Retorika -evoluimi i mendimit mbi ligjërimin

 

Retorika -evoluimi i mendimit mbi ligjërimin

Ndue Ukaj

 

 

 

Përpjekjet për ta krijuar mendimin për gjuhën, si dhe për ta njohur përdorimin e gjuhës gjatë të folurit, i gjejmë në Antikë, atëherë rreth objektit të retorikës, të cilën dijetari francez Roland Barthi e vlerëson si metaligjërim (ligjërim – objekti i të cilit është metaligjërata), domethënia e të cilit rezultonte në të shkruarit mirë e pa gabime, pra në mënyrën e mbarështimit të materies gjuhësore në një tekst letrar, apo komunikim gjuhësor, nga fakti se gjuha mbështetet në një sistem mjetesh e rregullash, që merr një trajtë të veçantë shprehësie kur funksionalizohet në ligjërimin letrar.

Nocioni ”retorikë” etimologjikisht ka prejardhje greke dhe nënkupton një dije, e cila i shtjellon rregullat e parimet për të folur bukur e në mënyrë bindëse, së këndejmi shënjon doktrinën e mësimin për një mjeshtri të gojëtarisë. Në dijet letrare (teoritë letrare) konceptualisht ky nocion e ka domethënien e mënyrës së thurjes se një ligjërate, respektivisht bërjen e një ligjërate të mirë, bindëse dhe artistike. Por gjithnjë me një tendencë, orientim e synim deri diku, normativ. Porse, në perspektivën e zhvillimeve të hovshme letrare nëpër kohë, nocioni retorikë u shndërrua në koncept, shkollë e teori për letërsinë e artin letrar duke u ridimensionuar në aspekte komplekse të vetë konceptit të shkrimit. Nga këndej brenda kësaj dije për artin e të shkruarit përfshihen segmente të artit letrar, përkatësisht teorive mbi artin letrar përgjithësisht, prej të cilës kanë rezultuar disa fusha të studimit, siç janë: stilistika, analiza e diskurseve, linguistika, analiza gjuhësore etj, disiplina këto, të cilat secila në mënyrën e vetë kontribuojnë në shqyrtimin dhe interpretimin e letërsisë, pra artit të shkrimit letrar.

Ndërsa në fushat e letërsisë, nocioni retorikë është bartur si koncept që shënjon një dije për ligjërimin letrar, për figurat stilistike, si ornamente, zbukurime që i vishen mendimeve dhe i bëjnë të ndahen nga ligjërimet e zakonshme, për t’i dhënë komunikimit gjuhësor status special. Dhe sëfundmi retorika ka shënjuar tendenca të një transformimi të shumëformshëm, në atë që disa teoricienë i quajnë dijet mbi diskurset (Linda Ëood & Ralph  Krager). Në përspektivën e studimeve letrare, problemet që përbëjnë objektin e retorikës, i rimarrin analiza e ligjëratës dhe vetë gjuhësia. Në këtë këndvështrim, edhe teoria e letërsisë duke u ndërlidhur me poetikën dhe retorikën antike, ka shënuar rezultate të kënaqshme brenda studimeve letrare përgjithësisht dhe ka ruajtur disa elemente, të sistemuara edhe në kuadër të diskutimeve më bashkëkohore. Duke e zgjeruar fushën e mendimit për letërsinë, poetika dhe retorika e vjetër, në periudha të ndryshme u ndërlidhen me stilistikën bashkëkohore, u ndërlidhen me atë që vepra letrare të analizohet me parimet e përgjithshme të gjuhës.

Në antikë, atëherë kur u krijua retorika, dihet se ka pasur funksion të rëndësishëm, madje, jo vetëm letrar. Por nëpër kohë, ka studiues që mendojnë se kemi pasur një shkrirje në mes të retorikës dhe poetikës. Kështu, sipas dijetarit amerikan Northrop Frajit, ”retorika”, në kontekstin tradicional na përkujton një trini: ndarjen tradicionale të studimeve të mbështetura në fjalët, një ”trivium” të gramatikës, retorikës dhe logjikës. Përkundër kësaj, poetika ashtu siç e njohim nga Aristoteli gjerë me sot, merret ekskluzivisht me qenësinë e artit letrar, brendësinë e tij, tiparet e tij që e dallojnë nga ligjërimet tjera, të cilat po ashtu janë të shkruara. Ajo që është e lidhur ngushtë me retorikën, nga kohët klasike, ka qenë studim i burimeve bindëse dhe shprehëse: teknikat e gjuhës dhe mendimit që mund të përdoren në ndërtimin e ligjërimeve të dobishme, ligjërime këto të cilat i tejkalonin përmasat e letërsisë. Dijetari i madh Aristoteli e ndau retorikën nga poetika duke e trajtuar retorikën si artin e bindjes, ndërsa poetikën si artin e imitimit a përfaqësimit. Duke evoluar mendimi për ligjërimin, ka pikëpamje sipas së cilave theksohet një shkrirje të poetikës brenda retorikës, retorika vlerësohet si poetikë, nga fakti që e potencon Roland Barthi se: “artet poetike janë arte retorike, ku retorët e mëdhenj janë poetët”. Ndërkaq, retorika në mesjetë u shndërrua në teori të plotë të komunikimit letrar, ku, siç shkruan teoricieni dhe dijetari shqiptar i letërsisë, prof. Anton Berishaj, nocionet bazike të saj si: inventio, disposioio dhe elecutio u shndërruan në kategori të poetikës  së Aristotelit për mimiesis-in, koncepte që kishin të bënin me ndërtimin e tekstit (kompozicionin), por madje edhe me katharsis-in”.

Dihet mirëfilli se retorika kishte një vetëdije të mprehtë e të sistemuar përgjithësisht mbi letërsinë. Kishte brenda diskutimeve trajtesa për korpusin e letërsisë, për epopenë, tragjedinë, komedinë, figurat retorike – gjitha këto zhanre në domenin letrar. Zhvillimi i retorikës si disiplinë e vjetër nga Aristoteli, njëherësh si teori e oratorisë, me detyrën që të gjejë argumente dhe forma adapte që ta bindin publikun, ndërsa më shekullin XX u bë kod i përgjithshëm i krijimit letrar, rezultatet e të cilit i gjejmë brenda teorive të zhanreve letrare.

Duke evoluar dija mbi retorikën, kalon në stilistikë, në emërtimin e zhanreve letrare gjerësisht të kodifikuara, që sipas Umberto Ekos, më vonë, përveçse do të shërbejnë për të krijuar rregulla, ”do të shoqërohet me idenë e të perceptuarit, të imitimit dhe të përputhjes me modelet. ”Në këtë kontekst studimi i retorikës do të duhej të përbënte një kapitull të rëndësishëm të çdo antropologjie kulturore”- vlerëson Umberto Eco, me çka kuptimi i bartur, figurat si stoli, ndihmojnë që ligjërata të duket e pazakontë dhe origjinale”, dhe marrin domethënien e shenjëzimit te universi për ligjërimin letrar, andaj  Eco i kushton vëmendje të posaçme, duke supozuar dy lloj retorikash: retorikën antike dhe retorikën moderne, pra një “rilindje” në dimensionet teorike- letrare moderne, sidomos në kuadër të studimeve semiotike.

Një vlerësim e interpretim në prizëm të diakronisë dhe perspektivës që ofron për studimet letrare e kulturore në tersi, retorika që nga fillimi ka pasur dy kuptime: të folurit ornamental dhe të folurit bindës (Northrep Fraji), një mësim për artin letrar, një teori  për artin letrar, teori që në variante të ndryshme ende është objekt i pakufishëm i diskutimeve letrare, si kategori të veçanta që ndikojnë në formësimet artistike.

Gjatë njëzetë shekujve të zhvillimit të saj, retorika, do të pëson ndryshime esenciale. Së pari humb qëllimin e ndërmjetshëm pragmatik; nuk mëson më se si bindet, por si të ”bëhet” një ligjëratë e mirë. Ajo, gjithashtu, dezinteresohet gjithnjë e më shumë nga llojet deliberative, gjyqësore etj., në mënyrë që letërsinë ta bëjë objekt të vetin në elocutio ose arti i stilit , për t’u shndërruar në teori mbi diskurset, diskutim ky që Roland Barthi e shtron në kontekstin e raportit mes tekstit e veprës letrare, duke konstatuar se “krejt ç’është përtej frazës i takon diskursit, objekt i një shkence normative, retorikës”.

Në antikën e lashtë, retorika kishte kuptimin e vet tradicional – paraqiste rend në të shkruar ose në ligjërim, njëkohësisht zhvillohej, në “truallin” ku takoheshin informacione të ndryshme brenda natyrës dhe përdorimit të gjuhës, duke nënkuptuar kësisoj gjëra të ndryshme, në fusha të ndryshme letrare e shoqërore. Në esencë, si nocion, formulimin bazë e ka në zbulimin e rregullshmërisë  së veprës letrare, në funksionimin e saj si tërësi. Në këtë kontekst është zhvilluar e zgjeruar interesimi i studiuesve për konceptin bashkëkohor mbi ligjërimin, preokupim i vazhdueshëm, i fokusuar jo vetëm në kuptimin e gjuhës gjatë përdorimit komunikues, por me theks të veçantë në artin letrar, aty ku zhvillon arenën e vet, letërsia.

Deri në paraqitjen e teorisë gjuhësore të Sosyrit, disiplina më e përafërt me ligjërimin, pra, ishte retorika, e cila përveç me studimin e ligjërimit, tërësisë ligjërimore, merrej edhe me ligjëratën letrare në tërë konceptimin e saj, me stilin dhe me figurat. Në traditën perëndimore, ku bën pjesë edhe letërsia shqipe, lindja e retorikës si disiplinë specifike është dëshmi e një mendimi mbi ligjërimin. Ndërkaq, me dijetarin e madh Ferdninad De Sosyrin ”Kursi  i gjuhësisë së përgjithshme”, retorika përfundimisht ndryshoi orientimin dhe tanimë u zëvendësua nga stilistika, e cila tash ka edhe funksion të veçantë si dije për letërsinë, duke e avancuar në të njëjtën kohë konceptin dhe domethënien e tij. Pra, nga ajo që vërejtëm rreth evoluimit të mendimit për ligjërimin, mund të theksojmë se diskursi si nocion letrar; si koncept për letërsinë, për shkak të natyrës polisemantike është vështirë të përkufizohet, ngase në të fshihen shumë faktorë esencialë, që luajnë një rol qenësor për konstruktimin e një teksti letrar.

Retorika-diskurset

Megjithatë, për të bërë një përkufizim të përafërt të teorisë mbi diskurset, për ta njohur objektin e studimit tonë, shtyhemi të  bëjmë një përkufizim të përafërt të nocionit në fjalë, të cilin njëkohësisht e konsiderojmë bazik në interpretimin e kuptimit të njërës ndër perspektivat e mundshme të studimeve letrare, madje edhe për arsyen e se: ”teksti është një endje citimesh që vijnë nga mijëra kultura” (Roland Barthi).

Diskursi mbulon domethënie të ndryshme të tekstit letrar, domethënie polisemantike që identifikohen në të gjitha nivelet brendastrukturore të diskursit, strukturës së tekstit letrar, duke shënuar shumësi shprehjesh, brenda sistemit të caktuar të ngjizur në ligjërim. Më tej, si koncept letrar, në të njëjtën kohë, është shprehje gjuhësore dhe semantike. Përmasa është polivalente, ngase gjuha është esenca e letërsisë si art i fjalës dhe diskursi e mbulon këtë përmasë.

Teoricienë dhe gjuhëtarë të ndryshëm, që janë marrë me problemin e ligjërimit, janë munduar ta përkufizojnë atë, duke dhënë vlerësime të ndryshme sikundër rreth konceptit teorik të ligjërimit, përdorimit të tij në shkrim (respektivisht në letërsi), ashtu edhe për perspektivën e zhvillimit të artit të shkrimit. Kështu, diskursi brenda për brenda  një vepre letrare hibridizon nivele të veçanta të ndërtimit të saj. Sipas semiologut Umberto Eko, ”niveli diskursiv i aktualizuar një herë, është në gjendje të sintetizojë pjesë të tëra të diskursit nëpërmjet një serie makrostrukturash (fjali, teoremë, premisë)”, që transformohen, derivohen, nga rrjedha dhe marrin kuptim të ri. Ndërkaq, studiuesi Eduard Sapir, duke u marrë me gjuhën dhe ligjërimin, vëren elemente të veçanta të cilat i koncepton si fjalë, ndërsa me ligjërimin nënkupton sistemin dëgjimor të simbolizmit të ligjërimit, rrjedhën e fjalëve të shqiptuara në një vepër letrare, apo përdorim të veçantë gjuhe për të shtuar se ”gjuha nuk ekziston e ndarë nga kultura, domethënë nga mbledhja e trashëguar shoqërore e përvojave dhe besimeve që përcaktojnë thurjen e jetës sonë”.

Për t’i konceptuar esencialisht problemet e ligjërimit, studiuesit ndajnë pikëpamje të ndryshme, madje edhe qasje të ndryshme. Sipas Dykros dhe Todorovit, çështja duhet të shqyrtohet thellësisht në një perspektivë semantike, duke i identifikuar problemet e domethënies, të rrafsheve të saj, të mënyrave të manifestimit, elemente këto që janë në qendër të gjithë veprës letrare, si krijesë gjuhësore.

Në shek. XX kuptimi esencial përkitazi me zhvillimin e mendimin mbi  ligjërimin filloi me gjuhësinë e Sosyrit, i cili preliminarisht hapi rrugën e diskutimeve interesante për kuptimin e esencës së ligjërimit, veçantisë së tij, në një vepër letrare, madje edhe në një komunikim të veçantë gjuhe. Duke u marrë me këtë çështje, Sosyri, në teorinë e tij gjuhësore, ligjërimin e sheh si njësi të realizuar të foluri, një vargëzim njësish thjesht gjuhësore (pra të kodit) duke filluar nga fonema deri te fraza dhe avancon dijen për ligjërimin në gjuhësinë moderne, që do të pasohet me diskutime të ndryshme më vonë, sidomos në kuadër të objektit  të semiologjisë. Teoria e famshme sosyriane për semiologjinë që studion ”jetën e shenjave në gji të jetës shoqërore” hapi rrugën për inicimin e studimeve semiologjike, duke avancuar ndër të parët  themelet e imanencës së gjuhës dhe nivelit të përdorimit në shkrim. Në këtë konteskt Roland Barthi objektin e interesimit teoriko-letrar e ndërlidh pikërisht me ligjërimin, qoftë në aspektin teorik, qoftë në aspektin e manifestimeve të tij në përdorime konkrete, që është shkrimi, për t’i ndërlidhur e funksionalizuar në teorinë e tekstit dhe konceptet për tekstin letrar. Ai  interesohet për çdo gjë që ka të bëjë drejtpërdrejt me ligjërimin letrar, të cilin e lidh me konceptin e shkrimit, i cili nuk është individual, por shkrimtari e gjen të gatshëm dhe me të vepron më tutje në krijimin e tij, qoftë në formë të reminishencës, apo me vetëdije të plotë, duke e përforcuar kështu vetëm variantin e ri letrar. Në këtë kontekst, ky dijetar interpretimin e koncepteve themelore të ligjërimit e vështron brenda semiologjisë.

Konceptet e tij për ligjërimin ndërlidhen pashmangshmërisht me shkrimin dhe tekstin, meqë ”shkrimi është e vërteta, jo e vetës  (autorit), por e ligjërimit”. Më tej diskutimet i orienton kah dy koncepte, që i shenjëson si boshte të ligjërimit, të konceptuara si ”sintagma dhe sistemi”, duke i elaboruar të gjitha shoqërimet, që dalin si kombinime shenjash që mbështeten në shtrirjen e një ligjërimi të nyjëtuar, deri te sistemi që përcaktohet nga atëria tingullore, apo kuptimore.  

 

Diskursi nëpër kohë ka evoluar, duke marrë dimensione të reja. Në teorinë e tij, Michel Foucaul, fokusohet në dy mendime: së pari, ligjërimi është fenomen historik, dhe më tej, konsiston në një rregullshmëri modelesh, të cilat pastaj e përcaktojnë një objekt, duke theksuar konceptin e së vërtetës, sepse letërsia është përdorim ekspresiv i gjuhës par exelance dhe si e tillë duhet të trajtohet brenda letërsisë. Pra, përgjithësisht koncepti i ligjërimit (diskursit) mbështetet në përdorimin e gjuhës dhe funksionimin e saj, mbarështimin dhe mënyrën se si realizohet. Pra, në fusha  të veçanta të dijes letrare dhe veçanërisht  të letërsisë teoria për diskurset apo ligjërimin, po mbulon përmasa semantike të ndryshme teorike-letrare, stilistike, gjuhësore, përmasa polisemantike të cilat shfaqen sikundër në ndërtimin e tekstit letrar si krijesë  gjuhësore, me shenja të veçanta funksionimi në një vepër të veçantë letrare apo në nivel të korpusit më të gjerë letrar, të një letërsie nacionale, ose letërsisë së përgjithshme, ashtu edhe në kontekstin e empirisë letrare.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Këtë e pëlqejnë %d bloguesa: