ASPEKTET FILOZOFIKE DHE ESTETIKE NË SIMFONITË E BEETHOVENIT

 

 

ASPEKTET FILOZOFIKE DHE ESTETIKE NË SIMFONITË E BEETHOVENIT

 

 Akil Mark Koci

 

 

                                                                                                                                               

“Beethoveni mundi të shkruajë muzikë, falë Zotit, por ai nuk mundi të bëjë asgjë tjetër në këtë botë”.

Ludwig  van  Beethoven

 

Kush do ta bëjë nëse ti nuk e bën ? Kur do ta bësh  nëse tani nuk e bën?”

Nga Talmudi

 

Për të parën herë kam dëgjuar për emrin e kompozitorit  të madh gjerman  Ludvig van Beethovenit qysh në bankat e gjimnazit real shqiptar në Prizren, në vitet 1952-53, kur lëndën e muzikës e ka ligjëruar profesori i nderuar Gani Luboteni.

Ka qënë në atë kohë profesor i ri plot entusiazëm, i butë, plot virtyte njerëzore dhe shumë dashamirës me të gjithë ne. Na fliste për muzikën, siç thoshte, “për artin më të bukur ndër të gjitha artet që ekzistojnë”. E dëgjonim me shumë vëmendje e sidomos kur interpretonte  këngët me atë mandolinën e tij magjike, jo vetëm këngë popullore por edhe kompozime të klasikëve të muzikës.  

Pra, në ato orë të muzikës që për ne ishin orët e një kënaqësie të papërfytyrueshme, me plot trandje, pse jo edhe orët të gëzimit, sepse pos që këndonim me plot  zë, për herë të parë binim në kontakt me një muzikë pak më ndryshe nga ajo që dëgjonim çdo ditë nga jevgjit e Prizrenit nëpër dasma dhe ndeje, sepse të paktë  ishin qytetarët e Prizrenit që luanin në instrumente pos grupit të Anton Lumezit me muzikantët Gjon Delhysa, Kolë Gjoni, Lazër Mjeda dhe Franush Gomilla. Këta përbënim orkestrën  popullore të Shoqërisë Kulturore-Artistike “Agimi” të Prizrenit.

 Pra, në ato orë të muzikës në gjimnaz pata dëgjuar jo vetëm për  Beethovenin, por edhe për shumë krijues të muzikës klasike.

Kishte melodi, nga ato që i luante me mandolinë, që kur i dëgjoja më kujtonin kohën kur si fëmijë i këndoja në korin e Katedrales së Prizrenit që mbante emrin e shënjtores “Zoja ndihmëtare”, që e udhëhiqnin dy motrat e nderit: motra Angjelina dhe motra Ana.
Në atë atmosferë që mbretëronte në Katedrale, në atë qetësi solemne, i qarkuar nga shumë figura të pikturuara shenjtorësh prej piktorësh të njohur, që nuk ua  dinim  emrat, krijohej një botë e bukur ëngjëllore dhe vetvetiu ne, me zërat fëmijërorë, linim përshtypjet  e ëngjëjve të vegjël. Këtë atmosferë e plotësonin edhe veshjet  tona: ne vocrrakët i kishim të bardha, kurse shoqet tona mbanin fustanë të gjatë. Dukej sikur kishim zbritur  nga qielli dhe këndonin për mrekulli në Meshat që zhvilloheshin çdo të diel.

Pra, gjatë ekzekutimit të disa prej këtyre këngëve nga profesori Gani, unë i këndoja ato  bashkë me çka kisha mësuar në korin e Katedrales së Prizrenit dhe e parafytyroja  atë atmosferë.

Me të dëgjuar emrat e kompozitorëve, të cilët për mua deri atëhere ishin të panjohur,  gjithnjë mendoja se sa bukur i kishin kompozuar ato këngë, duke ngelur deri në ditët e sotme.

Mirëpo më tepër mendoja për  Beethovenin.

 

I bëja pyetje vetes: çfarë ka krijuar ky kompozitor, pos këtyre këngëve, që çdo orë i përmendej emri nga profesori Gani Luboteni?

Pra, gjithnjë thonë se kujtimet e fëmijërisë kthehen tani në pleqëri si reminishencë dhe si sot më kujtohet se atëherë më lindi dëshira të shkoja në shkollë të muzikës, e cila sapo ishte  hapur nga kompoziori i ynë i shquar  Lorenc Antoni. Por dëshira ime me dëshirën e  prindërve të mi nuk përkonte, sepse dëshira e tyre ishte krejt tjetër për shkollimin tim.
Më të kryer gjimnazin dhe më t’u regjistruar në shkollën e mesme të muzikës shumë më tepër mësova për këtë krijues. E, pra, bazuar në ato kujtime fëminore  tani vendosa që të shkruaj për Beethovenin e sidomos për simfonitë e tij, edhepse një ndër simfonitë e para të tij, simfoninë e tretë, Heroiken, e kam dëgjuar për të parën herë nga Filarmonia e Sarajevës si student i vitit të parë i Akademisë Muzikore qysh në tetor të vitit 1958. Në atë kohë jo vetëm në qytetin tim të lindjes, Prizren, por as në Prishtinë, që ishte kryeqendra e Kosovës, nuk ekzistonte Filarmoni, siç është sot Filarmonia e Kosovës, por një orkestër e vogël simfonike pranë Radio Prishtinës që s’mund të ekzekutonte ndonjë vepër simfonike të klasikëve e aq më pak ndonjë simfoni të Ludvig van Beethovenit.

 

Të shkruash për Beethovenin dhe veprat e tij e sidomos për simfonitë, që janë më të vëllimshmet,  krahas Sonatave pianistike dhe Kuarteve, është tejet vështirë, sepse shumë shkencëtarë e sidomos muzikologët dhe historianët e muzikës kanë dhënë vlerësime  të thukta dhe s’ka mbetur asgjë pa u thënë, së paku kështu mendohet. Por mendoj se për këtë krijues ka ende shumëçka për të thënë, paçka se unë dhe vogëlsia e ime, ndoshta nuk mund të bëjnë gjë tjetër, përveçse të përsërisë konstatimet e tyre. Por, mbase, kështu mendojnë ata që nuk e kanë studiuar sa duhet krijimtarinë e këtij gjeniu. Pra, në këtë kontekst, mendoj se edhe unë  kam çfarë të them. Më konkretisht: deri tani, me sa kam njohuri,  askush  nuk e ka analizuar dhe shtruar një problem shumë të rëndësishëm për simfonitë e Beethovenit. Këtë problem, që po e shtroj në studimin tim të cilin e  kam quajtur jo thjesht “Nëntë simfonitë e Beethovenit”, por “Aspektet filozofike dhe estetike në simfonitë e Beethovenit”, e këqyr nga këndi i njohurive të mia subjektive.

Me të drejtë, Zhan Pol Sartri thotë se “çdo filozofi është praktike, madje edhe ajo që duket se që nga fillimi  është më soditëse”, sepse krijon pleksjen e reflekset që lidhen me ca konstatime të mijat që mund të jenë subjektive,ama nxitin reflektime të një parafytyrimi universal ,sepse vlera e parë e tyre nuk është vetëm e karakterit gnoseologjik,njohës,por studimi i im për Simfonitë e Beethovenit ,paraqet edhe elementin akseologjik,vlerësues.

Pra, duke filluar nga këto konstatime dhe duke marrë për bazë estetikën që paraqet shkencën e së bukurës në jetë dhe ligjet e pasqyrimit të jetës në art dhe në ndijime të artit muzikor, cilësia e të cilit  krijon kënaqësi të mëdha shpirtërore, i jam rrekur këtij problemi me thellësinë e duhur për të përftuar gjenealogjinë e simfonive të këtij krijuesi të shquar.

Pra, në shikim të parë jo vetëm thënie, por edhe hap i guximshëm dhe pretencioz dhe me të drejtë do të thonë, së pari kolegët e mi, se jam duke e tepruar dhe  kjo mund të jetë një shterje e vlerave kuptimore si pasojë e viteve që kam të moshës së tretë. Megjithatë, unë mendoj se pas studimeve të thella gjatë tërë jetës sime, jo vetëm duke i lexuar, por edhe duke i analizuar dhe më së shumti duke i dëgjuar jo një here, por shumë herë, Nëntë Simfonitë e tij më vijnë shpesh si shtytje, si qasje introspektive dhe intuitive. Madje, ndonjëherë edhe “dyshoj” në vlera të veçanta të krijuara nga një kompozitor si Beethoveni, që përfaqëson një ndër figurat më markante dhe gjigante në tërë historinë e muzikës. Kur e themi këtë kemi parasysh se vepra e tij është e madhe për nga forma, plot invencion për nga shprehja, e fuqishme për nga përmbajtja, e mprehtë për nga këndvështrimi i ngjarjeve. Ajo paraqet krijime nga më të suksesshmet, jo vetëm sa qe gjallë, por edhe për epokën e mëvonshme, sepse me kualitetin e saj, ajo, në tërësinë e vet, qëndron  si shtyllë graniti në pjedestalin e krijimeve më të mira  në tërë literaturën muzikore botërore të të gjitha kohërave. Fjala, pra, është e varfër  për ta shprehur tërë atë që krijoi ky gjeni në lëmin e muzikës, sepse ajo nuk është vetëm poezi e vërtetë, por poezi imagjinuese, që të shtyn të lexosh, të dëgjosh paprerë dhe me ëndje të madhe.

 Kur e kam vënë kryetitullin, kam pasur  parasysh thënien e njohur të Beethovenit se “Muzika është zbulimi më i madh nga të gjitha dituritë dhe përsiatjet filozofike”. Përse atëhere të mos e quaj edhe unë studimin tim me kryetitullin “Aspekte filozofike dhe estetike në simfonitë e Beethovenit”,nëse e dimë se vetë “filozofi, siç shprehet Montenjë, do të thotë të dyshosh”, kurse grekët venë në dukje se “filozofia është dashuria kundruall ose përballë urtësisë”.

Këtë fjalë – filozofi, Pitagora është i pari që e ka përdorur. Tani mendohet se është Herakliti i pari, kurse më vonë këtë e kanë përdorur më së shumti Sokrati dhe Platoni.

Çfarë ka në fakt muzika e Beethovenit të ngjashme me filozofinë greke? Po Beethoveni me Sokratin?

Dhe për ç’arsye Beethoveni është në njëfarë mënyre aq i afërm me frymën greke? Para se ta kuptojmë çka nënkuptohet dhe në ç’masë e karakterizon fryma greke krijimtarinë e Beethovenit, duhet të flasim për historikun e shkurtër të Heladës, për Athinën e për grekët e vjetër. Pesëqind vjet para Krishtit në brigjet e deti Jon lindi një kulturë e madhe dhe                                                                                                                                                                         e shkëlqyer,kurse Athina sendërtoi begati shpirtërore duke ua kaluar shumë kulturave lindore dhe duke përcaktuar zhvillimin e hovshëm evropian.

Mendohet se grekët e vjetër dhe Athina në kohën e Perikliut paraqesin periudhën më të ndritshme, sepse atëherë jetoi edhe Sokrati (469-399 para Krishtit).

Helada e vjetër, me kulturën, filozofinë, shkencat  dhe artin, i dha botës vlera  të pakontestueshme. Edhe atëherë kur Roma pushtoi Greqinë, fryma e Athinës dhe e Heladës ishte më e fortë se pushtuesi. Edhe kur ra Perandoria Romake, edhe pse Evropa ra në errësirë, fryma greke prapë qëndroi e ndezur prapë si pishtar i një kulture të madhe dhe kështu vazhdoi deri në Rilindje, kur helenizmi u ringjall por tani me një force më të madhe, me liri të plotë dhe pa kufizime të fjalës. Helada e Homerit i dha një kah të ri, sepse Rilindja  ka meritën më të madhe s, njëherazi me të filloi të qarkullojë mendimi i lirë, kurse estetika ose bukuria artistike sërish fitoi të drejtën e qytetarisë në mënyrë unike, bazuar në format e kulturës dhe të artit grek. Sii shëmbull kemi përtëritrjen  e dramës së Greqisë së vjetër në Cameratën e Firencës. Përtërirja po ashtu e tragjedisë së Eskilit dhe e Sofokliut mbi të cilën u krijua opera dhe drama muzikore e Jakopo Perit dhe e Monteverdit. Shkencëtarët mendojnë se madhështia e Rilindjes vjen si pasojë e linjës së skepticizmit modern dhe e racionalizmit në shkencë dhe në mendimin e njeriut në përgjithësi. Si pasojë e Rilindjes së kulturës antike u zhduk entusiazmi spontan që kishte pasojë negative në operën  klasike kundër së cilës reaguan me të drejtë Pergolezi, Gluku, Moxarti dhe Vagneri. Kemi një moment të ri në muzikë, paraqitet “Klasikja”si epokë e muzikës vjeneze që shfaqet në shekullin XVIII dhe në fillim të shekullit XIX, siç e kemi në muzikën e Hajdnit, Moxartit dhe Beethovenit. Por kjo s’ka të bëjë me prodhimin direkt të kërkesave artistike të helenizmit, por kishte elemente të muzikës së barokut, të Perëndimit dhe gjermane. Po të kërkojmë rrënjët e kësaj periudhe në muzikë hasim në mendimin racionalist evropian, në rrjedhat e reja shkencore prej Njutonit e këndej, në lëvizjet sociale dhe pa mëdyshje në muzikën klasike të Vjenës që zotëronte simetrinë, ndjesinë e paarritur për masa e proporcione, harmoninë e brendshme dhe qëndrueshmërinë e përsosur të formës si elemente vërtetë klasikë. Por kemi edhe një paradoks në aspektin e harmonisë dhe të simetrisë ngase treshi i Vjenës, me Hajdnin e Moxartin, është mbi Beethovenin, nga se ky i fundit me gjysmën e qënies së tij është romantik dhe ngase hasim në një frymë të shqetësuar, të vrrullshme, e cila rezulton nga porosia filozofike e Zhan Zhak Rusoit dhe e Revolucionit Francez.

Beethoveni ndërton por edhe shkatërron formën e madhe klasike. Kështu që epiteti i “muzikantit klasik” atij i takon me disa kufizime.  Mirëpo Beethoveni është më shumë klasik se Moxarti dhe Hajdni në një aspekt tjetër kundrejt frymës greke. Kuptohet, as te ai nuk është i pranishëm, si nuk do të jetë më kurrë askund tjetër, por megjithatë në disa aspekte qënësore është këndellur sërish në vepra të atilla siç janë simfonia e VII, ose Oda e gëzimit nga simfonia e nëntë .

Për ç’arsye Beethoveni është në një farë mënyre aq i afërt me frymën greke?

Së pari duhet kuptuar se çka karakterizon fryma greke. Nga njëra anë kjo është kthjelltësia dhe stabiliteti, maturia dhe prirja për ekuilibër e asgjë më tepër. Ky është njëri nga faktet që janë të njohur e që i kanë pasur grekët,edhe pse e tëra nuk është reale, sepse grekët si popull kanë qënë ekstremistë, të pamatur dhe të papajtueshëm. Kjo vërtetohet që nga koha e Homerit në kërkim të Penelopës. Që nuk kanë qënë të denjë, kjo vërtetohet edhe në rastin e grabitjes së  Helenes  e në luftën e Trojës .

Po ta lexojmë me kujdes dramën e Shekspirit “Troila e Kresida”, aty paraqiten në mënyrë të errët, absurde trimat e Homerit fisnik të mirë me në krye Akilin, por edhe si grumbull qyqarësh, përçarës dhe pa fije kulture. Ky gjykim i Shekspirit paraqet habinë, por jo edhe pa arsye pasqyrën reale si dramë të zezë që nuk mund të krahasohet as me  Joneskon e Beketin.

Nëse i studiojmë këto elemente e sidomos anën tjetër estetike të qënies së tyre, do të shohim se janë të rrënjosura edhe në kultin e Bahut dhe të Dionizit, në misteret dhe mitin e Orfeut, sidhe në filozofinë greke, nga e cila Sokrati, pra ky filozof i shquar, mori shumë gjëra për filozofinë e tij. E tërë kjo që i përket shtetit të Athinës, bashkë me shumë të tjera e sidomos me religjionin e vet, bindshëm na ofrojnë helenësinë dhe kultin e Bahut.

Po në Evropë çka kemi?

Po edhe 500 vjet pas Krishtit në qëndër të Evropës së Napoleonit dhe të Meternikut, një qënie e vetmuar siç ishte Beethoveni, shqiptoi këto fjalë: “Un jam i mjerë që shtrydh verë të ëmbël për njerëzimin”, ose “Unë iu jap njerëzve ethet hyjnore të Shpirtit!”.

Po, ky pra është Beethoveni dhe me të drejtë Wagneri tha për simfoninë e shtatë:  “është apoteozë valsi”, sepse në pjesën e fundit të kësaj vepre Beethoveni paraqiti festën e Dionizit, ku prek njërën  nga vetitë e rëndësishme të psikikës dhe të zakonit grek, sepse si balancimi dhe ekstaza ishin në atë frymë greke.

Si tingëllojnë  atëherë pas sferës muzikore të Palestrinës, religjionit të thellë të Bahut dhe rezervimit të Mozartit, fjalët  “Muzika duhet të kallë zjarrin e shpirtit të njeriut”.

Sokrati e pastaj edhe Platoni zbatuan në flozofi momentin etik për të cilën ka vërejtje lrdi Bertrand Rasel,i cili ia sheh  madhështinë thjesht nga aspekti i kërkimit filozofik e sidomos përsa i përket materies filozofike, por assesi nuk ka të drejtë, mendojnë filozofët e tjerë,  kur është në pyetje porosia etike, sepse “pas çdo lufte të tmerrshme, një   porosi e tillë e shenjtë na bie atëherë ndërmend dhe na del përpara gjeniu etik, Sokrati”.

Edhe pse nuk jam filozof, mendoj se Sokrati paraqet shpresën, mendim të mirë, i cili na jep shpresë, na inkurajon tamam si muzika e Beethovenit, që po ta dëgjojmë mirë e mirë, do të vërejmë  konstatimin e drejtë të Romen Rolanit, muzikologut të njohur, i cili bukur e thotë:  “Muzika e Beethovenit është me të drejtë dhe me të vërtetë muzikë e parë dhe e sinqertë revolucionare, muzikë në të cilën pasqyrohet fryma e një epoke me atë fuqi dhe pastërti me të cilën kjo ngjarje kaq e madhe dhe e rëndësishme jehoi në zemrat e mëdha dhe të vetmuara”.

Pra, këtë njeri të madh, Sokratin, e vranë  gjyqtarët: Aniti, Meleti dhe Likoni e më së tepërmi mendimi smirzi i Athinës. Me këtë  gjyqtarët provuan me vetë Sokratin se si forcat smirëzeza e të tërbuara nuk ia lëshojnë  vendin frymës së tij etike dhe të mirës si ide.

Megjithatë, Sokrati, ndonëse i izoluar, nuk është më pak i madh. Edhe Beethoveni i izoluar nuk  është më pak i prekshëm kur ia dhuron botës “Odën e gëzimit” dhe porositë: “Të rrini të përqafuar miliona”.

Me këtë edhe mund të konstatojmë se  Beethoveni është kompozitor, në veprat e të cilit jehojnë ngjarjet heroike, jo vetëm të një kohe, por të një shekulli e  askush prej krijuesve muzikorë nuk ka lënë gjurmë më të madhe në botën e artit muzikor dhe asnjëri prej kompozitorëve në atë kohë nuk i ka përcaktuar dhe shënuar me krijimtarinë e vet të gjithëmbarshme të dy periudhat e historisë së muzikës duke sublimuar artin e  klasicizmin me atë të  romantizmit si dy ngjarje jo fort të tejskajshme, por që shquhen sipas veçorive e tipareve të ndryshme, që kanë nëmes tyre artin muzikor. Jehonën e kohës e parandjeu më së miri Ludwig van Beethoven.Ky gjeni e titan ka qënë pjesë e një periudhe, e një epoke të artit botëror dhe ngeli përgjithmonë krijues me vlera të përjetshme, i përkushtuar me tërë qënien artit muzikor dhe jetësimit të parimeve të veta  në këtë art.

Është i pari  që hedh hapat e para në personifikimin e kësaj gjinie artistike dhe me të drejtë i thotë ,,se muzika është një krijim më i fortë se filozofia dhe qëndron mbi çdo filozofi” mikeshës së vet Betina Britanos. Kjo na kujton mendimin përafërsisht të njëjtë  të shprehur para 550 vjetëve nga Leonardo da Vinçi (1452-1519) për artin pamor: “Piktura është filozofi e vërtetë, që qëndron edhe mbi filozofinë”. Në vazhdim, Beethoveni thekson: ,,është si vera që të deh. Kush arrin ta kapë domethënien e muzikës sime, duhet që ta ndjejë veten të mërguar nga çdo mjerim kur të tjerët zvarriten në vuajtje”.

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: