VËSHTRIM MBI ROMANIN “KRYEFJALA E FATALES” TË KRISTAQ F. SHABANIT- ANTON GOJCAJ

VËSHTRIM MBI ROMANIN “KRYEFJALA E FATALES” TË KRISTAQ F. SHABANIT

 

Cungimi i brendshëm dhe cungimi i jashtëm

 

“Drama kishte vazhduar të shfaqej, o njerëz, plot 28 vjet! Kaq shumë bisturi. Kaq shumë të therrura! Kaq shumë drithërime! Tre herë amanete! Tre herë përmbysje amanetesh! Tre herë hapje varresh dhe përmbysje arkivolësh! Pesë herë çarje të trupit dhe përballime! Sa i fortë është i forti! Doktori më vështronte. Dhe i pesti operacion i realizuar në shtetin fqinj kishte ulur siparin, pas një shtrimi urgjent, kur në vend të çarçafit të bardhë kishin bërë gati “çarçafin e zi të morgut”… “Nuk më besohej që trupi yt të rezistonte, – më tha Efthimio. – Unë u habita. Trupi yt të rezistonte! Trupi yt s’qenka prej mishi!…

– Unë, tani, doktor, kam përvetësuar artin  e të rezistuarit dhe të përballimit…, – i thashë. “   

                                                                        (nga romani “Kryefjala e fatales” i K. Shabanit)

 

 

Anton Gojçaj

1. Në planin përmbajtësor, Kristaq Shabani në veprën me titull jo të zakonshëm për një roman, “Kryefjala e fatales”, paraqet odisejadën e dhimbshme të djaloshit Adonis, i cili në moshë të re operohet nga gurët në veshka, sëmundje kjo që e përcjell gjatë gjithë jetës. Ai i nënshtrohet madje pesë herë ndërhyrjeve kirurgjike, por falë vullnetit sizifian për të jetuar çdo herë del fitues mbi bisturinë dhe madje ia del të krijojë edhe një familje normale, me bashkëshorten Lorelaj dhe dy fëmijët e tyre.
Përmbajtja e romanit jep një porosi shumë pozitive, optimiste, se njeriu duhet t`i bëjë të gjitha përpjekjet për ta kërkuar, gjetur dhe realizuar misionin e vet në jetë dhe për të mos u demoralizuar as në çastet më të errëta, kur vdekja troket me shumë padurim në portën e jetës së individit. Sikur ka diçka nga “shpirti amerikan” Adonisi shqiptar i Kristaq Shabanit, as lëngata, as bisturitë nuk e zmbrapsin dot për të ecur përpara.
Shpëtimi i tij quhet “dializa”, së cilës Adonisi, pasi mbetet pa të dy veshkat, i nënshtrohet çdo dy ditë në një shtet fqinj dhe që i mundëson atij vazhdimin e jetës.
Mirëpo, “Kryefjala e fatales” nuk rrëfen veç për cungimin e brendshëm, individual, por edhe për cungimin e jashtëm, shoqëror. Mbase cungimi i jashtëm (shteti që izolohet nga bota) në këtë rrëfim sikur bëhet aleat i cungimit të brendshëm (operimit të veshkave të dëmtuara nga trupi i pacientit, që s`mund të dalë jashtë shtetit për t`u mjekuar me një teknologji më të avancuar).
2. Përveç si roman mbi fatin e një individi, libri mund të lexohet edhe si rrëfim përfaqësues për një shoqëri të varfëruar materialisht dhe të deformuar moralisht, e cila në njërën anë propagandon lumturinë në tokë dhe barazinë e të gjithëve, kurse në anën tjetër, derisa dikush që ka peshë për sistemin mund të dalë për t`u bërë operacion, qoftë edhe për një dhëmballë, në Berlin, një qytetar i zakonshëm e ka të pamundur të dalë për kurim jashtë vendit, megjithëse sëmundja e tij, në rrethanat e kohës, në vend nuk mund të shërohet me sukses.
Në këtë segment romani ravijëzon me “penelata ndjesore” dyfytyrësinë e sistemit komunist në Shqipëri.
3. Edhe periudha postkomuniste, apo e transicionit, e viteve `90, jepet me një plasticitet gati-gati dokumentar. Përpjekjet e Adonisit dhe Lorelajës për të krijuar dhe siguruar ekzistencën e familjes në realitetin e ri “kapitalist”, si dhe veset dhe rëniet morale që paraqiten në trajtën e deformimit të raporteve ndërmjet ortakëve, një luftë e pamëshirshme kjo ku partnerët deri dje të ndruajtur, shndërrohen në rivalë të pangishëm të sotëm, mund të merren si një shembull tipik se si u zhvilluan disa gjëra në Shqipërinë e atyre viteve.
4. “Kryefjala e fatales” ka një ndërtim mjaft të ndërlikuar narrativ. Romani fillon me një si parafjalë të kryepersonazhit Adonis (Josif Buronjës), ku ai kapitujt vijues i quan “monologime, vargje e shënime pambarim”… Disa (nën)kapituj janë fletë të ditarit të Adonisit. Ka edhe një monolog të personazhit Bukurosh Era.
Narratori paraqitet si i gjithdijshëm, ai futet në mendjen dhe ndërgjegjen e personazheve dhe raporton për ato që ata mendojnë apo ndiejnë.
Narratori në roman rrëfen kryesisht në vetën e tretë, madje edhe kur përmendet Adonisi, që është vetë narratori, për të flitet në vetën e tretë, por herë pas here, befas dhe pa kurrfarë paralajmërimi as arsyetimi, lexuesit i flet Adonisi në vetën e parë, e pastaj përsëri pa kurrfarë shpjegimi rrëfimi vazhdon në vetën e tretë. Kjo, edhe pse ndodh të jetë një lojë e qëllimshme e autorit, rrezikon të shkaktojë një konfuzion dhe paqartësi të vogël te lexuesit e rëndomtë, çfarë janë shumica përndryshe…
Teoricienët e letërsisë, Matias Martinez dhe Michael Scheffel thonë: “Tekstet narrative unifikojnë dy perspektiva të ndryshme epistemologjike, të praktikës-botës (lebensweltit) të personazheve dhe asaj analitike-retrospektive të narratorit.
Për ta kuptuar një tekst narrativ, lexuesi duhet t`i ketë para sysh të dy këto perspektiva.”
Narratori di më shumë se personazhet e romanit, ai ndonjëherë e paralajmëron lexuesin çfarë do të ndodhë shumë më vonë (prolepsë e vogël): “Atë e priste një furtunë më e madhe, një përleshje e përbindëshme.” (f. 77), kurse fare kah fundi i librit ndodh që narratori papritmas del jashtë kornizave të ngjarjes dhe lexuesit i kumton se: “Ishin të gjitha personazhet e këtij romani, që me aktin e tyre gëzoheshin, qanin, lotoheshin, ngjatjetonin dhe kërkonin të falurën e madhe…” (f. 171). Kjo është një formë e romanit me vetëdije për qenësinë e vet romanore (në teori e njohur si metalepsë narrative), që është e shpeshtë sidomos në prozën bashkëkohore.
“Kryefjala e fatales” vërteton se Kristaq Shabani është një shpirt poeti edhe kur shkruan prozë, sepse romani përveç se ka pjesë të tëra vargjesh, të shkruara nga një personazh me emrin “Poeti”, anon shpesh kah shprehja poetike, me psherëtima, ofshama apo edhe thirrje mjaft patetike, qoftë të narratorit apo të personazheve të tjera: “Polina nuk e donte më veten; donte të mbytej në çast, të hidhej nga shkëmbinj të theptë, në ndonjë hon, dhe t`i jepte fund jetës. Eh, këto vajzat, që s`përballojnë dot “të dridhurat e jetës, kulmet e dramaticitetit”, veçse kërkojnë gjithmonë shanse.” (f. 43).
Kristaq F. Shabani është autor i shumë librave në poezi e në prozë, kurse romani “Kryefjala e fatales” paraqet njërën nga veprat e tij më të realizuara që ka çfarë t`i japë lexuesit, si në aspektin e mesazheve ideore ashtu edhe në planin e një stili të veçantë, polifonik, narrativ në prozën tonë bashkëkohore.

 

Box 1

 

Kristaq F. Shabani është shkrimtar i njohur nga Gjirokastra. Ka studiuar në Tiranë dhe në Shkodër. Ka botuar shumë vepra, në vargje dhe në prozë:

Pulsi i dhimbjes, poezi, 1997; Kryefjala e fatales, roman, Athinë 1999, botimi i dytë Tiranë 2004; Jetari, monografi për prof. sssoc. dr. Vasil Bicin, Tiranë 2005;  Pronori A. B. dhe astma e lindur, publicistikë dhe poezi, Gjirokastër 2007, si dhe shumë vëllime poetike, me skica, me tregime, romane etj.

Është kryetar i Lidhjes së Krijuesve “Pegasi” me qendër në Gjirokastër. 

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: