Tetor 17, 2008

Shqiptarët janë si i don armiku (NEWS)

Posted in Uncategorized te 10:55 pm nga ndue77

 

Shqiptarët janë si i don armiku

Leximi i satirës së At Gjergj Fishtës “Në hajat të parrizit”, në ditët e sotme, kur shqiptarët i bëjnë lavdi marrëzisë, krimit, diktaturës, dhunës, nderojnë idhujt më antiperëndimor që ka pas kombi shqiptar, ndihmon dukshëm për të njohur e rinjohur probleme të ashpra të jetës sonë nacionale. Përmes një ironie të fortë, lexuesi mund të përftoj katharsin e domosdoshëm që e sugjeron teksti. Ndërkaq, kjo satirë mbetet një paradigmë e fuqishme, pse jo edhe një alternativë e mirë në rrugën e vetëdijesimit kombëtar.

Ndue Ukaj

Titulli i lartëshkruar i këtij teksti është i huazuar nga satira e fuqishme e Atë Gjergj Fishta ”Nën hajat të parrizit”, të cilën autori e shkroi me 1914. Pra pikërisht në kohën e tensioneve të mëdha nacionale shqiptare dhe vlimeve të shumta ballkanike, kur jeta e përgjithshme nacionale karakterizohej nga një kaos i vërtet. Kjo satirë e fuqishme, e përshkuar nga diskursi sarkastik i ashpër, sado e shkruar afërsisht një shekull më parë, me idetë themelore të saj korrespondon thellë me të sotmen nacionale, sikundër në Kosovë po ashtu në Shqipërie e hapësira tjera shqiptare. Edhe pse si rezultat i ndryshimeve të natyrshme, problemet nacionale shqiptare, në planin e jashtëm politikë nuk janë identike me ato të që ishin para një shekulli, ndërkaq qenësisht, problemet e brendshme të jetës sonë praktike s’kanë ndryshuar fare. Madje, nëse e kontekstualizojmë satirën e Fishtës brenda hapësirave të sotme shqiptare, shohim se idetë të cilat i artikulonte autori, janë krejtësisht identike dhe konotojnë fuqishëm me botën se sotme shqiptare, edhe përkundër kësaj diference të madhe kohore. Artikulimet e Fishtës mund të lexohen sikur artikulime të shkruar dhe dedikuara për receptuesin e sotëm shqiptar. Prandaj leximi i kësaj satire, sidomos në ditët e sotme, kur shqiptarët shkojnë dhe i bëjnë lavdi marrëzisë, krimit, diktaturës, dhunës, do të mund të ndihmonte shumë për të njohur e rinjohur probleme të ashpra të jetës sonë nacionale, që janë bërë diga të fuqishme që pengojnë në rrugën e konsolidimit dhe përparimit si komb. Mbi të gjitha, leximi i kësaj satire të shkëlqyer të shkrimtarit tonë brilant, mbetet alternativ shembullore për të zgjedh rrugë të shëndosha dhe progresive, në vend të atyre që ndërtojnë idhuj krimit e marrëzisë.

Personazhi Shën Pjetëri në derë të Parrizit mediton për fatin e shqiptarëve dhe ky fat është i mbuluar nga një tis i zi dhe absurd. Duke biseduar me Djallin dhe Skënderbeun ai thotë se ”shqiptarët janë çorodit krejt”, apo në trajtat e tjera tragjike “kanë dal faret”, prandaj as që ju shkon mendja të trokasin në derë të parrizit për të kërkuar shpëtimin. Pikërisht për këtë Shqipëria s’e gjen shpëtimin. Në këtë mënyrë, shqiptarët luajnë pavetëdijshëm lojën e djallit. Të paftë për të udhëhequr, për të pas lider të fuqishëm, të ndarë e përçarë, shqiptarët heroin e tyre Skënderbeun e kanë në fjalë e në libra dhe jo në zemër. Sa trishtueshëm klithë teksti i Fishtës. Po për këtë, ata kanë devijua dhe as që kanë mendjen të trokasin në derën e parajsës për të kaluar nëpër katharsisin e domosdoshëm në rrugën e lartësimit si komb, të cilin Fishta e shpreh se intencë qëllimmire të kësaj satire. Teksti i Fishtës nënkupton tragjiken e shqiptarëve që kanë humbur parajsën, prandaj me artin e satirës troket në ndërgjegjen e çiltër: ata duhet të rikthehen në këtë derë simbolike për të gjetur shpëtimin për Shqipërinë. Teksti i kësaj satire të ngjeshur me mendime soci-politike, ndërtohet nëpërmjet një bisedë dramatike për fatin e zi të shqiptarëve, mes tre personazheve të cilët bartin kuptime të fuqishme simbolike e semantike: Shën Pjetri, Skënderbeu dhe Djalli. Shën Pjetri, figurë që shpreh një kod religjioz e kulturor, është rojtarit i derës së Parajsës, prandaj ai shpreh habinë, pyetjen e dilemën pse shqiptarët nuk trokasin një kohë të gjatë në derë të parajsës. Dhe kështu Fishta sikundër riciklon reminishencën e mbuluar nga shtresat e mjegullta, nëpërmjet simbolikës së moralitetit. Kjo reminishencë përçon kuptime ambivalente. Autori këtu godet fuqishëm përmes sarkazëm së thellë ata shqiptar që nuk e duan pendimin, ata që s’pendohen. Dhe kështu ata as që duan ta zgjedhin rrugën e mirë të përparimit nacional, por përkundin verbërisht të këqijat dhe hijet e zaza që vërtiten mbi tokat shqiptare. Kjo ndodh ngase, siç do del nga dialogu i Shën Pjetërit, shqiptarët janë pre e veseve të këqija, tradhtisë, krenarisë së madh, koprracisë, rrenës, patriotizmit të rremë, adhurimit të gabuar… Kur lexojmë këto implikime që ngërthen teksti i Fishtës, nuk mund të mos shtrojmë sot pyetjen e dilemën e madhe: A nuk korrespondon kjo sekuencë trishtueshëm, me aktin më të çoroditur dhe më të  marrë që ndodhi para pak ditësh në Prishtinë, ku struktura politike pretendojnë ta rehabilitojnë diktaturën e egër të Enver Hoxhës? Shqiptarët në vend se të trokasin në derë të parrizit dhe të hyjnë në procesin e spastrimit, katharsisit të domosdoshëm për të filtruar idealet, ata bëjnë të kundërtën, shkojnë dhe ndërtojnë tempuj imagjinar, ku i përkulen verbërisht diktatorit më të çmendur që ka njohur historia. Në këtë mënyrë ata enden kotësisht në një labirinte të tmerrshëm të këqijave pa fund.

Dialogu i Skënderbeut më Djallin përshkohet nga tone dramatike, ku shpërfaqet një realitet i vrazhdë shqiptar. Ndërsa kulmi i tij arrihet kur djalli i thotë Skënderbeut se emri i tij është në libra, por nuk dihet nëse është në zemër të shqiptarëve. Klithma se Skënderbeu nuk është në zemrat e shqiptarëve, mbetet një klithmë tragjike.

Diskursi i ashpër satirik i Fishtës në fund të këtij teksti shpërthen në një paradoks të papritur dhe tekstit i jep një përfundim shpresëdhënës. Bisedën dramatike mes Djallit dhe Skënderbeut e ndërprenë Shën Pjetëri, i cili thotë se “për inad të Djallit dhe Shqiptarëvet, Zoti ka me mbajtë Shqypninë më kombë me nder e me lumni”.

Leximi i kësaj satire një shekull pas dhe nxjerrja e kaq shumë problemeve identike në jetën tonë, nuk ka sesi të mos trondit shumë. Dhe për fund nuk ka sesi

Në Prishtinë, adhurimi i figurës së Enver Hoxhës mbetet ngjarja më ogurzeze që vërtitet mbi tokat shqiptare tash e dy dekada. Prandaj sot kemi nevojë më tepër së kurrë ta rilexojmë Fishtën e Madh. Ngase vepra e tij është një referencë e fuqishme, e cila vërtet mund të ndihmon në çdo kohë. Sidomos në kohë të vështira.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: