Vibracione të shpirtit shqiptar

Vibracione të shpirtit shqiptar

Nga Kopi Kyçyku*

– Libri i profesor Akil Koçit “Vibracione të shpirtit shqiptar” (vëllimi I) pasqyron ecurinë e mendimit filozofik modern e bashkëkohor, nga pozitivizmi, deri në pragmatizëm.

 

Kur, dy shekuj të shkuar, Hegeli pat ndërtuar sistemin e vet filozofik, e vuri tullën e fundit konceptuale në një ngrehinë me përmasa vigane. Madhështia e ngrehinës në fjalë ishte kënga e mjellmës e filozofisë soditëse dhe deridiku abstrakte. Më vonë, filozofia filloi të kridhej më fort e me përparësi në botën objektive, në natyrë dhe në shoqëri.

Duke e lexuar me vëmendjen që meriton, të krijohet përshtypja se libri i profesor Akil Koçit Vibracione të shpirtit shqiptar (vëllimi I) i bashkëlidh të dyja prirjet e mësipërme, duke pasqyruar ecurinë e mendimit filozofik modern e bashkëkohor, nga pozitivizmi, deri në pragmatizëm. Vlen të vemë në dukje se edhe idealizmi i sotëm është i përshkuar nga nostalgjia për konkreten, nga joshja për të përqafuar realen.

Si rrjedhojë e hulumtimeve të ndërmarra, vitet e fundit në trevat shqiptare kanë dalë, për fusha të ndryshme, shumë monografi, studime, ese, tekste dhe traktate, që sjellin ndihmesë të ndjeshme në rrahjen e problemeve të ontologjisë, epistemologjisë, etikës, estetikës etj. Falë një pune këmbëngulëse në rivlerësimin kritik të trashëgimisë kulturore shqiptare, kemi sot një paraqitje e shtjellim më të saktë dhe më të nuancuar të traditave përparimtare dhe përgjithësisht të së kaluarës sonë.

Duke përjetuar një klimë të përshtatshme për zhvillimin e mendimit krijues, të patrysnuar e të patkurrur nga ideologjira, paragjykime e tabù, por të udhuar vetëm nga shtysa e dijeve, e zbulimit të së vërtetës, personalitete shqiptare të sferave të ndryshme të veprimtarisë, duke pasqyruar vlerat tona kombëtare, në një farë mënyre janë përfshirë në një “dialog konkurrencial” me arritjet e vendeve të tjera. Nga ana tjetër, shpërthimi informacional në ditët tona jep lëndë të parë të bollshme për një meditim e përsiatje më të thelluar rreth marrëdhënieve ndërnjerëzore në kontekstin e lëvrimit të arteve etj.

Kur zura në gojë pak më lart përparimet që janë shënuar tek ne, nuk desha të them kurrsesi se gjithçka shkon si në vaj. Një shqyrtim i kujdesshëm kritik në këtë aspekt do të ishte në gjendje të nxirrte në pah disnivele të shumta vlerash në prodhimtarinë botuese për artin në përgjithësi e për muzikën në veçanti. Bie fjala, ende nuk është mënjanuar plotësisht karakteri spekulues i disa punimeve, ndërkohë që prirjet tekniciste dhe deskriptiviste nuk përfaqësojnë përveçse mangësi thelbësore.

Në sferën e kërkimeve në muzikë ka jo pak raste kur hulumtimi bëhet në mënyrë të sipërfaqshme, pa frymëzim e pa guxim krijues. Gjithashtu kanë mbetur zona të gjera të pacekura, madje të virgjëra. Mendoj se e vetmja mundësi për të thënë diçka të re, lidhet ngushtë me aftësinë për të hyrë sa më thellë në rrugën e kuptimit të dukurive të botës e posaçërishht të universit artistik, në të cilin jetojmë si qënie që konsumojnë jo vetëm ushqim për stomakun, por edhe ushqim për zemrën e shpirtin.

Pikërisht falë aftësisë për të depërtuar në ujrat e kthjellta e të pafundme të detit – muzikë, profesori Akil Koçi ia ka dalë mbanë të na kumtojë mesazhe të freskëta e plot brumë për krijimtarinë e kolegëve të vet.

 

Njohja me themel e muzikologjisë

 

Përveç vlerave të larta profesionale, që burojnë nga njohja me themel e muzikologjisë, pra edhe e tematikës që trajton, bie në sy një virtyt, i cili, sa më shumë kohë kalon, aq më pak i pranishëm është në jetën tonë të përditshme e sidomos në mjediset artistike. Fjala është për dashamirësinë. Në ditët tona, vendin e saj, fatkeqësisht, e ka uzurpuar me brutalitet smira. E, pra, këtë të fundit kompozitori i shquar, eseisti dhe publicisti Akil Koçi, jo vetëm që nuk e njeh, por toleranca dhe shpirtgjerësia që tregon, jo vetëm me gojë, – në biseda e tubime gjithfarësh, ku mblidhen dashamirësit e këngës e të valles, – por edhe me shkrim, na bën ta marrim si shembull në punë e në jetë. Në një frymë të ngrohtë kolegjialiteti dhe nderimi për punën e të tjerëve, – përfshi këtu edhe ata që e kanë sulmuar ose janë përpjekur ta denigrojnë, – Akil Koçi grish cilindo krijues të përqafojë nocionin e respektit të ndërsjellë dhe debatet të shndrrohen në kripën, pra në shijen, që lezeton mirëkuptimin e gjetjen e rrugëzgjidhjeve të përshtatshme për të ecur më përpara, edhepse debatet ngandonjëherë mund të zgjatin pafund, mund të jenë të ndezura, plot kundërthënie dhe acarime. Kryesorja është që përplasjet e opinioneve të mos nxiten nga keqdashja dhe smira, se këto kanë prishur e do të vazhdonin ta prishnin më tej jo vetëm harmoninë në gjirin e krijuesve, por do t’i shkaktonin dëme të pallogaritshme edhe vetë krijimtarisë muzikore.

Këto mesazhe humane dhe ngazëllyese, bashkë me thekset e fuqishëm të atdhetadashurisë e të shqiptarizmit të ndjeshëm deri në dhembje, Akil Koçi na i sjell me një elegancë pa të dytë, ngaqë është i zoti që gjërat e mëdha e jo njëlloj të thithshme nga të gjithë, t’i hedhë në letër me stil të rrjedhshëm e me gjuhë të kapshme.

Në faqet e këtij vëllimi, Akil Koçi gjen rastin që, jo një herë, t’u shprehë mirënjohjen të gjithë atyre që ia kanë dashur të mirën ose që e kanë ndihmuar në punë e në jetë.

Duhet vënë në dukje edhe një përbërës me rëndësi të veçantë i shkrimeve të Akil Koçit dhe pikërisht fakti që, krahas përgëzimeve që bën për veprat në përgjithësi e në veçanti, nuk ngurron që, përmes argumenteve të bazuara fort në një logjikë të shëndoshë, t’i tërheqë aksh autori vëmendjen për të meta apo mangësi të ndryshme, por gjithmonë me takt e duke parashtruar apo sugjeruar rrugët përkatëse, të cilat ai mendon se mund të ndihmonin në kapërcimin e mangësive dhe në përmirësimin e veprës që merr në analizë.

Akil Koçi ka mbajtur mirë parasysh të vërtetën, sipas së cilës çdo personalitet ka “ekuacionin” e vet, që e dallon nga të tjerët dhe përfaqëson, – që të huazojmë gjuhën e matematikës, – një formulë të energjisë së tij. Personalitetin krijues e shquan shqetësimi i përhershëm, vrrulli i pandërprerë, lufta e parreshtur dhe e paepur me vetveten*. Nga kjo pikëpamje personaliteti është entitet polemik. Jokonformizmi përbën mënyrën për të ekzistuar të personalitetit dhe, njëherazi, shprehjen e përputhjes së tij me vetveten. Pra, ky është dhe autenticiteti i personalitetit. Ngadhnjimi në thelb është krijimtaria, vepra, ajo pjesë e pangatërrueshme e aksionit të personalitetit.

Shtrohet natyrshëm pyetja: Çfarë kuptojmë me “vepër artistike”? Në çdo fushë të jetës kuotat më të larta cilësore mund të arrihen vetëm me përpjekje krijuese, novatore. Personaliteti i vërtetë krijues zotëron dhe ushtron në mënyrë të natyrshme e me lirshmëri forcën mahnitëse për të mposhtur vështirësitë, të cilat të tjerëve u duken të papërballueshme.

 

Karriera e një jete është vepra e asaj jete

 

Vepra artistike është produkt i shpirtit, që shpërfill gjërat e thëna e të stërthëna, anashkalon rrugëzgjidhjet e gjetura më parë nga të tjerët, apo modelet që janë shndrruar në klishé. Pra, që bëmat e një njeriu, e një personaliteti, të cilësohen “vepër”, lipset të kapin maja cilësore, të shprehen me origjinalitet, frytshmëri dhe hijeshi e, – nuk është pa rëndësi, – të kenë etikë. Kësisoj bëmat marrin tiparet edhe të një shembulli në shoqëri. Më tej akoma: shëmbëllore mund të jetë jo vetëm një vepër artistike, por edhe një karrierë. Karriera e një jete është vepra e asaj jete. Kuptohet se një karrierë autentike nuk mund të përfytyrohet pa vokacion autentik. Në këtë vështrim, vepra e një personaliteti përbën tërësinë e ndikimeve që ky ushtron, përmes veprave të tij, përmes mënyrës së të menduarit, përmes krejt mënyrës se si sillet në jetë, mbi bashkësinë në gjirin e së cilës jeton e krijon, mbi brezat që do të vijnë. Nga kjo pikëpamje, mund të pohojmë se bashkësia njerëzore “modelohet” nga personalitetet e shquara, sepse këta krijojnë trajta të reja të menduari, që paraprijnë zhvillimet e nesërme. Madje edhe ky “nesër”, për shkak të veprimtarisë së pandërprerë krijuese të personaliteteve, bëhet shpejt “dje”. E kështu më tej, në një zinxhir të pafund brezash krijues.

Kur themi që personaliteti krijues është pjella e epokës së vet, nuk kemi thënë përveçse një pjesë të së vërtetës, sepse realiteti është shumë më i pasur. Mund ta përfytyrojmë personalitetin si një drufrutor të madhërishëm, me rrënjë të ngulura thellë në traditë, në histori, në mite dhe arketipa. Kurora e gjelbër e kësaj peme përfaqëson vetë pasurinë e gjallë, në lulëzim e përtëritje të pandërprerë të personalitetit. Do të ishte paragjykim po të mendonim se nën hijen e drufrutorit madhështor nuk mund të hedhin shtat e të zhvillohen të tjera pemë të bëshme e të shëndetshme. Sepse, nga ana e tyre, personalitetet lindin personalitete. Ata përfaqësojnë vatra të fuqishme energjie humane, që janë në gjendje të krijojnë klimën e përshtatshme sociale për krijimtari e progres. Personalitetet janë pionierë në fushën përkatëse dhe, si të tillë, bëhen katalizatorë dhe udhërrëfyes për brezin e tyre dhe model për brezat pasardhës. Thjesht vetë ekzistenca e një personaliteti të fuqishëm ka dhuntinë ta dinamizojë mjedisin njerëzor; rrezaton hir e magji, freski dhe risi, si një magnet me fuqi tërheqëse të pashtershme, duke lënë “gjurmë” të pashlyeshme. Madje, jo vetëm me veprën, por edhe me mëdyshjet, ngurrimet, stepjet, telashet nëpër të cilat kanë kaluar në jetë, personalitetet mund të bëhen domethënës për të tjerët**. Gjithsa parashtruam më lart, në librin e Akil Koçit ilustrohet gjerësisht përmes evokimit të katërmbëdhjetë figurash të shquara të muzikës shqiptare.

 

Për cilin realitet dhe për cilin pasqyrim është fjala?

 

Të lexosh termometrin nuk është njëlloj si të ndjesh drithmat që të shkakton të ftohtit. Ky konstatim, i cili në termat e të folurit të përditshëm shtron një problem teorik themelor, më duket se shënon, mutatis mutandis, vijën ndarëse ndërmjet njohjes shkencore dhe artit në marrëdhëniet e tyre me realitetin. Në një kohë që shkenca e “lexon” termometrin, arti synon të marrë vesh çfarë do të thotë “të dridhesh nga të ftohtit”. Ndërkohë që në shkencë ideali i njohjes synon mënjanimin ose zhdukjen e subjektivizmit në marrëdhëniet në shoqëri, arti synon të kapë pikërisht subjektiven në këto marrëdhënie. Kjo nuk do të thotë që ndërmjet artit dhe realitetit ka ndonjë të çarë, apo që midis artit dhe shkencës kundërvënia është e pandreqshme. Historia e artit e sidomos vlerat autentike të artit, të cilat përbëjnë brumin e kësaj historie, – që nga Eskili e Sofokliu, deri te Shekspiri apo O’Neil, nga Pindari e Petrarka, deri te Molieri apo Montale, nga Apuleius e Bokaçio, deri te Dostojevski e Th. Mann, nga Fidias deri tek Brankushi, – janë dëshmi se ndërmjet artit dhe realitetit ka ekzistuar gjithmonë një marrëdhënie e ngushtë, madje, si rregull, arti ka qënë një pasqyrim sui generis i realitetit.

Po për cilin realitet dhe për cilin pasqyrim është fjala? Përgjigjen na e jep më së miri, – duke lexuar edhe midis rreshtave, – libri i profesor Akil Koçit.

Së pari, në qëndër të shtjellimit e të analizës së këtij autori është njeriu, në rastin konkret krijuesi në fushën e muzikës. Krijuesi, me ndjeshmërinë dhe me ndërgjegjjen e vet, ballëpërballë me botën që e rrethon, me shoqërinë e me vetveten. Paraqitja e personalitetit krijues në këto marrëdhënie përbën objektin e studimit të Akil Koçit, ngaqë e ka kuptuar mirë se heqja dorë nga ky pikësynim, do ta hidhte në krahët e artit për art. Përshkrimi i rrënjës, i kërcellit dhe i luleve është objekt i botanikës, ndërsa zbulimi e shpalosja e ndjeshmërisë dhe e mendimeve të njeriut ndaj luleve, përbën objektin e artit. Thënë ndryshe: asgjë nga çka është njerëzore, nuk mund të jetë e huaj për artin, ose, siç na jep të kuptojmë Akil Koçi, nuk duhet të jetë e huaj.

Së dyti, duke i këqyrur gjërat jo vetëm nga këndi i një përvoje thjesht vetjake, por nga ai i një përvoje artistike gjithëpërfshirëse, Akil Koçi konstaton se arti muzikor, duke ndjekur pikësynimin e përshfaqjes së njeriut në marrëdhëniet ballafaquese me shoqërinë dhe me botën e vet të brendshme shpirtërore, është ipso facto jo një lulëzim në hava, por “njohje dhe vetënjohje”, që të përdorim një shprehje të Th. Gotjesë.

Së treti, veprën e Akil Koçit e përçon një fill i kuq, sipas të cilit arti muzikor nuk është pasqyrim pasiv dhe fotografik i realitetit dhe as produkt ekskluziv i vrojtimit. Mekanizmat e pasqyrimit në art janë pafundësisht më komplekse se mjetet artistike dhe kanë karakter krejt të veçantë. Nga kjo pikëpamje, marrëdhëniet ndërmjet imazhit artistik dhe reales janë rrënjësisht të ndryshme. Në fund të fundit, janë pikërisht simboli, metafora, miti apo elemente të tjerë, ata i japin tonin e fizionominë veprës muzikore.

Së katërti, realiteti i artit nuk duhet ngatërruar me realen e inkorporuar në të. Gjithashtu, arti nuk mund të reduktohet kurrsesi vetëm në njohje. Ai është para së gjithash krijimtari. Duke inkorporuar në veprën muzikore lëndën e realitetit përmes filtrit të subjektivizmit, njeriu, – në këtë rast kompozitori apo muzikologu, – krijon një realitet të ri, realitetin artistik, që është krejt tjetër nga realiteti i mirëfilltë. E, pra, një tjetër mësim që del nga analizat e Akil Koçit, është se, në varësi të koncepteve dhe prirjeve të secilit krijues, mund të kemi të bëjmë edhe me shndrrimin e autonomisë relative të artit, në autonomi absolute, apo në pavarësi të plotë.

 

Zbërthimi analitik i Akil Koçit, arti i asgjësë

 

Tjetër përfundim, tek i cili na çon sërish zbërthimi analitik i Akil Koçit, është se një art i asgjësë, nuk mund të jetë më shumë se asgjë. Përjetësia e artit të vërtetë rrjedh nga vetë natyra e tij e hapur, nga fakti që ai nuk i ka shterur mundësitë për t’u përkryer parreshtur, duke u çapitur në një hap me gjithçka përparimtare, të kohës. Një gjë është e pamohueshme: për aq kohë sa do të ekzistojnë njerëz, pra konsumatorë të artit, ka për të ekzistuar edhe arti, bashkë me historinë e vet. Si ka për të ecur, çfarë ndryshime e pasurime do të pësojnë mënyrat konkrete dhe format e ardhshme shprehëse në art e veçanërisht në muzikë, nuk kemi mundësi të bëjmë parashikime.

Tek lexojmë Eskilin, Sofokliun apo Euripidin, Platonin apo Aristotelin, Virgjilin apo Ovidin, Iliadën apo Odisenë e Homerit, futemi në një botë të zhdukur dhe njëherazi të pranishme, të prekshme, të bukur dhe edukuese.

Të njëjtën ndjesi përjetojmë edhe kur këqyrim partiturat e dëgjojmë tingujt e Verdit, Beethovenit, Vagnerit, Moxartit, Shubertit, Listit apo Kukuzelit. Këta fizikisht nuk gjallojnë më, por drithmat e zemrave të tyre rrahin papushim me ëmbëlsinë e kordave të violinës së Stradivariusit. Ars longa…

Në mbyllje të këtyre shënimeve dëshiroj të theksoj se kopertina e librit mishëron përputjen e plotë të personalitetit të autorit me përmbajtjen e mesazhin që kumton. Ngjyra e bardhë “lan” me argjend emrin e jetëshkrimin e profesor Akil Koçit e në mënyrë të veçantë lirën apo çiftelinë, së cilës i bie jo me hark të zakonshëm, por me penë. Kjo e fundit derdh në letër njëherazi nota (në veprat muzikore) dhe gërma (në veprat letrare e publicistike). Gjithashtu, nuk është rastësi që ngjyra e notave në pentagram nuk është e zezë, si zakonisht, por e kuqe. Shpjegimi është se, krahas lirizmit të lirës, notat mbartin epikën tonë legjendare, të shkruar me lumenj gjaku gjatë shekujve. Nga ana tjetër, e kuqja dhe e zeza e kanë “hak” ta pushtojnë mbulesën e parme dhe të pasme të librit, ngaqë betimi më i shënjtë i shqiptarit është bërë e do të vazhdojë të bëhet jetemot mbi Flamurin Kuqezi!

Konceptuesi dhe realizuesi i kopertinës i ka mbajtur fort parasysh këto gjëra, në kontekstin që, Akil Koçi, përpara se të jetë kompozitor e artist i madh, është shqiptar i madh! Si i tillë, i ka hije të jetë i qarkuar nga kaq ngarkesë emocionale: e bardha, e kuqja dhe e zeza ngjizin sëbashku një “trio” që rrezaton tinguj e jehona të fuqishme, në një atmosferë të shëndetshme mëmëdhetare-mbarëkombëtare.

 

* Më 1 shtator 2008, forumi ALBSHKENCA promovoi në Tiranë librin e kompozitorit të njohur kosovar Akil Koçi “Vibracione të shpirtit shqiptar”, që doli në dritë në Bukuresht nga Shtëpia Botuese “Librarium Haemus” e Shoqërisë Kulturore Shqiptare “Haemus”. Redaktor i librit është Akademik K. Kyçyku. Ai shprehet per gazetën TemA se “Nuk jam muzikant dhe prej kohësh e kam nuhatur se nuk mund të bëhesha i tillë, paçka se kam pasur veshë, sikurse thuhet. Në rininë e hershme pata ndjekur disa vjet me radhë një kurs për violinë. Rezultati : sa herë interpretoja ndonjë motiv, të pranishmit, në rast se dëshironin të duronin deri në fund, duhej t’i taposnin veshët me dyllë, jo me pambuk!

Sidoqoftë, muzikën e kuptoj dhe e shijoj, qoftë popullore, e lehtë e sidomos klasike. E, pra, mendimet që kam shfaqur në pasthënien për librin e profesor Akil Koçit, janë thjesht të një dashamirësi të muzikës”.red-Dh.H.

 

 

* Cituar sipas Virgil Sorin, Personalitate de succes (Personalitet i suksesshëm), Shtëpia Botuese Albatros, Bukuresht, 1987, f. 16.

** Kopi Kyçyku, O istorie e teatrului universal (Një histori e teatrit botëror), tekst universitar, Shtëpia Botuese E.R.A. , Bukuresht, 2008, f. 378.

Refernca e tekstit te butum:

http://www.gazetatema.net/index.php?gjuha=0&category=8&id=3464

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: