Romani “Gruaja e vizatuar nudo”- trajtat moderne te rrëfimit

Romani “Gruaja e vizatuar nudo”- trajtat moderne te rrëfimit

 

Ndue Ukaj

Letërsia shqipe e cila kultivohet jashtë hapësirave shqiptare, që në terminologjinë letrare zakonisht emërtohet si letërsi e krijuar në diasporë, tanimë përbën një fenomen me rëndësi në kuadër të korpusit të letërsisë bashkëkohore shqipe. Ajo me trajtat e veçanta dhe diskursin specifik përçon dukuri të reja letrare dhe mesazhe që bartin peshën e rënd të mungesës së atdheut, të kësaj Itake të shenjtë, në shtegtim të së cilës gjenden përherë krijuesit. Prandaj është pikërisht kjo Itakë që bëhet muzë frymëzimi për shumë shkrimtarë ane e kënd rruzullit. Këndejpari këtë letërsi e karakterizon një përvojë e dyfishtë, ajo e të jetuarit jashtë atdheut, jetë kjo që i bën krijuesit gjithherë të gjenden në shtegtim drejtë Itakës, me reminishenca, evokime; dhe tjetra, dhembje që përbën malli për rikthim në origjinë. Nga ky korpus letrar kemi një sërë autorësh që tanimë kanë bërë emër në letrat shqipe. Ndërkaq një shkrimtar i rëndësishëm dhe zë krejt origjinal nga ky korpus letrar, pa dyshim mbetet edhe shkrimtari Arif Molliqi, i njohur në komunitetin letrar si poet, prozator, dramaturg, por edhe autor i tekste satirike dhe teksteve të diskursit publicistikë. Pasi një përvoje solide në fushën e letërsisë, tanimë ai paraqitet para lexuesit shqiptar me prozën fiksionale, përkatësisht romanin “Gruaja e vizatuar nudo”, një tekst letrar i cili sintetizon një përvojën letrare të konsoliduar. Në këtë roman shkrimtari në mënyrë të suksesshme shpërfaq talentin e tij prej narratori. Shkrimtari Arif Molliqi në këtë tekst letrar, përveç se ka dëshmuar pasionin prej narratori (Umberto Eco), ai shpërfaq me elegancë potencën prej krijuesi, si një narrator i shkathtë dhe i talentuar, ku ngjarjet dhe personazhet i krijon me nuanca të bukura artistike dhe me diskurs shumëplanësh letrare, të zhvilluara në kontraste interesante tematike. Autori di që lexuesit asnjëherë të mos i krijojë monotoni, përkundrazi si narratori i pasionuar, ai luan mjeshtërisht me ngjarjen dhe kërshërinë e lexuesit. Në të vërtetë, horizonti i pritjes artistike gjatë gjithë narracionit mbetet në tension të lartë, aspekt ky që i jep këtij romani një dinamikë të veçantë letrare dhe bën që të lexohet me një frymë. Qysh në prolog, autori na fut në një botë të frikshme, madje absurde ku varrmihësit dhe krimi bëjnë jetën prej paradokseve, ndërkaq narracioni i rrjedhshëm, i bashkëdyzuar me dialogje të përpunuara, imazhe dhe përshkrime të shumta, një stilistikë e përpunuar narrative e bëjnë këtë prozë të këndshme dhe dobishme (Horaci) për lexim. Rrëfimi dinamik dhe përshkrimet e bukura mbajnë lexuesin peng deri në epilogun e romanit, atëherë kur zbulohet enigma e një vrasje/krimi. Këtu duken në horizont trajtat e një absurde kafkian. Ky soj i diskursit përfshinë në tonalitetit ngjarje të shumta, të cilat ndërlidhen me boshtin e rrëfimit, heqjen e një barre të rënd, për të kuptuar apo zgjedh enigmën e vrasjes së Lis Llukës. Autori mekanizmat narrativ i sforcon fuqishëm dhe ato konotojnë bukur sikundër në dimension estetik ashtu edhe atë tematik. Autori di të prek kërshërinë e lexuesit, duke krijuar situata të veçanta letrare dhe duke e përcjell rrëfimin me intriga, dashuri, urrejtje, paradokse, humor, krijim mitesh, elemente groteske, aspekte  këto të cilat i japin kësaj proze një status të pastër letrar dhe një letrarësi të arrirë. Në këtë kontekst vlen të përmendet rrëfimi për “gomarin që fluturon“, “gruaja që bën seks me një të vdekur” apo edhe miti për macen e zezë. Funksionalizmi i diskurseve të shumta letrare, si dhe trajtat moderne të rrëfimit, në koordinim të plotë me një temë të ndjeshme, aq sa absurde narrative, sidomos për kontekstin kosovar, mbeten elemente të plota dhe të bollshme që ky  roman të tumiret si mirëseardhur dhe i rëndësishëm ne komunitetin letrat shqiptar. Aty lexuesi gjen copëza jete të historisë, të plagëve kombëtare, të kaluarës së dhimbshme, të dukurive shoqërore sikundër vrasjet, të rrëfyera gjithnjë në këndvështrim letrar universal, ku jeta transfigurohet nëpërmjet përshkrimeve të bukura stilistike, me figuracion të dendur stilistik dhe dendësi shprehjesh artistike. Nga ky këndvështrim, ky roman pa dyshim mund të bëhet arenë për hulumtime të shumta letrare, psikologjike, sociale etj., ngase ofron një status shumëpalësh tematik-letrar.   

Narracioni i romanit “Gruaja e vizatuar nudo” është i ndërtuar mbi historinë e një krimi, apo thënë më qartë, rreth enigmës së vdekjes së Lis Llukës. Toposi i temave dhe rrjetit narrativ në strategjinë tekstore sillet rreth kësaj enigme, ndërkaq në këtë bosht/ enigmë defilojnë një mori personazhesh të infiltruar në vdekjen mistere, në “zhdukjen” e gjurmëve të saj, mbase edhe në mbajtjen e kësaj vdekje në heshtje të ankthshme. Ndërkaq në anën tjetër ndeshen antagonistët, të përfaqësuar nga heroi i romanit Sokoli, një emigrant kosovar i cili kthehet nga Gjermania për të hetuar dhe kuptuar misterin absurd të vdekjes së mikut, sikundër edhe e “arsyet” e vdekjes enigmatike, sekuenca këto letrare që të fusin në universin absurd të një vrasje. Madje një ndikim i prozës së absurdit hetohet në tërë rrëfimin, fakt që tregon influencën e madh që autori ka marr nga shkrimtarët e mëdhenj Franc Kafka apo Albert Camy. E gjitha nis nga një rrugëtim i gjatë nga Gjermania në Kosovë, si dhe rikthimi në mesin e miqve të Lisit, elemente këto që e bëjnë Sokolin kërkues në udhëtimi për në “Itakë”, aty ku ai rikthehet në kohëra të kaluara. Ky rikthim përcillet me drithërima të shumta. Atij i duhet të rikthej kohëra të shkuara, të cilat funksionalizohen për të përplotësuar intencën letrare, deri në zbulimin e enigmës. Dhe kjo kohë është përplot reminishenca të bukura, por edhe tragjike. Në një rrugëtim të gjatë, autori tekstit letrar i jep përmasa të shumanshme, ku ne ndeshim dashurinë, pasionet e saj, xhelozinë, urrejtjen, vrasjet, perceptimet për artin dhe të bukurën, të shëmtuarën dhe arketipat e saj, pra një univers temash e perceptimesh letrare. Nga këndej një galeri e tërë personazhesh dhe nivele të ndryshme të rrëfimit defilojnë në këtë roman në trajta të ndryshme. Autori krijon një mori karakteresh që përshkruhen me imtësi. Mbetën thellë në mbamendje të lexuesit personazhet sikur Lisi i vdekur, Rudina, një grua që endet në tehun e mëkatares dhe viktimës, Losh i Zi një antipod i njeriut të dehumanizuar, etj.

Ajo që e përbën intencën themelore të romanit ndërlidhet me domosdonë që siç thotë narratori të “zbulojmë një lakuriqësi e cila po na ndjek si hije.” Në fakt kjo hije përbën rolë qenësor për çlirim nga një barrë  që shkallmon, ajo e vdekjes së Lisit. Në këtë pikëpamje, autori sikundër le të kuptohet një domosdo të katharisit letrar, që rezulton me fundin që autori i jep zgjedhjes së enigmës, një triumf që lehtëson barrën e rënd lidhur me vdekjen e Lisit.

Narratori i romanit, që njëkohësisht është vetë heroi letrar Sokoli, nëpërmjet reminishencës rikthen personazhin e Lisit në qendër të romanit. Dhe kjo ndodh paradoksalisht nga një thirrje telefonike e Rudinës, gruas që në roman ka një karakter të çekuilibruar, në raport me meshkuj dhe miq, por edhe në raport me vetë aktin e enigmës së vdekjes së Lisit. Lexuesi tek ajo sa sheh viktimën e një kurthi krimesh, percepton femrën mëkatare. Ajo në fakt përbën enigmën e shumë ndodhirave dhe bëhet çelësi për zbulimin e enigmës.  Prandaj edhe heroi i romanit i thotë: “Kam ardhur ta kuptoj ferrin nëpër të cilin kaloj Lisi nga i cili ferr duhet për t´u çliruar edhe ti, edhe unë…”. 

Intenca e romanit, ajo që në terminologjinë letrare njihet si fabul, duke u ndërlidh me zbulimin e enigmës së vrasjes së Lisit, një piktorë dhe artist potencial, jep tablo të tëra të jetës socio-shoqërore. Për të sforcuar diskursin narrativ dhe për t’i dhënë kahe sa më universale fabulës, autori romanin e shtreson në shumë linja narrative. Nivelet e rrëfimit prekin shumë tema të ndjeshme, që nga emigrimi, vrasjet dhe gjakmarrjet, deri tek dimensionet politike. Ndërkaq për të shtresuar tematikën në hapësira dhe kohë të ndryshme, mekanizmat narrativ në roman lëvizin dhe zhvillohen nga disa pozicione letrare. Në të vërtet, aty ndeshim disa zëra narrativ, të cilët rrumbullakojnë një narrativitet të kodifikuar mirë. Narratori i gjithëdijshëm e qelë romanin, për t’ia lënë hapësirën narratorit/ personazh, i cili gjendet në kërkim dhe i cili e dominon romanin. Në fakt, ky është rrugëtimi i Sokolit, në  një udhëtim për të kuptuar enigmën e një krimi, nga Gjermani në qytetin e lindjes, në Deçan. Në këtë betejë, ai ndeshet me sfida të jashtëzakonshme dhe përpëlitjet e tij për të dal në fund, shoqërohen më përplot vështirës, sfida, dhembje, kujtime. Por megjithatë ai nuk dorëzohet, deri tek qëllimi. Perceptimet për botën që e rrethon, autori i artikulon nëpërmjet perceptimeve të heroit letrar.

Shikuar në tërësi ky roman ka një fabulë të rrjedhshme. Zëri narrativ, ai qe është treguesi ne roman, rrëfen me një diskurs letrar te përpunuar dhe kjo është një cilësi letrare e dallueshme që e bën këtë roman të këndshëm për lexim dhe të bukur për shijim. Ajo qe bën  përshtypje është loja që autori di të bëjë më kodet e shumta letrare dhe paraletrare, me groteskun, krijimin e miteve, shtresime këto letrare të cilat i japin romanit karakter universal dhe ku hasim trajtat e prozës së fuqishme universale. Këto dimensione shpërfaqin gjithashtu një aspekt intertekstual të prozës së Arifit, sikundër edhe një dimension interdiskursiv, që funksionalizohen për të përplotësuar intencën estetike të romanit.

Proza si kategori letrare vlerësohet si produkt i një edukimi solid letrar, së këndejmi trajta themelore e prozës, romani konsiderohet si manifestim i një pjekurie letrare stabile. Autori Arif Molliqi i sprovuar në fushën e letërsisë, tani i ofrohet lexuesit shqiptar me një roman, i cili me një strategji tematike dhe një mekanizëm narrativ të realizuar, sjell para lexuesit një roman të realizuar artistikisht. Tek romani “Gruaja e vizatuar nudo” shkrimtari i ofron  lexuesit  shqiptar një prozë me një stil të rrjedhshëm, gjuhë të kultivuar narrative dhe fabule tejet joshëse. Ndërkaq këtë roman e karakterizon fuqishëm një dimension narrativ i bukur, por edhe një dimension tematik interesant, ku narrativiteti mishërohet me idetë dhe gjuhën e kultivuar. Harmonizimi i këtyre komponentëve letrare bën që kjo prozë letrare të jetë e arrirë mjaft kënaqshëm. Në aspektin stilistik kemi një tekst me gjuhë të kultivuar dhe të pasur, një gjuhe atributive qe e dinamizon prozën dhe fabulës i jep një impulse te veçante.

Brenda një intencë të fuqishme tematike, narratori do të jep një mesazh esencial, që përbën filozofinë krijuese dhe letrare të Molliqit: “Mos ke frikë se nuk hakmerrem, me ke thënë aq herë: hakmarrje nuk është për artistin. Dashuria më artin e saj është ajo që e krijon njeriu…”.  Kjo dashuri për artin është triumfi që shpërfaqët me tone të fuqishme, por që merr një trajtë të kodifikuar me fundin e romanit.

Romani “Gruaja e vizatuar nudo” me trajtat e fuqishme narrative dhe stilistikën e pasur, sikundër temën atraktive, paraqet para lexuesit një prozë te admirueshme, që duhet lexohet më pasion.

 

(Ky tekst eshte botuar si parathenie e romanit me te ri te Arif Molliqit, Gruaja e vizatuar nudo”, Faik Konica, 2008

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: