Dimensioni semantik i dhembjes

Dimensioni semantik i dhembjes

Nga Ndue Ukaj

Në sfondin e vargjeve të dhembjes, kujtimeve të makthshme, të përjetuara
deri në kulim e padurueshëm, aty ku “Maja e zezë” pëlcet si një metaforë
triumfuese, shkrimtari nga Kosova Sali Bashota ndërton Olimpin e metaforave
dhe vargjeve, duke na dhënë tablo të ankthshme të jetës nën kohën e demonëve
që përgjakin vendin e tij, së këndejmi edhe vargun e poetit: “shpirti i së
cilit është mbërthyer ne vargje dhe rënkon” (“Maja e zezë”). Megjithëkëtë
pamje, poeti jep kushtrimin sfidues, për të triumfuar ligjërimi poetik si
intencë sintetizuese: “Muza ime/Unë s’do të vdes këtu/Në mëngjesin e
pikëlluar” (“Forma tjetër e dhembjes”). Poezia e tij duke u përshkuar nga
tone të dhembjes, nga përmasa tragjike e jetës, evokon ankthshëm kohën
mynxyrave të trishtueshme që ka kaluar qenia e tij dhe e kombit të tij. Janë
këto nuanca të cilat i japin poezisë së tij, dimensionin e artit të
tragjikes, e dhembjes, e makthit dhe klithmave për liri, për hapësirë. Poeti
Bashota kultivon vargje të kondensuar, ku dallohet dukshëm një sistem
figurativ i dendur, me ngjyra të larmishme, e me një dominancë të lehë të
metaforës si mbretëreshë e arit poetik, prapa së cilës fshihen krahasime të
qëlluara poetike, ide e mendime të thella. Gramatika e përgjithshme e kësaj
poezi përthyhet fuqishëm mes dimensionit semantik dhe estetik të letërsisë,
ku kodet poetike dhe mesazhet shkrijnë distancën mes objektit dhe subjektit,
mes poetit dhe lexuesit. Kjo poetike sfidon modusin tematik të atmosferës së
rënd të poezisë, poezi kjo që përshkohet kryesisht nga dhembja dhe evokimi i
saj në variante të ndryshme të këndimit poetik, përmes një diskursi të
fuqisë (Jacques Derrida) poetike, sikundër del tek vargu i fuqishëm:
“Gjarpri shteti me një njeri përdore në ferrin e arsyes” (“Mungesa e
shpirtit”.

Dijetari i letërsisë Northrep Fraji poetit ja atribuon cilësitë metafizike,
sepse, sipas tij ai këndon si perëndi. Fraji shkruan se: “funksioni i tij
(poetit) shoqëror është funksion i orakullit (predikuesit) të frymëzuar”.
Poezia është art i evokimit, art i fjalës së figurshme, përmes së cilit
mendimet zhvendosen nga kuptimet e para dhe marrin konotacione tjera, të
nënkuptueshme, të figurshme. Në poezi, përmes fjalës poetike, poeti
transfiguron realitetin në figura dhe perceptime estetike në gjendje
emocionale. Poeti si orakull transmeton mesazhe tek lexuesi përmes
asociacionit të imazheve dhe pamjeve, që gjithmonë fshehën pas figurave
retorike në funksion të komunikimit artistik drejtë receptuesit. Poezia,
mendimet i përkthen ne figura, gjendjet në imazhe, emocionet dhe intuitën
metafizike, në trajta universale, aty ku shkrihen ekzaltimet shpirtërore
përmes empiris dhe intuitës kreative. E tillë është poezia e Sali Bashotës,
tipologjia e së cilës sintetizohen imazhet dhe gjendjen e rënd nën qiellin e
atdheut të tij, kur rrudhet liria dhunshëm dhe ku poeti pëlcet me metaforat
e tij në vetminë krijuese, për të ndërtuar artin e ligjërimit të ashpër,
konfrontues me prishës të lirisë dhe ekzistencës së tij.

Sali Bashota është njëri nga poetët e afirmuar të poezisë shqipe. I njohur
edhe si kritik letrar, Bashota shkruan me sukses poezi, duke dëshmuar
intuitën e fuqishme dhe perceptimet estetike në shkallë të lartë letrare.
Poezia e tij karakterizohet nga evokimet dhe imazhet, si karakteristika që
enden në trajta dramatikë nga vargu në varg, nga poezia në poezi, nga figura
në figurë dhe krijojnë një tekstualitet dramatik, vargje ku ritmi dhe
figurat përplotësojnë intencën e kërkimeve letrare të poetit. Në të vërtet,
Bashota është një poet i mirëfilltë i imazheve dhe evokimeve. Poezia e tij
është një metaforë e bukur për “albumin e grisur” të poetit nën thundrat e
regjimit serb, ku “asgjë s’është hyjnore vetëm flijimi” (Poezia “Një variant
i vdekjes”).
Përmbledhja me poezi “Ekzili i shpirtit”, të botuar shqip dhe rumanisht,
përmes përkthimit të Baki Ymerit, dedikuar për një lexues të jashtëm,
shënjon një moment të rëndësishëm për prezantimin dhe afirmimin e letërsisë
shqipe jashtë hapësirave shqipfolëse. Në këtë përmbledhje Bashota sintetizon
perceptimet poetike në rrëfimin lirik të zhbërjes së qenies së tij. Stili i
tij modern i këndimit poetik, është i ngjeshur me ritëm dhe dinamikë të
veçantë tekstuale brenda vargjeve lakonike, trajta këto që ecin në gradacion
me idetë dhe perceptimet poetike. Kjo i ngjet golgotës, në fakt, poeti kalon
një golgotë të cilën shqipton dhimbshëm në vargje të goditura, sikundër del
ta zëmë tek poezia “Vjersha që po jepte shpirt”, ku artikulim i dëshpërimit
të gjatë dialogun me personazhe të jetës së poetit. Moduesi tematik që e
dominon poezinë e Bashotës lidhet me fatin e qenies së tij, fati ky që
prodhon tipin e ligjërimit që dominohet nga vetmia si metaforë që mbyt
dhimbjet, ngase: “vetmia po i kreh flokët në pasqyrë (“Baladë për vetën”, ku
krijohet “nëpër hapësirat e pushtuara të mendimit” (“Bukuroshja e fjetur”).
Së këndejmi poetit i pëlcet fjala. Ai përmes pyetjeve retorike shqipton
klithmën e rënd: “Si ta përpijë tmerrin në dyluftim me hijet” (“Ah kjo
vdekje”). Ky ton i ligjërimit bëhet edhe më i ashpër, më thumbues, më
tronditës në poezinë “Fshirja e kujtesës”, ku poeti kërkon të thyhen muret e
rënda të ekzistencës së tij: “Sëmundjet e trupit nuk shërohen mushkëritë
kalben/Kur shndërrohemi në hije ta gjalla”. Tipet e ligjërimit të Bashotës
janë të nduarndurshme, figurat imazhet si arketipa letrare janë sa nacionale
aq edhe universale. Në këtë linjë atykëtu, për të sforcuar diskursin dhe për
t’i dhënë konotacion universal, poeti fut në lojë diskursin biblik, sikundër
tek poezia “Melankolia” ku vargjet e mëposhtme tingëllojnë fuqishëm në
drejtim të sforcimit të kësaj intence: “Lexuesi im/Po piqen mollët e
pikëllimit në kopsht/Edeni prapë ai i moçmi plot vrer”. Ndër poezitë e
fuqishme të kësaj përmbledhje, ku shqiptohet në përmasa tragjike rrudhja e
hartës së Arbërisë, dallohet përmes sintagmës së realizuar artistikisht
“Përmasa e zvogëlimit të atdheut”. Në vargjet e kësaj poezie autori shqipton
me ligjërim te gdhendur poetik trajtat e tmerrshme të shartimit të hartës së
tij, por në kontekst sikundër le të kuptohet se Arbërisë nuk mund t’i lidhet
kërthiza aq lehte. Poezia e Bashotës nuk ngushtohet vetëm në klithmat e
vetmisë, në evokimin e këtyre situatave, në shqiptimin e tmerrshëm të
tragjikes së jetës së tij, por poeti duke fut eksperienca të fuqishme
letrare në vargje, sikundër hap shtigjet për ditët e së ardhmes, edhe pse
poezia e tij në masë të madhe është e kthyer nga e kaluara. Në poezinë
“Koha epike” autori krenarinë e etnikumit e kontekstualizon në përmasat e
antikitetit grek, ku figura e Homerit, Laokoontit, Mojsi Golemit shkrihen në
shtratin e universal të këndimit poetik. Përveç modusit tematik të vetmisë
dhe temës së madhe ekzistenciale, që lidhet me fatin e etnisë, Bashota thur
vargje të bukura për dashurinë, variantet e së cilës përcillen në poezi me
ndjenja të zjarrta. Në të vërtet, figura e së dashurës endet kudo në poezi
dhe e bën atë admirueshme. Ajo në raste të caktuar bëhet vetja e dytë e
poetit. Motivet e dashurisë shkrihen në vargje me nuanca të bukura, ku
vërehet gjallëria e vargut dhe afresket e këngës së bukur poetike. Ndër
poezitë e realizuara estetikisht në këtë kontekst veçojmë “A s’të thash e
dashur” ku vargjet e bukura dhe perceptimet e holla poetike kurorëzojnë
aktin e bukur të dashurisë: “Pema vjeshte do të shkruhej atëbotë/Ndërmjet
shkrumbit tim e buzëve tua/Sepse ti çdo gjë të shëmtuar/Çuditërisht nga
gjakimi e largon”.

Në ligjërimin poetik të Bashotës, përveç figurave të shumta poetike,
sikundër metaforave, alegorive, arketipave dhe figurave të mendimit, rol të
rëndësishëm në konstituimin e vargut luan edhe ritmi i brendshëm, i cilës i
jep poezisë ton muzikaliteti: “Ish lule ishe borë/Luleborë e tharë në dorë”.
(“Enigmë”). Këto elemente poetike dhe mendimet e thella i japin kësaj poezie
një impuls të veçantë poetik.

Shikuar përgjithësisht poezia e Bashotës është kulturologjike, ka fuqi e
impulse të fuqishme kreative, ndërthur empirin letrare dhe sensin poetik me
aktualitetin dhe kështu jep përmasat e një arti të njëmend poetik.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: