Leximi dhe interpretimi i letërsisë së Atë Anton Harapit

Leximi dhe interpretimi i letërsisë së Atë Anton Harapit

Ndue Ukaj

 Studiuesi dhe shkrimtari i mirënjohur nga Tuzi, Anton Gojcaj në librin e tij të fundit “*Fakticiteti në letërsi-proza letrare e Anton Harapit*” (Buzuku 2007), ka bërë një përpjekje serioze por të studiuar letërsinë e shkrimtarit dhe dijetarit të mirënjohur Atë Anton Harapit. Libri është konceptuar sipas një logjike të ekuilibruar, ndërsa autori i librit sikundër le të kuptojmë se “*roli i interpretimit është të korrigjojë ose të arsyetojë një lexim*” (Ian Meclean). Metaligjërimin i Gojcajt realizohet me përkushtim e dije empirike letrare, madje, do të thoshim, edhe për të sprovuar një tendencë qëllimmire, për të kthyer rendin e munguar në aporinë e studimeve letrare tek ne, veçanërisht ndaj korpusit letrar të autorëve e veprave të ekskomunikuara për dekada të tëra në kritikën letrare shqipe, pjesë e së cilit korpus të gjerë, është vepra e viganit të letërsisë dhe mendimtarit shqiptar, françeskani Atë Anton Harapi. Kjo intencë kërkon të korrigjojë leximit që i janë bërë këtij autori të madh. Përmes këtij libri, studiuesi Gojcaj përveç se shpjegon si është konstituar dhe si funksionon proza e Harapit, në anën tjetër arsyeton një mënyrë specifike leximi që kërkon të ndërtoj metaligjërimin kritik mbi doktrina e ide letrare, për të bërë të mundshme, në të njëjtën kohe e vendosjen e kuptimeve të veçanta letrare në një kontekst të paqartë e kundërshtues, në një kontekst me dilema specifike për natyrën e shkrimeve të Harapit. Anton Gojcaj i rrahur në letërsi, i pajisur me dije universale, parakonceptimet për letërsinë i ka të ndërtuara në përvojën e gjerë empirike, andaj sikundër insiston se “vepra letrare nuk është një objekt që duhet përkufizuar, por një efekt që përjetohet” (Wolfgang Iser). Nga këndej, proza e Harapit nga Gojcaj lexohet dhe interpretohet me status të pastër letrar.

Letërsia shqiptare në zhvillimin e saj ka patur fatin tragjik të popullit të saj. Ajo s’arriti të zhvillohej sipas ritmeve normale, ngase ndërhyrjet e ideologjisë e kanë cunguar, penguar dhe sabotuar. Ajo u vlerësua gjithqysh, por më së paku sipas parimeve estetike e letrare. Madje, për të komplikuar punën, letërsia shqipe nuk u studiua në relacion me dije teorike letrare, nga të cilat duhej të nxiteshin premisat për konstatime të qëndrueshme e logjike letrare. Këndej pari edhe shumë autorë u janë nënshtruar regjimeve që kanë prodhuar ideologjitë, si dhe skemave të tyre që janë manifestuar në mënyrën më të vrazhdë në art e letërsi, sidomos gjatë dekadave kur Shqipëria u gjend nën diktaturë. Këtë fat e ka përjetuar, në mënyrën më tragjike edhe shkrimtari e dijetari i madh, autori i shkollës së madhe letrare të Shkodrës dhe kodit të fuqishëm françeskan, Atë Anton Harapi, i pushkatuar nga diktatura e Enver Hoxhës, i ndaluar të lexohet, ribotohet dhe studiohet për dekada të tëra, deri në fundin e shekullit të kaluar, me motivet më të ulëtat e më primitivet e mundshme. Duke njohur ketë kontekst të rënd, studiuesi Anton Gojcaj i qaset këtij fenomeni letrar për të funksionalizuar letërsinë e Harapit në kuadër të historisë letrare shqipe dhe historisë së ideve letrare, në një kontekst të ri leximi e interpretimi. Studiuesi me guxim e përgatitje të duhur profesionale i përqaset prozës letrare të Harapit, duke bërë analizë sintetizuese dhe sistematike, jo vetëm për të argumentuar dhe dëshmuar “fakticitetin” në letërsinë dhe prozën e tij, që është intencë e studimit në fjalë. Po ashtu, ky studim ka objektivë të qartësoj dilemën e shumë studiuesve të veprës së Harapit: nëse është ajo letërsi e pastër a jo. Këtë intencë e eksploron me shembuj të fuqishëm letrar. Studiuesi duke dëshmuar relacionet mes fakticitetit dhe fiksionit, raportet dhe ndërkomunikimet e natyrshme mes këtyre dy kategorive të shkrimit edhe në rrafshin universal të letërsisë, e edhe në atë nacional, arrin gjithashtu të dëshmoj nivelin e lartë estetik që ngërthen proza e Harapit, gjegjësisht dy veprave fundamentale “Andrra e Pretashit” dhe “Valë mbi valë”. Së këndejmi edhe vendin që zë ajo e autori i saj në kuadër të letërsisë shqiptare përgjithësisht. Anton Gojcaj nuk ka dilemë lidhur me aspektin esencial të këtyre teksteve: ato janë tekste me status të plotë letrar dhe si të tilla duhet lexohen e interpretohen. Në këtë sens, autori me argumente polemizon me elemente të caktuara në mendimin letrar shqiptar, të cilat kanë tentuar shpëlarjen e historisë së letërsisë, sipas apetiteve ideologjike, apo edhe leximeve të mbrapshta e tendencioze. Madje, edhe ndaj atyre që marrin guxim të shkruajnë pa e lexuar fare Harapin.

Gojcaj eksploron elementet qenësore të prozës letrare të Harapit, në kategoritë e brendshme dhe të jashtme të saj. Pastaj jep kualifikime të vlefshme letrare për tipologjinë e kësaj prozë, për kodet dhe toposet letrare, për kategorinë e zhanrit dhe nivelet e narracionit, për kohën si përbërës i rendësishëm narrativ, për pozicionet e rrëfimit, gjithnjë në suaza të një sinteze, e cila synon të asimiloj dije e formacione empirike letrare, në funksion të statusit letrar që merr teksti i Harapit. Dijet dhe empiria letrare, studiuesit i duhen për t’i kontekstualizaur karshi letërsisë së shkrimtarit në fjalë, respektivisht dy veprave të cilat i merr si objekt studimi “Andrra e Pretashit” dhe “Valë mbi valë“. Nga këndej, argumentet që nxjerr janë bindëse, sepse shoqërohen me shembuj relevant të letërsisë dhe bëhen me përkushtim, analiza të thukta e gjithëpërfshirëse.

Gojcaj mendon më të drejtë se Harapi, ka vlera të jashtëzakonshme në kulturën e shkrimit shqip në shumë aspekte, duke përmendur atributet e tij si një apologjet i besimit dhe tolerancës ndërfetare shqiptare, si një promotor i rryer për emancipim dhe kulturë të njëmend shqiptare, si polemizues i shkathtë, madje edhe për probleme globale, siç ishte ideologjia komuniste, me të cilën polemizon; si moralist i madh e erudit i pashembullt. Mbi të gjitha, studiuesi mendon se Harapi spikatet për prozën e tij të veçantë, e cila “endet” mes fakticitetit dhe fiksionit dhe pikërisht ky dimension e bënë atë sui generis, ndërsa Harapi mbetet personaliteti më i madh i kulturës shqiptare pas Fishtës, Nolit dhe Konicës, siç thotë dijetari i letërsisë Aurel Plasari. Duke diskutuar statusin letrar të këtyre teksteve, çështje kjo që ka zgjuar interesim edhe tek studiues tjerë të veprës së Harapit, shumë prej të cilëve mendojnë se veprat kanë vlerë dokumentare për bazamentin historik, si dëshmi e të dhëna, përmes kujtimesh dhe lenë mënjana statusin e tyre letrar, Gojcaj polemizon me këto ide, me pedanteri dhe vë në pah se të dhënat historike nuk cenojnë statusin e tekstit letrar, madje shkruan se: “fiksionalieti nuk është i rezervuar ekskluzivisht për letërsinë dhe artin, kurse semantika e letërsisë nuk mund të ngushtohet në njëfarë sinonimi të fiksionit…Tolstoj në “Lufta dhe paqja” ka përfshirë po ashtu personazhe, fytyra historike, ndër të tjerë edhe vetë Napoleon Buonapartin, por për këtë gjë askush nuk e konteston faktin se vepra në fjalë është një roman, pra një vepër letrare“. Kjo referencë e përmendur në kontekstin e prozës së Harapit i jep argument e peshë idesë së fakticiteti jo që nuk cenon statusin letrar të teksteve të Harapit, por në të kundërtën, e bën atë më të veçantë. Andaj Gojcaj, mendon se shumëçka që është e lidhur me perceptimet për një vepër apo dukuri letrare, ka ndërlidhje logjike me faktorin lexues, sepse vepra letrare është një fakt që përjetohet. I bindur në idetë tij, studiuesi thekson se “Andrra e Pretashit” paraplotëson gjitha kriteret letrare për t’u quajtur roman, përkundër shumë mendimeve tjera të mëparshme që këtë vepër e kanë kualifikuar si prozë dokumentare, kujtime etj. Gojcaj nuk ka asnjë hamendje, ky tekst letrar është roman dhe në këtë rrugë sjell argumentet e brendshme të tekstit letrar, sikundër në planin ligjërimore, njashtu edhe në atë narrativ, veçanërisht në analizën e kronotipeve letrare, elemente këto që janë krejt të reja në mendimin letrar tek lidhur me prozën e Harapit. Përkundër bindjes së fuqishme për prozën “Andrra e Pretashit”, kur përcaktuan kategorinë e zhanrit, për tekstin tjetër letrar “Valë mbi valë” ka disa hamendësime, edhe pse nuk ngurron t’i thotë novelë filozofike. Edhe ky përkufizim del i ri. Edhe pse Gojcaj këto dy proza i sheh në suaza të dy kategorive zhanrore, ai prapëseprapë gjen pika të nyjëtimit të përbashkëta. Një element i përbashkët është narratori-shkruan Gojcaj, ndërsa tjetër tipar karakterizues është hapësira e madhe që zënë dialogjet. Një vëmendje të posaçme në këtë studim zë edhe hulumtimi i kohës si përbërës i dy prozave.

Në aspektin intertekstual, autori sheh ndërlidhje funksionale mes prozës së Harapit dhe diskurseve orale, sidomos me fjalët e urta si njësi të shfaqjes së intertesktualitetit. Ndërsa anë planin tjetër ligjërimor, sheh një ndërlidhje funksionale me diskursin biblik dhe librin e shenjtë Bibla.

Libri është i mbarështuar me një kulturë të lartë letrare, studiuesi Gojcaj letërsinë e lexon me vëmendje, ai i hulumton me përkushtim, gjitha idetë dhe diskutimet për t’i mbështet me referenca relevante që e ndihmojnë dhe e kompletojnë këtë studim, i cili duhet të tumiret me vlera të veçanta në kontekstin tonë letrar. Kështu ky studim kontribuon dukshëm në hapjen e mëtejme të studimeve letrare, si dhe krijon pamje tjetër për autorin e madh Anton Harapi. Duk lexuar nga një kënd e veçantë empirik, i çliruar nga mitizimet e gulfimet e panevojshme, Gojcaj sikundër le të kuptohet se letërsia ka forma të ndryshme të leximit dhe secila e pasuron botën e madhe të letërsisë.

Libri është shkruar me një gjuhë të nivelit të lartë teorik e kritikë, me stabilitet termash e domethëniesh semantike, diçka e rrallë në kritikën shqipe. Mbarështimi i materies dhe trajtimi i fenomeneve të brendshme dhe të jashtme të prozës së Harapit, gjithherë për të qenë relevante, i nënshtrohen një liri të leximit (Umberto Eco). Por kjo liri nuk cenon objektivitetin e nevojshëm, sepse letërsia lexohet në relacion, në interkomunikim. Gjitha idetë letrare shoqërohen me relevante relevante edhe në planin letrar, fiksional, edhe në atë teorik-kritik. Ky aspekt e bën këtë studim të veçantë dhe të rëndësishëm për kulturën letrare shqipe.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: