Metafora e dhembjes poetike

Metafora e dhembjes poetike

Ndue UKAJ

Letërsia shqipe e krijuar në Kosovë paradigmë të saj ka fatin dhe fatkeqësinë e etnisë, e cila endet si një metaforë përcëlluese nga poeti në poet, nga vargu në varg, për të dhënë kushtrimin dhe ogurin e një katrahure të rënd që duhej të shpërthen për të spastruar ndërgjegjen e botës, së këndejmi edhe të vetë popullit. Kjo paradigmë, sikundër në planin poetik, ashtu në atë tematik ka predominuar krijimtarinë e gjitha brezave të letërsisë shqipe që kanë krijuar në Kosovë, por edhe jashtë saj.

Madje, kësaj teme dhe këtij fati nuk ka mundur t’i shpëtoj asnjë krijues. E proklamuar si lloj platforme poetike, me sintagmën e famshme të poetit të madh Ali Podrimja, “Kosova është gjaku im që nuk falet” kjo paradigmë ka krijuar specifikat e saj dhe ka shënjuar kodin specifik letrar, sikur në planin e diskurseve, ashtu edhe në rrafshin tematik-semantik. Sidomos kjo tendencë dhe pikasja e këtij fati, në mënyrën më tragjike, vërehet në poezinë shqipe të shkruar në dy dekadat e fundit, pjesë e së cilës është edhe krijimtaria poetik e Arif Molliqit, poetit nga Kosova, i cili jeton në Gjermani, autorë i disa vëllimeve të suksesshme me poezi, eseistik e prozë. Pra, letërsia e krijuar dy dekadave të fundit në Kosovë është e ngjizur nga tragjikja e nënqiellit të jetës së vrazhdë, nëpër të cilën kohë të ligë, siç do të shprehej poeti Molliqi, ka kaluar populli i Kosovës, së këndejmi ka ndërthur në shtatin e saj, me dhembje e dashur zhuritëse, gjitha ato klithma, përmes gjuhës së poezisë, që është gjuhë e frymëzimit metafizik; gjuhë e orakujve; gjuhë e sublimes estetike. Duke qenë shkrimtarët bartësit me të mirë të mentalitetit, psikologjisë së një populli, tek poezia gjejmë pamje e imazhe të larmishme të klithmave shpirtërore, të realitetit që transfigurohet në realiteti artistik, që është autonom dhe krejt specifik në vete, një sui generis; status artistik i realitetit shpirtëror. Këtë përmasë dhe këto dimensione poetike-letrare, edhe ne planin poetik, edhe atë semantik i hasim tek përmbledhja me poezi “Portret i pambaruar” (Faik Konica, 2006), ku koncepcionet poetike priren nga shtrirja në rrafshe konkrete e metafizike të historisë së vjetër e të re të qenies nacionale të poetit, aty ku kërkohen përgjigje për pyetje retorike të komplikuara, që autori i shtron kudo në nëntekstin e vargjeve, por që përgjigjet mbeten të heshtura, të fjetura dhe të përtejmi. Ambivalenca e vargjeve dhe fuqia e mendimit, janë dy tipare përshkuese të poezisë së tij. Për poetin Molliqi nuk është e lehtë, në atdheun e tij dymijëvjeçar të ec në çdo cep të atdheut, për të pëlcitur paradoksi i ankthshëm: “kërkova dashuri huha/të shkruaj poezi” (“Jeta përbrenda poezisë”). Këndej pari projekton klithmat e tij në mënyrën me tragjike sepse: “lindja dhe vdekja/nuk përkthehen shqip/Këtu kanë emër tjetër” (“Udhë e grimcuar”). Këto përmasa të kësaj poezie, të dhembjes e dashurisë për dhembjen e quajtur atdhe, janë klithmat reale që poeti si orakull, duhet t’i shndërroj në realitet artistik, duhet t’i transfiguroj në vargje për t’i interpretuar me gjuhën e poezisë: “Le të bjerë shi edhe të shtunave të dielave kur lutemi/me lutje dhe shpi shpirti nuk pastrohet” (“Shi gjatë vjeshte”). Në këto vargje dhe në një cikël të tërë vjershash, figura e shiut, pastaj figurat e vjeshtës janë aluzione për imazhet kryetipore, qe shprehin dhe implikojnë intencën e shpirtit të poetit, madje edhe kur thërret në katharsis letrar aristotelian. Kjo gjendje për poetin bëhet edhe më dramatike, sepse vjeshta është më e trishtueshme si gurbetçarë. Pelmi poetik i poetit nuk derdhet i tëri në vjeshtë, ai sikundër implikon intertekstualitetin letrar, duke shprehur aluzionet me poezinë e poetit të madh klasik, Ndre Mjedës. Këtë diskurs poetik e hasim tek poezia “Një zog në pemë”: “Kur të vijë pranvera tjetër/do ta kuptoj ç’ishte ajo zhurmë/në kasollen time të freskët”. Kjo mund të jetë metafora e poetit për “Kopertinen e biografisë së tij të vdekur”, që është një realizim i shkëlqyer artistik. Poeti dhe shkrimtari Arif Molliqi, me gjuhë poetike të përpunuar, me figura stilistike të bukura, me retorikën e vargut lakonin, thellon ne variante të ndryshme të këndimit, makthin e fjalës poetike, për metaforën e së keqes, për metaforën fjalës që mund të jetë edhe metaforë e lutjes. Këto variante të metaforës, enden në poezinë e tij, kanë status letrar të ndryshëm, por gjithmonë në funksion të së bukurës artistike. Poezia e Arif Molliqit ec në tehun e ambivalencës së shprehjes; ajo është moderne, aq sa duhet të ruaj klasiken e domosdoshme; ajo është e çiltër, spontane aq sa ka nevojë të krijoj abstraksionin poetik për të ikur shablloneve poetike. Shprehja poetike e poetit është e përpunuar, vargu i gdhendur, ndërsa sistemi figurativ tejet i dendur. Në këtë aspekt, do veçoja ciklin e poezive “Motiv i një balade të brishtë”, ku në variantin e vetërrëfimit, poeti shpërthen tërë potencialin e tij poetik, me vargje të gdhendura mjeshtërisht, krijon metaforën e fjalës artistike në disa variante këndimi tejet interesante. Poezia si arti më personal, bioletra e shkrimtarit, siç do të thoshte dijetari i letërsisë Sabri Hamiti, shprehjen e saj sublime e ngjiz, do thoshim në mënyrë simbolike, me përkthimin e botës së tronditur emocionale e shpirtërore, në fjalë të figurshme e kuptime ambivalente, që janë personale, shpirtërore: aty lëndorja dhe shpirtërorja shkrihen. Duke konstruktuar të mundshmen dhe të bukurën, ajo bëhet arti i reflekseve të esenciale, ku pulsohen me mirë se çdo kund copëzat e jetës së shpirtërore të njeriut në labirintet e jetës, prej së cilave duhet të vizatoj me vija të trasha nuancat më të mundshme, që tejkalojnë pamundësinë e njohës. Kjo është klithmë ontologjike. Poezia e Arif Molliqit, nëse e lexohet në tërësinë e saj konceptuale, është e shtrirë nëpër kohë e hapësira të shumta, por që ndërlidhen nga nyja e fatit tragjik kombëtar, prej së cilës variojnë edhe topose tjera tematike, edhe kur këndohet tragjikja e substancës kombëtare në diakroni, edhe kur këndohet fati i saj aktual. Në përmbledhjen me poezi “Portret i pambaruar” poeti si një orakull i frymëzuar, nëpër vargje vetërrëfen metaforat e këqija, sepse ai ka makth nga fakti se: “jetuam duke përtypur vetën”. Kjo metaforë e dhimbshme, krijon edhe statusin e diskursit tragjik: “Mbi kopshtin e çmendurisë pështyjnë mallkimet/Mbi plagët e thella kanë vënë akull/Vijnë pas nesh stërnipërit tanë që shajnë/Mjeshtërinë e mashtrimit”. Poeti sajon tablo të atdheut të tij të vuajtur në mënyra të rrënqethshme, me përplot emocionalitet e vargje vibruese. Intenca e tij, megjithatë mbetet me shpresë: “Më lejoni të shpresoj se e nesërmja është e jona/Mbi kokën time prehet qetësimi” (“Mos ma merni për të keq ndryshe s’di të kërkoj fjale”). Diskursi poetik në tërësinë e tij organizohet nëpërmjet një lirike meditative, që priret nga tendenca moderne e këndimit poetik: vargjet janë të ngjeshura me figura, ku dominojnë metaforat e simbolet. Nuk mungon as ritmi si parim organizues i lirikës, kund edhe rima e cila ec paralelisht me gradacionit poetik për të realizuar katharsisin poetik, si element i rëndësishëm që hetohet kudo në ketë poezi, sikur tek vargjet: “O Zot a ka kohë të mbyll tashmë historinë/Kur Gjuha njerëzore ndërlidh veçse krime/Dhe vjen një zbraztësirë me mendime therëse/Kur kronistët zmadhohen verbueshëm çdo ditë/Dhe përsëri po ecim mbrapsht”/ (“Nëpër plagët e Dardanisë”). Duke zgjeruar përmasën tematike, poeti ashtu sikur gjithë lirikët i kthehet personales, thur vargje për subjektivitetin e tij, për temën e madhe të dashurisë. Poeti dëshiron të krijoj metaforë dashurie, në variantin më të kënaqshëm, për të mbytur aluzionin për vjeshtën e ankthshme: “Fjalët për dashurinë/Nuk vdesin/Në udhëtimet e gjata/Me dashurinë/kapërcen më breg (“Mite për dashurinë”. Arif Molliqi poet me imagjinacion të bujshëm në poezinë e tij e inkuadron edhe satirën e sarkazmin, sikundër në poezinë “Shënim i domosdoshëm”. Poeti këndon vrullshëm për tragjiken e rënd, por asnjëherë nuk bie në emocionalitet të tepruar, vargjet janë të kondensuar me mjeshtëri artistike dhe ecin në përputhje me qëllimet e artit. Në poezinë e Arif Molliqit ndeshim disa tipe diskursesh letrare që ndërkomunikojnë edhe në formë, por edhe në përmbajtje. Forma dominante e vargjeve të tij është ajo e vetërrëfimit poetik, pastaj trajtat e pyetjeve retorike dhe asociacioni i vargjeve të thukëta. Në kuptimin semantik, diskurset janë politike, metafizike, historike, elegjiake e erotike. Autori vë në funksion të intencës poetike simbole, imazhe e arketipe të qëlluara letrare. Shikuar përgjithësisht, kjo poezi ngërthen në vete vlera të njëmendta letrare.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: