Sfida e interpretimit letrar

Sfida e interpretimit letrar

Nga Ndue Ukaj

Çfarë raporti mund të ketë mes kënaqësisë së tekstit dhe institucionit të tekstit?- shtron pyetjen me konotacione specifike për qenien e artit letrar, dijetari francez i letërsisë Roland Barthes, në esuen “Kënaqësia e tekstit”- e të cilën pyetje e dileme të përhershme letrare, përmes interpretimit eseistik, përpiqet ta shpjegoj poeti i mirënjohur Ali Podrimja, në librin e tij të fundit “Sfidë harrimit”. Në këtë libër, që është përmbledhje esesh e trajtesash, autori bën një sintetizim letrar, e, edhe kulturor, që për shënjues të përbashkët ka filozofinë e kërkimet kulturor e estetike në letërsi, së këndejmi edhe funksionet e saj, në kontekste të ndryshme kulturore e politike. Autori lexon produktivitetit tonë letrar, në kohë e periudha të caktuara, fillimet e së cilës, sikundër i artikulon në mënyrë semantike, përmes shkrimtarit më të madh klasik, apo “patriarkun e letrave shqipe”, Pjetër Bogdani, i cili shkrimtar, siç shprehet Podrimja, “ka një histori të dhimbshme dhe prinë në listën tepër të dhimbshme të krijuesve shqiptar”. Dhe më tutje, këtë histori të dhimbshme, përpiqet ta gjejë edhe nëpër periudhat tjera, autorë e vepra të kulturës letrare shqipe. Në këtë libër, Podrimja letërsinë e lexon në dy aspekte: si thurje estetike (si art, ku vë në spikamë gjitha aspektet qenësore që forëmsojnë një tekst letrar), dhe si zhvillim socio-psikologjik. Aspekti i dytë nënkupton letërsinë në funksione shoqërore, do thoshim letërsinë në funksion të gjithanshme: konsolidimin e etnikumit, sforcimin e identitetit artistik të letërsisë, por edhe influencimet në dimensionet politike, e kulturore në tërësi. Duke trajtuar fenomene të ndryshme të artit letrar, pastaj autorë të rëndësishëm të letërsisë shqiptare, klasik e bashkëkohor, fenomene kulturore e probleme të “ndjeshme” të diskursit të përgjithshëm kulturor, Podrimja sikundër synon të sintetizoj një perceptim ndryshe për letërsinë, dhe në të njëjtën kohë projekton atë që Roland Barthesi e koncepton si tipologji të kënaqësive të lexuesit ose lexues të kënaqësisë, për të prodhuar diskursin e funksionalitetit, pra shkrimin si funksion, edhe përtej artistikes. Kështu, Podrimja tipologjinë e kënaqësive estetike, e shtreson në rrafshin emocional. Është ky rrafsh që shpreh idenë intencional, që po ashtu ndërlidhet me kontekstin e kohës, ngase nuk ka letërsi të pakohë, mendon autori, andaj interelacionet dhe diskursi kohor, është i rëndësishëm, jo vetëm për të kuptuar poetikat e caktuara, apo ndonjë shkrimtar të veçantë, në gjykimet letrare, por edhe për të shtresuar e kuptuar elementet bazike të kulturës letrare shqipe, përgjithësisht. Aq më tepër, ngase autori, asnjë interpretim nuk e shkëput nga realiteti i kohës së krijimit, andaj edhe argumentet letrare, së këndejmi i nxjerr nga kjo premisë.  Në të vërtetë, ky është libër i pasionit të autorit për artin poetik; Podrmija këtu, jo më si poet, por si lexues i pasionuar, por edhe lexues empirik (Umberto Eco), kalon në rrafshet interpretues. Autori nuk respekton parime e metoda të ndryshme teorike letrare për interpretimin e letërsisë, por përpiqet të ballafaqohet me konceptet e qenësisë së letërsisë, pastaj me sfidat e artit letrar, sidomos me ato që i shënjon si sfida të harrimit, nga të cilat ka ankth, e në të cilat kondita e orienton një pjesë të pikëpamjeve, për të sugjeruar një ridimensionim edhe teorik letrar, një përpjekje kjo që gjen “prehjen” edhe tek titulli sugjestiv “Sfidë harrimit”. Duke qenë vetë poet, Ali Podrima artit i qaset, duke kërkuar përherë lirinë e interpretimit, liri kjo që njeh statusin e lirisë së leximit, që njëherit nënkupton shmangien nga konvencat letrare. Ky model i shpjegimit të letërsisë shqipe, sintetizon thënjën e semiolgut të madh italian Umberto Eco se “të bësh kritikë do të thotë të kuptosh dhe të na bësh edhe ne të kuptojmë se si është krijuar një tekst”.
Përqasja që i bën Podrimja artit e letërsisë, është e fokusuar kryesisht tek poezia, si mbretëresha e artit letrar, për të sjellën ide e vlerësime interesante, për autor e vepra letrare, për fenomene e periudha të rëndësishme të historisë sonë letrare e kombëtare, sidomos për vitet e katrahurës serbe, nën të cilën ka jetuar e vepruar, edhe autori i librit. Përmes kësaj kategorie letrare (poezisë) autori parimin organizues të tingujve dhe asociacionet e imazheve; pjesë e simbolizmit letrar të poezisë, i ndërlidh dhe i ridimension, në filozofinë e rrugëtimeve, që ka bërë qenia letrare shqipe nëpër shekuj, duke pikasur kështu fatet e njeriut nëpër kohë, përmes shenjave dhe metaforave të metamorfizuara, të cilat shprehin qenësinë e kohës. Kur e kur, edhe për të trandur ndërgjegjen kombëtare, sikundër del tek eseu për poetin kombëtar Gjergj Fishta, tek letërsia e së cilit atribuon ndërgjegjen kombëtare.

 Në të vërtetë, pas leximit të librit të fundit të poetit të mirënjohur Ali Podrimja, “Sfidë Harrimit”, vërejmë përmasat e botës së letërsisë; kuptojmë leximin e pasionuar të letërsisë nga pozicioni i një poeti; kuptojmë atë që ofron estetika e tekstit, shtresat e shumformëshme të diskursit dhe toposeve, si lexim empirik e personale, por vërejmë edhe ndikimit që kanë pasur veprat dhe autorët nëpër periudha të caktuara, relacionet e brendshme dhe ato të jashtme. Këtë libër e bën edhe me interesant fakti: interpretohet korpusi i letërsisë shqiptare (autorët apo veprat e caktuara), nga pozicioni i një poetit të afirmuar, në kuadër të leximit semantik dhe leximit estetik (Umberto Eco) që i bën letërsisë shqipe.

Libri “Sfidë harrimit” e autorit Ali Podrimja, në tërësi, siç e përmendëm më lartë, është përmbledhje esesh që trajtojnë fenomene të caktuara letrare, kulturore e kurdoherë edhe politike; gjithnjë të artikuluara në kontekst të retorikë së kohës, që përkon fuqishëm me atë që është determinim kulturor i  letërsisë. Si të këtilla, këto tekste janë dëshmi e nivelit të një kulture të emancipuar letrare. Gjithashtu dëshmojnë një praktikë të avancuar të leximit, vështruar si në kontekstin nacional, ashtu edhe ne atë universal. Madje, në disa nivele, kjo retorikë e kohës, si diskurs interkulturore, bëhet determinuese, për të lexuar dhe interpretuar poet, autor dhe fenomene letrare. Duke e aplikuar këtë lloj të diskursit për letërsinë, Podrimja pajtohet me mendimin se “vepra artistike është e përcaktuar të ndërmjetësojë midis krijuesit të saj dhe kolektivit” (Jan Mukarzhovski). Në këtë këndvështrim, autori edhe i shqyrton disa nga poetët e rëndësishëm: Pjetër Bogadni, Gjergj Fishta, Ismail Kadare, Esad Mekuli, Enver Gjerqeku, Eqrem Basha, Vorea Ujko, Dritero Agolli, Azem Shkreli, Visar Zhiti, Zhevahir Spahiut, Fatos Arapi, Mihajl Hanxhari, Basri Çapriqi, Sali Bashota, Sadik Bejko, Agim Ramadanit, etj., apo edhe ndonjë prozator, sikurse tek eseu “Fantastët e fundit”, ku Podrima lexon e interpreton romanin e Mehemet Krajës, “Edhe të çmendurit fluturojnë”. Përveç autorëve shqiptar, Podrimja analizon edhe autorë të huaj (Nikolaus Lenaunin). Ndërsa shumicën e eseve i pasuron edhe me referenca nga autorë e mendimtar të mëdhenj botëror, për artin e letërsinë.

Libri “Sfidë harrimit” është i ndarë në tre cikle: Mes durimit dhe triumfit, Poeti dhe monoman, Realiteti i ngritur në mit, dhe në vete ngërthen tema e probleme letrare, kulturore të cilat ndërlidhen esencalisht me tërësinë nacionale dhe zhvillimet nëpër hapësirat shqiptare, por edhe jashtë shqiptare, tek arbëreshet, siç është eseu për krijuesin Vorea Ujkun. Kurdoherë, autori nuk heziton të “shfrytëzoj” letërsinë për të dhënë vlerësime e gjykime për trendët e etnisë, të ndërlidhura shpeshherë me identitetin e qartësuar shqiptar, të cilën problematikë e sheh në lidhje të fuqishme me kulturën perëndimore, duke kërkuar në këtë aspekt modelet e identifikimit, të cilat i sheh tek figurat madhore e emblematike kombëtare: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe Nëna Tereza (eseu “Realiteti i ngritur në mit”). Qasja e Ali Podrimajt nuk lejon shumë hapësirë për interpretime të ngurtësuara, gjithçka ecën në logjikën  e lirisë së leximit, për të prodhuar një lexues të pasionuar, si produkt i lirisë së interpretimit. Prandaj edhe ky libër esesh, shërben si model interesant për leximin dhe interpretimit e letërsisë; një lexim e interpretim që në kontekstin e vet bart fuqishëm idenë e kontekstit të kohës, koncepcion ky që bëhet shënjues i këtij libri, edhe kur autori trajton autorë të caktuar, edhe kur i ndërlidhet me zhvillime më të përgjithshme të kulturës sonë letrare, sikundër ngjet në ciklin e tretë, “Realiteti i ngritur në mit”, ku përveç letërsisë, preokupohet edhe me dukuri kulturore. Rrjedhimisht ky libër, është ndërtuar si lloj i veçantë i konceptimit të botë së letërsisë, ngase, gjitha esetë, përveç se ndërtohen rreth teksteve të caktuara, apo korpuseve të gjëra, në të njëjtën kohë ndërlidhen me efektet të cilat i kanë prodhuar në kohë e hapësira. Në këtë aspekt, autori analizon origjinalitetin e secilit autorë, në kontekstin e kohës dhe efektet që kanë prodhuar në letërsinë e kulturën shqipe.  Ndërsa  i një rëndësi të posaçëm, mbetet teksti për Gjergj Fishtën, në të cilin, siç vëren edhe studiuesi Bashkim Kuçuku, është dhënia e një “fshehtësie”- e relacioneve mes Fishtës dhe shkrimtarit të madh Fredrik Garsio Lorka, mes të cilëve mund të bëhen përqasje dhe krahasimi për afritë dhe origjinalitetin midis poezive të tyre. 

Në të vërtetë, Podrimja nuk rreket së treguari në aspektin teorik e kritik letrar, se si është krijuar dhe si funksionon letërsia e ndonjë autori të caktuar, por ai identifikon shenjat interkulturore, ato që janë të jashtme, ato që kuptohen si prurje në stilistikën letrare. Këtë dimension e determinon fuqishëm, sidomos tek eseu për poetin e madh Azem Shkrelin, te i cili sheh: “Kërkuesin e rrallë i fjalëve, i strukturave, i formave…Poezia e Azem Shkrelit është artikulim modern”. Ndërsa, me një qasje mjaft interesante, Podrmija lexon edhe letërsinë e Eqrem Bashës, tek i cili sheh të nyjëtuar absurdin e ideve, të cilat variojnë me diskursin sarkastik (“Zjarrmi i akullt”).

Ali Podrima letërsinë e koncepton si qenie që ndërthuret me “kohën e krijuesit”, atë që e konceptojmë kontekst letrar. Kësisoj, autori rreket të interpretoj autorë të rëndësishëm, që shënjojnë gjithashtu momente të rëndësishme në kuadër të letërsisë shqiptare, përgjithësisht. Një qasje të tillë, autori aplikon në relacion me poezinë e Esad Mekulit (“Thyerje të ndjeshme”), ku sikundër insiston se poetika e tij duhet interpretuar në kontekstin e kohës, si shënjuese dhe përcaktuese e poetikës së tij letrare, nga e cila nxjerrën domethënie dhe funksionet estetike të kësaj poezie.

Diskursi i Podrimajt në këtë libër është i çiltër, kurdoherë emocionale e spontan, është diskurs i kondensuar, i përpunuar në gjuhë dhe stil dhe kështu që ecën në logjikën e eseut artistik. Kjo karakteristikë e bën tekstin më nxitës
Problemet që kapin vëmendjen e Podrimjës, autorët që ka trajtuar, struktura e argumenteve, gjitha këto ofrojnë lëndë të mjaftueshme për t’iu përgjigjur filozofisë së shkrimit letrar: “Teksti është një krijesë më se e çuditshme…Ai paralajmëron tërmetet  shpirtërore. Shfaqja e kësaj krijese (tekstit letrar. v. ime) përmes shenjave hetohen se ngadalë ta vjedh edhe shpirtin, formën, trupin (“Kur pran teksti letrar”)-shkruan Podrimja. Në pikëpamje estetike-letrare, eseu “Kur Pran teksti letrar”, është diskursi më sintetizues i autorit, për qenësinë e artit letrar, ku shohim pikëpamjet e autorit për thurjet e tekstit, shtresat shumëformëshme dhe trajtat e diskurseve. Përgjithësisht libri “Sfidë harrimit” është produkt i leximit specifik e empirik të letërsisë shqipe. Po ashtu, nëse pajtohemi, se eseu është formë e shkrimit, që dëshmon emancipimin kulturor e letrar, ky libër mund të tumiret si model specifik i komunikimit të letërsisë shqipe. Dhe si i tillë mund të ndihmoj studiues dhe kritikë letrar.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: