Mars 24, 2010

POEZIA SI KUNDËRVËNIE E SË KEQES

Posted in Uncategorized te 1:13 pm nga ndue77

Nuhi Ismajli
(Ndue Ukaj, Ujëvarat e metaforave, m&b, Tiranë, 2008).

Pas shkrimeve për letërsinë dhe shkrimeve publicistike, me të cilat dëshmoi formimin dhe prirjen e tij, si studiues, kritik dhe publicist, Ndue Ukaj, me botimin e përmbledhjes së poezive Ujëvarat e metaforave, dëshmoi edhe prirjen e tij si poet dhe krijimin e vlerave të pamohueshme letrare.
Poezia e tij të imponohet për ndjeshmërinë e veçantë, larminë tematike dhe, shpesh, trajtimin e theksuar dituror të saj, meditimin e thellë, idetë e mesazhet e rëndësishme për çështjet nga më të ndryshmet, shprehjen e veçantë e të fuqishme etj.
Larmia tematike
Poezia e veprës Ujëvarat e metaforve, shquhet për larminë dhe gërshetimin tematik e motivor.
Kështu, një pjesë e mirë e frymëzimeve të poetit buron nga kujtesa e historisë kombëtare, si historia e shtrirjes së trojeve, historia e fatit kombëtar, veçmas fati tragjik i Kosovës, tragjikën e së cilës, siç thotë poeti, nuk do të mund ta përmblidhte as Eskili (“Kosovë / As Eskili s’do arrinte ta përmblidhte tragjedinë tënde”, poezia: “Kosovë”, f. 109), por edhe historia e vendlindjes dhe e martirizimit të vendësve, robëria dhe pritjet e gjata të zgjidhjes së fatit kombëtar etj.
Poeti kujton tragjikën e popullit, robërinë, vuajtjet, duke goditur me ironinë e tij të fuqishme gjenocidin, dhunën, shtypjen: “Vrajeni qiellin/ Qëllojeni rrufeshëm / Le të pllakoset në tokë /…/ Gjithçka është e natyrshme / Të vritet një popull / Të mohohet një popull / Bëni gjithçka sepse asgjë nuk është absurde sot / As për jetën pa kokë / As për kokën pa jetë / Dhe vajin e ngrirë në buzë” (“Kujtesë e sëmurë”, f. 72).
Mjaft vargje të këtij poeti janë frymëzuar edhe nga historia e shtypjes së rëndë sociale të popullit tonë, që, siç dihet, ishte një formë e shtypjes kombëtare të shqiptarëve, realitet i hidhur ky nga i cili, si thotë poeti, edhe “fjalët i kemi të lagshta” (“Me lot jemi rritur”, f. 133) etj.
Poezia e N. Ukajt frymëzohet mjaft  nga shqetësimet e botës së sotme në të cilën, si thotë poeti, “Në lartësi të qiellit gjemba kanë çelë” (“Vjeshta e shpirtit”, f. 32); ku “Notojnë plagët në zjarr tokë e det”, apo ku “notojnë plagët sa në qiell sa në det”; ku “Jeta sillet si në unazë” ose “Ecim një hap para, / Pastaj përplasemi dy mbrapa” (“Metafora e legjendës”, f. 112-113); ku “çel mbretëria e absurditetit” (“Kohë e perfeksionuar për gjenocid”, f. 104) e “absurditetet çelin si lule në saksi”(“Pështjellim”, f. 90) ose “si lule të ujitura” (“Kuptimi”, f. 96) etj.
Me ironinë e tij të fuqishme, poeti ngritet veçmas kundër harrimit të së kaluarës tragjike (“lumin e tragjedive /Që u shndërrua në det” , poezia:”Shtegtimi i shpirtit”, f. 111), nga e cila duhet mësuar (“Libri i historisë sime /Është djegur bashkë me Trojën /…/ Asnjëherë s’arritëm të mësojmë /Historinë në trajtat e ferrit /… / Ne mërdhihemi e ikim nga dielli /…/ Interpretojmë si duam / S’dëgjojmë metaforat e prera në fyt” (”Pështjellim,”, f. 89 – 90); kundër mohimit të vlerave të së kaluarës (“Fjala e lidhur me harrimin e pistë / Të zhbërjes së rrënjës” (“Harrimi”, f. 87), “Librat e rrënjës organike janë çekuilibruar / …/Fati i Formulës së Pagëzimit lëngon keq” dhe se: “Rruga nëpër Ferr është më e shkurtë / Se trishtimi prej harrimi”(po aty, f. 88), ndërsa e keqja bëhet edhe më e madhe kur kjo ndodh, siç thotë poeti, “Në tokën e tkurrtur çdo pranverë”, (po aty, 88); kundër zvetënimit shpirtëror (“Në kohën teknike”, f. 31); kundër mëkatarëve historikë, arkitektëve të vetëvrasjes (“Apokalipsi”, f. 101), dvarrësve të idealeve, rrënuesve të poezisë (“Kënga e dritës”, f. 41) e kohës antipoetike (“Kujtim i mermertë”, f. 26), dhe të pseudovlerave, kur, si thotë poeti: “Nëpër dorë mëkatarësh dergjet poezia” (“Harrimi”, f. 87), ose kur: “Mbi portrete pshurrin qentë e çartur” (“Pështjellim”, f. 90) etj.
Një varg poezish të veprës Ujëvarat…, janë poezi kushtimore për njerëzit e shquar dhe njerëzit e afërm, të dashur.
Poeti i kushton poezi P. Bogdanit, Gj. Fishtës, Nënë Terezës, Anton Pashkut, I. Rugovës e R. Kukajt, duke shquar vlerat e veçanta të tyre dhe duke shprehur edhe pikëpamjet e tij për çështje të ndryshme. Me mjeshtëri poetike poeti ka realizuar edhe disa poezi për të afërmit, të cilat janë jo vetëm poezi dashurie për ta, por edhe poezi meditimi e shqetësimi për jetën.
Siç është e ngarkuar me emocion, poezia e N. Ukajt është e ngarkuar edhe me mendim. Meditimi i thellë përshkon të gjitha poezitë e këtij poeti, në të cilat ai mediton për jetën, historinë, poezinë, dashurinë, moralin etj.
Në kuadër të poezisë së vet, N. Ukaj ka treguar edhe prirjen për përshkrimin e natyrës dhe krijimin e poezisë përshkruese (“Nga majat…”, f. 131; “Mbrëmje…”, f. 109), përmes detajeve të së cilës, simbolikisht, shpreh kuptime të ndryshme.
Karakteristikë e poezive të veprës Ujëvarat…, është ndërlidhja ose gërshetimi i temave e motiveve të ndryshme, që vjen si rezultat i synimit për paraqitjen totale të jetës.
Tri tema të mëdha
Në qendër të preokupimeve tematike të veprës Ujëvarat…, janë tri tema të mëdha, universale, të paraqitura me shumë ndjenjë e dituri: jeta, dashuria, poezia.
Kështu, në gjithë poezitë e veprës Ujëvarat…, shprehet fuqishëm dashuria ndaj jetës, dëshira dhe lufta për ta jetuar atë, pavarësisht realitetit të saj (“E bukur është jeta / Edhe kur shpirti mbushet plot gëzim, /…/ E bukur është jeta, / Edhe atëherë kur tërmetet  shpirtin ta copëtojnë / Kur tretet dashuria rrugëve pa emra / E të shuhet Ylberi në duar, / Kur ti shkrehesh e shkrehesh në vaj e pikëllim /…/ E bukur është jeta / Edhe ku ka gaz / Dhembje e lot” (“Jeta”, f. 129 -130).
N. Ukaj, në poezinë e tij shpreh dashurinë ndaj gruas së jetës, emrin e së cilës e përmend konkretisht. Poeti jep këtu portretin e femrës,  ndjenjat e fuqishme që zgjon ajo në shpirtin e poetit, situatat e përjetimeve dashurore, shpesh erotike, dashurinë si kuptimin dhe forcën e frymëzimit të jetës (”Të dashurosh është akti i shenjtërisë tokësore /Dhe vityti i vetëm për të jetuar / Me ty mbushet një det mall” (“Një det mall”, f. 124).
Në vargjet e dashurisë së këtij poeti, ku jo pak ndihet fryma biblike, është po ashtu femra ajo që frymëzon meditimet e fjalën poetike të poetit për jetën, historinë, moralin, filozofinë etj.
Si edhe poetët e shumtë shqiptarë e botërorë, edhe N. Ukaj, në poezinë e tij paraqet edhe çështjet e ndryshme që kanë të bëjnë me poezinë, duke filluar nga çështja e frymëzimit deri tek çështja e vlerës së saj shoqërore. Poezia ka origjinë hyjnore, sipas poetit (”unë në këtë kohë kur ushqehem me helm / Ditën, natën, e mbys me tënden dashuri / Hyjnorja poezi”, (Motiv i ri”, f. 99). Ajo identifikohet me vetë jetën, fillimin dhe pafundësinë e saj  (“në fillim ishte fjala”, “Kënga e dritës”, f.35 ; ”Me folë domethënë me jetue” , “Dialog”, f. 83); është bukuria e jetës (“Kur them e bukur është jeta, / Mes ideve të mia tinëz hyn poezia” (poezia: “Jeta”, f. 129); forca për të përballuar e kaluar të keqen dhe vuajtjen (“Poezia është terapi”, “Poezia është shpëtim / klithmë e ëmbël me gëzim” (“Poezia”, f. 139) etj.
Kemi kështu, ndër të tjera, edhe dijen dhe vetëdijen e poetit për poezinë, por të shprehur mjeshtërisht nëpërmjet gjuhës poetike.
E gjithë poezia e N. Ukajt krijohet si përpjekje e poetit për të lartësuar artin poetik, për të shtrirë mbretërinë e artit, për ta krijuar e kuptuar poezinë si kundërvënie ndaj të këqijave e absurdeve të jetës.
Jeta, dashuria dhe poezia identifikohen aq shumë në poezinë e këtij poeti sa, shpesh, vargjet për njërën rrjedhin natyrshëm si vargje për tjetrën.
Poezitë e veprës Ujëvarat…, janë poezi të meditimeve të thella dhe të ideve të rëndësishme për jetën, historinë, aktualitetin, filozofinë, religjionin, letërsinë, dashurinë, moralin etj., sikundër edhe poezi të mesazheve të rëndësishme që i drejtohen individit, qenies kombëtare dhe mbarë njerëzimit.
Veçanti e shprehjes së fuqishme
Poezia e N. Ukajt është e pasur me ndjenjat e fuqishme dhe mendimet e thella, por edhe me elemente epike, të cilat, përgjithësisht, kanë kushtëzuar gjatësinë e vargjeve dhe të poezive.
Gjuha e kësaj poezie është gjuhë e pasur dhe substanciale, fjalët e së cilës, ngjashëm me gjuhën e Gj. Fishtës, janë të ngarkuara me ndjenja e mendime.
Për shprehjen e botës së pasur e të fuqishme subjektive autori ka përdorur figurat e ndryshme stilstike, të cilat për veçantinë e krijimit dhe forcën e tyre shprehëse, shquhen sidomos metaforat, simbolet, krahasimet, hiperbolat, ironia, epitetet, sinestezia, oksimoroni etj. Shprehja e erudicionit të poetit, pra edhe shtresa diturore e kësaj poezie, është e shoqëruar edhe me përdorimin e nocioneve të ndryshme, siç shihet që në titullin e veprës, dukuri, e cila nuk ka cenuar shprehjen dhe vlerën artistik të saj, duke u integruar suksesshëm në kuadër të kërkesave të tyre.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: