Kufijtë e lirisë

Kufijtë e lirisë

Nga Ndue Ukaj

 

Ndue Ukaj

NATO-ja për shqiptarët mbetet simbioza ku ndërthuren liria, ekzistenca dhe besimi te ardhmëria, besimi se forca e arsyes mund të triumfoj mbi mizoritë e së kaluarës, besimi për të ecur pakthyeshëm drejt rrugës së sendërtimit të aspiratave për të qenë pjesë e botës së qytetëruar. Kjo Aleancë, mbi të gjitha, për ne shqiptarët simbolizon synimet e përbashkëta për liri, synime këto që tanimë po marrin kahe tjetër, institucionale, partneriteti, me marrjen e ftesës nga Shqipëria për inkuadrimin në këtë Aleancë të fuqishme, ku mbrohet liria, paqja e ardhmëria. Me këtë ftesë, shteti shqiptar realizon një segment themelor të strategjisë kombëtare. Ndërkaq kjo ftesë duhet të shfrytëzohet me mençuri nga politikbërësit e Tiranës, për të tërhequr vëmendjen e biznesit të fuqishëm ndërkombëtar që të kthej sytë nga toka shqiptare, të harroj imazhet e trishta dhe jo të përdoret për marketingje të ulëta e primitive politike.

Për shumë vite shqiptarët, veçanërisht ata jashtë kufijve të Shqipërisë, tek kjo Aleancë kishin varur shpresat, besimin si një ditë do të ndihmoheshin për të fituar lirinë. Dhe vërtet, liria u fitua, atëherë kur kjo Aleancë intervenoj në Kosovë.

NATO-ja jo vetëm për shqiptarët ishte simbioza e lirisë. Në të vërtetë, kjo organizatë në historinë botërore të shekullit XX do të mbahet në mend si organizata që i dha shtytje e kuptim lirisë e demokracisë, kundruall diktaturave dhe sistemeve totalitare që kërcënonin botën. Në gjashtë dekada të ekzistencës së saj për Europën dhe perëndimin, kjo organizatë ka pas një domethënie të posaçme, të pazëvendësueshme për të ekzistuar liria, për të besuar tek forca e saj e jashtëzakonshme dhe vlerat sublime që kërcënoheshin prej forcave të liga.

Tanimë kur Shqipëria po bëhet pjesë e përbashkët e kësaj organizate, kufijtë e lirisë po shtrihen edhe në vendet e trazuara me shekuj, ku patën vepruar e sunduar me shekuj forcat e errësirës. Së këndejmi për shqiptarët po hapet një epokë e re, ajo e rikthimit në familjen e madhe perëndimore, tanimë institucionalisht, prej së cilës populli shqiptar ka jetuar e shkëputur nëpër shekuj. Me aktin e marrjes së ftesës për t’u bërë anëtare e shteteve dhe kombeve të lira, Shqipëria realizon një aspekt të rëndësishëm të platformës së saj politike. Tanimë objektivat e saj janë afërmendsh të realizuara, që sa më shpejt të jetë edhe pjesë e BE.

Në opusin e mendimeve filozofike të Volteri, kur ky dijetar përsiaste për lirinë dhe aftësinë e njeriut për të vepruar në këtë drejtim shkruante: “liria e njeriut qëndron në aftësinë për të vepruar”. Ky mendim, esencialisht përmbledh përpjekjet e Shqipërisë në drejtim të anëtarësimit në NATO që padyshim kanë aproksimativisht një linjë me mendimin e Volterit. Duke synuar NATO-n, Shqipëria mbi të gjitha ka vënë në pah aftësinë për të kuptuar dhe jetësuar lirinë, për t’u shkëputur e lënë në histori të kaluarën e tmerrshme dhe kaotike. Prandaj kjo ftesë dhe ky angazhim duhet ndihmoj për të ndihmuar konsolidimin e mëtejmë të kombit shqiptar drejt sforcimit të substancës kombëtare dhe avancimit në planin ndërkombëtar.

Pranimi i Shqipërisë në Aleancën më të fuqishme jo vetëm ushtarake por edhe politiken në botë, shënjon një kthesë esenciale e të pazëvendësueshme për gjithë kombin shqiptar, një kthesë kjo që rrënjët i ka në synimet e përgjithshme të kombit shqiptar për t’u kthyer në mesin e kombeve të lira e të qytetëruara, duke lënë vetëm në kujtesë historinë e dhimbshme, mbrapshtitë dhe kohët me pasiguri.

Në Samitin e Bukureshtit historia shqiptare merr një kahe ka liria e përparimi, rëndësia e së cilës për kombin shqiptar, përgjithësisht ka vlera të jashtëzakonshme. Shqiptarët në Bukuresht hynë në tempullin e lirisë, duke zgjeruar kështu edhe zyrtarisht kufijtë e lirisë, duke zgjeruar kufijtë e paqes, kufijtë e sigurisë, mbi të gjitha, kufijtë e ardhmërisë së sigurt.

 Sigurisht do të mbizotëroj mendimi se kjo ishte ditë e triumfit kundruall së kaluarës së errtë, kundruall së tashmes së tendosur, për një të ardhme prosperuese e në paqe.

Në këto dite, shumica prej atyre që diskutojnë, analizojnë e interpretojnë këtë akt, bëjnë regjistrin e përfitimeve që do të ketë Shqipëria nga ky anëtarësim. Por, mbi gjitha përfitimet qëndron interpretimi superior, ai, se Shqipëria nuk i përket më boshtit të së keqes.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: