Libri është i shenjtë

Libri është i shenjtë

Nga Ndue Ukaj

Shkrimtari i madh Hose Borhes në eseun Lumturia e librit, flet për rëndësinë dhe përgjegjësinë që ka libri për njerëzimin në të gjitha nivelet. Andaj, për të sforcuar diskursin rreth temës në fjalë, për peshën dhe njëherit përgjegjësinë e madhe të librit, ky shkrimtar brilant i referohet një mendimi të rëndësishëm të Shën Anselmit: “Të vësh një libër në duart e një injoranti, është po aq e rrezikshme sa të vësh një shpatë në duart e një fëmije. Ja pra se çfarë mendohej atëherë për librin”- thotë Borhesi. Në këtë mendim përmblidhet esencialiteti i botëkuptimeve Borhesiane.

Është kjo një problematikë specifike kombëtare, për të cilën duhet të meditojmë dhe diskutojmë.

Shoqëritë demokratike, të emancipuara, civilizuese dhe përparimtare i kushtojnë vëmendje të posaçme çështjes së librit, fjalës së shkruar dhe fjalës publike. Për këto fusha bëhen analiza të thukta. Më këto segmente merren institute të tëra. Sepse nga këto fusha fillojnë të ndërtohen konturat e mirëfillta të shoqërisë stabile.

Së këndejmi, për ne shtrohet çështja: si është gjendja e këtyre fushave në kontekstin tonë kombëtar, në kohën kur sfidat e konsolidimit janë të mëdha, në kohën kur ndjehet ankthshëm një krizë morale dhe krizë intelektuale? Shkrimtari i madh Hose Borhes në eseun Lumturia e librit, flet për rëndësinë dhe përgjegjësinë që ka libri për njerëzimin në të gjitha nivelet. Andaj për të sforcuar diskursin rreth temës në fjalë, për peshën dhe njëherit përgjegjësinë e madhe të librit, ky shkrimtar brilant i referohet një mendimi të rëndësishëm të Shën Anselmit: “Të vësh një libër në duart e një injoranti, është po aq e rrezikshme sa të vësh një shpatë në duart e një fëmije. Ja pra se çfarë mendohej atëherë për librin”- thotë Borhesi. Në këtë mendim përmblidhet esencialiteti i botëkuptimeve Borhesiane

Për autorin e përmendur, libri është i shenjtë, është kult para secilit njeriu, sikurse para një objekti-kulti, ulet dhe merr modelin për ta bërë pjesë funksionale të botëkuptimit, ngase libri ka fuqinë e shpirtit, funksionon nga shpirti. Andaj, ata që shkruajnë libra kanë përgjegjësi të mëdha, ngase prekin ndjenjat, shpirtin e njeriut dhe të njerëzimit. Aty ku funksionon shpirti, ka delikatësi.

Në gjendjen e tonë kombëtare, kur, çdo ditë shohim degradime morale dhe sisteme vlerash të përçudnuara, për këto fusha nuk ekziston përgjegjësia e duhur. Madje as debati. Në mënyrë që shumë procese kombëtare ta marrin fizionominë e duhur, duhet të hapet një debat i domosdoshëm në kulturën e shkrimit shqip, për fushat e lartëshkruara, dhe influencën që kanë këto në segmentet tjera, që nga politika, ekonomia, arti, religjioni etj. Libri, fjala publike ka influencë predominante në çdo shoqëri. Andaj t’i lejohet çdo kujt të merret më këtë fushë, është poaq e rrezikshme, sa të lihet shpata në duar të fëmijut. Pesha e librit dhe e fjalës publike në formësimin e një shoqërie është e një rëndësie të posaçme, Sui Generis. Sidomos kur shoqëria është në ndërtim e sipër, në konsolidim e sipër, siç ngjet me kombin tonë.

Në kaosin dhe mjerimin që na ka mbërthyer (a nuk mjafton fakti se shqiptarët gjenden në listën e fundit të çdo sondazhi perëndimor), përgjegjësia e intelektualeve është e zbehtë, në mos të thuhet se s’ekziston fare. Në Kosovë, intelektualët janë shtresa më e nëpërkëmbur. Andaj edhe përgjegjësia e tyre karshi zhvillimeve i ngjason zërit të çjerrur që bërtet në shkretëtirë. Jo se kemi intelektualë oportunistë, por kemi liri të kufizuar; kemi abuzime me media dhe libra, me fjalën e thënë dhe fjalën e shkruar: në Kosovë shkruan çdokush, ndërsa më së paku mund të dëgjohen zëra intelektualësh nëpër media. Kurse në Shqipëri, gjendja paraqitet diç më mirë. Falë edhe disa mediave që kanë arritur një stad të mirë të emancipimit dhe kultivimit të debatit intelektual.

Shembull i një pasqyre reale për shoqërinë, mbeten opinionet që vijnë prej intelektualëve, sikur ta zëmë nga shkrimtari brilant Ismail Kadare dhe reflektimet e tij per ceshtjen e identiteti civilizues te shqiptareve. Paraqitjet e tij publike, opinionet për zhvillimet e përgjithshme, vërtetë përfaqësojnë realitetin e vendit; kundrejt absurditetve qe shfaqin aty ketu, grupe tendencioze, sic eshte Rexhep Qosja me tendencat per nje “pluralizem civilizimesh” brenda kombit. Ne kete pike, qëndrimet e Kadarese, jo vetem që ndeshen ashpër me retorikën demagogjike dhe vetëkënaqësinë që ka mbërthyer, jo vetem nje pjese te intelektualeve tane, por edhe vet qeverisjen e Tiranës, ashtu edhe të Prishtinës.

Shoqëria shqiptare e gjendur në tranzicion të gjithanshëm, para këtyre përgjegjësive ndihet disi e përjashtuar. Intelektualët e mirëfilltë ndjehen të harruar, të vetmuar, të papërfillur. Andaj qendrat kulturore, politike të shqiptarëve janë bërë arena, ku vërshojnë me dhjetëra fjalëshkrues, që shfrejnë pamëshirshëm emocionet, paragjykimet, idetë indoktrinuese, dhe çkado tjetër- çdokush, dhe, atë për çdo gjë. Nga ky fakt, brenda jetës politike, kulturore si të Tiranës ashtu edhe të Prishtinës, gjithnjë e më shumë po defilojnë matrapazë, diletantë dhe kamuflues. Mbesin, çuditërisht, gjithmonë jashtë këtij “sistemi” njerëzit që ndjekin parimet e shkruara, qëndrimet e thëna; shkurt, ata që i qëndrojnë besnik një ideali dhe përcaktimi intelektual. Dhe nga kjo rrëmujë arrijnë të “përfitojnë” gjithherë ata që kanë sensin të mashtrojnë, shkatërrojnë dimensionet e shëndosha dhe parimet intelektuale. Një mendësi kjo që po degjeneron kombin. Gjithë ky mjerim që na ka kapluar, të cilin nuk kemi guxim ta themi, ka pikënisjen nga libri dhe nga fjala e shkruar, ose, e thënë publike: shumë intelektualë të quajtur, kudo hapësirave shqiptare, përpos ca librave të ideologjisë së kaluar tragjike, s’lexojnë tjetër. Ato i mbajnë model, nga to frymëzohen. Madje shumë sosh (më shumë në Kosovë), si këpurdha pas shiu dalin dhe quhen intelektualë, prijës. Marrin pozicionin e orakujve. Këta të mjerë ndërtohen mbi thashetheme politike, kulturë odash e rajonesh. Nëpër çajtore të shumta të çarshive dhe odave të tymosura, dhe jo bibliotekave. Ndërkohë që bota përparimtare, në të cilën synojmë të integrohemi merret me galaksitë dhe harton projekte tridhjetëvjeçare për qytetarët e saj.

Një fjalë latine thotë: “A verbis, ad verbera” – “Nga fjalët, tek kamxhiku”. Ndryshe, nga fjalët dhe librat deri te dhuna. Ky mendim më së miri definon problematikën në fjalë.

Nëse për çdo gabim kombëtar ka mundësi përmirësimi, për këso veprimtarish, pasojat gjithherë janë të mëdha, dhe si të këtilla afatgjate. Madje vështirë të riparueshme. Andaj kjo veprimtari asesi nuk guxon të abuzohet, sepse është pikënisja prej ku fillon formësimi i njeriut, i gjitha kategorive: nga këtu fillon formësimi i prijësve politikë, ekonomikë, ushtarakë, kulturorë, etj. Nëse do kemi libra të mbështetura në parimet e dijës universale, fjalë të shkruar dhe fjalë publike të shëndoshë, tolerante, të bazuar në sistem vlerash intelektuale, do të kemi edhe qeverisje të përgjegjshme, ekonomi të qëndrueshme, mirëqenje të përgjithshme. Andaj librat dhe fjala publike, siç sugjeron Borhesi, duhet të jenë në frymën e shenjtë, një simbolikë kuptimplote. Librat duhet të kenë frymën e tolerancës, mirëkuptimit dhe përparimit; asesi të indoktrinimit, kamuflimit të së vërtetës, paragjykimit, improvizimeve. Vetëm atëherë kur të vetëdijesohemi për këto fusha, do të kemi predispozitat e një kombi të shëndoshë, të emancipuar për të kundruar të tashmen dhe të ardhmen në relacione të qarta dhe reale, pa abuzime dhe kamuflime.

Libri prodhon opinione. Libri bëhet udhërrëfyes për shoqëri, kombe, civilizime dhe botën në përgjithësi. Çdo popull përfaqësohet përmes librit (librave).

Të nisemi nga një fakt i njohur dhe i pranuar si i këtillë: çdo popull përfaqësohet nëpërmjet intelektualëve, vlerësohet për aq sa ka bërë veprimtari intelektuale, pranohet për aq sa i ka dhënë njerëzimit figura të mëdha, të cilat sublimojnë në shkallë universale dëshirat e njeriut për përparim, për fisnikërim. Është kjo dëshirë e kahershme, e cila nuk fashitet në asnjë kohë dhe në asnjë popull. Është kjo dëshira dhe sakrifica që ka prototipin te Prometeu antik, kjo figurë mitologjike greke, që për të mirën e njerëzimit sakrifikon vetën. Është kjo dëshira për përparim dhe për vlera sublime, që është kalitur me mijëra shekuj në skuta të errëta të shpirtit të njeriut dhe çdo herë qon kokën në kërkim të sublimes.

E gjithë bota jonë kulturore dhe civilizuese është produkt i librave të mëdhenj, që kanë në esencë një shpirt fisnik, një shpirt hyjnor. Nuk do të mund të paramendohej civilizimi ynë pa literaturën e madhe antike, pa përkthimet e Biblës, që i dhanë një shtytje marramendëse kulturës dhe artit perëndimor. Janë grekët ata që përfaqësohen përmes Platonit, Aristotelit, Homerit, Sofokliut, Eskilit, Euripidit, e shumë të tjerëve. Më tej, janë italianët ata që janë ngritur në piedestalin e popujve të çmuar përmes Virgjilit, Dantes, Petrarkës, etj. Janë gjermanet ata që krenohen me të madhin Gëte, spanjollët me Servantesin, anglezet me Shekspirin, rusët me Dostojevskin, francezët me Hygon, Balzakun. Ka në këtë aks një regjistër emrash që i dhanë përmbajtje botës sonë. Pra, janë këto personazhe historike dhe aktuale, që ende jetojnë me shpirtin e gjallë, sepse idetë dhe shpirti i tyre synonin përparimin. Gjithnjë përmes ideve fisnike dhe vlerave sublime. Ndërsa ne shqiptarët, ende luhatemi në tehun e thepisur të dilemave absurde, të vlerësimit të heronjve: ne dimë të shpikim heronj të të gjitha kategorive, të krijojmë mite të rrejshme, por shumë pak heronj të shkrimit, pra intelektualë. Prandaj, sot çuditërisht kemi ndërtuar sa e sa heronj të fushave tjera, që për vlerat perëndimore, pa përçmim, përfaqësojnë minimumin e mundshëm, me të cilët ata vetëm tallen. Kultura shpirtërore shqiptare, sidomos ajo intelektuale po cungohet nga disa intelektualeca, që për motive të ulëta kanë ndërmarrë një fushatë kundër Gjergj Kastriotit, kundrejt formulës së parë të shkruar shqipe, kundrejt autorit të parë dhe librit të parë shqip, Mesharit të Buzukut, kundër të madhit Pjetër Bogdanit, kundrejt Gjergj Fishtës, kundrejt Faik Konicës, Ernest Koliqit, Ismail Kadaresë, Martin Camajt dhe Anton Pashkut. Dhe ku shkon më tragjikja, kundër Nënës më të madhe të dymijë viteve të civilizimit tonë: Nënës Terezë. Në këtë amulli që e përshkon gjendjen tonë nacionale, duhet të diskutojmë për rolin e intelektualit në shoqëri, me bindjen se pa këtë rol mjerimi vetëm do të thellohet. Ndërsa këtij kaosi vështirë do t’i gjendet fundi.

Funksioni i intelektualit brenda një shoqërie, kombi apo shteti është fundamental, është shpirti që i jep gjallëri dhe dinamikë çdo qelize shoqërore dhe konstrukton fizionominë reale të saj. Janë pikërisht intelektualët e mëdhenj që i japin vulën zhvillimeve shoqërore, emancipimit dhe ngritjes së mendjes për të kundruar të ardhmen në mënyrë më të mirë. Janë shtresat intelektuale ato që i japin konturat e shëndosha një shoqërie. Njëherit orientojnë popullin drejtë vlerave përparimtare. Mbase, mund të themi pa hamendje, janë intelektualët e shumtë perëndimorë, që kanë përparuar demokracitë perëndimore në stadin e shkëlqyeshëm në të cilin gjendet sot perëndimi.

Intelektualët e përgjegjshëm, në këtë tranzicion kur po ribëhen shumë gjëra që në të kaluarën janë bërë mbrapsht, duhet të japin përgjegje për shumë aspekte: të definohet qartë roli dhe përgjegjësia intelektuale karshi të sotmes, të analizohet cila është përgjegjësia e intelektualeve për të analizuar të djeshmen e kombit, pa emocione, ngarkesa dhe euforizma, cila është përgjegjësia për të ardhmen e kombit, dhe më tutje, cila është përgjegjësia për këtë mjerim që na mbizotëron si një përbindësh, cila është përgjegjësia e intelektualeve për të përmirësuar gabime që kemi trashëguar?

Janë këto pyetje që kërkojnë përgjegje, përmes një debati të shtruar drejtë.

Nga respektimi i të sotmes, varet e ardhmja. Ndaj elitat e mirëfillta intelektuale duhet të ngritën në nivel të përgjegjësive që kanë: jo vetëm për të demaskuar segmentet e këqija, por për të ofruar rrugët dhe modelet e kundërta.

Përndryshe edhe shumë kohë do të vajtojmë mjerimin tonë dhe të shtrojmë pyetjet-dilemat: cili është atdheu ynë, ai që e ‘jetojmë’ çdo ditë në kaos, apo ai që na proklamohet në formë të një parajse, nga retorika demagogjike politike?


Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: