Pavarësia e Kosovës zgjedhje për gjitha palët

Pavarësia e Kosovës zgjedhje për gjitha palët

Nëpërmjet pavarësisë së Kosovës lirohet gjithashtu Serbia, prandaj Suedia duhet të jetë ndër vendet e para që do ta njoh dhe ndihmoj pavarësinë Kosovës.

Nga Ndue Ukaj

Afërsisht dhjetë vite më parë fillova të studioja pranë Universitetit të Prishtinës. Ishte e ndaluar, për ne, studentët shqiptarë të studionim në gjuhën tonë, prandaj ne nuk kishim mundësi të studionim në objektet tona, ngase ato ishin në disponim vetëm për student serbë, ngase ishin të okupuar nga regjimi serb. Shumë gjenerata kanë qenë të detyruara të studiojnë në disa lokale të improvizuara, që në fakt ishin disa bodrume të paimagjinuara për realitetin suedez dhe perëndimor. Ishte e tmerrshme. Vërtet e tmerrshme. Tani nuk mund të kuptoj si kemi arritur t’ia dalim në atë gjendje të llahtarshme. Por, kjo është vetëm një anë, ndërsa tjetër është krejtësisht tragjike. Ne nuk mund t’i ndiqnim ligjëratat në “lirinë” tonë, nëpër bodrume e mykura, sepse policia serbe bllokonte shpesh herë dhe me dhunë sistematikë ligjëratat tona. Nëpër disa vite nuk dija unë çdo të thotë të përjetosh lirinë, sepse unë liri mund të gjëja vetëm në poezi dhe letërsi. Unë dhe gjenerata ime që studionim letërsi dhe gjuhë shqipe, nuk guxonim të thoshim këtë kur na ndalnin policia (raste këto të zakonshme), sepse ata na sulmonin barbarisht. Ishte e ndaluar për ne të lexojmë, veçanërisht letërsi perëndimore, literaturë perëndimore, në fakt ishte e ndaluar për ne çdo gjë dhe këtë situatë e kanë përjetuar me qindra e mijëra të rinj kosovarë. Unë tregova këtë histori të shkurtër vetëm për të sqaruar një segment të vogël të asaj çfarë në të vërtet ka ndodhur në Kosovë dhe çfarë Serbia ka bërë mbi popullin e Kosovës.
Pas dhjetë viteve dhe pas luftës, Kosova është në rrugë të përfundon procesin stërzgjatur, në rrugë që të bëhet një shtet i pavarur dhe sovran. Por, në këtë proces, që po vazhdon akoma, ka disa shtete brenda BE që shprehin dyshime në pavarësinë e Kosovës (Qipro, Rumania) së bashku me Rusinë që nuk duan të pranojnë realitetin e ri të krijuar në Kosovë dhe Ballkan dhe hezitojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës. Është krejtësisht e pakuptueshme sot, pas gjithë asaj që ka ndodhur në Kosovë të mendohet të jetohet me Serbinë së bashku, një shtet që gjithmonë na ka dhuruar dhunë sistematike, vrasje e shkatërrime. Pas luftës, edhe sot, diku 2000 njerëz ende nuk dihet ku gjenden të varrosur nga barbaria e regjimit serb.  Ata njerëz i ka masakruar Serbia dhe i ka transportuar diku në Serbi apo gjetiu, fëmijë, pleq, gra e njerëz civil. Është tejet e pakuptueshme që akoma sot familjet e tyre nuk dinë gjë për ato trupa të varrosura barbarisht. Gjatë luftës së fundit në Kosovë janë vrarë nga Serbia afërsisht 15 mijë  veta. Për me tepër, relacionet tona me Serbinë për afro njëqind vite, prej kohës kur Serbia ka pushtuar Kosovën gjithmonë kanë qenë të karakterizuara me dhunë dhe luftë. Serbia është përpjekur të bllokoj shkollat, kulturën shqipe, gjuhën shqipe, përgjithësisht gjitha zhvillimet dhe sot gjenden diku afër një milion shqiptar që janë detyruar në një formë a tjetër, të emigrojnë në perëndim.
Unë dhe gjenerata ime që kemi përjetuar në kohën tonë më të mirë këtë situatë të tmerrshme, jemi përpjekur të bëjmë një rezistencë paqësore, një rezistencë jodhunore. Ne kemi demonstruar për muaj të tërë kundër luftës, për të drejtat tona, për liri e demokraci dhe vetëvendosje. Në këtë aspekt, ka pikëpamje se Kosova dhe lëvizja e atëhershme jodhnore në Kosovë, ishte e ndikuar në përmasa reale nga Nëna Tereze, që ishte shqiptare dhe e njohur në gjithë botën për veprimtarinë e saj për paqe. Gjithë pajtohen se ishte e pazakontë të krijohet një lëvizje jodhunore në Ballkanin e trazuar. Pikërisht në këtë linjë ishte edhe lideri i lëvizjes paqësore, Ibrahim Rugova, njëherit shkrimtar i mirënjohur dhe kritik i kulturuar dhe i formësuar në perëndim. Por asgjë nuk mund të ndalonte pasionet dhe epshet serbe për kontroll në Ballkan, për pushtim dhe ushtrim të dhunës.
 Pas luftës që ka bërë Kosova dhe pas intervenimit të botës perëndimore, NATO-s, pkërisht pas 13 qershorit 1999 unë kam përjetuar dhe kuptuar çfarë domethënë liria, demokracia, perspektiva.
Pikërisht tani Kosova po lufton për një të ardhme pa luftë, përkundrazi për një të ardhme në paqe, në linjë të plotë me botën perëndimore, pra për një të ardhme të integruar në BE dhe NATO. Kosova dhe populli i saj janë të vetëdijshëm për procesin, për vështirësitë e tij, për rrugën që kanë zgjedh, por për gjitha vështirësitë janë të përgatitur.  Pikërisht tani është koha e duhur për stabilitet dhe paqe, që Kosova dhe Ballkani të marr një subvencion në pikëpamje të përgjithshme nga BE dhe SHBA, që të tejkaloj të kuluaren dhe të kthehet nga e ardhmja. Është koha e duhur për ndryshime esenciale, për ndryshime të dukshme që do të rezultonin me Ballkanin e përbashkët në BE.
Kosova është rast sui generis, një rast që nuk gjënë precedent e pandehem në asnjë vend në botë. Për të kuptuar të vërtetën rreth problemeve të vazhdueshme në Ballkan, duhet të kuptohet realiteti me Kosovën dhe shqiptarët, problem ky që sot është bërë një çështje me rëndësi në marrëdhëniet politike ndërkombëtare, së këndejmi duhet kuptuar kontekstin historik dhe zhvillimin e marrëdhënieve mes kombeve në këtë dimension. Pikërisht dimensioni historik është çelësi për të kuptuar të vërtetën e asaj që ka ndodhur dhe ndodh në Kosovë. Jashtë këtij konteksti nuk mund të kuptohet qartë e vërteta e problemit të Kosovës dhe këndej pari edhe Ballkanit. Gjithçka që ka ndodhur dhe ndodh në Kosovë ka një referencë në historinë, në historinë të cilën Akademia Serbe e Shkencave së bashku me politikën verbuese nacionaliste e ka manipuluar dhe interpretuar për pasione nacionaliste. Kuptimi i këtij aspekti është rruga më e mirë që të mënjanohen dilemat, paragjykimet dhe moskuptimi lidhur me atë që ndodh rreth Kosovës, tani.  Rajoni është ndërtuar mbi mitologji, histori dhe tradita të shumëfishta, elemente këto që politika serbe i ka keqpërdorur dhe keqinterpretuar dhe ky sindrom akoma vazhdon të jetoj në disa mendje në politikëbërjen e Beogradit.
Nuk ka dhe nuk do të duhej të ketë ndonjë arsye brenda BE dhe vendeve të saj lidhur me të ardhmen e Kosovës. Prandaj duhet Suedia dhe Bashkimi Europian  të jenë unik dhe të njohin dhe ndihmojnë pavarësinë e Kosovës. Duke pranuar pavarësinë e Kosovës, i jepet shanse rajonit për paqe, ndërsa popullit të Kosovës i jepet liria e munguar me dekada. Kjo është rruga e vetme për të krijuar paqe dhe stabilitet në Ballkan. Dhe tani është koha për të krijuar një rajon të paqe. Ndërkaq duhet kuptuar se nuk ekziston asnjë shanse minimale që të ketë paqe dhe stabilitet në Ballkan pa pavarësimin e Kosovës. Kjo nuk është vetëm një dëshirë, sepse për shqiptarët e Kosovës kjo mbi të gjitha domethënë jetë, në fakt domethënë paqe, liri, demokraci, përparim dhe siguri. Këtë fakt e dinë gjithë ata që kanë informacione të mjaftueshme për Kosovën dhe Ballkanin dhe këtë e di Serbia, vendi që ka krijuar shumë probleme gjatë një dekade të fundit të shekullit XX. Ndërsa sot është utopike të mendohet që të arrihen një marrëveshje, pa pavarësimin e Kosovës. Në këtë këndvështrim, Serbia duhet të zvogëloj nacionalizmin primitiv dhe të influencohet nga politika e arsyes dhe e ardhmërisë, për një të ardhme pa dhunë e krizë. Nëpërmjet pavarësisë së Kosovës lirohet gjithashtu Serbia, prandaj Suedia duhet të jetë ndër vendet e para që do ta njoh dhe ndihmoj pavarësinë Kosovës. 

(Autori është shkrimtar dhe studiues i letërsisë, ndersa ky artikull eshte shkruar per opinionin dhe mediat suedeze.)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: