Sulmet ndaj Kadaresë, varfëri intelektuale

Sulmet ndaj Kadaresë, varfëri intelektuale

Nga Ndue Ukaj

1.

Ndue Ukaj

Fushata kundër shkrimtarit Ismail Kadare, është aq absurde, sa një ngjashmëri, jo analoge në përmasat dhe semantikën, por në modelin, mund t’ia gjejmë tek romani brilant i Franc Kafkës, “Procesi”, në të cilin roman personazhi Jozefi K. papritur i nënshtrohet një mori akuzash, hetimesh, gjykimesh dhe në fund, një ekzekutimi absurd. I gjithë ky rrëfim, është konstruktuar me trajta të fuqishme groteske.

Në romanin në fjalë, fabula konstruktohet në relacion me personazhin Jozefit K., i cili paradoksalisht gjendet para një akuzë, të cilën e shpërfillë, ngase në dukje të parë është e pakuptimtë, absurde, por që përfundon me një akt tragjikë: vrasjen, madje pa mundur as të mësoj “fajin” e këtij dënimi absurd. Në aspektin e “gjykimit” për letërsinë, ky roman me trajtat shumëformëshme të diskursit, mbetet modeli interesant për të analizuar “gjyqin” që i bëhet shkrimit artistik. Jozefi K. vdiq si një qen, por shpirti i tij i përjetësuar në art, jo. Ai rron, i fuqishëm e përjetësisht. Kjo është fuqia magjike e letërsisë. Ky është misteri i letërsisë. Kjo formë e përfundimit në roman le shumë mundësi interpretimi, prej atyre që mund ta konceptojnë artin dhe krijuesit e tyre si të persekutuar nga gjyqe absurde, deri tek ato që çështjen e ndërlidhin me një religjion të caktuar, që në substrat ka shumë shtresa empirike! Në të vërtetë, letërsia dhe autorët e mëdhenj, shpeshherë janë gjendur dhe gjenden para gjyqeve të caktuara. Por bota e madhe e letërsisë është triumfuese, edhe nëse autorët në situata të caktuara gjinden të dënuar. Shembuj të kësaj natyre në botën e madhe të artit letrar kemi shumë. Kemi shumë autorë të mëdhenj të ndjekur, gjykuar, akuzuar e dënuar, nga sajesa fare  absurde. Me një precedent të këtillë ballafaqohet sot edhe letërsia e  shkrimtarit të madh Ismial Kadares.

2.

Dijetari francezë i letërsisë Roland Barthes në esuen e famshëm “Vdekja e autorit”, duke diskutuar relacionin mes tekstit dhe autorit, përveç tjerash shkruan: “Prej momentit kur një fakt tregohet me qëllim jo kalimtar, domethënë jashtë çdo funksioni tjetër përveç vetë ushtrimit të simbolit, kemi këtu shkëputje, zëri humb origjinën, autori i qaset vdekjes së vet, domethënë fillon shkrimi”. Fuqia e letërsisë është e pazëvendësueshme, ajo tejkalon gjitha format tjera të shkrimit, sepse në vetvete ka fuqinë e shpirtit, përfton përjetësinë ngase në esencë ka tharmin mbinatyrshmërisë, të origjinës homerike të artit letrar. Andaj, letërsisë më së paku i vyen shkrimi apologjet, sepse në vete ka statusin e fuqishëm, krejt origjinal dhe autonom, deri në fund të pacenueshëm. Në këtë këndvështrim, as autorit nuk i vyen apologjeti, edhe përkundër asaj që e thotë studiuesi amerikan Northrep Frajo se artet janë memece, ndërsa kritika mund të flasë. Është mendim i pranuar nga gjitha teoritë letrare, se produkt i  shkrimtarit është teksti letrar, shumëllojshmëria e tij semantike e stilistike, trajtat e ndryshme estetike e ndërthurjet ligjërimore, shtresat empirike dhe ato fiksionale, të cilat formësojnë estetikën e letërsisë. Tjetër gjë nuk mbetet nga autori. Andaj edhe kërkimet përtej letërsisë së tij, janë farsa absurde. Tashmë, gjykimet të cilat nisen nga biografizma e metoda të përafërta letrare janë të stërtejkaluara. Prandaj, çdo tendencë për të kërkuar përtej tekstit, është e pakuptimtë, dhe si e tillë pa ndonjë funksion e domethënie të vlefshme estetike-letrare, sepse funksioni i kritikës është të hedh dritë në raport me objektin e saj (veprat letrare), e jo mbi sekuencat tjera të biografisë së autorit, çfarë do qofshin ato. Vetëm teksti është veshja e autorit, është shënjuesi i të shënjuarit (autorit), andaj çdo tendencë për t’u marr me autorin, për ta shkëputur atë nga teksti, s’është gjë tjetër përpos shmangie e qëllimshme nga objekti themelor i profesionit të tij: arti i shkrimit letrar.

3.

Në letërsi dhe kulturë, por edhe në sferat tjera të dijeve, kritika shtreson elementet bazike për ndërtimin dhe seleksionim i vlerave; kritika është ndërmjetësuese dhe si e tillë është konceptuar nga antikiteti; kritika bën artet të flasin, ngase, po e përsërisim atë që e shkruan studiuesi i madh amerikan Fraji, se artet janë memece. Pra, kritika, nëse ndërlidhet me esencialitetin e qenies së letërsisë dhe fenomeneve letrare, është dëshmia më e mirë mendjes së emancipuar, e vetëdijes së kultivuar të një kulturore, si fushë e gjerë, dhe letërsisë, në mënyrë specifike.

4.
 

Ismail Kadare

Në botën e madhe të letërsisë, kemi përvojat e ndryshme, kur autorët janë ndjekur, gjykuar, dënuar, por nuk mbahet mend, të ketë ndodh një vepër e vlerës së lartë letrare, të jetë shuar, harruar në kohë. Madje, edhe sot kemi raste të tilla; shkrimtari Selman Ruzhdi është modeli më interesant në këtë kontekst. Ndërsa në kulturën letrare shqipe, shembuj të tillë kemi mjaftë, mbase, letërsia shqipe është nyja më tragjike, ku autorët kanë pësuar; shembuj të kësaj natyre, na dalin qysh tek autorët e vjetër, Pjetër Budi i vrarë, Pjetër Bogdani i zhvarrosur, pastaj autorët e mëdhenj te mëvonshëm, si: Gjergj Fishta, Fan Noli, Faik Konica, Ernest Koliqi, Martin Camaj etj., Të gjithë këta dhe një regjistër i tërë, në forma të ndryshme, janë dhunuar. E gjithë kjo s’ka prodhuar asgjë tjetër, përpos një kapitull të shëmtuar: sot letërsia e këtyre autorëve qëndron në panteonin më të lartë të vlerave letrare të letërsisë shqiptare, ndërkaq ideologjitë tendencioze që anatemuan ata, mbahen mënd si reminishenca të tmerrshme, të kujtuara vetëm për të keq. Letërsia shqipe, e sapodalur nga periudha e ekskomunikmeve dhe ndëshkimeve letrare, nga absurdet çoroditës, kur, madje për lexim të një vepre letrare, siç ishte Lahutës së Malcis e Gjergj Fishtës, apo edhe përmendja e emrit, sanksionohej me vepër penale, dënohej me burg. Ndërkaq sot, nga disa nostalgjik trumbetohen teori të ngjashme, të përjashtimit. Dihet se Fishta ka përjetuar çmendurinë e afetarizmit, por në këtë marrëzi shoqërore, të shoqëruar nga kritika, ai sforcon mitin e fatit tragjik të autorit dhe i jep, në të njëjtën kohë status të pavdekësisë veprës së tij letrare, që gjallon fuqishëm nëpër kohë. Megjithëse, edhe përkundër një aparature të tërë shtetërore, përkrahur nga superfuqia e kohës, ajo e ish Bashkimit Sovjetik, vepra e Fishtës ka gjetur lexuesin e vet, ka luajtur funksionin e vetë dhe është bërë paradigme letrare, ngase është e artikuluar nga shpirti, ka në vete të sajuar shpirtin dhe ndërgjegjen e kombit, andaj hedhja në lumë e eshtrave të tij, vetëm sa ka shtuar peshën e veprës së tij. Por ç’po ndodh tash me fushatën kundër personalitetit dhe veprës letrare të Kadaresë, në kontekstin një procesi të gjithanshëm politik e kulturor, nëpër të cilin po kalon shoqëria shqiptare?  Së pari, kjo që ngjet ndaj Kadaresë s’ka të bëjë fare me kritikë të mirëfilltë letrare dhe s’ka të bëjë fare me letërsinë e tij. Ismail Kadare dhe korpusi i tij, nëse do të analizonim kontekstin e përgjithshëm të kulturës shoqërore e letrar, është vënë preh e fenomenit të glorifikimeve dhe përbuzjeve ekstreme, duke përjetuar iracionalitetin e absurdin e një debati të orkestruar, të pavlerë; me metoda e motive tejet të ulëta dhe të bëra nga shije mediokre. E gjithë kjo fushatë kundër autorit të përmasave ndërkombëtare, s’ka si të shpjegohet ndryshe, përveç shenjë e varfërisë intelektuale, fenomen që ka përfshirë jetën tonë kombëtare. Është groteske të shihet si ngazëllehet opinioni ynë, kur hapën tema të nxehta, atëherë kafeve të shumta, kuluareve të caktuara, përflitet, shpifet e përhapen thashetheme nga më të ndryshmet. Shtoja kësaj edhe mentalitetin grumbullor të shoqërisë sonë, që mbetet, ende larg së qenit e  formësuar në individualitet, çështja në fjalë pasqyron shpirtngushtësinë e një klase të caktuar intelektuale, që po formësohet me sharje ose himne, e aspak me parime, vlera estetike dhe qasje objektive.

5.

Në jetën publike shqiptare, filozofia e mbrapsht e brohoritjeve dhe duartrokitjeve, disi nuk mund të ndahet nga pandemi i kontekstit që na ligjëron shkrimtari dhe dijetari Fan Noli, kontekst që ka një ndërlidhje semantike me ligjërimin biblik, ku theksohet fuqishëm fatkeqësia e mohimit të profetit. Ky fenomen mbetet tejet kompleks në realitetin shqiptar, dhe si i këtillë me pasoj, të cilat drejtpërdrejtë prekin demokracinë dhe vlerat sublime të demokracisë, kulturën, letërsinë, për t’u bërë diga, pengesë e prosperimit të kombit. Në të vërtetë, kjo filozofi e mohimit të njerëzve tanë, ka  tendenca të merr trajta çoroditëse, te një mendësie primitive, ngritur edhe në hierarkitë më të larta në opinionin shqiptar. Kjo formë e të menduar, fragmenton kombin, tërësinë kulturore dhe hedh gurë në rrugën që po trasohet, për t’u integruar njëherë ndërmjet veti, pastaj në botën perëndimore. Kjo formë e ligjërimit publik, tendencat për të denigruar një autor, me të cilin mund të pasqyrohemi më së miri në botën e kulturës, jo vetëm që pengon emancipimin e kombit, por edhe promovon anën e kundërt të emancipimit: zhytjen në errësirë dhe paragjykime, në përçarje e urrejtje. Në rastin më konkret më së paku dëmton veprën e Kadaresë, korpusin e tij të gjerë letrar e artistik, kjo ofensivë denigruese dëmton kulturën shqiptare.

6.

“Sado e ndryshme të jetë Shqipëria nga Suedia, apo Franca, ajo ka nxjerrë në dritë një gjeni. Kadareja njihet në të gjithë planetin; të kurorëzosh Kadarenë nuk do të thotë ta emanciposh atë: do të thotë emancipoheni vetë ju”-ju shkruante Alain Bosquet në letrën drejtuar jurisë së Çmimit Nobel, në Stokholm të Suedisë. E morëm referencën e sipërshkruar të Bosquet për të kontekstualizuar autorin dhe veprën e tij, në kontekstin e debatit të “ashpër”, të pakuptimtë dhe aspak letrar, që ka shpërthyer në kulturën e shkrimit shqip tek ne. Studiuesi francez Alain Bosquet në referencën e sipërtheksuar na jep disa dimensione specifike të peshës së artit letrar të Kadaresë; ai është autor universal dhe këtë universalitet e ka si rezultat i të qenit gjeni në letërsi; Kadare është autor që njihet në gjithë planetin dhe ka rrëmbyer zemra të shumta artëdashëse, andaj të kurorëzosh Kadarenë nuk emancipon atë, por emancipohen receptuesit, audienca e gjerë dhe e gjithanshme letrare. Kadare, i dalur nga geni i ynë, shpërtheu në botën e letërsisë, në saje të artit të tij brilant e të mbrehtë, duke u pranuar nga receptuesit e shumtë ane e kënd botës së madhe të quajtur letërsi, jo pse ai ishte disident, jo pse ai mbronte identitetin europian të shqiptarëve, jo pse ai ka “denoncuar” dikë, jo pse ai është ngritur nga shteti stalinist i kohës, por pse ai shkruan mirë, pse bën art të bukur; mbase shkruan aq mirë, sa të rralla janë krahasimet. Dhe kaq. Pse atëherë aq shumë spekulohet për të? Një gjë duhet kuptohet nga gjithë: në kulturën letrare perëndimore, nuk mund të përkthehesh nëse nuk shkruan mirë, nëse nuk je shkrimtar i mirë e universal. Duke qenë vete dëshmitar i fuqisë së veprës së Kadaresë në Suedi, ajo që ngjet rreth tij më duket më shumë se neveritëse. E gjithë kjo fushatë, nëse mund të quhet e tillë, nuk është asgjë tjetër përpos barometër i të menduarit primitiv, i zilisë dhe urrejtjes që ka mbërthyer segmente të caktuara të shoqërisë sonë, që në subkoshiencë kundërmojnë qelbësirat e ideologjive totalitare, që s’njohin demokracinë, përpos njëmendësinë politike, turkofile e staliniste. Letërsia e Ismail Kadaresë është e madhe. E konstruktuar nëpërmes inevncionit dhe pasionit të thellë për artin letrar, ajo pulson nga imagjinata e fuqishme, stili i larmishëm e dramatik i rrëfimit. Me këtë potencë artistike, Kadare është pranuar ane e kënd rruzullit të botës si autor i një korpusi të gjerë veprash e sporavash letrare. Përgjithësisht, letërsinë e tij e karakterizon një botë e dendur, e ndërtuar me larushinë orale dhe sistemin e përpunuar të legjendave, të cilat autori i vesh me përmasat e ligjërimit homerik, me vibrimet e  ligjërimit shekspirian, me magjinë e rrëfimit markesian, për të hyrë kështu në panteonin e vlerave letrare të botës së letërsisë. Kjo botë e letërsisë, tek Kadare është shume e pasur, ndërtohet përmes një diskursi estetik të nivelit të lartë; në të hibridizohen trajta e empiri, të cilat përbashkohen në shtratin e narrativiteti të veçantë; atij të përveçëm: kadarean. Pa asnjë mëdyshje, vlerat e letërsisë së Kadaresë, këtij gjeniu narrativ tejkalojnë përmasat kombëtare, rajonale, evropiane dhe hyjnë denjësisht në dimensionet e letërsisë botërore. Ajo çka e bën këtë letërsi të madhe e universale, mbetet pasioni i thellë që ndeshet kudo për letërsinë, i brumosur me traditën homerike të rrëfimit letrar, të cilat autori din t’i përpunoj e distribuoj si një mjeshtër i rryer. Tendencat për të përbaltësuar autorin e përmasave globale, kjo formë e të bërit kritikë, është neveritëse. Ajo është fushata e egër, mediokre në esencë, por qëllimkeqe. Po e përfundojmë me mendimin e Roland Barthes në eseun e “Vdekja e autorit” se “shkrimi është shkatërrim i gjitha zerva, i çdo origjine”.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: