zhanret letrare. Dhe përcakton diskurset, trajtat e ligjërimit, stilin dhe kuptimet letrare.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: