Jeta e letërsisë

Jeta e letërsisë

Ndue Ukaj

Është dhjetori i ftohtë  në Suedi. Ashtu sikurse në gjithë perëndimin, ky muaj karakterizohet me festime, shenja e simbole hareje të përgatitjeve për festat e Krishtlindjeve. Nga posta marr një letër rekomanduese. Nuk më pritet, nxitohem për në postë. Shoh mbishkrimin UNMIK dhe kuptoj se ka diçka nga Kosova. E hap pa frymë: është libri i fundit i poetit Ali Podrmija “Gjumi i tokës” përzgjedhur nga Ideart në Tiranë. Në brendësi të saj gjendet një letër, e cila me emocionon. Vazhdimisht me gëzojnë librat të cilat më vinë nga miq të ndryshëm nga Shqipëria, Kosova, Mal i Zi, e gjeti ku jetojnë shqiptar. Sapo kthehem në apartamentin tim, shfletoj nëpër libër dhe tendosem me mallin, atë mall të pashoq që vetëm pena krijuese e Podrimjes diti ta shndërroj në art universal, ta përjetësoj përmes klithmave të realizuara artistike. Ali Podrmija e sforcon diskursin e tij poetik, duke harmonizuar të bukurën e të këndshmen estetike me mallin dhe dhembjen, si topose të veçanta poetike. Nxitohem të lexoj disa cikle poezi, para se të nisem në mbrëmjen letrare të organizuar nga Stenza, një organizatë shkrimtarësh suedez që vepron në Malmö, në të cilin eveniment letrar do merr pjesë shkrimtari i madh suedez Stig Larsson, së bashku me disa autorë të rëndësishëm të brezit të ri të letërsisë suedeze. Miku im Mårten Björk, i cili është kritik i letërsisë dhe shkrimtar, me çiltërsinë më të madhe më ka hapur dyert të përjetoj një pjesë të vlerave të kulturës dhe letërsisë suedeze, duke qenë pjesë e evenimenteve të rëndësishme letrare. Është dita e Shën Lucias, festë tradicionale suedeze që për nga rëndësia hynë në rrethin e ngushtë të festave suedeze. Salla ku zhvillohet ky eveniment artistik është e rregulluar me shije të hollë estetike. Ajo është e stërmbushur. Çdo kush duhet të paguaj një hyrje simbolike dhe kjo ka kuptimin e vet, sepse gjallëron dhe dinamizon jetën letrare. Aty ftohen shkrimtarë të mëdhenj që të prezantohen, të bashkëbisedojnë me lexues e kritik, aty debatohet për letërsinë, për qenësinë e saj, për tendencat e saj, për prirjet e reja artistike, për nevojën e avancimit të vlerave universale në rrafshin global, për sfidat e saj. Pjesëmarrës i disa aktiviteteve isha edhe unë. Kjo është një eksperiencë e jashtëzakonshme, për të cilën gjë ka nevojë letërsia shqipe. Kësaj here në Stanza lexojnë poezitë e tyre Pär Thörn (poezia e së cilit karakterizohet nga një bohenizëm specifik), Åsa Maria Kraft, Matilda Roos dhe Stig Larsson (i ftuar i posaçëm nga Stokholmi në pesëvjetorin e themelimit të kësaj qendre letrare). Aty paraqitet edhe artisti LT Fisk me poezitë e tija të deklamuara mrekullueshëm me tingujt dridhmues të muzikës. Është një mbrëmje komplete letrare, ku nuk mungojnë debatet e shumëfishta për artin e letërsinë. Mbrëmje, të cilën unë do ta ëndërroja ta përjetoja në Prishtinë, Tiranë, apo gjetiu hapësirave shqiptare, me shkrimtarë shqiptar dhe të huaj. Komuniteti letrar suedez nuk është i kënaqur me letërsinë e tyre, me prirjet e tyre letrare, edhe pse kanë vërtet shkrimtar të mëdhenj. Ata kritikojnë, debatojnë me të madh, pa qejfmbetje, jo për të eliminuar ndokënd, për të sabotuar a penguar, përkundrazi, për të stimuluar vlerat letrare. Teksa analizonim me miqtë suedez këtë eveniment, por edhe atë që konceptohet krizë e qenies së letërsisë, mendja me vajti tek libri i fundit të cilin e mora sot dhe shumë shkrimtarë të talentuar shqiptarë anekënd botës. Mu ravijëzuan shumë figura të çmuara letrare, të cilat nuk e kanë mundësinë për të komunikuar e bashkëkomunikuar me lexues, kritikë dhe dashamirë të letërsisë. Për arsye të njohura e të panjohura. Mungon publiku, mungojnë organizimet, mungojnë përkrahjet, pra letërsia shqipe ka një regjistër mungesash.

Letërsia është dialog dhe vetëm si e tillë ka kuptimin dhe qëllimin e saj suprem. Pra, ajo jetën e vet e bën si dialog, si mesazh që nënkupton receptuesin. Së këndejmi, thuajse gjithë kombet pajtohen se letërsia është kryefjala e kulturës, simbioza që ndërlidh kohë e histori, që pasqyron psikologjinë dhe zhvillimet njerëzore me gjuhën e orakujve. Ajo i jep fizionomi një kombi.

 Letërsia përjeton një krizë, dëgjohet anekënd botës, ndërsa për këtë dukuri debatohet në Paris, Romë, Londër e qendra tjera të mëdha letrare. E, pikërisht për këtë temë nuk debatohet, apo debatohet vetëm sipërfaqësisht në letërsinë shqipe, e cila vazhdon të bëjë jetë avarie, e pasistemuar, me qindra shkrimtarë që pikin si prej qielli brenda natës e vërshojnë pa asnjë shije artistike. Në mungesë të qendrave letrare, instituteve për vlerësimin e letërsisë, debateve të mirëfillta, letërsia mbetet preh e diletanteve, sepse “vlerat” e tyre nuk debatohen, ato nuk seleksionohen, ato nuk ju nënshtrohen gjykimeve kritike letrare, ato nuk zhvillohen në dialog me lexues e kritikë. Pastaj ngjet që të ashtuquajturit letrarë të “zhvillohen”, botohen, propagandohen nga klane të çuditshme, të lidhura me motive të ngushta krahinore, lokaliste, që vetëm sa e sforcojnë primitivizmin dhe ngufasin hapësirën e letërsisë shqipe, e pengojnë të kalojë kufijtë krahinor, lokalist e ideologjik.

Një ndër atributet themelore të qenit shkrimtar, padyshim mbetet ndjeshmëria e lartë morale për përgjegjësitë, pikësëpari për fatin e letërsisë, pastaj për atë të shoqërisë në përgjithësi. Ky element nuk demonstrohet më opinionin letrar shqiptar. Këndejpari në letërsinë shqipe vërehet një avari në pikëpamje të vlerave, të botimit e mbi të gjitha, vlerësimit. Këto tri komponentë i mungojnë kuadrit të përgjithshëm të letrave shqipe, i mungojnë promovimi i vlerave të njëmenda, sado të pakta qofshin ato. Shumë shkrimtarë të talentuar i “mungojnë” letërsisë shqipe nga tendencat klanore, lidhjet paraletrare e pseudoletrare. Mungesa e komunikimit aktiv mes shkrimtarëve dhe lexuesit ka peshën e rënd, peshë që krijon distanca të panevojshme, të cilat më së paku i shpërbëjnë funksionit të letërsisë, mesazhit të saj estetik. Pikërisht në  mungesë të këtij komunikimit, në mungesë të asociacioneve të shkrimtarëve, në mungesë të një periodiku të fuqishëm e aktiv letrar, kemi këtë avaz të pakuptimtë. Prandaj edhe shkrimtarët e mirë, shpeshherë bien pavetëdijshëm preh e këtyre fenomeneve deformuese apo sorollaten mes kësaj krize që vazhdon te thellohet. Pozita e shkrimtarit shqiptar është  tejet e mjerë, ai i nënshtrohet një trajtim banal nga ana e shumë segmenteve shoqërore, është i papërkrahur, i pastimuluar, i anashkaluar, përkundrazi, lirisht mund të themi shkrimtari shqiptar është i përçmuar, nga institucionet, nga mediat etj. Jeta kulturore e letrare mbetet larg të qenurit normale, ambienti letrar është i ngulfatur nga disa klane që kanë “privatizuar” letërsinë, mundësia për të publikuar dhe për të botuar është e vogël, e më e keqja, mundësia për të debatuar është minimale. Prandaj edhe kemi kaq çalime në sistemin e vlerave letrare. Letërsia shqipe në vend që të ec para, ka stagnuar, të mos themi ka shkuar prapa viteve të fundit, në kohën kur atë e kanë vërshuar emra të shumtë, por që në esencë thonë pak ose aspak për esencën e asaj që është letërsi. Nëse sot analizojmë një dekadë letrare, ta zëmë në Kosovë dhe kërkojmë të bëjmë një regjistër veprash të njëmenda letrare në zhanret poezisë, prozës, kritikës, objektivisht e kemi vështirë t’i gjejmë dhjetë tituj reprezentativ që mund t’ia ofronim një kulture letrare tjetër, ta zëmë angleze, franceze, italiane, apo suedeze. Kjo për mendimin tim flet shumë. Ne vazhdojmë të vetknaqemi, të krijojmë idhuj të rremë, “shkrimtar të mëdhenj”, vepra të përkryera, e duke harruar parimin themelor të letërsisë, faktin se një vepër e mirë është e tillë sikundër në Prishtinë, ashtu edhe në Paris, Londër, Romë, Stokholm etj. Kjo implikon domosdonë që letërsia shqipe të transformohet, të emancipohet, të gjejë forma të reja të shprehjes, të lirohet nga primitivizmat, nga glorifikimet e panevojshme që e ngufasin atë; ajo duhet të jetoj vetëm si art i së bukurës, i së këndshmes, i së dobishmes. Kjo është një gjendje e dhimbshme. Përvoja me mënyrën e promovimit dhe dialogut në letërsinë suedeze, mbetet një eksperiencë e mirë, si model për të trandur sadopak komunikimin e munguar letrar, të stimuloj debate dhe të zhvilloj dialog me shkrimtarë, pse jo edhe më krijues të njohur botëror, për të cilën gjë ka aq shumë nevojë letërsia shqipe. Vetëm në raporte krahasim më të tjerët, mund ta kuptojmë ku gjendemi ne. Kjo është një nevojë imediate e letërsisë shqipe.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: