24 Mars, 2010
POEZIA SI KUNDËRVËNIE E SË KEQES
Nuhi Ismajli
(Ndue Ukaj, Ujëvarat e metaforave, m&b, Tiranë, 2008).
Pas shkrimeve për letërsinë dhe shkrimeve publicistike, me të cilat dëshmoi formimin dhe prirjen e tij, si studiues, kritik dhe publicist, Ndue Ukaj, me botimin e përmbledhjes së poezive Ujëvarat e metaforave, dëshmoi edhe prirjen e tij si poet dhe krijimin e vlerave të pamohueshme letrare.
Poezia e tij të imponohet për ndjeshmërinë e veçantë, larminë tematike dhe, shpesh, trajtimin e theksuar dituror të saj, meditimin e thellë, idetë e mesazhet e rëndësishme për çështjet nga më të ndryshmet, shprehjen e veçantë e të fuqishme etj.
Larmia tematike
Poezia e veprës Ujëvarat e metaforve, shquhet për larminë dhe gërshetimin tematik e motivor.
Kështu, një pjesë e mirë e frymëzimeve të poetit buron nga kujtesa e historisë kombëtare, si historia e shtrirjes së trojeve, historia e fatit kombëtar, veçmas fati tragjik i Kosovës, tragjikën e së cilës, siç thotë poeti, nuk do të mund ta përmblidhte as Eskili (“Kosovë / As Eskili s’do arrinte ta përmblidhte tragjedinë tënde”, poezia: “Kosovë”, f. 109), por edhe historia e vendlindjes dhe e martirizimit të vendësve, robëria dhe pritjet e gjata të zgjidhjes së fatit kombëtar etj.
Poeti kujton tragjikën e popullit, robërinë, vuajtjet, duke goditur me ironinë e tij të fuqishme gjenocidin, dhunën, shtypjen: “Vrajeni qiellin/ Qëllojeni rrufeshëm / Le të pllakoset në tokë /…/ Gjithçka është e natyrshme / Të vritet një popull / Të mohohet një popull / Bëni gjithçka sepse asgjë nuk është absurde sot / As për jetën pa kokë / As për kokën pa jetë / Dhe vajin e ngrirë në buzë” (“Kujtesë e sëmurë”, f. 72).
Mjaft vargje të këtij poeti janë frymëzuar edhe nga historia e shtypjes së rëndë sociale të popullit tonë, që, siç dihet, ishte një formë e shtypjes kombëtare të shqiptarëve, realitet i hidhur ky nga i cili, si thotë poeti, edhe “fjalët i kemi të lagshta” (“Me lot jemi rritur”, f. 133) etj.
Poezia e N. Ukajt frymëzohet mjaft nga shqetësimet e botës së sotme në të cilën, si thotë poeti, “Në lartësi të qiellit gjemba kanë çelë” (“Vjeshta e shpirtit”, f. 32); ku “Notojnë plagët në zjarr tokë e det”, apo ku “notojnë plagët sa në qiell sa në det”; ku “Jeta sillet si në unazë” ose “Ecim një hap para, / Pastaj përplasemi dy mbrapa” (“Metafora e legjendës”, f. 112-113); ku “çel mbretëria e absurditetit” (“Kohë e perfeksionuar për gjenocid”, f. 104) e “absurditetet çelin si lule në saksi”(“Pështjellim”, f. 90) ose “si lule të ujitura” (“Kuptimi”, f. 96) etj.
Me ironinë e tij të fuqishme, poeti ngritet veçmas kundër harrimit të së kaluarës tragjike (“lumin e tragjedive /Që u shndërrua në det” , poezia:”Shtegtimi i shpirtit”, f. 111), nga e cila duhet mësuar (“Libri i historisë sime /Është djegur bashkë me Trojën /…/ Asnjëherë s’arritëm të mësojmë /Historinë në trajtat e ferrit /… / Ne mërdhihemi e ikim nga dielli /…/ Interpretojmë si duam / S’dëgjojmë metaforat e prera në fyt” (”Pështjellim,”, f. 89 – 90); kundër mohimit të vlerave të së kaluarës (“Fjala e lidhur me harrimin e pistë / Të zhbërjes së rrënjës” (“Harrimi”, f. 87), “Librat e rrënjës organike janë çekuilibruar / …/Fati i Formulës së Pagëzimit lëngon keq” dhe se: “Rruga nëpër Ferr është më e shkurtë / Se trishtimi prej harrimi”(po aty, f. 88), ndërsa e keqja bëhet edhe më e madhe kur kjo ndodh, siç thotë poeti, “Në tokën e tkurrtur çdo pranverë”, (po aty, 88); kundër zvetënimit shpirtëror (“Në kohën teknike”, f. 31); kundër mëkatarëve historikë, arkitektëve të vetëvrasjes (“Apokalipsi”, f. 101), dvarrësve të idealeve, rrënuesve të poezisë (“Kënga e dritës”, f. 41) e kohës antipoetike (“Kujtim i mermertë”, f. 26), dhe të pseudovlerave, kur, si thotë poeti: “Nëpër dorë mëkatarësh dergjet poezia” (“Harrimi”, f. 87), ose kur: “Mbi portrete pshurrin qentë e çartur” (“Pështjellim”, f. 90) etj.
Një varg poezish të veprës Ujëvarat…, janë poezi kushtimore për njerëzit e shquar dhe njerëzit e afërm, të dashur.
Poeti i kushton poezi P. Bogdanit, Gj. Fishtës, Nënë Terezës, Anton Pashkut, I. Rugovës e R. Kukajt, duke shquar vlerat e veçanta të tyre dhe duke shprehur edhe pikëpamjet e tij për çështje të ndryshme. Me mjeshtëri poetike poeti ka realizuar edhe disa poezi për të afërmit, të cilat janë jo vetëm poezi dashurie për ta, por edhe poezi meditimi e shqetësimi për jetën.
Siç është e ngarkuar me emocion, poezia e N. Ukajt është e ngarkuar edhe me mendim. Meditimi i thellë përshkon të gjitha poezitë e këtij poeti, në të cilat ai mediton për jetën, historinë, poezinë, dashurinë, moralin etj.
Në kuadër të poezisë së vet, N. Ukaj ka treguar edhe prirjen për përshkrimin e natyrës dhe krijimin e poezisë përshkruese (“Nga majat…”, f. 131; “Mbrëmje…”, f. 109), përmes detajeve të së cilës, simbolikisht, shpreh kuptime të ndryshme.
Karakteristikë e poezive të veprës Ujëvarat…, është ndërlidhja ose gërshetimi i temave e motiveve të ndryshme, që vjen si rezultat i synimit për paraqitjen totale të jetës.
Tri tema të mëdha
Në qendër të preokupimeve tematike të veprës Ujëvarat…, janë tri tema të mëdha, universale, të paraqitura me shumë ndjenjë e dituri: jeta, dashuria, poezia.
Kështu, në gjithë poezitë e veprës Ujëvarat…, shprehet fuqishëm dashuria ndaj jetës, dëshira dhe lufta për ta jetuar atë, pavarësisht realitetit të saj (“E bukur është jeta / Edhe kur shpirti mbushet plot gëzim, /…/ E bukur është jeta, / Edhe atëherë kur tërmetet shpirtin ta copëtojnë / Kur tretet dashuria rrugëve pa emra / E të shuhet Ylberi në duar, / Kur ti shkrehesh e shkrehesh në vaj e pikëllim /…/ E bukur është jeta / Edhe ku ka gaz / Dhembje e lot” (“Jeta”, f. 129 -130).
N. Ukaj, në poezinë e tij shpreh dashurinë ndaj gruas së jetës, emrin e së cilës e përmend konkretisht. Poeti jep këtu portretin e femrës, ndjenjat e fuqishme që zgjon ajo në shpirtin e poetit, situatat e përjetimeve dashurore, shpesh erotike, dashurinë si kuptimin dhe forcën e frymëzimit të jetës (”Të dashurosh është akti i shenjtërisë tokësore /Dhe vityti i vetëm për të jetuar / Me ty mbushet një det mall” (“Një det mall”, f. 124).
Në vargjet e dashurisë së këtij poeti, ku jo pak ndihet fryma biblike, është po ashtu femra ajo që frymëzon meditimet e fjalën poetike të poetit për jetën, historinë, moralin, filozofinë etj.
Si edhe poetët e shumtë shqiptarë e botërorë, edhe N. Ukaj, në poezinë e tij paraqet edhe çështjet e ndryshme që kanë të bëjnë me poezinë, duke filluar nga çështja e frymëzimit deri tek çështja e vlerës së saj shoqërore. Poezia ka origjinë hyjnore, sipas poetit (”unë në këtë kohë kur ushqehem me helm / Ditën, natën, e mbys me tënden dashuri / Hyjnorja poezi”, (Motiv i ri”, f. 99). Ajo identifikohet me vetë jetën, fillimin dhe pafundësinë e saj (“në fillim ishte fjala”, “Kënga e dritës”, f.35 ; ”Me folë domethënë me jetue” , “Dialog”, f. 83); është bukuria e jetës (“Kur them e bukur është jeta, / Mes ideve të mia tinëz hyn poezia” (poezia: “Jeta”, f. 129); forca për të përballuar e kaluar të keqen dhe vuajtjen (“Poezia është terapi”, “Poezia është shpëtim / klithmë e ëmbël me gëzim” (“Poezia”, f. 139) etj.
Kemi kështu, ndër të tjera, edhe dijen dhe vetëdijen e poetit për poezinë, por të shprehur mjeshtërisht nëpërmjet gjuhës poetike.
E gjithë poezia e N. Ukajt krijohet si përpjekje e poetit për të lartësuar artin poetik, për të shtrirë mbretërinë e artit, për ta krijuar e kuptuar poezinë si kundërvënie ndaj të këqijave e absurdeve të jetës.
Jeta, dashuria dhe poezia identifikohen aq shumë në poezinë e këtij poeti sa, shpesh, vargjet për njërën rrjedhin natyrshëm si vargje për tjetrën.
Poezitë e veprës Ujëvarat…, janë poezi të meditimeve të thella dhe të ideve të rëndësishme për jetën, historinë, aktualitetin, filozofinë, religjionin, letërsinë, dashurinë, moralin etj., sikundër edhe poezi të mesazheve të rëndësishme që i drejtohen individit, qenies kombëtare dhe mbarë njerëzimit.
Veçanti e shprehjes së fuqishme
Poezia e N. Ukajt është e pasur me ndjenjat e fuqishme dhe mendimet e thella, por edhe me elemente epike, të cilat, përgjithësisht, kanë kushtëzuar gjatësinë e vargjeve dhe të poezive.
Gjuha e kësaj poezie është gjuhë e pasur dhe substanciale, fjalët e së cilës, ngjashëm me gjuhën e Gj. Fishtës, janë të ngarkuara me ndjenja e mendime.
Për shprehjen e botës së pasur e të fuqishme subjektive autori ka përdorur figurat e ndryshme stilstike, të cilat për veçantinë e krijimit dhe forcën e tyre shprehëse, shquhen sidomos metaforat, simbolet, krahasimet, hiperbolat, ironia, epitetet, sinestezia, oksimoroni etj. Shprehja e erudicionit të poetit, pra edhe shtresa diturore e kësaj poezie, është e shoqëruar edhe me përdorimin e nocioneve të ndryshme, siç shihet që në titullin e veprës, dukuri, e cila nuk ka cenuar shprehjen dhe vlerën artistik të saj, duke u integruar suksesshëm në kuadër të kërkesave të tyre.
21 Qershor, 2009
NDUE UKAJ-LIBRI ME POEZI
Ndue Ukaj
UJËVARAT E METAFORAVE
Poezi
Redaktor:
Petrit Palushi
Recezent:
Anton Gojcaj
Për të dashurit e mijë të zemrës,
Editën,
Luisin e Izablen
Botimet M&B, Tirane, 2008
VARIACIONE TË DALLUESHME TEMATIKO-STILISTIKE
(rreth përmbledhjes poetike “Ujëvarat e metaforave”, të Ndue Ukajt)
“Ujëvarat e metaforave” është përmbledhja e parë me poezi e Ndue Ukajt, pas një debutimi të disakohshëm dhe me sukses në fushën e studimeve, të kritikës letrare dhe të publicistikës.
Poezia e Ndue Ukajt, si një poezi që përpiqet të zbresë tek honi i shpirtit të njeriut, tek ai labirinth i çuditshëm, më së pari, na vjen në trajtën e një rrëfimi të dlirtë të autorit për vetveten, si jehonë e një shpirti të trazuar, dhe që njëkohësisht prezanton një krijues të përkushtuar, të mbështjellë me ethet e vëzhgimit dhe të krijimit dhe që e bëjnë poezinë e tij sa lirike, aq dhe gjysmëepike dhe dramatike njëkohësisht, sa fantazoide, aq dhe të prekshme për shqetësimet njerëzore që ngre, për temat e ndjeshme që merr dhe rimerr, për atë frymë ekzistenciale që funksionon dhe frymon në trupin e krejt poezisë.
Kjo ndodh, siç është thënë me të drejtë se “Duket sikur poetët do ta kenë gjithmonë punën që është bërë enkas për ta” (V. Simborska).
Poezia e librit “Ujëvarat e metaforave” nuk sillet brenda një rrethi të caktuar, të kufizuar tematik, por natyrshëm shpërfillet njëanshmëria tematike (që shpesh e ngushton rrezen e shikimit); kështu, tematika në poezinë e Ukajt merr më tepër gjerësi, përftohen variacione tematiko-stilistikore, shikimi i lexuesit nuk pikëzohet vetëm dikund, por përftohet e drejta hapësinore e depërtimit në shumë pika e pikëza të shpirtit të njeriut, çka kemi të bëjmë me një vështrim të gjithkundshëm, por dhe me një depërtim tepër të hollë vetëm në trupin e atyre gjërave që mund të shqiten nga shumësia e gjërave dhe të vijnë si të tilla për të shkaktuar dridhje tek shpirti i njeriut. E, në këtë furtunë metaforash dhe hapësinë tematike, nuk mund të ndodhë që poezia të mos jetë më e pasur, më e lëngshme, më pranë shpirtit të njeriut. Rrjedhimisht, ndjesia do të jetë më e natyralizuar, efekti poetik më i gjallë, dhe lexuesi t’i rikthehet kësaj poezie tabloide (mataforoide) me një kënaqësi të re, si për të plotësuar krejt imazhet që mund të përftohen prej saj, duke e ushqyer vetveten me mendimin dhe dëshirën të mos i largohet asgjë prej këtyre imazheve. Brenda variacioneve të dallueshme tematiko-stilistike, shpalohen natyralisht variacione temëzash, variacione idesh, motivesh, trajta të tjera që gjallojnë për shkak të rrëfimit poetik.
Në përmbledhjen “Ujëvarat e metaforave”, koncepti i bashkëkohësisë dhe koncepti i së shkuarës janë vetëm pamja më në reliev e poezisë, është prezantimi parë se çfarë lëngëzohet në këtë poezi. Është, si të themi, vetëm një udhëzues ideotematik. Imazhet lëvizin nga njëra kohë fizike në tjetrën, ngarkohen me imazhe të tjera, rrudhet ajo çka është e tepërt, jofunksionale, dhe mbetet më së fundmi, thelbi i poezisë, mu aty ku komunikimi i autorit mund të jetë vetëm përmes vijave të shpirtit. Dhe në këtë komunikim, ndërfutet miti si pjesë e shkuarës, por dhe si pjesë e bashkëkohësisë. Edhe disa poezi në këtë përmbledhje (“At Pjetër Bogdanit”, “At Gjergj Fishtës”, “Nënë Terezës”, “Anton Pashkut”, “Dardania antike”, etj.), e japin rishfaqjen e mitit me pamje bashkëkohësie dhe lexuesi njëmend mund të shohë (të parakuptojë) mitin në trupin e bashkëkohësisë, si pjesë të saj, si refleks i detyrueshëm i një të shkuare të largët dhe t’afërt.
Kam përshtypjen se në poezinë e Ndue Ukajt, ka përpjekje për të prishur disa shabllone që ekzistojnë në aktivizimin e metaforës (një lloj ndërlikimi i shprehjes, të sintaksës, të lëvizjes poetikë në tërësi, etj), çka do të thotë se autori, në këtë rrafsh, është në përpjekje ta shohë metaforën jo vetëm si një figurë thjesht poetike, por si një mjet të fuqishëm që ve në lëvizje gjithë pamjen poetike, me shfaqjen dhe joshfaqjen e vet. Kësisoj, krejt poezia në fjalë, mund të shihet lehtas si një poezi që funksionon vetëm brenda një shtëpie metaforash.
Është për t’u vënë në dukje se në përmbledhjen “Ujëvarat e metaforave”, ka një rimarrje të aktivizimit të poezisë së gjatë (nëse mund t’i marrim edhe si poema krijime të tilla si “Vetëm heshtje”, “Kënga e dritës”, etj.), dhe kjo formë transformuese, i jep më tepër vlera poezisë, e bën të dallueshme si poezi e imazheve të plota, shton kuptimësinë dhe dendësinë e mendimit, krijon mundësinë e një shprehjeje më të plotë poetike të autorit.
Si e tillë, poezia e përmbledhjes “Ujëvarat e metaforave”, është e mirëpritur, që vjen me kodin e vet të komunikimit, dhe duke u profilizuar si një poezi e një tematizimi dhe shprehimësie të veçantë, ku një ansambël metaforash ndriçojnë edhe pikat më të imta brenda shfaqjeve që përcjell poezia për lexuesin.
PETRIT PALUSHI
PËRLESHJE
Nganjëherë i kafshoj dhëmbët furishëm
Më mbetet gjuha në dhëmbë nganjëherë,
Me gjilpërë më duhet ta qep gjuhën,
Engjëllushka ime, jo pse dua, nganjëherë
Çuditem edhe me veten si i kafshoj ëndrrat.
Hahem me to deri në përgjakje
I kafshoj dhe përleshem me realitetin,
Nëpër net me ëndrra vjeshtore
Dhe pranvera me buzëqeshje dashurore
Hamendja për fitore mbyt trishtimin
I kafshoj ditët, edhe netët i kafshoj,
Të zeza si futa, netët e paperënduara,
Përgjakem krejt nganjëherë,
Me dhëmbët e mi të rëndë, të rëndë,
Sa shkëmbinjtë e Bjeshkëve të Nemuna,
Nganjëherë botën e zë gjumi n’mes të ditës,
Dhe aty përulet miti i fuqisë së qëndresës
Trulloset bota krejt e humbur përkundet,
Harron përuljen e gjurit bota nganjëherë
Bie në gjumë nëpër ninulla ledhatuese
Papritur tretet nga thartira që të qet zorrët
Tëhuajësohet mendja dhe humb imazhin në pasqyrë
Pema e Jetës zë rrugën në mëngjesin me vesë diellore
E unë, nganjëherë i vetmuar përleshem me botën
Dhe përhumbem në lakuriqësinë e poezisë
HAPAT E VEGJËL
E masë kohën me shikimin prej zogu
Atë ditë kur dielli rrëshqiste drejt perëndimit
Një korb parakaloi para syve tanë
E tokës iu zu fryma nga inati
Si s’u bë që ta kthej diellin
Aty ku puthi shikimin tonë përsëpari
Dhe rrugën deri në Kodër ta kaloja me pupla
Atë ditë kur shikimi im u tret
Toka dridhej nga të ftohtit
Dielli u dha si femër mëkatare pas Bjeshkëve të Nemuna
Hapi i vogël për ta ndalë ishte pa përmbajtje
Shikimi im u mbyt krejt…
HIJA E KORBAVE
Në ishullin e pritjes vetmia e thartë
Dhe struktura e deformuar e seksit
Në lumin e kohës ecte zvarrë
Nuk e njoha Homerin as verbimin e tij
Me hapa të Akilit mas kohën që vjen
Dhe kilometrat deri matanë Itakës
Sythi yt kaltrosh përhumbet në lakuriqësinë
E natës së zezë ku tëhuajsohet mendja
Akti i çoroditur i shpirtit hije
Në të çarën e seksit tënd rrjedhin pikat
E dushit të ftohtë në ishullin e vetmisë
Drama e pashkruar në teatrin e gërmadhave
Dhe puthja e akullt që dogji sythin e përlotur
Një korb pa shikimin tim prej të dashuruari
Ditën me mendime të hallakatura
Dhe miti reflektoi fragmentin
E artit të shkruar nën hije korbash
Sytë nuk janë dritare prej motesh
As dyer të largimit nga trishtimi.
PIKTURA E DASHURISË
Mona Liza qeshte
Për të flasin aq shumë sytë e saj qiellorë;
Të njomë, të përmallshëm e të butë
Të veçantë sa s’gjejnë krahasim,
Për të flasin flokët e shprishura,
Aty ku atdheu i pasioneve ndërron trajtat
Dhe përhumbet bota para shikimit prej loti,
Tkurret si perde e hapur në skenë teatrore
E vockël bota përballë me shikimin që djeg
Dhe tërheq si magnet në botën e mistereve
Nën tisin e nurit të saj prehet qetësisht bota
Dhe nën presionin e heshtjes,
Numëron frymëmarrjet me damarë të fryrë
E shtrënguar nga plogështit e kohës
Për të flet gjoksi i mbuluar me hije misteresh
Një kafshatë për vargun e etur
Dhe gjitha ngjyrat e vizatuara në ata sy
Për të mposhtur mbrapshtitë
E pra, Mona Liza tek qeshte pëlciste nga dashuria
GJYQI PËR VJERSHËN TIME
Kështjella e drejtësisë s’mund të përmbyset
Me një të fryrë nga zgafella e gojës
Edhe nëse Jozefi K. vdiq si qen rrugëve të Parisit a Pragës
Procesi s’u mbyll e ai mbetet prapë proces
Të premtet e mëdha s’kuptohen pa të dielën e madhe.
Ç’faj ka poezia që e sulmon
Imunitetin s’mund t’ia marrësh as kur lakuriqësohet
Mjekrën time të pakrehur ndonjëherë,
Të rritur zjarreve përcëlluese
Mbuluar me merimanga gërdie
Edhe po deshe s’mund ta puthësh kurrë
Kjo poezi vlon për dashuri
Po deshe vraje, në varr mund ta vësh
Strukturën e mendimeve s’mund t’ia prekësh
Poezia është e panjollë
Po deshe vraje
Do pjellë gjarpinj, që sytë të t’i helmojnë
Macet e çartura vrapojnë gjoksit trishtueshëm
Po deshe vraje
Edhe nga varri shpirtin e trazon.
ALFABETI IM
Shkronjat si gurë zbresin
Në alfabetin me figura të pakuptimta
Fragmenti i jetës sime kthen në udhëkryq
Sikur nëpër ëndrra të çmendura
E nuhat ikjen deri në skëterrë
Alfabeti im
E zgjat rritën prej poezisë
Duke i zgjeruar pasionet deri në qiell
Dhe zanoret e afshit që shpërthejnë
Mbi sytë e mi
Pezmi i shkronjave të gurta,
Prish gjumin e kufijve
Në universin e kohës pa poezi
Si leckaman metropoleve të botës
Kërkoj këshilla nga poetë
Të kuptoj fjalën prej guri
Si i trazon mendimet abstrakte
Unë jam hapi im dhe rruga deri tek atdheu i poezisë
Në rrugën që prehet pas çdo ecje
Nga injorantë që vallëzojnë me zhurmën
Maratona e poezisë nëpër shpirtra të dergjur
Shumëzon ujin tamam si Krisht
ILUZIONI I FJALËS
Horizonteve të papara shtrydh kujtimet
Deri në pikën e fundit
I lidhja fjalët për iluzione
Me ngriheshin gishtat si shkëmbinj
Me tingujt e lehtë të kitarës
Ndërtohet ngrehina
Dhe iluzionit të fjalës
I vjen erë harrimi
Nëpër horizonte të papara ndrydhen ndjenjat si në bronz
Në shtratin e çelur varrë
S’numërohen regjistrat e pafundme të dashurive
Vetëm fjalët lidhen për iluzione marrëzisht
PËRRALLA E MOÇME
Nga të vërtetat dalin rrenat si buburreca
Ndërsa këmbët tona nga turbulenca e mendimeve
Humbasin drejtpeshimin
Në kozmosin e fjalës e tundin pendimin
Një përrallë e moçme s’u tregua me shekuj
Pastaj për të njëjtën u bënë beteja të çmendura
Plot vite u rropat dora jonë prej hijesh,
Si flamur disfatash e arenë takimesh
Të gjejë gjurmët e t’vërtetës në ngrehinat prej lotësh
Trotuareve të akullta ku këmbët rrëshqisnin tmerrshëm
Ecën injorantët të vërsulur pas tempullit të marrinave
E mjerë ne për përrallën e moçme
KOHA SHUMËNGJYRËSHE
Me kërkue është art si me puthë diellin,
Me lundrue nëpër natën e braktisur, oh
Nga hëna bythprapë e ngjyrat e errëta
O natë e vetmuar me sy gjysmëqorre,
O kohë shumëngjyrëshe e trashur n’vete,
Lak e bërë mbi kokën time vallëzon
Kryelartë i shndrisin sytë e Ciklopit i ka
E sheh si i lëvizin këmbët e shpejta…
Akil s’është por fluturon si në beteja antike
Herë në Amerikë, e zë trishtimin në ëndërr,
Herë në Europë, e kap ankthi në shtrat,
Herë në Azi, e zë makthi në rrugë,
Herë zgjohet me kujtimet për kalin,
Bën dashuri në barkun e kobshëm
Dhe i ngatërrohen rrugët para këmbëve
Koha e pangjyrë, e paemër e pakënduar
E pashkruar, me muzikë të harlisur vallëzon
E çmendur përdridhet si vajzë në take t’larta
Cunam që s’i duron metaforat as ironitë
Me struktura të deformuara deri në përjashtim,
Endet me shikimin e tretur në asfaltet moderne
Dhe s’gjen pandehëm krahasimi nga modernistët
As nga progresistët e posmodernistet
Nga injorantët e regjur me fjalorë demagogjish
Që kurrë s’ e kuptojnë artin e heshtjes
Për të mbytur zhurmën dhe gumëzhimën e frikshme.
Koha ime e përveçme në globin e ngulfatur
E paemër, e pagëzuar natën e braktisur me muzikë të harlisur
Me hije korbash e sorra të çartura
Si ngjan kurrsesii kohës së Virgjilit,
Me heronj të çmendur e luftëra absurde.
Madje s’i përngjan as kohës së Krishtit e Judës tradhtar,
Koha ime kurrsesi s’është koha e lumit të Heraklitit.
Më duhet të kthehem nëpër të, dy herë ta nuhas,
Dhe të ec nëpër kujtesën e trashur nga merimanga
E krimba që bluajnë pamëshirshëm.
I inatosur më duhet të mos pajtohem me Heraklitin,
Dy herë më duhet të lahem në të njëjtën kohë:
Në të njëjtin ujë një herë me zjarr përvëlues
Pastaj me artin e heshtjes dhe ujin e uratës.
Mes meje e kohës fluturon zogu pranveror
Me pupla të mërdhita e sythin e trembur,
E trazon pikëllimin e vizatuar në majën e Kështjellës së mendimeve
Kohën e grabitur nga leckamanë me lëkurëgjarpri,
Dardania ime e Shenjtë e goditur nga antikoha.
Dhe miti i harresës që çelë si lule çdo mëngjes
KRIJIMI
Zoti, gjashtë ditë krijoi pa u ndalë,
Të shtatën ditë
poetët i futi në Kopshtin e Fshehtësisë
ua mësoi mjeshtërinë e ua caktoi misionin.
Vetëm një gjë qysh atëherë mbeti sekret:
Në cilën ditë të krijimit u zvarrit së pari mbi Dhe?
SI ZAKONISHT
Është mëngjes shpirti im
Shtrati im i lagur me lot
Më rikthen në epokën e poezisë
Në luftën time të pakompromis me metaforat
Për të mësuar si vallëzohet me ujq
E mërkura e përhimtë s’është sot
As e premtja e madhe
Krishti s’kryqëzohet në kryq
Ndërkaq kambanat e kishës bien si çdo herë
Shtrati im i mbetur peng
Hapëron nëpër hapësirë
Për të kap yllin e pritjes
Dhe një përgjigje për shumë dilema
DRAMË
Shalli i zi në qafën e rënduar
Dhe një shikim i përvuajtshëm
Treten ngjyrat e shndritshme
Dhe rekuizitat e zeza na marrin sytë
Një gomar pallë sa të shurdhon veshët
Dhe hijet e korbave mistershëm
Kafshojnë fjalët e aktorëve të rraskapitur
Një puthje prej Jude
E deh aktoren me emrin Çudira
Zhvesh brekët me duhmë shurre
Dhe i hedh në publik e llastuar
Akti i parë pa orgazëm
Loja zgjati disa minuta
Dhe akti i dytë i kredhur në soditje
Një gomar lëviz në skenë për të satën herë
Dy korba i bëjnë hije prej uji
Aktori i turpshëm refuzon të lakuriqësohet në skenë
Teksa mua perceptimi për dramën m’i gërryen sytë
As Godo nuk priti sa unë
KOMPROMIS
Fjala frymon jetë
Mesazhe jep
Edhe atëherë kur s’thotë gjë
Për këtë mos u hamend
Shiko poezinë
Çdo shkronjë të njomur me gjak
Varret në subjektin e saj
Beso në peshën e jetës
Në fjalën e vrarë në gjuhë
Beso në metafora
Në fjalën e brumosur që vlon në gji
Në kompromiset e vetëflijimit
Nëpër kabinete ofshamash epshore
Rritet shkurtohet njëqind herë mjekra ime
Bashkë me gjuhën që fjalët i mban të lidhura
Të heshtura në shpirt të ndrydhura lak
Bashkë me mendimet që i luftojnë muret e rrethimit
Kështjellat e çoroditura në sytë e mi
Gjarpri gojëhapur nuhat përulësinë
Dhe unë u detyrova të zhytem në heshtje
Në kompromisin e dhimbshëm me metaforat
Heshta derisa heshtja u shndërrua në zhurmë
Përsëri si për inat
Heshta derisa kënga në vargun tim shpërtheu
Nën mjekrën e pakrehur u tërbua heshtja
Nën qimet e pakrehura u dogj heshtja
KUJTIM I MERMERTË
Vjen dita jote poezi e mbytur nga pika e zezë në horizont,
Kujtimi i mermertë shtrihet për kohën e Komedisë Hyjnore,
Prapa hapave të molisur nëpër barrikada të panumërta
Rri hije shpirti im i etur për mijëra të fshehta
E shembur koha e pasioneve lakuriqe që fluturon si korb
Endet tamam si ylber mbi kokat tona të topitura nga betonet e gjithfarshme
Të përgjumur dehemi në universin e mendimeve shpërthyese
Ka me ardhë prapë dita jote poezi
Rri e qetë në hijen e magjisë
Dhe mos e zhvesh imunitetin e trashëguar nga Zoti.
Zeus s’ka mbi tokë, fli e qetë dhe përkunde kohën e hallakatur
Njeriun e përhumbur nëpër reklama çoroditëse
Dhe epokën e dokrrave, e zhurmës së gjithfarshme
S’ka vend për art, sa trishtueshëm, s’ka kohë për poezi
Digjen merimanga digjen fjalë e zemra bashkë
Në horizontin e pritjes prehet një metaforë në fyt,
I është zënë fryma, qan pa iu kuptuar dhembja,
E ledhatoj e në buzët e kallura të saj qetësohem
Kalendari im po tretet
Nga djersët verore që të djegin ballin,
Më duhet ta puth vargun e etshëm,
Sot nuk këndohet shpirti im,
Në vend të këngëve dëgjojmë zhurmë çmendurake
Rropatje kotas për të prodhuar hamendësimet e panumërta:
Herdo kurdo çdo gjë zë vendin e vet
E natyrisht, edhe poezia do jetë në fatin e saj të lumë…
THIRRJE
Muzë, mos fli hape sythin
Dhe më huazo zërin e kangës
Përkulem para teje
Digjem e flakë s’jam
Muzë, në fillim ishte fjala
Dhe fjala ishte gjithçka
Tanimë s’mbet gjë tjetër
Përpos fjala e dashuria
Më dëfto kufirin e jetës dhe vdekjes
Dhe mbretërinë poezisë
Në qytetin tim më kufij e mure
Më dëfto mbretërinë prej urate
Dhe më mëso të bëhem dishepull i fjalës
I muzikës së shpirtit të dëlirë
Që vallëzon kurrë pa ndalë
Më dëfto shumë
Se historia është nyje në këmbë
E shkruar dhe e rishkruar
Nëpërmjet gishtave të dridhur
Për të prodhuar mite
Dhe një kodër rrenash
E pra Muzë, këndo me mua
Dhe dashurinë që vlon
Në metamorfozën e kohës
Më dëfto Zoti im
Se dielli lind për të mirët dhe të këqijtë
Gjuha e zjarrtë shndërrohen në hije
Dhe shikimi im në horizontin e pritjes
Tek rikthen mendjen në ditën e djeshme
Dhe kundron strukturën e kohës
Në pikën e së nesërmes
POETËT VETMITARË
Dje takova poetin e vetmisë së madhe
Rrugës së qiellit thithte diellin
Kishte mbështjellë kokën me ëndrra
Që t’mos i harliseshin vargjet
Dje takova poetin e dashurisë së madhe
Rrugës së pyllit me ngjyra të panjohura
Kishte lidhë kokën me sytë e erosit
Që t’mos i çorodiseshin vargjet
Dje takova poetin e vetmisë së madhe
Rrugës së pluhurosur lëpinte gjurmët e tij
Kishte lidhë me histori kokën
Që t’i fashiste rrenat si koka prej gjarpri
Dje takova poetin e vetmisë së madhe
Rrugës së vetmisë së metaforave
Kishte dalë i lakuriqësuar
Të dehej në sytë e tij bota
Dje takova poetin e vetmisë së madhe
Me matematikën e zemrës
Zgjidhte të panjohurat e bëra lëmsh.
NË KOHËN TEKNIKE
Në kohën prej aparature të gjithfarshme
Shpirti dergjet matanë kuptimit të esencës
Poezisë i zihet fryma si është më keq
Ndërsa një re e zezë shëtit mistershëm
Në universin tonë të hijes pa e parë
E vetmja që komunikon lirshëm në hapësirë
Është mbuluar nga batanije e betonuar
S’dëgjohet sot, s’ka kohë për dëgjim,
Veshët e kohës teknike shkurtohen
Brenda gumëzhimës së jetës nëpër kalim
Vetëm rropatje andej e këndej
Në kohën që na mashtron si hije
Dhe një hiq i madh që rritet mbi kokat tona
Si re e zezë në qiell
Sa dhimbje!
Askush s’dëgjon në të katër anët na bien daullet
Veshët e kohës sonë s’duan heshtjen as dëgjimin
Vetëm të flasin duan në të katër anët zhurmë
Askush s’dëgjon askush s’flet askush s’kupton
Nuk e di si mund t’i thonë kësaj kohë të pashpirt.
VJESHTA E SHPIRTIT
Fort e ndrydhur vjeshta
Bien lulet,
Gjembat ngulen në mish thellë
Merimangat ta zënë frymën
Përplasen fytyrës sime
Teksa terri i zi më kafshon buzën
Gjuha vlon gjak e kënga askund s’tingëllon
Në lartësi të qiellit gjemba kanë çelë
Sa i përgjakur qielli duket mbi këtë Dhe
Fort e ndrydhur vjeshta
Se i zihet fryma
UDHËTIM I VARGUT
Sot do marr rrugën e gjatë, që fund as fillim s’ka,
Më tha vargu sapo përqafova diellin pranveror
Ndërkaq Expresso ime ishte ftohur nga shikimi i thartë
Qielli s’mund të mblidhet në shuplakë,
Me grushta të mbushur plot pasione
Ngase fitorja është ndjenjë e budallenjve
Dhe është një mister që ndërkaq nuk hesht
Ndjenjat e lidhura lak i shpartallon poezia
Vargu ec, ec edhe nëpër gjak
Stuhive përmbysëse
Varreve djegëse
Vargu im peng jete
Zhytet në pellgun e harrimit
E mbyt trishtimin
KËNGA E DRITËS
Ç’është lumturia e të shkruarit, shpirti im?
Më thuaj me plot gojën, flake heshtjen mënjanë,
Nëse jo zgjatim i kujtesës sipas Hose Luis Borgesit,
Apo prehje me veten dhe për veten
Në terrin e zi të vetmisë së thellë,
Ku nuhaten të fshehtat e unversumit
Me gjuhën e të pathënave,
Me të pazakonshmet e ruajtura
Nëpër magje të gatuara me makth
O Zoti im, arti i shkrimit
Imagjinata e përtej lumit të heshtjes
I vret kohët me shikimin e Judës
*
Shpirtushka ime, koha e lumit të heshtjes është trazuar,
Murmurin zhurma, furtuna s’ka të ndalur
Tani po përgatis nisjen time drejt majës,
Së kodrës së dashurisë,
Është e paarritshme për hapat e vegjël
Aty përthyhet arti i të shkruarit me lakuriqësitë e natës,
Me gratë e picëlluara e ofshamat mbytëse
Me metaforat e gjalla që gjëmojnë rrufeshëm tokë e qiell.
Nuk mund të fshihet asgjëkundi,
Qyteti i ngritur në majë mali,
Si dishepull bindur në fjalë e në dritë,
Ec përkrah dritës,
I bindur se në fillim ishte fjala
Prej saj u bë çdo gjë e pa të s’u bë asgjë.
Shpirti im, s’më bën dot punë qyteti i zhurmës,
E sheh qytetin me ngjyra në majë,
Rrethuar me strofulla ujqish që uturijnë lemerishëm,
Gjarpërinj e krimba të mëdhenj,
Erë të qelbura që kundërmjonë vdekshëm.
*
E pra, engjullushka ime, kjo është rrugë e shoqëruar
Me kujtime të shkruara e të pashkruara e lëmsh të bëra
Me këngë të zorshme për zërin e çjerrën
Më duhet të nxitohem ta përfaq kohën që s’e njoha,
Të mësoj për ato që s’i përjetova
Diferencat e heshtjes dhe zhurmës
Prandaj qiriun e errësirës e mbaj me duart e mia të rënduara
Në ballin e djegur ku sfiliten- bëjnë betejë fjalët
Hahen metaforat me ironitë e dehura përgjaken përtokë
Luftojnë njëra-tjetrën s’e durojnë dot
*
As nuk e kam idenë të iki nga drita,
Edhe pse është larg, me kilometra, muaj e vite.
Ndoshta shekuj ka- thua ti me një mal dyshimi:
Çfarë domethënë kjo për një varg
Që ec me krahët e vetëtimës,
Me fuqinë e tërmeteve,
Pas shtatë fushave e pas shtatë maleve, duhet të ec
Qyteti i dritës është i rrethuar me gjemba që të mbijnë mishtë,
Me gjarpërinj e perandorë të ruajtjes së krimit,
Aty pranë kanë strofullat e tyre të pabesët, tradhtarët,
Diktatorët që çirren tërë ditën e lume për demokraci,
Dhe kontrastet e botës shihen si në pasqyrë të thyer
Kurvat dhe kurvarët, aty janë
Ka shtëpi të panumërta publike. S’ka libra e art,
Vetëm bordello me ngjyra të gjithfarshme
Ku bluhet makthi i dehumanizmit
Ka mes tyre mite të trasha sikur pluhuri nën këmbët e mia,
Dhe legjenda të shumëzuara sikur këpurdha pas shiu
*
Është rrugë e gjatë,
E lodhshme dhe duhet kaluar.
Ngritjet ramjet kanë emra të gjithfarshme,
Interpretime të përçudnuara nëpër dhëmbë të prishur
Nga pështyma me aromë pluhuri.
S’ka rëndësi, ngase ecja ka qëllimin e vet.
Tani është koha dhe duhet të marr frymë thellë,
Të heq të vjellat nga barku im i ngulfatur me pluhur,
Rrugës ndodhet Kopshti i Edenit,
Gjarpri i kuq e Kulla e Babelit në rënie
Dhe një mori orëligash që vallëzojnë më kokën në qiell,
Eva e lakuriqësuar si asnjëherë më parë, e dëlirë, e bukur,
Shtathollë e sybuzëgazë dhe plot afsh për kafshim
Dhe një degë e trashë e Pemës së Thatë
Oh engjëllushka ime, ku ishte t’ma kujtosh mrekullinë e shkrimit,
Metaforën e pandalshme në lumin e përmbytur,
Lumi rrjedh dhe ka qëllimin e tij.
S’e ndal dot rrjedhën, as nga barrikadat e mendjes së cunguar,
As nga rrezet e diellit që të pjekin prush,
As nga toka e djegur, shkrumb e etur për ujë
Ku piqen mendimet tona sfiliten e sfidohen
*
Oh, e dashur, të kam lodhur në qetësinë e lumit të dashurisë
Me prologun lodhshëm të metaforës së keqe,
Megjithatë të lutem ke kurajo të më dëgjosh:
Rrugës që kanë për të kaluar këto vargje,
Mund të jetë strehuar në ndonjërin kënd të vetmisë,
Një pjesë e ndryshkur e qenies sime,
Më duhet ta prek, edhe pse kundërmon qelbësirë
Mos u merakos, birit tonë Luisit asgjë s’do i ndodhë
Është imunë ndaj të palarave, pluhurit e pabesive
Ndaj urisë e miteve të gjithfarshme,
Është imun shpirtushka ime
Edhe ndaj diktatorëve e strofullave të panumërta me ujq.
*
E dashur, dëgjo dhembjet e mia të vjetra e të reja,
Dhe klithmën e lemerishme të artistit mistik, OH!
Dëgjoje lahutën e artistit që rri si qiell hijerëndë mbi ne
Dëgjoji të rrahurat e damarëve të tokës që pëlcet nga eshtrat e artistit
Me të cilët u ushqyen qentë… qen të çmendur e perandorë të vdekjes.
Arti i tyre është dekor si pudër kurvash
Dëgjoje një rrebesh i pafundmë po sillet rreth kokës,
Më duhet të ndalem, të marr frymë thellë,
Të lë mënjanë biografitë e trashë me gjak
Sepse zgjohen zogjtë nga foleja e qetësisë e na bëjnë zhurmë,
Të kthehemi tash te pylli ynë i fshehtësive,
Aty i kemi armët: vargjet, bukën, metaforat e trasha me ironi,
E pra, tash, gjërat do marrin kahje më të perfeksionuar,
Më duhet të flas shumë e të këndoj më duhet,
Është koha e jonë në universin tonë ka aq shumë vrasje,
Prishje të klimës globale, ka e dashur, përçudnim të moralit,
Dhe çdo ditë e më pak art,
Brohoritet furishëm Zoti s’ekziston
Nga turma të humbura në epshin e kohës
Brohoritet e dashur Zoti është i yni,
Të vrasim Zotin e të tjerëve, ç’trishtim e dashur.
Fëmijë të përdhunuar, vrasje të gjithfarshme:
Motive të mbytura në shikimin e verdhë
E apokalipsia s’është gati.
*
Prandaj më duhet të lëviz busullën e metaforës së përmbysur
Drejt majës së qytetit mbi kodrën e dashurisë.
Dhe ki mendjen e përcilli vargjet:
Kjo poezi, s’ka sy, por i duhet të shohë vëmendshëm
Kjo poezi s’ ka gojë, por i duhet të flasë shumë
Kjo poezi s’ ka veshë, por i duhet të dëgjojë
Ato që s’thuhen, dëshirat e heshtura e të panjohura,
Kësaj poezie nuk i shkon zëri, melodi përcjellëse s’ka,
I duhet të këndojë, përtej shtatë palë kodrave e maleve të dëgjohet,
Ditët po përplasen njëra mbi tjetrën,
Unë bëj udhëtimin tim me libra, art e dashuri,
Luisi biri ynë le të flejë në ëndrrat e lojës së ujërave të pafundme,
S’ka asnjë arsye të brengoset,
E pra, e sheh, ditët kalben, kundërmojnë qelbësirë,
Hidhërimin e Akilit më duhet ta mposht,
Ka kohë për të pabëra të shkruhet,
Kam shumë rrugë për të bërë,
Ende jam në hapin e parë, do të ec me këmbët e të shpejtit Akil
Me vete kam ndjenja të përgjakura,
Mendime të kafshuara nga egërsitë e kohës,
Kujtime që prodhojnë vdekje, frikë, ikje,
Kjo është bibla e pashkruar në trajtat e Ferrit,
Asgjë s’më bën të kuptoj si kalohet në Purgator,
Madje asgjë s’më bën të kuptoj ku është dera e Parajsës,
Me terrin hahem, hahem sa fort përleshem shpirti im,
Kuptoje betejën time, të lutem e dashur
Më duhet të mësoj rrugën e Dantes,
Ai bëri rrugën më të madhe në botë.
*
Tash dëgjo vëmendshëm: në portën e Parajsës s’ka roje.
Marr frymë thellë dhe përleshem me terrin hahem sërish,
S’e dua asnjëherë. Duhet ta flak
Kemi luftuar e dashur me shekuj me terrin e padrejtë.
Ti s’pajtohesh me mua, terri është qetësim i shpirtit,
Shtrat e epsheve tona, më thua,
S’ka metafora, histori as fabula për artin e dashurisë
Unë të puth butësisht… qetësisht dhe më duhet të them,
Më le mua të ec në dritë e dashur…
Dua ta kaloj këtë udhëtim nëpër dritë.
Asnjëherë s’i kam besuar errësirës,
Kjo s’është lojë fjalësh as simbole surealiste
E dashur, para se të nisem në hapat e parë,
Gjarprin tek pragu i shtëpisë mos e shkel,
Ec si një baletane mbi lëkurën e tij, s’do të kafshoj,
kështu i përvijohesh tradhtisë, pemës së vdekjes
Pas disa hapash e gjënë pemën e jetës
Gjithsesi nisja jonë duhet të kaloj nëpër kronika të shumta,
E duhet të mësojmë shumë gjëra,
Misteret e panumërta që ruan “bibla jonë e heshtjes”,
Gjithsesi më duhet të kuptoj të pakuptuarat e të pathënat
Të pashkruarat dhe enigmën që më cytë drejtë malit të shenjtë
Si ndodhi që për besim ndaj Zotit
Abrahami të provojë vrasjen e të birit…
Oh e dashur, sërish më duhet të ndalem,
Një çikë pauzë më duhet, është rrugë e gjatë,
Frymëmarrja ime është paksa e lodhur,
Më duhet të përshkoj shtatë palë kodra,
Male, pyje me bisha të shumta,
Rrugë të boshatisura nga nëna të devijuara,
T’i përgjigjem pyetjes:
Ku e gjeti Abrahami besimin për të vrarë djalin vetëm për besim ndaj Zotit?
Kohët puqen, herë puthen e herë urrehen
Në kohën e paemër baballarë vrasin e armë gjëmojnë,
Dhembja humb kuptimin
*
O Zot ç’përfytrim i trishtueshëm më ngjall makth
Ç’oqean i madh që gjendet para hapit tim.
Më duhet ta kaloj në këmbë.
Si mos të trembem nga stuhitë detit,
Tërbimet e përbindshave të tij,
Nga valët që puthen natën më qiellin egërsisht.
Koha ec me shpejtësi e dashur,
Koncepti i kohës më ka përbirë në ujëvarën e metaforave,
Të armatosem duhet nga pabesitë e kohës,
Dvarrësit e ideale, rrënuesit e poezisë.
Prandaj të jam përberë të mos ecim nëpër terr, nuk ka besë.
Ora po puthitet, kambanat kishës rrahin,
Ta ndezim një qiri për të shpëtuar dashurinë
E sheh si rrënohet çdo ditë, në të katër anët sulmohet
Të kurorëzojmë vetën e bashkë me të
Dashurinë dhe udhëtimin tonë.
O Zot, sa pak Don Kishotë ka bota
Sa shumë që ka nevojë për ta,
Për diell të zi nuk kemi nevojë s’kemi syze për të mbrojtur –
Do thoshte miku i im poet.
E dashur, koha na thërret për kremtet e ringjalljes,
Të rrëfehemi para vetes dhe identitetit tonë.
*
O shpirtushka ime e sheh ka mjegull
Duhet të biem në lumin e gjumit tonë,
Të mos e trazojmë për asnjë sekondë të nesërmen,
Dielli sapo të lindë do të nisim pelegrinin tonë,
Rruga është e gjatë ne jemi bashkudhëtarë të erës,
Do të triumfojmë e dashur,
Tash mbylli sytë, bota po pushon në atë shikim,
Unë përleshem me metafora hahem me terrin e zi,
Nesër sapo të hiqet mjegulla, të bjerë rrezja e parë mbi dhe
Nisemi për në pelegrin…
Qyteti në majë të malit na pret me padurim.
Është qytet imun ndaj akullit, sëmundjeve, të ikim tash…
VETËM HESHTJE
E dashur… më pyete me shikimin e vrarë
Në pikën e panjohur ku derdhet heshtja jonë
… Unë rashë në krahët e heshtjes si fëmijë
U përkunda derisa sytë e mi panë zjarrin… flakën
Nën duart e ëmbla të heshtjes…
… Dhe pashë pikën e paparë nga ti:
Atje, e dashur është metafora e poetit ku s’do e shohësh dot…
*
Lehtësisht pëshpërite se heshtja është e ëmbël.
Prapë heshtje dhe ti pëshpërite e trembur,
E dua vetëm heshtjen ndërkaq ajo u plandos
Unë rashë në krahët e saj si fëmijë u përkunda,
Derisa sytë e mi panë zjarrin nën duart e heshtjes.
Si gjithmonë vetëm heshtje dhe qielli i vizatuar
Si femër e përthyer në ngjyrat e piktorit
Hënë e shndritshme vetëm heshtje dhe ca dënesje
Të herëpashershme, lehtësisht luhatet si në teh shpate
Koka ime mes heshtjes e zhurmës, kah t’ia mbajë më përpara
Shpirti im e sheh si digjet mjekra ime e palarë
E sheh, mos ta trazojë heshtjen adresës së panjohur,
Në heshtje bredh në mënyrë rraskapitëse
Me gjymtyrët e mia të rënda e të copëtuara nëpër kohë.
Kohë e vështirë e është kjo për metafora
Moti i kujtimeve të pashkruara asnjëherë të kënduara
Shpirti im përtej heshtjes shoh një ëmbëlsi
Pikërisht në pikën që ndan heshtjen dhe zhurmën,
E paprekshme, është e shenjtë e delikate.
Sa larg gjendet! E, para se të përcaktohem për njërën,
Më duhet të pyes, të lutem, sërish në heshtje:
Ta vras apo mos ta vras heshtjen … më thuaj!
Mbi gjakun si lumë të saj, të ecë bashkë me qiellin,
Me zhurmën e tingujve të padëgjuar më parë,
Me trajtat e poezisë së pashkruar më parë,
Ne refrenet e këngëve të pakënduara më parë,
Me portretet e pikturave të papikturuara më parë.
*
Më thuaj e dashur, cila ia vlen!?
Ta vras a mos ta vras heshtjen,
E bukur si asnjëherë, më the duke gërrhatë si gjumë:
Lum’ ata që besojnë në dashuri,
sepse atyre iu përkasin thesaret e panumërt të tokës;
lum’ ata që besojnë në dashuri,
sepse atyre iu përkasin thesaret e panumërt të qiellit;
lum’ ata që gjunjëzohen për dashuri,
sepse në katër këndet e botës kanë shikimet e shumëfishuara;
pastaj serish më the:
lum’ ata që besojnë në dashuri,
sepse i përkasin Krijuesit
Për shtatë ditë krijojnë botën prej asgjësë.
Lumenjtë kanë një nisje dhe një fund,
derdhen dosido shpirti im në qëllimin e tyre,
e, unë asnjëherë s’e kam analizuar atë qëllim.
Më duhet të marr një çikë pauzë.
*
T’më kuptosh zemra ime duhet të shkëputem nga gjoksi yt epshor
E të hidhem në krahët e monologut,
Aty më duhet të kërkoj kohën time të pashkruar,
Është trashë koha ime aty,
Pluhuri si marimangë gërdie ka lëshuar shtat,
Dhe një e zezë vrasëse sillet si ylber
Ndërsa gjarpri nxjerr pas secilit pickim kokën lart
Dhe molla e kafshuar në mëkat mbetet e thatë
E gjithë kjo ka një aromë mbytëse
Të papara në filma tragjedish hollivudiane,
As nga gjyshi im, as nga stërgjyshi im, as nga prindërit e mi,
E pra, më duhet dosido ta ngjesh e ngjesh mirë këtë temë,
T’i fërkoj me freskinë mëngjesore legjendat e mitet
Që janë pështjellur si lesh i pakrehur nën këmbët e mia.
S’ka alternativë shpirti im, më duhet
Ta trondit fjalën e qelbur,
Do kundërmojë pakëndshëm, helmushëm… duhet të durosh!
Ose ti fli e qetë, sërish do kthehem në gjoksin tënd
E të prehemi në qetësinë e lumit të dashurisë.
*
Mos harro, lumi rrjedh përgjithmonë,
Anipse nganjëherë valët e tij ndryshojnë
Trajtat, ritmet, përmasat.
Dhe ja ku dolëm, lumenjtë rrjedhin dhe derdhen
Në një cak. Ky është qëllimi i tyre.
Pastaj e trembur prishe heshtjen, pa më dhënë përgjigje;
Cilën ta vras heshtjen a zhurmën, shpirtushka ime
Sythi yt preku qiellin si engjëll dhe
Më pyete me shikimin e vrarë
Në pikën e panjohur: Ku derdhet heshtja jonë?
Më bërtite në ligjërimin tënd të pazakontë
Unë s’të thashë asnjë përgjigje, madje asnjë fjalë,
Asnjë shikim, madje as përqafim,
Asnjë puthje të qetë në dridhjen e parë që pësoi heshtja,
Në goditjen e parë që pësoi imazhi i saj i trembur.
Dhe shikova pikën e paparë nga ti: Atje,
E dashur është metafora e poetit ku s’do ta shohësh dot.
*
Dhe një gjë ta kesh në mbamendje:
Atje nuk shohin sytë e zakonshëm.
Ti, si asnjëherë nuk e ndale kureshtjen
Të mësosh pse duhet heshtja për ta thënë!
Ato që bota s’di t’i kultivon në regjistra
Dokumentesh burokratike,
Ku bibliotekat ruajnë rrena që rriten deri në qiell
Në fjalime e konferenca të panumërta absurde,
Në ligje të panumërta që të pëlcasin kokën,
Në teatrin absurd beketian,
Ku dramat antike e moderne janë bërë lesh…
*
Në trajtat më çoroditëse biseduam për procesin,
E ndërlidhëm me krijimin,
Zotin e paparë dhe shtatë ditët e magjike mbi tokë:
Ai tha dhe u bë mësim i përjetshëm
Në fillim ishte fjala, pastaj Adami, Eva
Një gjarpër i kuq mes tyre e dashur,
Çuditërisht u gjend, e kupton?
Kjo histori që ka një analogji rrënqethëse
Është e rënd të mbahet mbi supe,
Dhe procesi nuk u ndal, ai ende është proces.
Rrugëve të Parisit apo Pragës një personazh vdiq si qen,
Por të mos harrosh, ai mbeti proces dhe sërish u ngjall.
Tash më duhet t’i them mjaft më dialogut tonë të pazakontë,
S’do na kuptojë as heshtja jonë ndoshta, askush,
Ta vrasim zhurmën atëherë.
*
Unë sërish do të kthehem në gjirin tënd, butësisht me prit,
E dashur do të kthehem dhe do përkundem në mallin e heshtjes.
Se dilemat e mëdha me qenë a mos me qenë, nuk sqarohen me heshtje,
Më duhet zhurma, fjalët e lidhura me kuptimet e zorshme,
Për veshë të shurdhër e koka të trasha!
Tani po ec pas zhurmës,.
Bota e çartur vrapon si në një maratonë të pafund.
Ne lojtarët e parëndësishëm, poetët, të dashuruarit e gjithfarshëm,
Gjendemi nga parafundi a fundi, aspak s’ka rëndësi,
Mos u brengos të lutem, ne jemi në maratonë,
Dhe kjo s’është alegori për të pagdhendurit,
Mos e pandeh as për humor sarkastik, as tallje.
Është hera e parë që kam frikë, por mos më pandeh për frikacak,
Kam frikë, në palcë e ndjej,
Ashtu siç ndieja butësinë e trupit tënd në heshtje, shpirti im.
Megjithatë duhet të ec,
Nuk kam kohë të pres, duhet të ec…
Rrugës ka shumë gjarpërinj,
Ka mace të çartura që vrapojnë drejt meje,
Fëmijë të lënë rrugëve, e dashur… ka perandorë të vdekjes,
Ka diktatorë që jetojnë për të vrarë
Sa shumë ka të tillë shpirti im!
Po, syresh që shumëzojnë urrejtjet me spermë rrugësh,
Ka kurva që kërkojnë të dehem me to,
Të bëjmë dashuri në mënyrën më të çmendur,
Ka para e thesare të shumtë,
Më duhet të kaloj mespërmes tyre si Alkimist.
Mos u brengos asnjëherë, s’do të dashurohem në shkretëtirë,
As në arabet e çmendura për dashuri,
Ke besim, asnjëherë mos dysho në misionin e fjalës;
Të ta përkujtoj se Penelopa s’ka pritur kot,
As Odiseu nuk ka kërkuar kot natyrisht.
*
Dhe ja, sërish dolëm tek qëllimi,
Kemi arsye të ngrehim dolli e dashur,
Para se të nisem krahëhapur drejt qëllimit,
Më duhet të heq të ftohtit, nata po shkon në të sosur,
Nesër duhet të kërkoj,
Lëkurën e frikës më duhet ta heq, të lakuriqësohem.
Po agon ditë e re,
Disa zogj trokasin në dritaret tona me ritme mallëngjyese,
Mos u përmallo, shpejt do kthehemi në folenë e heshtjes,
Tash, sapo të bjerë rrezja e parë e diellit mbi tokë, nisem
Drejt zhurmës, nëpër shtatë palë kodra e male,
Deri në qetësinë absolute të cilën e njeh vetëm misteri i ironisë,
Kam shumë rrugë për të bërë në universin e gjatë,
Rrugëve me përplot kthesa, rreziqe e tundime!
Je e vetëdijshme e dashur, ka dreqër me brirë, mjekra të pakrehura,
Të shpallur profetë e antikrishtë, zotëra e zotërinj padronë,
Të atillë që na përbejnë në Zot e Tokë,
Mos u merakos, kam për mburojë metaforat,
Për armë ndjenjat, për misionin fjalën,
Për fe dashurinë, për kurajo poezinë…
Tash do përqafohemi fort,
Rrezja e parë ra mbi tokë dhe mbi këtë varg,
Më duhet të them fund por jo lamtumirë!
Do nisem tani…’
NË PASQYRË THYHEN KUJTIMET
Përdridheshim e i shtrëngonim dhëmbët,
Gishtërinjtë i mblidhnim grusht,
Sa fort shtrëngonim duart
Teksa vjeshta puthiste natyrën,
Ne strukeshim në folenë e dashurisë,
Thellë e më thellë, Engjëllushka ime
Të vetmuar me erën si bashkudhëtare,
Na mjaftonte heshtja dhe dy trupat e etur
Për të mësuar gjumin e lumturisë
Lumin e rrjedhshëm dhe këngën e afshit
I vështronim të hutuar kohët si putheshin
Herë me afsh e herë me urrejtje ujku,
Të strukur në folenë e dashurisë,
Teksa mësonim të fshehtat e jetës
Kur erren kohët, shiu pushon,
Çelet natyra, qielli heq lëkurën e zezë,
Më pëshpërite në vesh – vetëm dashuria zbrazëtirat mbulon
Në s’dinim nëse ishte ditë e hënë a e premte e lodhshme,
Gishtërinjtë i mblidhnim grusht,
Sa fort shtrëngonim duart
Nëpër ëndrra mëngjesore pa kalendar
Mësonim ëndrrën e paparë
Dhe gjumin e dashurisë nuhasnim
Numëronim frymëmarrjet dehëse,
Psherëtimat e padeshifruara folesë të dashurisë
Kilometrat e pakaluara që prisnin ecjen tonë
Dhe ofshamat si të çmendur lumin e pasionit
Si engjëj kapeshim e kapeshim pas yjeve,
Për të kapë pikën e fundit,
Përdridheshim e shtrëngonim dhëmbët,
Me kupën e dashurisë mbi krye,
Drejt Pemës së Jetës lumit të dashurisë
Gishtërinjtë i mblidhnim grusht,
E në ballë valëviste flamurin e ri,
Betejë e përjetshme për triumfin: dashuri.
MALLI
Zemra ime mbëltohet
Me sytë e tu
Që rrugëve heshtur përplasen
Presin dhe vetëm presin
Mbi majën e kodrës së dashurisë
Një re diellin e mbyti
Fjala e vrarë nuk shkruhet me shkronja të njoma
Se duron ironia e thartë
Unë (s) pendohem për fjalët e pathëna
Zemrën time
Krimbat e bluajnë apo s’e bluajnë
Koha le të nuhatet në mendimet e tretura
Ngjyrat e kohës janë pa shije
Dhe tundja vend e pa vend
POET ME U BA
Mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh
Për secilën fjalë, për secilin varg.
A. Shkreli
Dje jetova për sot Poet të bëhem.
Ëndërrova gjatë
Nëpër natën e gjatë që humbi në horizont,
Në natën e veshur me lëkurë muzash
Recitova dymijë herë këshillën poetit
U përgjaka në ëndërr sa trishtueshëm i kafshova vargjet,
Thonjtë më mbetën në vargje pikëllueshëm
Kupa e Enigmës për pak sa nuk u përplas ballit tim,
Aty ku bluhen mejtime për Ty,
Ku zihet dielli e vullkanet e panumërta.
Në teh të dilemës recitova vetës dymijë herë këshillën e poetit
Me vargje s’mund të prekësh thellësitë e Tokës e lartësitë e Qiellit
Për vargje nuk vdiqët, thonë të pagdhendurit për poezi
Sot jetoj për nesër…
Poet të bahem
Me qirinj të mbyt terrin kafshues
*
Mbi Kopenhagë shfaqen re të bardha shiu.
Ngjyra blu s’ka më në qiell
Ca ide marroqe bredhin nëpër hapësirë
Teksa maratona e kuptimeve peshon rëndë në kozmos
Në majat e poezisë aty ku puthitet qielli me tokën:
Të ecësh nëpër Ferr, Purgator për në Parajsë s’është gjë e kotë,
Ku sytë e rëndomtë s’shohin gjë,
As sytë e kaltër të suedezeve shtatholla
Vetëm gjunjët e përgjakur dinë të ecin pafundësive,
Dhe sytë e Mona Lizës shpojnë kështjellat antike
Fortësinë e mureve të mendimeve.
Ca yje të përgjakur pikojnë si kujtime kohësh,
Sa mistershëm pikojnë mu në ballë të poezisë.
Dhe pra poet me u ba domethanë
Me u çjerrë sa herë të bjerë shi mbi tokë,
E sa herë të ketë rreze në qiell,
Me u ushqye me vargje, poet me u ba,
Domethënë me fluturue sikur zog nëpër qiell,
Me prekë sa e sa thellësi.
Me shkue te Kodra e Dashurisë,
Ku puthen qielli e toka, me pa çka nuk sheh bota.
Ku nuk shkohet me këmbë, veç me gjunjë të sakatosur.
Me u ba poet domethënë me besue në dashuri,
E me pika uji me mbushë oqeanin e thamun: Dashuri e Poezi.
QIRIU
Ditën e parë të javës së madhe
Në mesditë dielli u zbeh
Terri na thithi sytë
Dhe qiriu doli nga bodrumet
Mori trajtat prej dylli
I ndezur për shndritje
Të mbytë errësirën
I ndezur për ngrohje
Në një dimër të ngrirë
Errësirës së pafundme
Në një natë veshur me uturimën e ujqve
Qiriu
Nuk u përballoi erërave
Deri sa gjithçka mbeti errësirë e pafundme
TEK KËSHTJELLA E HAMLETIT
Zbres rrugës së heshtjes,
Mbi koka tona rri qielli hijerëndë
Anija çan detin e trazuar,
Për të prekur dhembjen e bukur
Matanë timonit rri Kështjella e Hamletit,
Misterioze me heshtjen që trazon
I shoh sytë e pikëlluar të Hamletit
I djersitur nga trazimet,
Dhe mallkimin që pikë nga qielli
Vizatuar mureve të larta
Ku sytë e mëmës tradhtare,
U dehen në mashtrim
Dhe këmbët e përvuajtura të Shekspirit Hyjnor
Dhe botën si i pushon ëndrrat,
Bashkë me ankthet dhe trishtimet
Në atë Kështjellë.
GJASHTË SHKRONJA…
Gjashtë shkronja si rrumbullakim i gjashtë ditëve të krijimit mbi tokë
Të shtatën ditë Kopshti i Edenit ishte shtrat i etshëm për dashuni
Eva nuk humbi kohë të zhvishej!
Më gjashtë shkronja mbushen lumenjtë
Në drejtime të kundërta ecën bota,
Me gjashtë shkronja gjen pikat e bashkimit
Me gjashtë shkronja edhe kodra që prekin qellin mund të ngrihen
Vetëm me gjashtë shkronja mund t’harmonizosh miliona vargje,
Të këndosh pa u ndalë, si zog pranveror në katër këndet e botës ta përhapësh këngën
Me gjashtë shkronja shkohet mbi retë e qiellit e në terrin e thellë të tokës,
Me gjashtë shkronja mblidhet bota në shuplakë dore:
Dashuri
KOHË E ZEZË
Kohë e dhunuar
Parakalojnë kujtime
Si nëpër teh shpate ecin pafund e pa qëllim
Maratona e ideve ndalet në mes tregut prej hajdutësh
Rrugëve me bisha dhe lypsarë hijerëndë
Parakalojnë kujtimet sikur në batalione pushtuese
E parada tradhtish defilojnë
Në sythin e pafajshëm
Zbehet ngjyra e jetës
Në gijotinë vihen idetë
Dhe mbytet shpata
Njolla gjaku të pashlyera
Vritet koha keq
Ditët njëra mbi tjetrën qelben
Kohë e zezë
Dhe rruga për në pyll
Dehumanizon…!
AT PJETËR BOGDANIT
Sa vështirë e patë t’i mbërthesh gjitha ato male në gjoks
E ti, si shkëmb i rrëmbeve me një gisht
Vërtet ishe shkëmb,
Dhe mbi atë shkëmb u ndërtua shumëçka
Pastaj u rrënua gjithçka
Përpos idesë tënde
Një qen i zgjebosur që të kafshoi për së vdekuri
Defilon gjithë ditën nëpër Prishtinë
Hasi është më i bardhë se bora
Dhe nuk shihet nga Prishtina
Çeta e ideve tua gërryen tokën nënë këmbët tona
Na çart shikimi yt prej shkëmbi
Dhe frikohemi ngase qenin akoma s’e kemi lidhë
Megjithatë, Atë i dashur,
S’na the asnjëherë
Si kapërtheve me një frymë perandorinë e vdekjes
Dhe e ia prishe gjumin prej bishe
S’na the si i mblodhe gjymtyrët pas shtatë kodrave e pas shtatë maleve
Dhe Bjeshkët e Nemuna i bërë të shenjta
Nuk na kallëzove si i kalove me një hap gjitha ato male
Për të shkruar historinë në rrënjë që kalbeshin keq
Mu në zemër të tokës sime
Aty ku të përbaltën
E mbi trupin tënd u ushqyen qenë të çartur,
Dhe nga eshtrat e tua u ngritën tempuj të gjithfarshëm
Asnjëherë këtë s’na e the, At i dashur
AT GJERGJ FISHTËS
At Fishta dinte të dashuronte,
Të qante me lulet e vjeshtës,
Dhe hutat e trishtueshëm
Të këndonte me zanat e pranverës,
Atë Fishta dinte të dashuronte aq shumë,
Sa të flakëronte zemërimin,
Në kupë qiellit ta pëlciste,
Me zana e heronj dinte të këndonte e të qante
Edhe në derë të parrizit, si Dante dinte të notonte,
Prej Shën Pjetrit për Arbërinë të mësonte
E pra, vetëm Atë Gjergji dinte ashtu të këndonte.
NËNË TEREZËS
Atdheu yt brenda kozmosit
Nuhat dhembjet çdo cep të botës
Dhe tejkalon kufijtë e hekurt të urisë
Duke demantuar gjitha idetë e marra
Se bota s’mund të pushtohet pa armë
Me bujarinë arbërore
Shikimi i yt prej tërmeti
Paralelisht
Puthi dhembjet dhe urrejtjet
Me dashuri ndërtoi kështjellën e pamposhtur
Nga uji i lotëve prej të varfërve të gjithfarshëm
Në çdo cep toke nga një pikë uji dhe pak bukë
Ujite kohët dhe lulet e fikura
Duke pagëzuar përjetësisht emrin shqip
ANTON PASHKUT
Oh, një yll në qiell u këput,
Në buzë të detit të egër ra,
U dogj, sa çel e mbyll sytë u dogj
Një yll,
Oh, sa klithmë e lemerishme,
Bërtet qielli e mërdhin
Vishet me lëkurë të trashë
Toka gjëmon me bubullimat e furishme,
Me oshtimën e valëve të detit idhnak
Oh, sa psherëtimë e thellë, e mistershme,
Sa trishtuese e sa e ëmbël
E fshehur, e ruajtur me shekuj në harrim,
Oh, mister i përjetshëm,
Klithmë e pashpjegueshme
Në zemër të artistit mistik,
S’kuptohet dot kjo klithmë,
Kjo ofshamë mbytëse
Pa i numëruar shekujt në gishtërinj,
Pa i përshkruar me imtësi dashuritë,
Gratë e lakuriqta dhe psherëtima
Gjatë kafshimit të mollës së ndaluar,
Gjarprinjtë rrugëve të kryeqendrës sonë
Dhe pema e mbjellë në urën e jetës
Pemët e thara dhe toka e mykur
Pashku,
Një klithmë të madhe la testament…
DARDANIA ANTIKE
(Ibrahim Rugovës)
Kur t’lypsej me veshë lëkurën e Dardanisë antike
Të rrudhur e të përdhosur
Nëpër shekuj të harruar dhe pluhurosur
Ne s’dinim as për Florin as për Laurin
As për ëndrrën e ringjalljes
Në mësove shumë
Shkëmbinjtë dhe zemrat e ngurta t’i bëjmë të qajnë,
Të qajnë edhe gurët, edhe gurët të qajnë
Me lotin e tyre të ujisim shekujt në harrim
Kohët e zeza t’i zbardhim, t’i zbardhim kohët e zeza
Të mbjellim Pemën e Jetës
O Princ, kur t’u kërkua të veshësh lëkurën e Dardanisë Antike
Hoqe të mbathurat nga këmbët
Dhe shekujt e harrimit i kape me shuplakë dore
Lak i lidhe shekujt fort e më fort
E me yllin e shenjtë në ballë ece, ece…
Tundej e tundej pluhuri i kohëve të zeza
Ne na zihej fryma
A, nga buzët Tua dëgjonim:
Hiqni të mbathurat nga këmbët,
Ngase vendi ku shkelim është i shenjtë
Ne trishtoheshim nga heshtja e magjishme e ëndrrave shekullore
Trishtoheshim nga nata e gjatë
Për premtimet e Tokës së Premtuar
Sa shpejt kënga mori malin, fushat, qielli këndonte, këndonin edhe zogjtë
Zogjtë bashkë më qiellin bashkë me fushat
E zëri Yt u shndërrua n’simfoni
Ne ecnim dhe dëgjonim peshën e rëndë të Fjalëve
Dardania, ky Vendi Ynë i Shenjtë
Ëmbël tingëllojnë tingujt e magjishëm të muzikës së fjalëve tua
Vendi ku shkelim është i shenjtë
Kur buzëqeshja t’ngrysej
Ne dridheshim në ankth
Çdo të premte si Krisht na dëftove profecinë e ringjalljes
Të mësuar në pluhur e errësirë,
S’dinim as për dritë
As për këngën e dashurisë
Çdo kohe i dhe shpirt, me shpirt i mbushe kohët
Shekujt e harruar, shekujt në trishtim
T’pllandosur thellë e më thellë me shpirt të egërsuar
Historia e çnderuar përballej me egërsinë
Ballëhapur nëpër flakë zjarri ece e ece
Atë ditë kur vdekja t’i puthi buzët
Kënga t’u ndal në majë gjuhe
Në lot u shndërrua Dardania
Qanin fushat, malet, o sa shumë qanin
Qante buzëqeshja jote, drithërimat dëgjoheshin n’qiell
Qante refreni i ëmbël i këngës, o sa përmallshëm qante
Që askush s’mund ta këndojë më si Ti
Pluhuri shekullor i shkundur
S’jetonte
As Dardania e rrudhur
Vetëm fjalë të shenjta, të shenjta bekimi dhe dëftimi: Dardania e Shenjtë
Ne pamë ëndrrën tënd të fashitur nga vdekja
Sa triumfalisht këndohej
Jo vetëm nga ata që këndonin Ilirisht
Atë ditë kur vdekja t’i puthi buzët
Në humbëm diellin, ngrohtësinë e tij
Atë ditë ku vdekja t’i puthi buzët
N’ katër anë dëgjonim zërin e Kangës tande
Uashington, Bruksel, Vatikan, Londër, Berlin:
Kosova, Dardania, Ky vendi Ynë i shenjtë.
Atë ditë kur vdekja t’i puthi buzët
E Dardania u mbyt në lot
Qielli galdonte
Sa mrekullisht u bashkove me, më të dashurit e Tu, që aq shumë i mbaje në gojë,
Gjergjin e madh, Bogdanin, Nënë Terezën, Papa Gjon Palin e Dytë
Ne dridheshim deri në palcë dhe fshinim sytë,
Teksa kënga jote dëftohej e dëftohej:
Pas së Premtes së Vdekjes vjen E Diela e ringjalljes
Na shpalle Ringjalljen triumfalisht-por tash me sy të vdekur
Poetët mbetën pa fjalë, pa fjalë mbetën poetët
Grigja këndonte refrenin tënd, që askush s’mund ta këndon më si Ti,
Jehonte, o sa furishëm jehonte:
Grigja sa mirë këndonte: të duam Dardaninë Antike, këtë vendin Tonë të Shenjtë.
POETI
Rifat Kukajt
Ai si orakull,
Copëzat i bane të tana,
Të tanat i bane copëza.
Këndoi për fëmijë, bëhej fëmijë.
Këndon për qiellin, shndërrohet në dashuri
Poeti u lut e këndoi si Krisht:
“Leni fëmijët të vinë tek unë, sepse vetëm atyne iu përket mbretnia e Hyjut”
Me magjinë e mësuesit,
Me zë të Orakullit, u shndërrua në kor, në kor u shndërrua e ambël kumboi
Poeti këndon, këndon o sa ëmbël që këndon,
Edhe kur ka vaje në tokë, edhe kur qielli vner hidhërimi lëshon,
Eh, vetëm poeti ashtu di të këndojë.
Poeti këndoi, pa u ndalur këndoi, o sa mirë këndoi,
Edhe kur qielli qante,
Edhe kur toka pëlciste nga damarët e mbushur me gjak,
Edhe kur fëmijët nuk e luanin lojën e magjisë fëmijnore,
Edhe kur nanat qanin pyllin e fortifikuar, me foshnje në dorë… në ikje
Poeti Kukaj këndonte,
Ai e dashti kangen,
I dashti vargjet,
Rimat,
Ritmet,
Pikëpyetjet
Poeti këndoi
Për engjëjt, demonët,
Për kangët e lashta,
Për mallin arbënor,
Për gjakun e pastër,
Për idealin pranveror.
ZANI I NANËS
I ambël asht zani i nanes,
Prehja e qetë e andrrave të patrazuara
I ambël si zog ditëve pranverore me melodi të magjishme
Aty shkëlqejnë sytë e thellë të botës,
Aty si tërmet pëlcet dashuria
Shkëlqen dashuria me rreze të pandërprera
Më të veçanta, më të papërsëritura
Oh, sa i ambël është zani i Nanës
Bashkë me tingujt e mëngjeseve të jetës,
Bashkë me Abc-të e magjishme të ngritje ramjeve
I ambël është, po i ambël asht zani i Nanës
Blerimeve të gjelbëruara pranverore
Nën puthjen e rrezeve të para diellore
Të ngritje-ramjeve nëpër gjunjë të përgjakur,
Oh, sa i ëmbël është zani i nanës
PUTHJA E YLLIT
Pak dritë pas territ
Vetëm për një moment
Aty është shikimi i vrarë
Sytë e afshët
Dhe mendimi i panevojshëm
Pak dritë
Sa ta puth yllin e djegur
Që e vrave me atë shikim
Vetëm pak dritë
Ta përqaf qiellin e përflakur
Vetëm pak
Dhe unë të vdes me shikimin në këtë poezi….
ETJE
Matanë shtatë kodrave e shtatë maleve
Një mijë herë pëshpëris fjalën liri
E rrethuar nga gjemba helmuese
Kufijtë e pakalueshëm për këmbët e lodhura
Të ndrydhur nga koka të tkurrura,
E hije makabre me mjekra të qelbura
Të varura nëpër stacione kalimesh
Tani përtej një mijë kodrave e maleve
Përtej një mijë kujtimeve
Dëgjoje zërin tim me ngjyrë të tëhuajsuar
Tek dhimbshëm kumbon
Në universin e ëndrrës
Bashkë më kohën kur ishim në një botë
Liri,
E mbysim dhembjen
Duke fshehur shikimin
Në kërkim të rrugës andej strukturës së shpirtit
Për të shpëtuar frymën…
KUJTESË E SËMURË
Vrajeni qiellin
Qëllojeni rrufeshëm
Le të pllakoset në tokë
Mos i ndihmoni
Edhe tokën shtirreni
Në dej të saj ndrydheni gjakun
Mblidhini eshtrat
Dhe konstrukt prostitutash ngrehni
Bëni gjithçka
Botës i ka pëlcit dreqi në sy
Macet e çartura vrapojnë gjoksit tim
Si në maratonë ekzistence
Dhe ju mos u shqetësoni
Mos u hamendësoni as mos u trishtoni
Gjithçka është e natyrshme
Të vritet një popull
Të mohohet një popull
Bëni gjithçka sepse asgjë nuk është absurde sot
As për jetën pa kokë
As për kokën pa jetë
Dhe vajin e ngrirë në buzë
TABU
Dje me the e nevrikosur me tisin e frikës që rritej buzëve tua
Si diell mëngjesor
Kurrë mos dashuro dashurinë kur botëkuptimin s’mund ta ndryshosh
Shkurajimi në baltë vlon si ujë në prush
Sot më thua, e kredhur në gjumin e heshtjes,
Si kurrë më parë me tisin e besimit si diell mëngjesor
Vuaj për dashurinë botëkuptimin ta ndryshosh
E sheh si ndërron pikëpyetja e pikëçuditja funksionet
I puth idetë e flakëruara më njëra tjetrën,
Dhe i helmon ëndrrat e ëndërruara keq
Sikur kontrastet e një botë që vazhdojmë ta shijojmë
FILOZOFIA E MARRËZISË
Kjo orë u çmend
Asfalteve të lagura me lot
Çmendurisht rrëfen logjikën
Filozofinë e marrëzisë
Lakuriq tema heq dorë nga egoizmi
Dritareve të qelbura përplaset
Dhe motivet lidhen
Pas estetikës së metaforës që vret
Ditët kalben njëra mbi tjetrën
Qelbësisht kundërmojnë
Mbytem me Homerin
Verbërisht këndoj tragjedinë
Me supe u pre qenia ime
Kultivohen privilegjet e krimit
Logjikat e pjelluna nga privilegjet
Sopata ime pret sot aty ku vret
Bari i thinjur dhe etja për fjalën
Vjen era bashkë me të metafora e qelbur
Fjalë e metamorfizuar
Dhe tek me vonë shiu dielli stuhia
Pluhuri mozaik trishtimesh
Mashtrimesh
Arti profetizon
Estetikë e fatit që agon
Sot sopat ime pret aty ku mbeti
Dje më prenë mua sot hapi rrugën e vet…
PRITJA
Nëpër dritaren e mbyllur
Grabita pritjen
Shpresën e saj prej ankthi
Në pëllëmbën time të butë
Foli
Dhe
Nëpër veta gramatikore u ngatërrua
Sot
Nesër
Pasnesër
Pritje prapë
Dritarja u mbyll
Një lis lëshoi hije të zezë
Dhe pëllëmba ime e pikturoi pritjen
SKENAR TRAGJIKOMIK
Dielli rrëshqet vrap qiellit të akullt
Mbi kodra ecin orëligat e malit
Rrëshqasin fjalët e zbehta fletëve të grisura
Dhe një poet trotuareve të mbytura
Përleshet me metaforat e tij
Në rrëzë të maleve klith fjala
Liqeneve notojnë idetë
Të dëshmojnë kohën e mynxyrave
Gjakun e bërë lumë
Kryqet e thyera
Kufomat e bërë pluhur
Askush s’beson më
Kokat e trashura veshët e shurdhër
As për masakrimet as për dhunimet
Vargu im vlon në fletë pluhur
Ballkani digjet gjaku si lumë shkon
PUTHJA
Qetësinë zhurmoi
Trupat dridhmoi
Fjalët pushoi
Zemrat flakëroi
Vetëm qielli e toka s’mund të përqafohen
As ylli të shuhet në shuplakë
Diellit s’mund t’i ndalet ndriçimi në kaltërsi
As hëna ditën të ndriçojë
Malli s’mund të shuhet me mall
As vaji s’mund të ndalet me lot
Vetëm buzët digjen të bashkuara
E shkreptijnë zjarr
ESTETIKË DASHURIE
Tundeshin flokët e tua
Mbi Prishtinë binte shi
Flokët e tua tundeshin e përdridheshin
Si valët e tërbuara,
O si valë të detit idhnak
Distanca mes kohës dhe puthjes si shpend bridhte
Mendimet i shoqëronte fërfërima e gjetheve,
Dhe hapat e menduar rëndë mes kohës dhe puthjes
Qëndronte stoike hija prej heshtje guri
Hapi i kalimit nga lëvizja e ndjenjës
Te perceptimi i dëshirës
Zgjaste shekuj
Brenda tërmetit të muzikës dehëse
Edhe ajrin e thithë me nuanca erosi
Zogj t’përmallshëm qiellit pranverak këndoshin
Bashkë me harenë gazmore,
Kur tundeshin flokët e tua,
Tundej toka, qielli tundej
E unë, çmendesha
Mahnitesha
Kërkoja të eksplodoja
Si nëpër zjarr i përhumbur kërkoja
Dashurinë
Dhe flokët tua
Dhe buzët e etura
I gatshëm edhe jetën ta shuaj mbi të qarat e gojës sate,
Mbi pikën e fundit të gjakut të mbys etjen
Dhe të shkruaj fjalën e fundit dashuri
*
Atë ditë gjithçka mund të ishte reale
Të shkreptinte koha dhe të përplaste sy
Në kupë të qiellit një pikturë bënte hije si Mona Liza në pritje
Gjithçka e besueshme në kopertonat e ditës së përveçme,
Qielli të shndërrohej në dashuri
Dashuri të dukej qielli
Të nuhas murin e përtejmë të ndjenjave
Dhe të lundroj drejt qiellit, o Engjëllushka ime,
Sytë qiellor t’i puth me kohën e…
Derisa të përgjumem mbi ta
Unë vrap pas qiellit, si erë Ikar
I etur – shkrumb i djegur
Mallin ta shuaja
Duke humbur në të,
Dashuri të ngopsha duke vdekur n’të
S’di, atë ditë vetëm kaltërsi kishte
E unë marrëzisht po dashuroja ty…
DILEMA
Kam thënë se malet ruajnë fshehtësi të paprekura,
kam thënë sa e sa herë… Se fundi i detit s’mund të preket
kam thënë e po them se poezia s’është shaka e çoroditur,
as humor i hidhur për të shpërlarë pafytyrësi rrugësh
absurdet s’kanë qenë dhe as s’do jenë dekore artesh
më mirë është të këndosh, të këndosh pandërprerë
Se të çjerrësh sa herë ik pranvera me lot përfaqe,
të verbohesh nga andrallat që humbin si bryma nën rreze dielli
dhe të vrasësh disfatën e zezë në turbulencën e dilemave
Me shikimin e thartë në pyllin e dilemave
KËNGË PËR KËNGËN E DASHURISË
Fleta e bardhë valëvitet tavolinës sime të stërmbushur me kujtime
Dhe hije që i bëjnë roje vargut tim në maratonë
Sytë m’i përpin bardhësia e fletës që tundet nga era
E thithur nga aroma e kohës së gozhduar dhe pasioni për pak ngjyrë
Që pret fjalë të prish simetrinë e pritjes
Imagjinata sillet rreth hijeve
Lidhur si penis erektik këmbëve lakuriqe të shtatë ditëve të mrekullisë
Kënga e dashurisë baladë përplot ofshama
Mall, sy, buzë, dehje, psherëtima
Drithërima dhe mbytje në mall
Imagjinata kjo që botën e çmend
Lind e vdes gjoksit tënd lakuriq
Dhe mbetet poezia trajta e çudirave që një botë e lind sa çel e mbyll sytë
Dhe kot, kjo fletë e bardhë është gërvishtur
Kot së koti pa thurur këngë për ty
Kujtimi që djeg flakë e ka përbirë këtë poezi
DIALOG
Me fol domethënë me jetue
Habitet loja e imagjinatës e humb durimin prej guri
Në rrethin e parë e takon heshtjen e veshur trashë
Në të dytin hijen e saj me një tis vetmie nudo
Në të tretin vetminë si kala antike
Timbri i kumbon si në beteja klasike:
Për heshtjen dhe dëgjimin gjithmonë u rropatëm
Edhe pse s’e kuptuam nëse dëgjimi ishte heshtje
Apo në trajtat e ferrit heshtja ishte dëgjim
Këtë unë s’e di as sot as nesër
Të nevrikosur pështyni kohën dhe ngrehinat e larta
Brohorisin turma të yshtura nga harrimi
Fjalët gjithmonë s’kanë kuptime
Të pathënat thonë janë të mëdha
Idetë e pakrehura na çorodisin shpirtin
Derisa artistët vdesin bashkë me sorrat e sëmura nëpër stuhi
Këtu kurrë s’ka fjalë të mëdha
Çmenduria kurrë s’mund të ketë logjikë
SOT…
Dhe sot vargjet s’janë më
koha e poezisë u tret
shkërdhye me kurvat e natës
rokerët me mjekra të pakrehura
vrasinë vetmitë e heshtura
kitarat ruajnë risi
historia pjellë rrena
rrenat çelin në histori
e ju nëse doni ta dini cila është dashuria ime
merreni qiellin në shuplakë, numëroni yjet në dorë
bashkë me pluhurin, verën, rakinë, tupanët, çiftelitë
merreni tokën, gjakun shtrydhjani në damarë
nëse doni të dini cila është dashuria ime,
flakeni shikimin në gozhdat e tërbuara në duart e jezusit
nëse doni të dini cila është dashuria ime
tundeni gjumin e rëndë prej ariu
Dheu i çartur hapëron frikshëm
jeta sillet si në unazë,
Herë ecim një hap para,
pastaj përplasemi dy mbrapa
jonë sillet si në unazë dhe shtegun kërkon
notojnë plagët notojnë
brenda kopertinash librash historish
pshurrin, helmojnë në kokë
të kuq gjarpinjtë, të zi
notojnë plagët
prej rrufesë pa re
tokës së sertë i pëlcet gjaku në dhe
klith koka e kohëra të shumta lidhen lak
krisma daullesh iu bie në sy gjak
sytë si një pasqyrë ku thyhen kohët, ku prehen yllësi
notojnë plagët sa në qiell sa në det,
Metafora ime e çartur diku në pafundësi pëlcet
e ju nëse doni të dini cila është dashura ime:
më mbytni me zjarr, me zjarr më mbani gjallë
barkun tim me zjarr mbusheni
zjarr le të digjet toka
qielli zjarr le të digjet
koka dhe trutë e mi
zjarr
RUAJE LOTIN
Ruaje lotin
Koha matet me imagjinatën e stolisur
Homeri i verbër u mbyt në tragjedi
Pasi nuhati shtratin e epshëm të Helenes
Pra mos u lodh të bëhesh poete
Dashuria këndon edhe pa zë
Përqaf edhe pa duar të lidhura qafëzës së njomë
Ruaje Lotin!
HARRIMI
Fjalët i mat me milimetra
Nëpër dorë mëkatarësh dergjet poezia
Mos më qorto shpirti im,
Të kam lodhur me metafora të pakuptimta
Me këto vargje kohësh të zymta
Fjala e lidhur me harrimin e pistë
Të zhbërjes së rrënjës
Që i mbijnë fletët sikur pemë vjeshte
Për t’u mbyllur në harrim dimëror
Nëpër vetmi të moshuara
Hapi im sa qielli
Çative me dëborë
E tremb harrimin
Më kot i këndojmë këngës së moçme të këngëve të lashta
Më kotë heronjtë e çartur tkurren vargut modern
Dhe kotsëkoti i vë kuptim vargut
Thellësia është e tretur pa i kuptuar esencat
Në harrim dimëror që t’i mbin dhëmbët
Baladat legjendat mitet
Shpirtëzimi i zanës
Murosja e nuses përplot butësi,
Me njërin gji jashtë vetëm për dashuri
Librat e rrënjës organike janë çekuilibruar
S’mund të përdorë barkun e Kalit të Trojës
Për t’i ikë karvanit të zhbërjes
Fati i Formulës së Pagëzimit lëngon keq
Në tokën e tkurrur çdo pranverë
Rruga nëpër Ferr është më e shkurtë
Se trishtimi prej harrimi
PËSHTJELLIM
Digjet mjekra ime
E këmbët e mia të lodhura
Askund s’mund të arrijnë
Një tym e ca shtëllunga përplasen syve
Zhurma të pakuptimta sillen nëpër veshë
Libri i historisë sime
Është djegur bashkë me Trojën
Të dashurit e mi
Diku nën Shkodër gjurmët e ikjes
Janë vizatuar me ngjyra hiri
Askush s’guxon t’i prekë
Asnjëherë s’arritëm të mësojmë
Historinë në trajtat e ferrit
Edhe pse At Zef Pllumi na tregoi:
Dante e ka shkruar Komedinë për ne
Në mërdhihemi e ikim nga dielli
S’kemi syza të zeza të mbrohemi- klith Ali Podrimja
Në parada orësh letrare dehemi
Interpretojmë si duam
S‘i dëgjojmë metaforat e prera në fyt
Mbi portrete pshurrin qentë e çartur
Teksa na thuhet t’iu falemi tempujve prej rrenash
Uratë!
Asnjëherë s’e mësuam gjuhën e Fishtës
E ai na huazoi zërin e zjarrtë në formë stuhie
Mbi kokat tona vallëzojnë tragjeditë
Dhe mbi kokat tona portretet përhapen
Kafshohen nëpër heshtje ankthi
Teksa na kërkohet të heshtim
Budallakun ta përkundim si fëmijë
Kjo s’është kohë e Kafkës
Teksa sajohen mbretër pa mbretëri
E absurditetet çelin si lule në saksi
Intelektualë shitës lakrash
Akademikë lypës ndihmash
Migjeni çdo ditë vdes i ri
Nënës Terezës lotët varrë i shkojnë nëpër gurë
Matrapazët kanë harruar pagëzimin me ujë
MBRËMJE VJESHTE
Bën ftohtë
Zemra ime ka ethe, e sheh e dashur
Si zvetënohet kënga e zogut
Pas pranverës së dashurisë
Bën ftohtë e dashur
Gjuha e zjarrtë s’bën punë
Kam ethe e temperaturë në zemër
Megjithatë s’dëshiroj ta braktis heshtjen,
Këtë fole të kënaqësisë
E, ti mos zvetëno këngën e zogut të lumtur
Pas pranverës së dashurisë
Në këtë mbrëmje të thellë vjeshte
Ku s’ka as dritë, as zjarr as lot,
Vetëm një çikë dashuri
Vetmia e përbindshme ngjitet si merimangë gërdie
Skutave të errëta të qenies sime
Ti ruaju e mos derdh lot
As mos këndo këngë të padëgjuara
As mos këndo këngë të pakënduara,
Ato nuk dëgjohen e kotë është
E dashur, po përplaset nata dita
Përqafohen duke u puthur në ballë
Për nisjen e pakthim
Bota sot vdes në sytë tu
Blerimet pranverore kanë aromën e qafëzës tënde
Botëkeqja mbath këmbët, ikën vrap
Si tingull i shkëputur i kitarës së thyer pa paramendim
Në pyllin që të tretë me uturimë vringëlluese
Kalojnë kohët përplasen njëra mbi tjetrën
Vetëm ëndrra e kallura mbeten kujtim
FATI YT
Unazave të ndryshkura rrokulliset
Gjumin e vret në heshtje
fati yt është fati im
unë s’jam profet e as Krisht s’jam
unë i besoj dashurisë
asaj që botën qetëson
asaj që botën gjunjëzon
unë lind pse ti vdes
më tha vargu, më tha dashuria
PLAGË
Ngjyrat e kontrastit kanë puthur vargun tim në ecje,
Rrugës së pluhurosur me ca pika shi që përplasin gjak
Dhe ngjyra e kuqe s’është më e kuqe
Rrugë me gjemba e kohë të mykura keq
Me një aromë mbytëse.
Ëndrrat bëjnë zhurmë prej ikjes
Dhe humbin toruan përplasen si yje
Ëndrrat s’mund të ndajnë dëshirat e përflakura,
As netëve të acarta kur kërcasin dhëmbët nga të ftohtit
Pikin lotët e përplasën dyshemeve të djegura hi
Me një gotë uiski deh kokën time
Dhe emocionet që përplasen me ngjyrat e ngatërruara syrit tim
E kuqja s’ është më e kuqe, as kaltërsitë s’i shoh
Dhe shoh mallin si këngë e puthitur me qiellin,
Dhe shoh çdo mëngjes diellor të zbehtë në fytyrë
Gruaja ime e do poezinë por nuk shkruan
Megjithatë më mësoi
Sa dhimbshëm puthitet jeta me dhimbjen
Çdo mbrëmje me shi kur kujtohen ditët e humbura
Dhe mërzia e madhe si dhembja e mbyllur me vdekjen
E pëshpëriti nëpër ëndërr strofën:
Ne s’na ndajnë ëndrrat
Askush dhe askurrë
As qielli s’na ndan,
Zoti, engjëjt as demoni
Ne këndojmë këngën e përjetësisë
Me varre e plagë nëpër shtat
Dashuria për Ty kurrë s’u mplak
Në gjithë lindim për të mos qenë një herë
E Ti linde për të qenë gjithherë
Këndoj për Ty o jetë
Për Mallin e zjarrtë
Për Shpirtin që iki në përjetësi
KUPTIMI
Tek e fundit çfarë kuptimi ka arti shpirti im
Mes gishtave të mi përvijohet shikimi yt
Dhe kalendari i grishur ku Kulla e Babelit u thye keq
Si të deshifrohen të pathënat, të pashkruarat,
E të kuptohen absurdet si lule të ujitura
Trazohet arena e mendimeve të bukura
Mëkatarë e papenduar ngarendin pas Përmendoreve Lavdie,
Ditë e natë çirren pa fije turpi nën hijen e hijes së dhembjes
Që gulçon tmerrshëm
Këlshedra prej detit gulçon
Ne puthemi pa e ditë efektin e puthjes
E duhemi pa i ditë pasojat
Më ç’paftyrësi ecet rrugës së djallit, Zot im
Me lëkurë të gjarprit veshur për të hijeshuar trupin,
Dikush thumbon e dikush thumbohet
Karikaturat e vdekjes të përdhosin trutë
Ndërkaq misteri i pafund rëndon:
Një mollë e kafshuar natën mbin dhëmbët e prishur
Dita nuk fsheh gjurmët e mëkatit të zi
Dhe ekzistencën e konceptit të humbjes
Gjarpri s’dihet në cilën ditë të krijimit u zvarrit në Eden
As për misionin e tij nuk mësuam asnjëherë
NË KËRKIM TË ZANOREVE TË HUMBURA
Në kërkim të zanoreve të humbura
Shpirti im, papritur u gjenda brenda kohëve të shkuara
Me gishtat e mi të rënduar
Mblidhja kujtimet e trashura nëpër kohë
Zërin të cilin e dogji vetëtima
Dhe idetë pështilleshin nëpër këmbë
Si gra të çmendura në shtrat
Si alkimist në shkretëtirën e trazuar,
Ec mbi plagët që të dhëmbin
Me duart e mia të lodhura
Mbledh copëza dashurish
Bashkë me dëshirat
Dhembjet
Vetminë
Dhe asgjë më pak e as më shumë
Pasioni për ndërtimin e Përmendores së Faljes
Pulson nëpër kopertina të mbyllura nga nocioni kohë
Etja për të panjohurën
Dhe transmetimin e fjalës.
DASHURI NË ERRËSIRË
Errësira kaplon hapësirën,
E pamëshirshme fuqiplote
Nata e zezë si futa përpin dritën
Në mes të kupës së qiellit dhe tokës së mukët
Shndrit si qiri i ndezur,
Të cilin era e luhat por s’e tund dot
Ashtu si flokët e tua valëvisin
Të shprishura
Supit tënd si det, oh si det
Heshtja pjell dashuri
Miliona mendime dhe vetëm një emër
Bredhin memories së ekstazuar
Teksa duart e tua të holla
Engjëllore
I ndjej butësisht rreth qafës sime
Si i përhumbur në kllapi
Asaj nate që drita shndriti për dashuri
MOTIV I RI
Edhe në ëndërr vargje improvizoj
Mëngjeseve të dehura ushtimash me aromë shiu
Kur pëlcet qielli dhe toka mërdhihet
Me batanije të ujitura me spermë
Mbështjellim pasionet që pëlcasin
Mes këmbeve të mia që dridhen
Dhe dëshirës që më çmend
Kur dielli dëneset në lot, shkrehet si fëmijë
Tinëzisht poezisë i përplaset motivi dashuri
Unë në këtë kohë kur ushqehem me helm
Ditën, natën, e mbys me tënden dashuri
Hyjnorja poezi
RRËNJËT E PEMËS
U shëtitëm rrugës së thartë
Sikurse në Kopshtin e Edenit
E gjarpri bënte hije në Pemën e Fjalës
Sikurse Zoti t’na kishte krijuar atëherë
Bashkë me Adamin e Evën
Dhe shtatë ditët e magjishme
Bashkë me dashurinë dhe urrejtjen e parë
Deformuam trajtat e kohës së keqe deri në trishtim
Plot psherëtima kënaqësie uturijnë vargut tim
Plot dëshira konfuze përpëlitën derisa japin shpirt
O Zot, engjëlli im, si ta thithnim rrënjën e pemës
Lëngun e saj
Kur fjala në gjuhë u mbyt
E tingulli në fyt u tret
Atje kaltërsisë qiellore, ka e s’ka?!
Bashkë me tingujt
E me ngjyrat
U venit Edeni
Dhe fjala e madhe: Krijim
APOKALIPSI
Ide të çoroditura apelohen sot
Bodrumeve të betonuara
Pa ndjenja
Në serinë e mashtrimit
Mëkatarët historikë
Arkitektë të vetëvrasjes
Të copëtimit të qenies sime
Imponojnë projekte
Në kasollen e kasaphanës
Ujq e qengja
Bashkë të jetojnë
Këtu pikëçuditja ka ndërruar formën e funksionin
Antikrishti shfaqet rrufeshëm
Trotuareve të zhurmshme…
Dhe predikimet e Apokalepsisë
Si në Romën e lashtë
ESTETIKË TRAGJIKE
Edhe atëherë kur qielli tregon
Si toka ka ethe
Çmendet nga vragë e plagë në shtat
Dilema mbetet më e madhe se dhembja që peshon sa qielli
Edhe atëherë kur qielli bërtet
Toka ka dhimbje
E gjaku
Pijet për të shuar etjen
Bota tund dilemat sa Malet e Nëmura
Dhe lutet e gjitha t’jetë ëndërr
E hutat na gërryejnë sytë
EKLIPS JETE
Natë e shurdhër
Teatri ynë s’ka të sosur
Në korin e trishtimit
Dhunime epokash
Përthyerje historish
Dalin në skenë
Nga trutharët bëhen projekte
Nga trutharët shemben projekte
Kantonizime
Enklava
Ndarje
Përçarje
Sot operohen e trutharët
Mbetën trutharë
Të dashurosh pa kufi është cilësi e zotit
Dhe frymës së dashurisë
Shpirt i fashitur i fjalës
Dhe arit të durimit
Ati Ynë që je në qiell!
KOHË E PERFEKSIONUAR PËR GJENOCID
Ka çel mbretëria e absurditetit
Kokat si kunguj në pirgun e pikëllimit
Vallëzojnë bashkë me krahët e dhimbjes.
Të marrë predikojnë rrugëve të mbytura nga pluhuri
Dhe një mace e zezë vrapon e dehur
Teksa ylli humb shkëlqimin në sytë e gruas
Dhe toka mbushet si pikturë me sy
Jo, Koha s’i shëron plagët
Nëse revolta s’ka dhëmb prej ujku
ARGUMENTIMI I KOHËS
Përtej çdo shikimi prej njeriu
Fshihet edukata e moralit të fëlliqur
Çdo gjë argumentohet
Me milimetra maten fjalët, Zoti im
Dhe nga këndej me fakte të qelbura
Gjykohet kënga,
Më nocione absurde,
Zbërthet mendimi i pathënë
Dhe koha që më duhet ta mbaj në shuplakë
S’është koha e fushës së Goethes
Nuk shitet shpirti për urtësi!
ATDHE
Të dua përtej fjalës
Të përgjakur e të plagosur
Me vragë e varre në shtat,
Të dua dosido përtej fjalës
Sa vështirë të përkthehet rrita jote
Vdekja jote e ringjallja jote
Pa harta e kufi
Atdhe
Prush digjet kujtimi për lirinë tënde
Të t’i puth plagët e panumërta
Dhe dëshirat e fashitura që t’u thithën si me sfungjer me përplot krimba të kalbur
Fjalët e zgjedhura gjithmonë s’thonë kuptime të mëdha
Ngase tmerrohem,
S’e duron poezia përkthimin e vuajtjeve tua
DASHURIA
Nocionet e kohës i përmbledh brenda syve
Ku fokusohet e trembur ndjenja si shpend në stuhi
Dashuria rebeluese ndaj së keqes deri në konflikt
Emër që të grish të notosh deri në fundosje
Që të zhbirosh trup e shpirt në lumin e qetë
Ku toka qielli puthen me ankth e afsh
Dashuria s’njeh arsye as fjalë të mëdha
Me gurgullim lutesh në trupin e shpirtit tim
Në kornizë pikturoj sy për ty dashuri
MBRETËRI PREJ KASHTE
Me gjuhën e djegur nëpër zjarr
Zotëroj shikimin tim prej të dehuri
Mbretëria prej kashte kufizohet me Trojën,
Megjithatë i mungon diçka,
E ai është, i Zoti
Paradoksi i jetës së brishtë
Dhe rruga e keqe deri në Itakë
S’i duron hapat e vegjël
Ngase po të ishte gjallë Prometeu
S’do kishte marrëzira pa kripë
KOSOVË
Mbi qiell kënduan qyqëzat e natës pa pra
Unë s’kuptova për vite këngën e tyre
Madje s’kuptova çfarë do të thoshte liri
Në trajtën më të egër të fjalës
Përjetova peshën e egër të saj
Kosovë
Liria në qiellin tënde asnjëherë s’u duk
Madje për të keqën tënde ajo ndërroj kuptimin
Dhe kufiri i saj ishte betejë e keqe për dreq
Ndërkaq trajtat e saj morën ngjyrë pikëllimi
Me sfungjer na nxjerrin dëshirat
Derisa mbi kokat tona vallëzonin ushtarë
Dhe na tregohej si të vallëzonim
Nën tyta pushkësh
E gra që pshurrnin mbi kokat tona
Rrinin zhveshur
Kosovë
As Eskili s’do arrinte ta përmblidhte tragjedinë tënde
Teksa kafkën time qentë e kafshojnë
Dhe kujtoj kohën kur fjalët e mia digjeshin në zjarr
Vetëm po ta përmendja fjalën Liri
MBRËMJE MBI DUBROVNIK
Nën qetësinë e natës prehet qetësisht
I madhërishmi det fle i trazuar
Fle e përkund misteret e panjohura
I zhveshur me tingujt e frikshëm
Sa shumë i ngjan një femre të epshme
Ku bota përkund ëndrrat e mistershme
Dhe zgjohet në djersët e trishtimit
Fle deti
Kaltërsia e qetë m’i përpin sytë
E unë humbem,
Bashkë më historinë time që nga këtu ka një gjymtyrë
SHTEGTIMI I SHPIRTIT
Kotësisht shtegton shpirti im
Binareve të djegura
Pakuptimësisht bredh
Tehut të shpatës,
Ku u fërkua historia
Si në duar kalorësish antikë
Dhe tregimi i papërfunduar
Duke kërkuar diçka të humbur
Të harruar e të nëpërkëmbur
Nga çizme të hekurta,
Thembra të mbetura në baltë
Dhembje që na gërryen trutë
Kotësisht shtegton shpirti im
Pakuptimësisht bredh
Tehut të shpatës,
Ku u fërkua historia
Për të kërkuar gjymtyrët
Kohën e dergjur
Dhe ndërgjegjen prej harrimi
Dhe lumin e tragjedive
Që u shndërruan në det
METAFORA E LEGJENDËS
Notojnë plagët në zjarr tokë e det
Motra e Gjergj Elez Alisë
Me shaminë e djegur flakë ngreh valle
Muzika ia shëron plagët e të vëllait.
Legjendat përplasën me shkëmbinj
Mbi Rozafë gulçon trishtimi
Dhe hija e Gjergjit në Adriatik
Prish ëndrrën e Këlshedrës
Lëngojnë heronjtë
Lëngon Adriatiku dhe toka e djegur prush
Nga librat e pluhurosur
Dheu i çartur hapëron
Jeta sillet si në unazë,
Ecim një hap para,
Pastaj përplasemi dy mbrapa
Jeta sillet si në unazë
Shtegun kërkon
Notojnë plagët
Brenda kopertonash librash historish
Pshurrin helmojnë në kokë
Të kuq gjarpri të zinj
Notojnë plagët
Prej rrufesë pa re
Tokës së sertë i pëlcet gjaku në dhe
Klith koka e kohëra të shumta lidhen lak
Krisma daullesh përplasen në sy
Sytë pasqyrë ku thyhen kohë, ku prehen yllësi
Notojnë plagët sa në qiell sa në det,
Metafora ime e çartur diku në pafundësi pëlcet
Fytyra jote ka dy pamje
Pas kësaj kohe vjen koha tjetër
TUNDIMI
Koka e rraskapitur tundet vend e pa vend,
Zoti im sa vështirë e kam ta mbaj drejt
Era e heshtjes e luhat si një fletë qershie
Bota qesh mistershëm
Unë nuk çaj kokën engjëllushja ime
Përkundem në tundimin tim
Aty ku rrëshqet dheu nën këmbë,
Mundësia për të mbajtur boshtin drejt
Është më e vogël si një zero e madhe
Tundimi mban peng kokën time
Rrëmujës së përplasjeve tokë e qiell
Për fjalën e ambël si gjini i nënës
Për shkronjat e emrit tim që i përpiu Liqeni i Shkodrës
Mori krimbash të qelbur ushqyer nga dromcat e vjella nga alkooli
Rrëzë Kalasë së Rozafatit u kryqëzua një grua
Dhe dymbëdhjetë meshkuj dhanë betime të rreme
Tridhjetë e tri shishe të zbrazura
Tridhjetë e tri të mbushura i cakërroj përnjëherë
Pëlcet pikëllimi dhe bërtet:
Sa i mirë është të mos lexosh poezi –
kjo domethënë, thjesht, të mos vrasësh kokën për asgjë,
Vetëm poetët, vetmitarë dinë të duan,
Të duan e të duan pakufi,
Të kapin diellin në shuplakë dore,
E të përqafojnë detin në gji
Vetëm poetët dinë t’i numërojnë
Heshtjet tua të dhimbshme
Të lavdishme, o Shkodra jonë,
Të puthurat e përgjakshme nga Kosova,
Dardania Antike e maja e Stubllës së kryqëzuar
Dhe një emër i përbashkët:
Të vdesësh për të rrëfyer mistere të përjetshme
***
Si të mësohet te shkruhet ardhmëria në dheun
Që rrëshqiti nën këmbët tona elastike,
Ikën frikshëm, sa çel e mshel sytë ikën si era
Ku ta vjedh një pikë uji ta shumëzoj si Krishti,
Ta shumëzoj e det ta bëj
Për pastrim të pluhuri të mykur ka etje
Dhe mendimet e burgosura të lirohen
Lëkura e gjarprit të nemur, O Zoti im
Ngre kokën mbrëmje e mëngjes
Zvarritur tokës së cilës i zihet fryma
Dhe një kope zvarranikësh të dehur
E një mollë e mbjellë pa dëshirë
Në oborrin tonë rrethuar pa dashje
Nga pluhuri dhe merimangat
ehu, po si të digjet pa tym e zjarr…
TË GJITHË JEMI ODISE
Kërkimi është art!
Gjithë nga pak jemi Odise,
Kush kërkon Itakë e kush Penelopë
Pjesë trupi: gjymtyrë, sy, veshë
Përhumben në lakuriqësinë e lakoreve ujore
Detit kaltërosh, detit idhnak.
Brigjet e rrahura prej miliona pika uji
Kërkojnë e nuk kthehen më kurrë,
Me heshtjen e detit, me zhurmën e tij
Thyhen heshtjet më të ankthshme
Më kërkue është art si me puth diellin me buzë të akullta
Qiellin me kap në shuplakë,
E me shtrydhen, tamblin e tij me pi
Sytë të përhumbur sa në qiell sa në det
Itaka, destinacion i shenjtë s’ u shkatërrua asnjëherë,
Tinëzisht e ruan Penelopa diku
E fshehur me sy t’mëdhenj me sy t’zinj,
Misterin e pritjes.
Odiseu sykaltër kurrë nuk e ndali kërkimin,
kërkoi e nuk ndalet deri në rikthimin e ri
**
Gjithë nga pak jemi Odise,
Kush kërkon Itakë e kush Penelopë
Labirinteve të tokës kërkojmë e kërkojmë pakthim
Deri në fundin që s’ shihet kurrë
Kush kërkon Itakë e kush Penelopë,
Bota pret e zhurmshme e dehur në muzikën gllabëruese,
Gjithë nga një copë Penelopë kanë në kokë
Gjithë kërkojmë nga pak e gjithë presim nga pak
Ecjet kanë një qëllim,
Tutje natës së burgosur në heshtje trishtimi,
Kush me hapa të shpejtë, kush me gjunjë të përgjakur
Ecim, përmallshëm ecim
Rrugës së kërkimit, paprâjshëm ecim.
Pa pritur, sa çel e mshel sytë,
Na zihen dëshira,
Nganjëherë na puthiten si yje të flakur në ballë
Kohëra të humbura herë i shkelim me thembra,
Herë i kemi në ballë
Gjithë nga pak jemi Odise,
Kush kërkon Itakë e kush Penelopë
ARTI I DASHURISË
Nata po bie shpirtushka ime,
Sythi yt i etur për puthje të ëmbla
Zgjat afshin deri në qiell
Fli e qetë në lumin e dashurisë,
Dimri ka zhveshur rrobat e rënda,
Është pranverë e nxehtë –
Nuk mërdhin si e ke zakon
Nudo pranvera dhe trupi yt
Më le të puth shumë
Të çmendem në hijen e prushit
Mos u merakos engjullushka ime
Unë bëjë gjumë në gjoksin tënd qumështor
Dhe loja luhet me ritmet e njëjta
Dora ime në të qarat tua
Ëmbëlsisht përhumbet
Dymijë pash në kohë
Pëllumbesha ime
*
Lumenjtë e marrëzisë kanë dalë nga shtrati,
Lumturia e pangushëllueshme e ylli vetmitar
Bëjnë udhë me afshin tim.
Të kesh për kujtim pranverën,
Dimri vjen shpejt dhe vesh rrobat e mërzitshme,
Neruda thoshte se dashuria e tij për gruan ka dy jetë,
Prandaj e donte edhe kur s’e donte…
Ti mërzitesh me këto frazeologji.
Ora e kësaj poezie është përpjekur,
Çuditërisht trishtimi dhe estetika e artit Bodlerian
Zbresin me nuanca të makthit mbi penën time
Më duhet të zhytem nëpër labirinte misteresh
Kopertinat e këtij libri janë të djegura,
Nuk shkruhet dashuria në poezi.
E pamundshme të futen brenda librit një oqean ndjenjash,
Kurrën e kurrës të njëjta por gjithmonë të reja
Mbledh emocionet e shkapërderdhura,
T’i burgos me vargje
Frikohem mos trazohen metaforat
Të gozhduara me fjalë.
Sa e vështirë me i gozhdue ndjenjat me shkronja të rënda.
Kësaj disi i thonë e pamundshme.
Në atdheun e bukurisë thith bojë pena ime.
Dhe sikurse në një ëndërr me çudira erotike
Më duhet doemos më duhet të kaloj nëpër shtratin e Helenës,
Të kuptoj pse u bë shkaktare për tragjedinë antike,
Dhe shpikjen Homerit,
Gjithsesi më duhet të mësoj si eci Serembe nëpër dete e oqeane
Me shputat e tij të vogla, e shëndetin e ligë.
KAM DASHTË ME THANË
Dielli nuk kapet në shuplakë,
Mos e prek gishtat të shkrihen
E misht’ të bien në tokë
Macet e çartura ta hanë.
Kam dashtë me thanë
E me shkrue kam dashtë,
Me mall të madh
Në varg me gozhdue,
Sa shumë që kam dashtë
Mëngjeseve me vesë diellore,
Netëve me bubullima vjeshtore,
Poezia nuk vritet,
As me armë,
As nga atomike e kamikazë të çmendur
Më shumë se ajër, frymë e jetë
Kam dashtë më të thanë, asnjëherë mos harro
Sajo mbretërinë e dashurisë mbrëmje e mëngjes,
Me shkue në Kopenhagë, me takue Hamletin
S’është zgjedhja e dilemave të jesh apo mos të jesh
Mes qiellit kaltërosh e tokës së zezë
Mëdyshja si gjarpër helmues qëndron
Diku pëlcet qielli, diku pëlcet fjala,
Diku jetohet me fjalë, diku vritet për fjalë
E në kupë të qiellit pëlcet e vetmuar poezia
Gjitha rrugët kanë nga një qëllim,
Nga një emër e nga pak histori
Edhepse asnjëra s’i afrohet Prometheut
Diku të fashitura e të ndrydhura,
Diku të pashpallura e të shpallura,
Dosido mes rrugëve pengesat janë të kalueshme,
Me ca letra të shprishura për të thurë poezi
Mes pallateve mbretërore e kryqeve të lashta
Pikturat e shumta bëjnë hije mbi kokë,
Janë hije përtej jete dhe muza për poezi
Mona Lizës qeshet e harlisur
Mos e dashuro, ruaju është log zanash shkallmuese
Në Paris gjithsesi të shkosh,
Katedralen e Hygos ta nderosh,
Në Londër është mali i magjive të pashterruna të Shekspirit Hyjnor,
Dhe gjithsesi në Shkodër me shkue
Me puthë Zojën e Shkodrës në këmbët e përgjakura,
Me mësue misterin e botës, të cilin e njeh vetëm ajo
Pastaj me kërkue për Atë Fishtën,
Si pëlcet me metaforat e tij në përjetësi
Dhe me i mbledhë eshtrat nëpër lumenj të rrëmbyeshëm
PIKËPYETJE
Largësia pikturohet në varg,
Me nuanca ngjyrash që thyhen
Mes vete si në pasqyrë
Thyhet dielli në perëndim
Koha shpërlan trutë
Fjala digjet në zjarr
Zjarri humb në fjalë
Unë humb bashkë me fjalët
Bashkë me vargjet digjem
Me copëzat e qiellit
Që më kafshojnë
Me lotët e djegur
Nën gurgullimë ujërash
Ujis vargjet
Pëshpëris ofshama dehëse
Me mall
Kultivoj rimat, ritmet
Bashkë me pikëpyetjet e çelikosura,
Që rëndojnë sot, nesër… përgjithmonë.
dhe sot:
Këputje vargjesh
Përthyerje motivesh
Ngjiten pa dashje vargut tim
Jo në emër të shenjtërisë
As të djallëzisë
Plot shikime të përhumbura, të zbehura, të hutuara
Ngjiten si merimanga gërdie vargut tim të lodhur
Jo vetëm kaq
Dashuri, të mbërthyen pamëshirshëm
Këngë laviresh të shprehin dhembjen
Për kohë të mykura
Kokave të trasha
E ti vazhdon të besosh gjithçka
E s’e kupton vargun e këputen
Në harresë të lënën
Në fyt të prerë
Magjeve përplot merimanga gërdie,
Kullave të fikura kanunesh
O zot, shpirti im dashuri
Beso
Nëse jeta ushqyet me metafora
e ushqehet me krimbat e qelbur
apo ushqehet me art e dashuri
beso
Me metaforat vrasëse
Me ofshama helmuese
Me leshrat që s’gjejnë gërshërët dot
S’tunden muret e heshtjes,
Muret e moskalimit
Unë vazhdoj t’i lutem Zotit,
Mësomë t’mos dua kurrë djallëzoren për shenjtëri
Matanë mendimet qëndron hijerëndë shpresa.
NJË DET MALL
Editës, bashkëshortes
Nga rrezja e diellit thithe shikimin prej zjarri
Në këtë kohë kur bota vuan për një grimëz dashuri
Si nëpër ëndrra të trishta dergjen shpirtra të shumtë
Që dashurinë e kanë të huaj
Të ankthshme dhe me goditje
Ti sot si zog pranveror
Thyen tema
Rikthen tema
Të dashurosh është akti i shenjtërisë tokësore
Dhe virtyti i vetëm për të jetuar
Me ty mbushet një det mall
Shih si ulurin natë e vonshme
E yjet puthen thellë në ballë
Deri kur do të puthemi me yje
Do të zgjohemi në dy pole,
Sa larg
Nëpër turbullim ëndrrash noton gjumi ynë
Nata vishet në të zi, trashet mërdhihet, si unë pa ty
E ne me mall ushqejmë barkun
Me shpirtra të trazuar ditët numërojmë nëpër gishtërinj
SI ZOG MBI DUART TONA
Bijës time, Izabelës
Shikimi yt i butë i tremb vargjet
Izabela, mirëserdhe në botën e çudirave
Shikimi yt kryqëzon stinët
Duke përmbysur rregullat
Përtej syrit tënd shkrihet bora në Suedi
Janari nuk është më i akullt
Jot Amë të mbështjell me pupla
Engjëlli i babit
Zbrite si zog mbi duart tona
Dhe janarit ia dhe diellin
Në lumin e fëminisë derdhe shikimin prej engjëlli
Pak kripë për t’i dhënë jetës shije
Izabela e babit, më e mirë se e mira
Më e dashur se e dashura
Përkundi përrallat e qeta
Çeta e engjëjve brohorit rrugëve tona
Asnjëherë s’do ta ndërpresësh lojën
Nga shkretia jemi kthyer
Nuk ka Herod në tokë
NË QIELLIN E MAGJIVE TË JETËS
Tim biri, Luisit
Luis, emrin tënd e mban të pezulluar madhështia e Hose Luis Borgesit
Ai nuk besonte në verbëri, as në predikues të errësirës.
Për lumturinë e librit
Dhe shtatë netët e krijimit u verbua tamam si Homeri
E ti sot, shtrije buzëqeshjen tënde mbi tokë,
Bota ka nevojë për një buzëqeshje më shumë dhe më pak tragjedi.
Në pyllin e pikëllimit dimëror mbytet koha e acartë.
Prilli është muaj i triumfit, i luleve dhe i lindjeve.
Luis, të lindësh do të thotë të hysh në pyllin e madh
Të dilemave ta pafundme, në pyllin e mistereve kurrë të zbuluara.
Ngritje-ramjet kuptoj me Biblën e heshtjes, është këshillë e poetit
Që këndonte bri maleve të Rugovës.
Lulet çelin në prill
Prilli është muaji i luleve, Luis, biri im,
Muaj i lindjeve dhe zogjve cicërues
Kulla e Abelit hap krahët,
Dyert për aromën e frymës tënde,
Hyjnë pa frikë
Kohët puthen në ballë herë mëngjeseve të kaltërta me diell
Herë netëve të errëta me bubullima e shi,
Bëjnë punën e zakonshme.
Ti mos e prish gjumin fëmijëror,
Ka ëndrra të bukura, të bukura si gjithë jeta.
As buzëqeshjen e ëmbël, asnjëherë mos e trazo
Edhe nëse sheh si digjen gjuhet në Kullën e Babelit.
Asnjëherë mos beso në tempuj të rremë,
Kohët ikin e treten dashuria mbetet e njëjta.
Kurrën e kurrës mos beso në errësirë Luis
E Biblën e jetës shkruaje me shkronja të gozhduara,
Ke shumë rrugë për të ecur e për të shkruar.
Dashuria shpëton botën, thoshte Nënë Tereza
Dhe ti hedh pjesën tënde në oqeanin e shpëtimit,
Çdo mëngjes e mbrëmje shkruaje Biblën e Jetës
Kështu përmbysen errësirat, rrugët e baltosura
Asnjëherë mos e harro kërkimin – deri në pafundësi.
Mos harro në prill ëelin buzëqeshjet dimërore.
Natyrës i hapen sytë.
Ëmbël tingëllon kënga e pranverës, zogj të bukur cicërojnë.
E kënga e tyre të kënaq shpirtin deri në dehje e ekzaltim.
Sikurse buzëqeshja e ëmbël mëngjesore
Dhe syri yt që së pari ndeshi Amë e Atë
Ti lind për të dashur e për të qenë i dashur
Në një ditë të bukur të simetrisë estetike,
Në një ditë të uruar me vargje të panumërta.
Me dhjetë prill këndon qielli buzëqesh toka.
Është Java e Madhe e vdekjes së të ligave
Dhe ngjalljes së jetës e dashurisë.
Kam shumë për të thënë e për të shkruar,
Për librin e jetës dhe të dielat vajtje-ardhjeve në Kishë,
Për tingëllimin e kambanave dhe thirrjet për uratëkërkime,
Për magjinë e dashurisë dhe ëndrrat e lartësive të paprekura,
Për përrallat e para dhe imagjinatën e lojës,
Për ngritje-ramjet e para dhe aventurat e pafundme që ëelin në agim.
Ti zhytesh pafundësive magjike në trajtën më të bukur.
Ne e dimë se vetëm fëmijëve u përket mbretëria e qiellit,
Perandoria e gjithëpushtetshme e dashurisë së përjetshme.
Mos harro: në pranverë gjithmonë ëelin lulet,
Lulet janë si këngët e shpirtit
Sa mirë është të rrëfesh vetë në trajtën më të bukur,
Pa nevojë për metafora, elegancë e stile të ndryshme poetike.
Më shumë se metafora dhe stilet je,
Në botë ka shumë fëmijë që lindin duke ëndërruar dashurinë,
Mbyte egoizmin. Dhe mos harro,
Për buzëqeshjen tënde ka nevojë bota.
Në vorbullën e imagjinatës tënde të mrekullueshme pikëpjekjen kohë,
E ti jeto për të dashur e për të qenë i dashur.
Kam shumë për të shkruar.
Urëkalimet me përplot të panjohura.
Diku dy mijë e sa viteve, në grazhd u rilindet bota
Dhe ne endemi mes ëndrrës së pambarim.
Dhe lumin e jetës lejo të rrjedhë, ballëhapur ec mbi kohë.
Asnjëherë mos lejo mbretër të tërbuar të bëjnë përulje
Ti je engjëll që linde për të dashur dhe për të qenë i dashur.
Prandaj ec ballëhapur në qiellin e magjive të jetës…
JETA
Kur them e bukur është jeta,
Mes ideve të mia tinëz hyn poezia
E bukur si asnjëherë me arsyen kryelartë
E veshur me një vello hije prej syve të frikshëm,
Buzë të fryra dhe një të kuqe plot epsh
Në shtratin e erosit të trazuar
E bukur është jeta, mburren metaforat
Edhe kur ka dhembje
Edhe kur vajet e kaplojnë
Kur qielli shkrihet në vaj
E t’i ushqesh me lot e Mall,
Mëngjes e mbrëmje
E bukur është jeta
Edhe kur shpirti mbushet plot gëzim,
Fluturon në qiellin e shtatë
E bukur është jeta,
Edhe atëherë kur tërmetet shpirtin ta copëtojnë
Kur tretet dashuria rrugëve pa emra
E të shuhet Ylberi në duar,
Kur ti shkrehesh e shkrehesh në vaj e pikëllim
E bukur është jeta
Art – mozaik lumturish
Ylber qiellor vizatuar me miliona ngjyra
Çdo mëngjes e mbrëmje gotën e verës cakërroj me qiellin
Me dallëndyshen bashkudhëtoj
Lumit të rrëmbyeshëm
Shtigjeve të jetës Pemën e Lumturisë kërkoj
E bukur është jeta
S’e dua pikëllimin
As kur errësohet qielli dhe bebëzat tua ujisin faqet
E dua natyrën
Miliona bukuri
E dua qiellin plot e veshur me fantazi.
E bukur është jeta
Edhe ku ka gaz
Dhembje e lot
Kurrë mos u shfre në vaj,
Gëzimin mos e ndalo
Me gëzim jetën jeto
NGA MAJAT QË PREKIN QIELLIN E STUBLLËS
(Vendlindjes sime… )
Toka prek qiellin në Stubëll aty ku zemrat u gurëzuan,
Ku u gozhdua fjala, për t’mos u mohuar fjala
Oshtinë malet e malet gjëmojnë,
Krojet e fshatit derdhen rrëmujshëm në Liqejt e paemër
Maja e thepisur hijerëndë që i rri mbi krye
Puthet çdo mëngjes magjishëm me qiellin
Në Selanik la një pjesë të Historisë,
Një tjetër, diku në rrugët aziatike ku shfryen barbaritë turke
Stubëll, tjetrën pjesë mund ta gjesh në pasqyrën e Shkodrës
Stublla ime e dashur, asnjëherë s’e pe diellin pa e pa majën hijerëndë
E të mësohen fshehtësitë e panumërta pa e puthur Kryqin tënd,
Kur të mësohen fshehtësitë,
Këndohet kënga e lashtë, e harruar…
Shkëmbinjtë e gurëzuar mbajnë gjak të dëlirë
Të puthën dashuri të nemuna, nëpër të premte të përgjakshme
Rrapëllimat e këmbëve vrastare shpesh t’u vërsulen
Sa shpesh t’u desh të mbërthehesh në lot
E nga lotët të bëhen përrenj të rrëmbyeshëm
Shkëmbinjtë e thepisur, kodrat përplot bukuri
Vetëm ato njohin të vërtetën
Thellësinë e pashkruar të Premteve të Vdekjes
MALL I PËRDHOSUR
Në gryka të ËC na zë gjumi i zi
Penisi ynë elastik s’ka dert
Është imunë ndaj papastërtisë
Gratë tona e mbajnë të pastër
S’flenë me ne
Taborret tona me artistë ndërtojnë një mur kinez
Torullasen nga shikimet e Parisit e Londrës
Dhe i zë gjumi të dehur në gjumë të zi
Sa Trishtim
S’ka gjë më të vështirë së të shkruhet arti i injorancës
Dhe mallkimi i vetes
Në trajtat e një merimange që të zë frymën
Injorantë të dreqit, pëlcet ankthshëm Frederik Reshpja
ME LOT JEMI RRITUR
Në datëlindjen time të pesëmbëdhjetë
Gjyshja më tha:
“Hëna prej gjaku
Po sillet mbi kokat tona… ”
Pastaj ma ledhatoi ballin e djersitur,
E trishtuar më këndoi:
Me lot jemi rritur
Rritur jemi të uritur
Për bukën fjalën kohën
Për paqen lirinë dashurinë
Bukën nëpër ara grurin
Me lot e kemi ujitur
Dhe fjalët i kemi të lagshta
STINËT E JETËS SIME
Vjeshtë
Si zakonisht,
E zhveshur ngadalë
Pa të brendshme,
Tamam si grua e moshuar me rrudha në trup,
E turpëruar për bukuritë e venitura
Shtrihet para dimrit të madh
Për të fjetur nën ethet e humbjes
Erëra
Stuhia
Çdo gjë e nevrikosur
Shenja dimri bastard
Dhe vjeshtë e shngjyrosur
DIMËR
Jorgani i epshit të kohës
Bora e madhe dhe akulli mbi kokë
Sa ideja e dimrit përrallor
Acari i akullt në horizontin e pritjes
Në shpirt therë
S’ka diell
Ftohtësi deri në palcë
Të mbijnë sythat e butë
Eshtrat dridhen në shtat
Në heshtje shurdhuese
S’ka dashuri
Trishtim:
Në perëndim s’ka simptoma
Metamorfoza është ngujuar
Fjala dimër mbyt ironinë
Dhe mitin e pranverës
Pranvera
Dhe…
E buzëqeshur
Me vonesë
E palulëzueshme mbeti
EPILOG
1.
Pikë asnjëherë mos i vë poezisë,
Asnjëherë mos mendo në epilog
Nuk thuhet kot:
fundi s’gjendet
E përkryera është iluzion
Epilog është vetëm fillimi
Ose në të kundërtën
Fundi i një fillimi
2.
Thuhet fundi s’gjendet
As për poezinë
As për dashurinë
Mua më duhet të vdes
Duke kënduar për ty
Për lotin e pastër
Për buzët e çelura varrë
Për shumë e shumë gjëra….
Epilog i mbyllur në ag
Dhe pika e mbetur në maje lapsi
3.
Thuhet se çdo gjë ka fund
Dhe në atë fund është një fillim
Edhe për poezinë
Edhe për dashurinë
Edhe për lotin që pikon
E varret e kohës i shëron
Ky është fundi i një fillimi
Për kohën e vrarë,
Me shigjeta helmesh mu në ballë
Për ndërgjegjen e ngrirë
Për vargjet e qelbura
Ky është fundi i një fillimi
Për kujtesën e trashur
Dinjitetin e nëpërkëmbur
Lumit të rrëmbyeshëm
Kanunet e ringjallura
E shkuara si ëndërr
Ky është fundi i një fillimi
Që humbi si bryma nën diell
Epilog i vrarë në ag
PËR KOHËN E TRETUR
I ulur në mes të kohës
Brigjeve të urave pa lumë
Me vetminë e shtrënguar plumb
Me duart e mia të forta,
Pa forcën kur isha unë
Hapa trupin tim
Të ushqehem
Kohën ta trash
T’ia dyfishoj rriten
Pashë fytyrën e deformuar
Sytë në ballin tim
Hapa kohën dhunshëm në krye
Epokat e derdhura mbi lumë
Pash gjakun tim të ndërruar
Mbeta pa gojë, s’isha më unë
POEZIA
Kur të mbushet shpirti helm
Kur të përdhosen trutë
Ndjenjat kur t’i kafshojnë,
Ëndrrat kur t’i vjedhin
Kur mendimin ta vrasin mu në ballë
Kur s’ke me kënd të çelësh gojën
Të cakërrosh ndonjë gotë uiski
Në botën që ec me erën
T’i shtrydhësh koqet mbushur me spermë
Poezia është terapi
Mos klith
Mos derdh lot
Mos shkruaj elegji e balada mbytëse
Vargje pikëllimesh trishtimesh largo
Mos e përul synimin,
Shiko poezinë mu në ballë
Ushqehu kur të mungon buka
Kripa dashuria e shkrimi
Mos vajto vetminë asnjëherë
Edhe kur të përbuzin
Të shajnë e të gozhdojnë në kryq
Të shpallin çmendurak
Të anatemojnë
Dashurinë ta përdhosin
Poezia është shpëtim
Klithmë e ëmbël me gëzim
DUKE ECUR ME VARGJE
Ngrysej qielli kokës sime
Si përbindësh i natës së zezë,
Ngrysej qelli kokës sime
Teksa toka rrëshqiste nën thembrat e mia
Një pikë gjak shumëzohej si era
Unë bashkë me qiellin ecja tokës sime
Me vargjet e mia të rënda plumb
Në maratonën e ideve pa qëllim
Ec…
Mbi tokë
Pafund
Drejt teje kohë
Sa ta mbyt antitezën
Për Ty
E globin ta kthejë
Në lumturi
KALAJA E DASHURISË
Tingujt e kitarës së thyer këndojnë
Për flokët tua të shprishura supit të butë
Mes aromës së tyre përhumbem si zog
Nëpër shtatë qiejt magjikë fluturoj
Në aromë vjeshte dehet trupi im,
Dridhet e mërdhihet si shpend nate pa fole
Meloditë mëngjesore i kapërdin e i kafshon terri
Heshtja mbyt në gjak tinguj e kitarës
Nga sytë e tu merr rreze dielli
Ti pret afër Kështjellës së Hamletit, unë dridhem rrëzë Kalasë së Ulpianës,
Derisa të nisemi rrugës për në Prishtinë, është vetëm një hap.
Ti e dite këtë,
Shpirti im Edita
SFIDË
Lufto po të mundësh me jetën
Fyta-fytash po të mundësh
Aty ku vrasin legjendat e shekujve grabitës
Po të mundësh lufto me kohët
E braktisur nëpër lumenj të përgjakur
Po të mundësh sfidoje vdekjen
Mbetesh legjendë historike
Fanatizmin nëpër shekuj
Po të mundësh lufto me antikrishtin
Rikryqëzoje në kryq
Po të mundësh bën gjithçka
Gjithçka bën po të mundësh
Gjitha lulet mbjelli në një saksi
Pa aromë do të mbeten
Po të mundësh bëj gjithçka,
Djallin bëje engjëll
Dhe vallëzo me budallenj
Trishtim
PËRPJEKJA
Asnjëherë s’kam besuar se pas kohës së myktë
Humb kujtimi dhe imagjinata përmbyset
E në kokë të njeriut çelin krimbat
Bashkë me gjarpërinjtë thatanikë
Djajtë engjëjt
Hanë pinë
Kuvendojnë e mashtrojnë
Kafkën time e nuhasin
Me epshin e dreqitnjeri
Ëndërr e paparë
Gjak kullojnë lulet
Kafshohen ëndrrat
Hatashëm kafshohen
Përleshën leshrat e kalbura
Dhe aroma e tyre na deh
Pantallonat që s’mund t’i mbajnë koqet
Shiten në tregjet tona mëkatare
Nuk është panair idesh
Dhe maskat e skenës së mashtrimeve
Krismat si zjarret me tym të zi
Zoti im, tamam si këpurdha pas shiu
Dhe, ku është arti… klith?
Kori i ideve
NJË PSALMIST MODERN
(pjesë nga recensioni)
Ndue Ukaj deri tash është bërë i njohur si studiues, kritik i letërsisë dhe publicist.
Tani e pas do ta njohim edhe si poet. Vërtet, vargjet e tij ishin (janë) të pranishme në periodikun e shtypur dhe atë elektronik edhe deri tani, por libri ka përmasa të tjera dhe receptohet ndryshe.
Autori i këtij libri nuk është nga ata shkrimtarë që mbyllen në kabinet dhe që të vërtetën ta gërmojë në vetvete. Vargjet e tij paraqesin një formë të komunikimit kreativ, të gjallë, me personin e zemrës, me personalitete të mëdha, me kontekstin kulturor e politik, me botën empirike, me historinë e letërsisë…
Ndue Ukaj nuk është as nga ata shkrimtarë që e gdhendin fjalën duke e reduktuar atë deri në bërthamë, por ai gjithsesi është një njohës shumë i mirë i artit të të shkruarit. Ligjërimi i poetit është shpërthyes, ngacmues, kërkues dhe karakterizohet nga kultura enciklopedike. Për të komunikuar me vargjet e tij lexuesi duhet të jetë i pajisur me njohuri nga literatura mitologjike, ajo biblike, pastaj historiko-letrare etj., që janë tipare të intertekstualitetit. Në vargjet e tij kemi edhe ndonjë varg të huazuar të Azem Shkrelit, apo ndonjë perifrazë të vargjeve të Nënës Tereze etj., që autorit i shërbejnë si pikëmbështetje për të zhvilluar poetikën e vet.
Poeti shkruan në gjuhën standarde, por për efekte të caktuara, në jo pak poezi përdor edhe shprehje dialektore (idiomi).
Çdo poezi nënkupton një lexues, e në vargjet e Ukajt me lexuesin herë flitet në vetën e dytë e herë në atë të tretën. Një numër të madh vargjesh Ndue Ukaj ia kushton të dashurës së tij (në vetën e dytë) dhe këto janë vargjet artistikisht më të realizuara të tij.
Disa poezi Ukaj ua kushton personave të njohur nga fusha e kulturës, politikës apo humanizmit (Anton Pashku, Pjetër Bogdani, At Gjergj Fishta, Rifat Kukaj, Ibrahim Rugova, Nëna Terezë, kryesisht në vetën e tretë, por edhe të dytë), të cilat kanë pak ngjyrim patetik, por përmes tyre autori shpalos brenga dhe ide, kritika ndaj dukurive të caktuara dhe vizione interesante për ardhmërinë …
Ndue Ukaj poezisë, pra edhe poetit, i rezervon misionin e alkimisë (alkimistit) dhe kjo është arsyeja pse ai shkruan.
Me matematikën e zemrës
Zgjidhte të panjohurat e bëra lëmsh
(Poetët vetmitarë)
Pra, Ndue Ukaj beson seriozisht se poeti mund ta ndryshojë botën. E forca e besimit, thuhet në Ungjill, mund të zhvendosë edhe malet.
Prandaj, edhe po e them krejt në fund: Ndue Ukaj është një psalmist modern!
ANTON GOJÇAJ
PËRMBAJTJA
Variacione të dallueshme tematiko-stilistike (parathënie nga Petrit Palushi)
Përleshje
Hapat e vegjël
Hija e korbave
Piktura e dashurisë
Gjyqi për vjershën time
Alfabeti im
Iluzioni i fjalës
Përralla e moçme
Koha shumëngjyrëshe
Krijimi
Si zakonisht
Dramë
Kompromis
Kujtim i mermertë
Thirrje
Poetët vetmitarë
Në kohën teknike
Vjeshta e shpirtit
Udhëtim i vargut
Kënga e dritës
Vetëm heshtje
Në pasqyrë thyhen kujtimet
Malli
Poet me u ba
Qiriu
Tek Kështjella e Hamletit
Gjashtë shkronja…
Kohë e zezë
At Pjetër Bogdanit
At Gjergj Fishtës
Nënë Terezës
Anton Pashkut
Dardania antike
Poeti
Zani i nanës
Puthja e yllit
Etje
Kujtesë e sëmurë
Tabu
Filozofia e marrëzisë
Pritja
Skenar tragjikomik
Puthja
Estetikë dashurie
Dilema
Këngë për këngën e dashurisë
Dialog
Sot…
Ruaje lotin ‘
Harrimi
Pështjellim
Mbrëmje vjeshte
Fati yt
Plagë
Kuptimi
Në kërkim të zanoreve të humbura
Dashuri në errësirë
Motiv i ri
Rrënjët e pemës
Apokalipsi
Estetikë tragjike
Eklips jete
Kohë e perfeksionuar për gjenocid
Argumentimi i kohës
Atdhe
Dashuria
Mbretëri prej kashte
Kosovë
Mbrëmje mbi Dubrovnik
Shtegtimi i shpirtit
Metafora e legjendës
Tundimi
Të gjithë jemi odise
Arti i dashurisë
Kam dashtë me thanë
Pikëpyetje
Një det mall
Si zog mbi duart tona
Në qiellin e magjive të jetës
Jeta
Nga majat që prekin qiellin e Stubllës
Mall i përdhosur
Me lot jemi rritur
Stinët e jetës sime
Dimër
Epilog
Për kohën e tretur
Poezia
Duke ecur me vargje
Kalaja e dashurisë
Sfidë
Përpjekja
Një psalmist modern (pjesë nga recensioni ANTON GOJÇAJ)
Shënime për autorin
SHËNIME PËR AUTORIN
Ndue Ukaj (1977) u lind në Stubëll të Epërme të Komunës së Vitisë.
Ka kryer studimet për letërsi dhe gjuhë shqipe në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, ku ka ndjekur edhe studimet e magjistraturës. Ka qenë editor i revistës për art, kulturë e shoqëri “Identiteti” (2001-2002) që është botuar në Prishtinë. Tekstet e tij letrare, eseistike, publicistike janë botuar në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, diasporë dhe më gjerë. Ndërsa shumë tekste të natyrës së diskursit politik janë përkthyer e komentuar në media ndërkombëtare
Gjatë kohës së okupimit serb dhe pas luftës në Kosovë, Ukaj ka qenë aktiv në jetën politike të Kosovë. Ndërsa viteve të fundit ka jetuar përkohësisht ne Suedi.
Më 2004 ka botuar librin “Diskursi biblik në letërsinë shqipe” (AIKD, Prishtinë).
Është i përfshirë në disa libra dhe antologji të poezisë shqipe.
Po ashtu, është përfshirë në antologjinë shqip-rumanisht, shtatë poet shqiptar dhe shtatë rumun, Bukuria e bukurive” “Frumusetea frumusetilor “, Bukuresht(2008).
Ndue Ukaj shkruan poezi, prozë, eseistikë, kritikë letrare dhe publicistikë.
“Ujëvarat e metaforave” është libri i tij i dytë.
“Ujëvarat e metaforave” është përmbledhja e parë me poezi e Ndue Ukajt, pas një debutimi të disakohshëm dhe me sukses në fushën e studimeve, të kritikës letrare dhe të publicistikës.
Poezia e Ndue Ukajt, si një poezi që përpiqet të zbresë tek honi i shpirtit të njeriut, tek ai labirinth i çuditshëm, më së pari, na vjen në trajtën e një rrëfimi të dlirtë të autorit për vetveten, si jehonë e një shpirti të trazuar, dhe që njëkohësisht prezanton një krijues të përkushtuar, të mbështjellë me ethet e vëzhgimit dhe të krijimit dhe që e bëjnë poezinë e tij sa lirike, aq dhe gjysmëepike dhe dramatike njëkohësisht, sa fantazoide, aq dhe të prekshme për shqetësimet njerëzore që ngre, për temat e ndjeshme që merr dhe rimerr, për atë frymë -ekzistenciale që funksionon dhe frymon në trupin e krejt poezisë.
(PETRIT PALUSHI)
Autori i këtij libri Ndue Ukaj nuk është nga ata shkrimtarë që mbyllen në kabinet dhe që të vërtetën ta gërmojë në vetvete. Vargjet e tij paraqesin një formë të komunikimit kreativ, të gjallë, me personin e zemrës, me personalitete të mëdha, me kontekstin kulturor e politik, me botën empirike, me historinë e letërsisë…Ndue Ukaj nuk është as nga ata shkrimtarë që e gdhendin fjalën duke e reduktuar atë deri në bërthamë, por ai gjithsesi është një njohës shumë i mirë i artit të të shkruarit. Ligjërimi i poetit është shpërthyes, ngacmues, kërkues dhe karakterizohet nga kultura enciklopedike. Për të komunikuar me vargjet e tij lexuesi duhet të jetë i pajisur me njohuri nga literatura mitologjike, ajo biblike, pastaj historiko-letrare etj., që janë tipare të intertekstualitetit… Prandaj, edhe po e them krejt në fund: Ndue Ukaj është një psalmist modern!
(ANTON GOJÇAJ)
14 Mars, 2009
The word symbolic and art of contrasts
The word symbolic and art of contrasts
Ndue Ukaj, Sweden
Poetry is the most universal form of poetic communication where ideas and figures fulfill the poetic harmony and intention. They walk side by side and build an Olympus of perceptions and feelings for the beautiful and the ugly, for the amiable and useful, for the tragic and happiness. In most beautiful forms the poet, like an oracle inspired creates perceptions to his own universal perceptions through his language as a poetic specialty. This universal form of communication of the message of the artistic word, eternity of ideas, in harmony with the poetic system functionalizes the multifold esthetic and idealistic forms. Through perceptions and particular world the poet descends the circles of hell, searches with the sense of the creator through the purgatory constantly aiming for the road to Paradise, to the eternity where the Poetic Art melts with a series of lecturing proceedings using numerous tropes and metaphors, symbols and comparisons, contrasts and paradoxes always in function of realizing a literary catharsis. And, these poetic characteristics are found in Jeton Kelmendi’s poetry in his collection “Breath” which the poet is presenting for the English-speaking reader. As Horace said in his “Poetic Art”, “poets should bring something useful or entertaining, or say amiable and useful things”, Kelmendi’s poetry mingles in itself original poetic features bringing the amiable and useful to the reader with a cultivated style and dense language of depicted symbols never burdening his poetry. His poetry, lyrical discourse, or “an inner mimesis of poetic sound and images aimed at becoming a thematic modus: (Northrop Frye) in Kelmendi’s poetry as well. This thematic modus featuring his poetics is built of elaborated figures through sweet verse of an internal rhythm and impulsive tonality often filled with interjections or some single letter carrying expression – elements that give his poetry a specific and original poetic dimension.
Jeton Kelmendi belongs to the younger generation of the Albanian literature, a generation that has experienced the most tragic mess in the Balkans and which is today moving alongside contemporary trends of literature carrying over their should a bitter past which Kelmendi brings to life through his rich imagination and dynamic poetic discourse. During this period he has debuted with several very qualitative collections of poetry highly assessed by both critics and literary public. His collection of poetry “Fryma” (“Breath”) offers to the poetry-lovers a poetic universe of Albanian literary tradition, a beautiful set of poetic word, rich in existential themes as its poetic pivot with multifaceted expressive forms and nuances mingling with other themes and motives. His poetry communicates with the past, present and future. Above all, it communicates with the being of literature as one may read in the poetry “A word measuring trial” where poetry wages its own battle: “Somewhere amidst the light’s darkness/ Someone is missing the word”. This model of poetic of poetic discourse is articulated by Kelmendi in his next poem “Our arrival on parchment” where fatherland and poet identify first of all by a joint call on the insecurity and paradoxes which a misty future brings about as his country, and the Balkans generally, remain regions of paradoxes and continued stirrings, horrors that are most of all felt by artists. Therefore the author cries out: “They seem as dreams and realities/ Water and bread of anti-human” (My tomorrow code). And, this philosophy of creation remains a poet’s curiosity in order for him to understand “Where the border crosses/ Between sadness and joy/” (Drama, First Act), for the fact that this border, poetic by all means, plays an important role in this poetic collection through a contrast of ideas, figures and poetic symbols in order to transform sadness and joy into art. And, also for the fact that thus “Lyrics had its shadow bone whitened/ While waiting for the rites of dust”, and the song beings its powerful life.
Kelmendi’s poetry is characterized by a specific perception of beauty beneath of a sub layer of perceptions for its numerous categories: the beauty that the art of poetry brings, for the girl and love, for the country and history, like in the poetry “A Moment”, where the poet using symbols and comparisons, through concise lines, rhythm, synthesizes the most beautiful forms of lines: “If I were rain/ Tonight/ I’d accidentally drip/On your cheek/But/A slow dripping drop/Looking at you straight”. Generally, Kelmendi’s poetic verse is laconic with emotional and semantic expressivity. Its poetic structure is built over paradox as a particular feature. Through it the poet preserves the substance of the idea aimed at the eternity of word with inspiring poetic calls. The dominant poetic discourse of this collection is deeply lyrical. The typos of themes and motives go around a national pivot, woman and love, mediation about art, artistic word. The poetic communicates sadly with history, as for example in the poet “Illyrian”, in the lines: “It surpasses all/For the sake of the word”, as his country cannot be measured with any form, and the next line of connotative meaning closes a century-old cry: “My fatherland of God that gave me my name”. This, above all, for the fact that the poet’s Winter remains a mad codex. Fatherland topics are formed through forms of pain in the poetry “Morph” with lines: “Neither thirst nor hunger/ In the plain of a word/ Fatherland/ How many pastured and drank… How much silence assailed/ Disgust infuriated us for you nostalgia”. One of the very interesting poems is the one dedicated to Ibrahim Rugova, where the poet sings passionately to the president’s figure, artist and highlander, the symbol of Albanians for decades, and model of writer: “Dream on? And pray for Dardania/ A winter of solitude has fallen… Everything came with the tear? Grand Year/ Day of departure” (Winter of Big Departure, to Ibrahim Rugova). Kelmendi’s poetry is an associative one. It both evokes perceptions and creates. The poet walks on with his verse in order to understand the corners of the world; he is at the edge of paradoxes even when perhaps “an evil hour has set” (After recognition), and his carries in his soul the power of poetry in order to challenge and hence bring triumph for the word: “Tell me something about the smokeless fire/ From now on/ Your coffee awaits us/ And my line of shiver” (After recognition). More powerfully, this poetic tendency is articulated in his highly values poem “Madam Word and Mister Thought”, where the poet contemplates about the philosophy of creation with a modern poetic affinity of transformation of thought from paradox to contrast and from contrast to an amiable symbol: “I’ve spoken/ Somewhat differently/ Madam/ But I say/ Don’t get me wrong/ After all these are words of a poet”. Kelmendi’s poetry is consolidated; his verse is free and paradox of thought and contrast of idea become pinpointing features of the lyric: “A time a day came/ so awkward so happy/ Its white and back no one knew” (A bit of history). Or, in another interesting poem “For the amiable glass” where Kelmendi creates outstandingly beautiful lines in a concise style and realized with emotion and inspiration, creating poetic expressivity that reminds one of the great poet Omar Khayam and his emblematic lines of wine and love: “Drink it man/ Your own glass/ The red amiable wine/ Drink it drunkardly/ Bottoms up/ Never leave/ A drop/ To the verse/ Written lonesomely/ Anyway/ You’re not sober, man”. He cultivates this same model of speech in a number of other poems, because love, or ‘the beauty of beauties’, the lass as its personification represents a special topic within the topes and motives underlying the collection: “Tonight the autumn night may be saturated/ The moon fell over the window/ With her goods/ The verse/ I’ll write for you” (Ten and Ten in Tirana). This poetic rhythm develops through powerful gradation in his other two poems, “Whisk” and “Her dream”. Randomly viewed, this collection offers beautiful poetry, an inspired art, where the reader may find basic components of literature, the useful and amiable (Horatio), “It is not clear to me/ Whether to speak or keep silent/ Lyrical like the magic of Helen” (A moment for admiration). The reader has in his hand a book with a beautiful poetic structure, a poetry fed by powerful contrasts permeating him and his poetic being through stormy and tragic years part of which was the author.
Translated by Avni Spahiu
18 Janar, 2009
Darka si reminishencë artistike
Darka si reminishencë artistike
Ndue Ukaj
Titulli i romanit “Darka e gabuar” i shkrimtarit të përmasave planetare, Ismail Kadaresë, përveçse është esencë, paradigmë e fabulës së romanit, njashtu kuptohet si shenjë letrare, nëpërmjet së cilës Kadare ndërton simbolin letrar të romanit. Në të vërtetë, ky titull i interpretueshem në kontekstin e subjektit të romanit, por edhe të diskurseve të mëparshme letrare, për faktin se nuk ka ligjërim të virgjër (Roland Barthes) ngërthen esencialisht një semantikë ambivalente kuptimore, e cila shenjëzon një raport të ndërvarshëm mes narracionit e mundësisë së leximeve intertekstuale që ofron teksti letrar në fjalë. Në fakt, ky raport karakteristik edhe për gjithë letërsinë e Kadaresë, është në përputhshmëri të plotë me qëllimin e tekstit (Umberto Eco) dhe përpos tjerash ofron mundësi të shumta leximi e interpretimi. Subjekti i këtij teksti letrar, siç shkruhet në shënimin përcjellës, bazohet në një ngjarje të vërtetë, por Kadare tekstin e ridimensionon dhe aty lexuesi gjen sekuenca semantike, si reminishencë e diskursit mitologjik, politik, ideologjik e biblik. Këto korpuse tekstesh dhe shtresime stilistike e ideore, në zhvillimin dhe zbërthimin e fabulës, enden përgjatë gjithë romanit, me funksione të posaçme për të dinamizuar narracionin, sikurse për të përplotësuar synimet estetike e ideore. Romani, në planin semantik ndërtohet mbi ngjarjen që motivohet nga Darka e doktor Gurametos së madh, i cili e shtron për miqtë e studimeve, gjermanët pushtues. Nga ky akt ndodh që për dikë, ky të cilësohet si Judë i qytetit, sinonim i Judës tradhëtar biblik, ndërkaq për disa një filogjerman i dyshimit. Kësisoj kjo darkë bëhet aq enigmatike e aq domethënëse, njëkohësisht, sa që trondit gjithë qytetin, i cili sillet vërdallë kësaj ngjarjeje, ashtu siç jeta shqiptare në atë kohë ishte e dezorientuar nga ndryshimet e shpeshta ideologjike, shpeshherë me përmasa groteske. Andaj ndodh një kontrast shpërthyes mes së pritshmes, se Gjermanët do të hedhin në ajër qytetin, dhe së ndodhurës, kalimit paqësor të tyre. Ndërsa ky kontrast narrativ, në romanin “Darka e gabuar” ndërlidh kohë historike në kundërshti të ashpër, nga periudha që njihet si “Shqipëri gjermanike” në luftë me atë komuniste. Në fabulën e romanit, kalimi “miqësor” i gjermanëve nazistë në qytetin e Gjirokastrës ndërlidhet me darkën në fjalë që patën miqtë e vjetër të shkollës, ndërsa pikërisht kjo do të shndërrohet në trajtën e “gabuar”, një cilësor ky që është i mbuluar nga një tis dyshimi, ngase në mënyrë fatale sinkronizon jetën e personazhit deri në epilog. Siç mund të kuptojmë, Kadare subjektin e këtij romani e nxjerr nga një kontekst real, nga një darkë reale, ndërkaq atë e zgjeron me një rrjet tekstesh e kontekstesh, duke inkuadruar në procesin e shkrimit modele të jashtme letrare, kulturore a religjioze, ato që në mendimin për letërsinë njihen si rrjet intertekstual i tekstit. Për të sforcuar diskursin fiksional dhe për t’i dhënë përmasë sa më të fuqishme estetike e polisemantike fabulës, autori zhbiron në kohë, ndaj kontekstualizon modelin e darkës biblike, si reminishencë që sforcon semantikën e tekstit dhe, kësisoj në vete krijon relacione me subjektin e romanit, Darkën e gabuar, siç e përshkruan Kadare, Darkën e doktor Gurametos së madh, të shtruar në nder të kolonelit gjerman Fritz von Schwabe, ndërsa ky i fundit rezulton më vonë të jetë i vdekur nga ai që shtron darkën. Një enigmë që ngjall makth, në epiqendër të një romani, i cili në substratin e tij shqipton ide e intenca të fuqishme ideore e estetike. Një roman i përsiatjeve të mëdha filozofike e shqiptimeve të fuqishme nacionale. Është pikërisht kjo darkë, e cila autorit i shërben si një simbolike domethënëse për të përçuar idetë letrare dhe për të zgjeruar rrjetin ligjërimor. Nëse e lexojmë tekstin e Kadaresë në planin intertekstual të shkrimit, siç e përmendëm, romani shëmbëllen në planin interletrar me Darkën e mirënjohur Biblike, respektivisht darkën e Jezu Krishtit me apostujt, nga e cila Kadare derivon kuptimet dhe statusin intencional të shkrimit, ndërfutjen e një intrige në shkrim, e cila trand njerëz të shumtë. Kadare në roman huazon nga parateksti biblik emra, ngjarjen biblike dhe diskursin, me një derivim imagjinativ. Darka biblike mbetet akti më mistik i Biblës, prej ku zë fill ndërtimi i religjionit kristian, ndërsa në anën tjetër Darka e Gjirokastrës, është nyja ku ndërlidhet enigma e një ndodhie kurrë të qartësuar, përplasjeve mes mbretërorëve dhe komunistëve, perëndimorëve dhe lindorëve, etj. Në këtë konglomerat përsiatjesh, Kadare ridimensionon shumë përsiatje për tragjeditë që komunizmi i pat shkaktuar Shqipërisë dhe shqiptarëve. Prandaj, lidhjet interletrare janë semantike dhe estetike. Ndërsa kontekstualizimi letrar i diskursit biblik, i mundëson autorit të transmetojë mesazhe ekuivoke: njëri sforcon modelin ligjërimor biblik, si shkollë ndikuese themelore brenda literaturës shqipe, ndërsa tjetri përçon idetë e autorit për shumë dilema të mëdha shqiptare. Në roman kemi një darkë, e cila ka krijuar shumë dilema dhe mëdyshje në Gjirokastër, enigma e së cilës ka trandur me dekada qytetarët, ndërkaq kundruall saj rri Darka biblike, e cila siç del në sekuencën narrative të mëposhtme, jep indiciet e një fronti të hapur dihotomik që përfaqëson personazhi doktor Gurametoja i madh, i cili as nuk është Krisht, as Juda Iskarioti, pra tradhtari i Krishtit:
“Duke zbritur thellë e më thellë në kohë, disa u kujtuan për darkën e Krishtit, siç tregohej në shkrimet e shenjta, të sigurt se atje do të gjenin, më në fund, enigmën. Ishin të gjithë në darkë: Krishti vetë, pikëllimi i tij hyjnor, apostujt, madje, dhe Juda Iskarioti. Kështu u duk se po e gjenin të vërtetën, por shi atëherë, ajo nisi të fironte. Që s’ishte Krisht doktor Gurametoja e, aq më pak, mysafirët gjermanë, kjo dukej që larg, por edhe Judë t’i quajë, ishte e tepërt“. (fq. 45). E, kush është atëherë doktor Gurametoja i madh? është pyetja e dilema sfilitëse që endet në gjithë narracionin e romanit. Duke e vënë kryepersonazhin mes identifikimit me Krishtin dhe Juden, Kadare shpërfaq në mënyrë eksplicite peshën e periudhës në fjalë dhe konsekuencat që ka bartur jeta shqiptare më vonë. Në këtë aspekt, ky roman, krijon marrëdhënie kuptimore poliletrare, ndërsa këto shtresime letrare janë të pranishme në nëntekst dhe kontekst, ndaj janë të identifikueshme e të nënkuptueshme në të gjitha planet strukturore të tekstit në fjalë.
Shkrimtari Kadare, romanin “Darka e gabuar” e konstrukton, nëpërmjet shenjave të motivuara nga një ndodhi reale, e cila zhvillohet në Gjirokastër, pikërisht në vlimet e shumta e me përplot dramaticitet përgjatë Luftës së Dytë Botërore. Në fakt, subjekti i romanit duke u zhvilluar brenda një kohe të gjatë, që nga dita kur ushtria italiane kapitulloi, për të vazhduar me periudhën e pushtimit gjerman të qytetit, pastaj “triumfin komunist”, në vete pos tjerash ngërthen periudhën deri në vdekjen e Stalinit; kohë kjo kur Shqipëria ishte pre e ndryshimeve të njëpasnjëshme, e shpeshherë me përmasa groteske, të cilat sekuenca jete autori i transfiguron në art. Mirëpo, Kadare s’lejon assesi që romani të simplifikohet vetëm brenda këtij boshti narrativ. Teksti i Kadaresë, duke qenë projektim imagjinativ i një darke reale të zhvilluar në një kohë të caktuar në Gjirokastër, me personazh kryesor doktor Gurameton e madh, bëhet arenë përsiatjesh të fuqishme letrare e përtej letrare. Romani është derivim imagjinativ i enigmës së darkës në fjalë, e cila kishte tronditur qytetin, e në të cilën fusin hundët jo pak edhe shtetet me ndikim të kohës. Këtë enigmë Kadare e konstrukton me mjeshtri, ndërkaq implikimet simbolike, siç e përmendëm, i shtreson në relacion me Darkën biblike, nga e cila motivohet dhe identifikohet teksti.
Personazhi kryesor, doktor Gurameto i madh, tipologjikisht nuk përbën një karakter të fuqishëm për të tronditur qytetin. Mirëpo kjo ndodh, edhe pse për këtë, madje vetë ai ishte i pavetëdijshëm. Ai pati studiuar në Gjermani, ndërkaq shtron një darkë për oficerët gjermanë që erdhën nga Greqia për të marrë nën kontroll Shqipërinë, pas largimit të italianëve. Kjo darkë, krejt paradoksalisht shndërrohet në enigmë sfilitëse, nga e cila pësojnë jo pak njerëz. Njerëzia ngatërron tingujt e muzikës gjermane me të shtënat e mitralozëve. Po këtë ndodhi, doktor Gurametoja i madh, s’do të jetë në gjendje të sqarojë rrethanat dhe enigmën e darkës, ngase, “askush nuk mbërrinte te thelbi i saj“-shkruan autori. Ai kthehet në hero, ndërsa për disa të tjerë në armik. Ky pështjellim shkakton tendosje të mëdha, e, këto Kadare i përcjell me dramaticitet të mirëfilltë letrar, në fabulën e një romani që zhvillohet me makth e në të cilin autori ndërfut copëza jete nga të gjitha kohët shqiptare.
Në esencë, shenjat letrare dhe simbolet eksplicite, të cilat i artikulon Kadare në shkrim, darka e Gjirokastrës, në njërën anë dhe implikimet e Darkës biblike, si evidenca funksionale intertekstuale, në anën tjetër, shfrytëzohen mjeshtërisht, si trampolina për ta sforcuar diskursin letrar dhe për të artikuluar idetë, përsiatjet dhe mesazhet letrare, në formën e një interkomunikimi të fuqishëm e kreativ që bën teksti me modele të shumëfishta shkrimi. Teksti i Kadaresë në mënyrë eksplicite shfrytëzon modelin biblik brendapërbrenda tekstit.
Duke transfiguruar një ndodhi reale, në shkrim imagjinativ, autori krijon gjithashtu një distancë mes ngjarjes dhe rrëfimit, ndërkaq fabulën e pasuron me një rrjet tekstesh të inkorporuara brenda subjektit qendror, shtresime e topose këto të cilat trupëzohen vetëm për një qëllim, për të përplotësuar fabulën e romanit. Duke u motivuar mbi një ngjarje të vërtetë, subjekti i këtij romani tejkalon përmasat e së mundshmes, reales dhe, me diskursin shumëplanësh që inkuadron në fiksion, bëhet roman i përsiatjeve të mëdha e universale, ku Kadare shqipton ide të mëdha për pushtuesit, për kulturën e pastër nacionale, për orientimet kulturore dhe civilizuese të shqiptarëve, për traditën letrare dhe universalitetin e saj, për figura të shumta të ekskomunikuara të jetës shqiptare, për çështjen e Kosovës, Çamërisë, etj. Është pikërisht kjo shkathtësi e thellësi e këtij autori, krejtësisht të veçantë e origjinal, që në një instancë tjetër, përplotëson raportin letrar në trekëndëshin e ndërliqshëm artistik: ngjarja, fiksioni dhe empiria. Në këtë korpus tekstesh dhe shtresimesh tematike, empiria si evokim i botës së madhe të librit, brendapërbrenda strukturës tekstuale të romanit, vjen si produkt i referencialitetit dhe ka destinim: narrativitetit t’i japë karakter të tejkohshëm, e mbi të gjitha universal. Në fakt, komponentja e fundit e sipërshënuar, përveç tjerash vë në spikamë zhdërvjelltësinë e Kadaresë për të ndërfutur brenda tekstit, me efekte të theksuara stilistike e semantike, pjesë të diskurseve të mëparshme (Linda Hacion) letrare e kulturore, si pjesë të empirisë e referencialitetit. Këto inkorporime janë funksionale sikundër në planin e diskursit letrar, njashtu të futjes në lojë të intertekstualitetit, si element brenda tekstit, pastaj futjes në lojë të ideve dhe filozofisë morale biblike, me konotacione të motivuara, që implikojnë Darkën e fundit të Jezu Krishtit me apostujt e tij, prej së cilës ngjarje Kadare “shfrytëzon” jo pak. Ky aspekt i ndërfutjes së intertekstit në fiksion, shpërfaq potencën e narratorit të pasionuar (Eco), i cili di mjeshtërisht të sintetizojë brenda një shtrati narrativ, dimensionin empirik me atë fiksional, madje në harmoni me kërkesat intencionale të shkrimit imagjinativ.
Në universin letrar kadarean, komponentja fiksionale dhe ajo empirike, janë paradigma të shkrimit artistik, të cilat si të tilla funksionojnë paralelisht duke e përplotësuar njëra tjetrën. Këto elemente kreative, i gjejmë kurdoherë të mishëruara dhe bashkëfunksionale në prozën e tij. Në përputhshmëri me subjektin e romanit, “Darka e gabuar” Kadare na fut në një qerthull të mirënjohur misteresh, ku fiksioni e bota empirike shkrihen në sinkroni të plotë, për të konstruktuar kësisoj qëllimin final të tekstit, zbërthimin e enigmës për darkën e qytetit Gjirokastër. E, kjo Darkë mund të trajtohet, duke pasur për shëmbëllim darkën Biblike. Por, Kadare nuk është një narrator i zakonshëm, ai depërton në thellësi të thellësive, duke zhbiruar nëpër histori, mitologji, bestytni, religjion dhe kështu jep fizionominë e një universi narrativ, ku bashkëjetojnë e kaluara me aktualen, e bukura në kundërshti me të shëmtuarën, tradhtia me bujarinë, mëkati me faljen, besa me pabesinë. Fabula e romanit e vendosur pikërisht në vlimet e mëdha ideologjike dhe luftërat që zotëronin jetën shqiptare, kalimet nga një pushtues tek një tjetër, tejkalon shumëfish diskursin themelor të romanit dhe zbret nëpër labirinte krijuese e ideologjike. Kështu proza e tij modelohet si shëmbëllim më i mirë i universales, edhe kur ajo është nacionale. Aluzionet që krijon autori me Darkën e fundit biblike dhe ndërfutjen e diskursit biblik në planin ligjërimor, stilistik dhe ideor, mbesin shenja të motivuara, të cilat realisht janë palca e romanit. Në këtë aspekt, projektimet dhe artikulimet intencionale të autorit janë në përputhshmëri semantike me reminishencën që krijon asociacioni i Darkës së fundit biblike, me sekuencat e saj, si dhe personazhet themelore, që në fund zbresin tek katharsisi letrar.
Kadare fut në narracion shpirtin dhe talentin fiksional. Romani i tij është një botë e madhe e librit, ku sintetizohet e ndodhura me të mundshmen, e kaluara me të sotmen, e bukura me shëmtitë. Është, pikërisht kjo fuqia e shpirtit artistik që e bën këtë autor të përmasave universale, shkrimtar të dashur kudo ka kulturë letrare dhe dashamirë të artit të mirëfilltë.
11 Dhjetor, 2008
Katërmbëdhjetë vëllezër në një antologji të përbashkët
Katërmbëdhjetë vëllezër në një antologji të përbashkët
Mihai Antonescu (anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë)
Antologjia shqiptaro/rumune Bukuria e bukurive (Do-Minor, Bukuresht 2008) përfshin 14 poetë, shtatë shqiptarë dhe shtatë rumunë, në një korolar të rrumbullaktë e të shkëlqyer, ku stilet e ndryshme burojnë përmes shprehjes së gëzimit të ritakimit në një ide madhështore që i jep poezisë konturet e kontinuitetit të lidhjeve të thella që bashkojnë dy popuj të stërlashtë, të vëllazëruar në fëshfërimën e një druri madhështor. Poeti Baki Ymeri, njeriu me dy zemra në krahëror dhe me një mëndje të aftë për zbutjen e çdo mendimi të mirë për artin dhe letërsinë, në netët e tij të mbushura me shëmbëlltyra vashash e fluturash që shpërndajnë puhi mbi vesën e degëve, ka nxjerrë nga fenomeni i përbashkët letrar vlerat e 14 ëndërrimtarëve, duke i mbështetur mbi tiparet e “Bukurive të bukurive”.
Kështu, ndoshta koha është ajo që e mat rrjedhën e botëve të gjithmonëshme, emri i poetit Ibrahim Kadriu qëndron i frymëzuar pranë emrit të Casian Maria Spiridonit, Edi Shukriu buzëqesh në drejtim të Victoria Milescut, Dan Musliu dhe Varujan Vosganian vizatojnë shenja të mistershme mbi idenë e një apeli të përbashkët, Flora Brovina shpërndan parfume të lashta kosovare deri në shikimin mendimtar të Florentin Popescut, Ndue Ukaj mahnitet pa fjalë në bardhësinë dakase që turfullon në mjekrën e autorit të këtij shkrimi, Miradije Ramiqi gjuan një engjëll në poezinë e Corina Ghermanit, ndërsa Jeton Kelmendi i mirë e i dashur, edhe këtu shëmbëllen me frymëzimet e Marius Chelarut në fushë të mbretërisë supreme të gjithë asaj që don të thotë rafinament dhe koncizion i shprehjes.
I frymëzuar, poeti Baki Ymeri ka vendosur të përkthejë në gjuhën shqipe vargjet tona, dhe në atë rumune ato të vëllezërve tanë të gjithmonshëm, me bindjen se kjo antologji, e vetmja në mënyrën e saj, është një prodhim i mirë që e ka përfituar medaljen e artë në garën ndërmjet estetikës dhe vlerës. Subjektivizmi i zemrave të tyre, si dhe drita e një mëndje përjetë të shqetsuar, përbën diamantin pothuajse të pakrahasueshëm në unazën e kohës që na është dhënë neve, këtyre që kemi patur fatin dhe kënaqësinë të ritakojmë njëri/tjetrin në këto faqe, më pranë qiellit, me një lutje të përbashkët. Ngase, asgjë përjashtë sintagmës “shtatë me shtatë” nuk mund ta hijesojë arritjen e kësaj antologjie të shkëlqyer. (Përktheu nga rumanishtja: A. Voka)
17 Tetor, 2008
Shqiptarët janë si i don armiku (NEWS)
Shqiptarët janë si i don armiku
Leximi i satirës së At Gjergj Fishtës “Në hajat të parrizit”, në ditët e sotme, kur shqiptarët i bëjnë lavdi marrëzisë, krimit, diktaturës, dhunës, nderojnë idhujt më antiperëndimor që ka pas kombi shqiptar, ndihmon dukshëm për të njohur e rinjohur probleme të ashpra të jetës sonë nacionale. Përmes një ironie të fortë, lexuesi mund të përftoj katharsin e domosdoshëm që e sugjeron teksti. Ndërkaq, kjo satirë mbetet një paradigmë e fuqishme, pse jo edhe një alternativë e mirë në rrugën e vetëdijesimit kombëtar.
Titulli i lartëshkruar i këtij teksti është i huazuar nga satira e fuqishme e Atë Gjergj Fishta ”Nën hajat të parrizit”, të cilën autori e shkroi me 1914. Pra pikërisht në kohën e tensioneve të mëdha nacionale shqiptare dhe vlimeve të shumta ballkanike, kur jeta e përgjithshme nacionale karakterizohej nga një kaos i vërtet. Kjo satirë e fuqishme, e përshkuar nga diskursi sarkastik i ashpër, sado e shkruar afërsisht një shekull më parë, me idetë themelore të saj korrespondon thellë me të sotmen nacionale, sikundër në Kosovë po ashtu në Shqipërie e hapësira tjera shqiptare. Edhe pse si rezultat i ndryshimeve të natyrshme, problemet nacionale shqiptare, në planin e jashtëm politikë nuk janë identike me ato të që ishin para një shekulli, ndërkaq qenësisht, problemet e brendshme të jetës sonë praktike s’kanë ndryshuar fare. Madje, nëse e kontekstualizojmë satirën e Fishtës brenda hapësirave të sotme shqiptare, shohim se idetë të cilat i artikulonte autori, janë krejtësisht identike dhe konotojnë fuqishëm me botën se sotme shqiptare, edhe përkundër kësaj diference të madhe kohore. Artikulimet e Fishtës mund të lexohen sikur artikulime të shkruar dhe dedikuara për receptuesin e sotëm shqiptar. Prandaj leximi i kësaj satire, sidomos në ditët e sotme, kur shqiptarët shkojnë dhe i bëjnë lavdi marrëzisë, krimit, diktaturës, dhunës, do të mund të ndihmonte shumë për të njohur e rinjohur probleme të ashpra të jetës sonë nacionale, që janë bërë diga të fuqishme që pengojnë në rrugën e konsolidimit dhe përparimit si komb. Mbi të gjitha, leximi i kësaj satire të shkëlqyer të shkrimtarit tonë brilant, mbetet alternativ shembullore për të zgjedh rrugë të shëndosha dhe progresive, në vend të atyre që ndërtojnë idhuj krimit e marrëzisë.
Personazhi Shën Pjetëri në derë të Parrizit mediton për fatin e shqiptarëve dhe ky fat është i mbuluar nga një tis i zi dhe absurd. Duke biseduar me Djallin dhe Skënderbeun ai thotë se ”shqiptarët janë çorodit krejt”, apo në trajtat e tjera tragjike “kanë dal faret”, prandaj as që ju shkon mendja të trokasin në derë të parrizit për të kërkuar shpëtimin. Pikërisht për këtë Shqipëria s’e gjen shpëtimin. Në këtë mënyrë, shqiptarët luajnë pavetëdijshëm lojën e djallit. Të paftë për të udhëhequr, për të pas lider të fuqishëm, të ndarë e përçarë, shqiptarët heroin e tyre Skënderbeun e kanë në fjalë e në libra dhe jo në zemër. Sa trishtueshëm klithë teksti i Fishtës. Po për këtë, ata kanë devijua dhe as që kanë mendjen të trokasin në derën e parajsës për të kaluar nëpër katharsisin e domosdoshëm në rrugën e lartësimit si komb, të cilin Fishta e shpreh se intencë qëllimmire të kësaj satire. Teksti i Fishtës nënkupton tragjiken e shqiptarëve që kanë humbur parajsën, prandaj me artin e satirës troket në ndërgjegjen e çiltër: ata duhet të rikthehen në këtë derë simbolike për të gjetur shpëtimin për Shqipërinë. Teksti i kësaj satire të ngjeshur me mendime soci-politike, ndërtohet nëpërmjet një bisedë dramatike për fatin e zi të shqiptarëve, mes tre personazheve të cilët bartin kuptime të fuqishme simbolike e semantike: Shën Pjetri, Skënderbeu dhe Djalli. Shën Pjetri, figurë që shpreh një kod religjioz e kulturor, është rojtarit i derës së Parajsës, prandaj ai shpreh habinë, pyetjen e dilemën pse shqiptarët nuk trokasin një kohë të gjatë në derë të parajsës. Dhe kështu Fishta sikundër riciklon reminishencën e mbuluar nga shtresat e mjegullta, nëpërmjet simbolikës së moralitetit. Kjo reminishencë përçon kuptime ambivalente. Autori këtu godet fuqishëm përmes sarkazëm së thellë ata shqiptar që nuk e duan pendimin, ata që s’pendohen. Dhe kështu ata as që duan ta zgjedhin rrugën e mirë të përparimit nacional, por përkundin verbërisht të këqijat dhe hijet e zaza që vërtiten mbi tokat shqiptare. Kjo ndodh ngase, siç do del nga dialogu i Shën Pjetërit, shqiptarët janë pre e veseve të këqija, tradhtisë, krenarisë së madh, koprracisë, rrenës, patriotizmit të rremë, adhurimit të gabuar… Kur lexojmë këto implikime që ngërthen teksti i Fishtës, nuk mund të mos shtrojmë sot pyetjen e dilemën e madhe: A nuk korrespondon kjo sekuencë trishtueshëm, me aktin më të çoroditur dhe më të marrë që ndodhi para pak ditësh në Prishtinë, ku struktura politike pretendojnë ta rehabilitojnë diktaturën e egër të Enver Hoxhës? Shqiptarët në vend se të trokasin në derë të parrizit dhe të hyjnë në procesin e spastrimit, katharsisit të domosdoshëm për të filtruar idealet, ata bëjnë të kundërtën, shkojnë dhe ndërtojnë tempuj imagjinar, ku i përkulen verbërisht diktatorit më të çmendur që ka njohur historia. Në këtë mënyrë ata enden kotësisht në një labirinte të tmerrshëm të këqijave pa fund.
Dialogu i Skënderbeut më Djallin përshkohet nga tone dramatike, ku shpërfaqet një realitet i vrazhdë shqiptar. Ndërsa kulmi i tij arrihet kur djalli i thotë Skënderbeut se emri i tij është në libra, por nuk dihet nëse është në zemër të shqiptarëve. Klithma se Skënderbeu nuk është në zemrat e shqiptarëve, mbetet një klithmë tragjike.
Diskursi i ashpër satirik i Fishtës në fund të këtij teksti shpërthen në një paradoks të papritur dhe tekstit i jep një përfundim shpresëdhënës. Bisedën dramatike mes Djallit dhe Skënderbeut e ndërprenë Shën Pjetëri, i cili thotë se “për inad të Djallit dhe Shqiptarëvet, Zoti ka me mbajtë Shqypninë më kombë me nder e me lumni”.
Leximi i kësaj satire një shekull pas dhe nxjerrja e kaq shumë problemeve identike në jetën tonë, nuk ka sesi të mos trondit shumë. Dhe për fund nuk ka sesi
Në Prishtinë, adhurimi i figurës së Enver Hoxhës mbetet ngjarja më ogurzeze që vërtitet mbi tokat shqiptare tash e dy dekada. Prandaj sot kemi nevojë më tepër së kurrë ta rilexojmë Fishtën e Madh. Ngase vepra e tij është një referencë e fuqishme, e cila vërtet mund të ndihmon në çdo kohë. Sidomos në kohë të vështira.
5 Tetor, 2008
Rivlerësimi i historisë së letërsisë shqipe
Rivlerësimi i historisë së letërsisë shqipe
Vetë fakti se ndjehet nevoja e rivlerësimit të historisë së letërsisë shqipe, tregon qartë se ajo është lexuar keq, apo në trajtat tjera, është lexuar sipas një diktati politikë, i cili ka rezultuar me lexime të gjithfarshme, përpos letrare
Ndue Ukaj
Nisma për të rishkruar historinë e literaturës shqipe, edhe pse e vonuar, është puna më e mirë e cila mund t’i bëhet kulturës së shkrimit shqip. Kjo për faktin e mirënjohur se letërsia shqipe asnjëherë nuk është studiuar në tërësinë e saj, është parakonceptuar sipas interesave që i kanë karakterizuar kontekst e caktuara shoqërore e ideologjike. Kjo ka ndikuar në masë të madhe që ajo të fragmentohet. Si rezultat i kësaj, letërsia shqipe është keqinterpretuar e paragjykuar, por, përveç këtyre edhe është cunguar e gjymtuar (terma këto të studiuesit Anton Nikë Berisha). Prandaj, rivlerësimi, jo i pjesshëm, por i tërësishëm i historisë së letërsisë shqipe mbetet një domosdoshmëri, për të vënë kuptime adekuate, cilësore dhe të vlefshme në një mjedis letrar me kontradikta të shumta, ngase për dekada kemi trashëguar një apori studimesh të gjithfarshme, të bëra më së paku sipas principeve dhe cilësisë letrare. Më tutje, rivlerësimi i trashëgimisë letrare shqipe, është në përputhshmëri me rolin e kritikës letrare, e cila, ashtu siç vlerëson dijetari i letërsisë Ian Meclean ka si intencë: “roli i interpretimit është të korrigjojë ose të arsyetojë një lexim”. Referenca e lartshënuar na fut në një qerthull subjektiv, në procesin e leximit, që gjithsesi konceptohet se një nga proceset me komplekse të letërsisë. Megjithatë, qëllimi i këtij shkrimi nuk është të analizoj procesin e leximit, por produktin e tij, interpretimin dhe vlerësimin. Pra, interpretimi duhet të korrigjoj ose arsyetoj një lexim, sikundër edhe të korrigjoj gabimet e trashëguara, të cilat janë të shumta, sikundër na planin e dukurive estetike-letrare, po ashtu në aspektet historike e biografike të letërsisë.
Vetë fakti se ndjehet nevoja e rivlerësimit të historisë së letërsisë shqipe, tregon qartë se ajo është lexuar keq, apo në trajtat tjera, është lexuar sipas një diktati politikë, i cili ka rezultuar me lexime të gjithfarshme, përpos letrare. Ky dimension e ka gjymtuar dhe dezintegruar letërsinë shqipe, duke e cunguar, keqinterpretuar dhe paragjykuar. Prandaj, ky lexim i ri, në kontekste tjera letrare e shoqërore, kur ideografia e kritikut (Ezra Paund) nuk është e orkestruar nga ideologjitë, sigurisht duhet të vë kuptime të reja brenda një mjedisi letrar e kulturor, me përplot kundërshti. Një apori letrare e krijuar për dekada të tëra, duhet të qartësohet dhe ky qartësim duhet të bëhet nëpërmjet rivlerësimit të tërësishëm të korpusit të letërsisë shqipe që do të rezultonte me integrimin e tërësishëm të historisë së letërsisë shqipe dhe jo vetëm të asaj që e njohim si periudhë e soc-realizmit.
Në komunitetin e literaturës shqipe, tanimë një kohë të gjatë po vazhdon të debatohet për rishkrimin e historisë së letërsisë. Në princip, duket se ekziston një pajtueshmëri e gjerë, përkundër ca reagimeve periferike dhe të pa efektshme, se historia e letërsisë duhet rivlerësuar, dhe këndej pari rishkruar e ridimensionuar. Kjo për faktin se historia e letërsisë shqipe për dekada të tëra, është karakterizuar për “shpërpjesëtime sasiore, por edhe çhierarkizime cilësore”– shkruan dijetari Aurel Plasari në tekstin brilant “Gjergj Fishta dhe historia e letërsisë”. Si rezultat i kësaj, studimet letrare shqiptare kanë përjetuar një çintegrim të plotë. Letërsia e traditës është kundruar sipas principeve të ideologëve letrar, ndërkaq ajo bashkëkohore është zhvilluar në masë të madhe nën diktat.
Letërsisë shqipe i ka munguar intekromunikmi letrar dhe debati i mirëfilltë për dukuri e fenomene letrare. Madje dijetari i letërisë Sabri Hamiti mendon se “kurë nuk ka pasur një komunikim letrar në arealin shqiptar. Arsyet mund të jenë, në varshmëri nga kohët: herë gjeografike, herë kulturore, herë ideologjike e madje politike”. Prandaj nga qenia e letërsisë (Zherar Zhenet), për pesë dekada janë përjashtuar autorët themelor të saj, Fishta, Konica, Harapi, Kuliqi, Haxhiademi, Kuteli, Camaj, etj. Ndërkaq kjo periudhë ka patur konsekuenca tejet negative edhe për produksionin fiksional të krijuar gjatë këtyre viteve. Shumë autorë që ka prodhuar soc-realizmi sot, jo që nuk lexohen, por gjykohen si prishës të shijes estetike, ndërkaq autorë të shtypur kanë filluar të ngriten në hierarkinë e vlerave letrare.
Si formulim rishkrimi tingëllon si koncept me konotacione të ngarkuara semantike. Ndërkaq, unë do të preferoj ne këtë kontekst të përdoren termat: rileximi dhe së këndejmi rivlerësimi i literaturës shqipe, ngaqë korrespondojnë thellë me domosdoshmërinë e ndreqjes së gabimeve të shumta që e kanë karakterizuar për dekada literaturën shqipe.
Nëse e analizojmë literaturën shqipe në diakroni, shohim se kundërshtitë brenda letërsisë shqipe kanë si fillesë përplasjet e mëdha që e kanë shoqëruar nacionin tonë nëpër shekuj. Në këtë kontekst, trashëgimia jonë letrare ka mbetur e pastudiuar në mënyrë integrale, apo në raste tjera ajo është selektuar. Kjo ka ndodh sidomos me korpusin e letërsisë së vjetër shqipe dhe autorët themelor, Buzukun, Budin, Bogdanin e Jaribobën, veprat e së cilëve janë konceptuar si tekste me vlera filologjike dhe këndej pari është përjashtuar dimensioni i tyre estetik e letrare. Këta autorë që përfaqësojnë themeluesit e kulturës tekstuale shqiptare (Anton Berishaj) për pesë dekada të sistemit soc-realist në art e letërsi janë lexuar jashta metodave letrare. Në njëfarë mënyre, ky korpus letrar (Buzuku, Budi, Bogdani, Variboba, dhe ndonjë tjetër) u bë për kritikën shqipe “Thembra e Akilit”, me të cilën në mënyrë të veçantë u shërbye soc-realizimi në art dhe letërsi, për ta zhvlerësuar këtë korpus letrar, i cili paraqet shtresimin bazik për gjithë letërsinë e mëvonshme shqipe me autorët e mëdhenj (Mjeda, Kuteli, Koliqi, Fishta, Poradeci, Camaj, Pashku etj. Por problemi me selektimin nuk ndalet këtu. Një çështje tjetër e debatueshme brenda kulturës letrare shqipe mbetet letërsia shqipe e shkruar në gjuhë tjera. Akoma në traditën e shkrimit letrar shqiptar nuk është e definuar qartë se çfarë është letërsia shqiptare e çfarë është letërsia shkruar në gjuhën shqipe. Një detyrë e rishkruesve të historisë së letërsisë është të bëjë këtë dallim të domosdoshëm.
Një nder aspektet e para problematike në vlerësimin e letërsisë shqipe, i cili s’ është prekur ne mënyre sistematike, mbetet çështja e letërsie se trashëgimisë iliro-shqiptare, e shkruar ne gjuhen latine (apo gjuhe tjera te shkrimit), pjese e se cilës është edhe një pjese e konsiderueshme e letërsisë perëndimore. Kjo është letërsia parakombëtare. Ne ketë kontekst, mendoj se janë bere “padrejtësi”, ngase prelatët e kishës së hershme katolike, qe shkruan ne gjuhen latine (Nikete Dardani, Shën Jeronimi, etj.) janë “përjashtuar” nga historia e letërsisë shqipe pa ndonjë shpjegim, edhe pse konteksti i përgjithshëm gjuhësor dhe kulturor, ne te cilin jetuan dhe krijuan ata i përkiste latinitetit. Mos inkorpurimi i këtyre autorëve në historinë e letërsisë shqipe sjell paradoksin tjetër, ngaqë ne kemi një trashëgimi të pasur në historinë e letërsisë nga gjuha latine, sidomos velen të përmendën autorët e humanizmit (Gjon Gazuli, Marin Becikemi, Mikel Maruli, Marin Barleti, etj), të cilët autorë faktikisht janë pjesë e historisë letrare shqiptare. Nëse e shohim këtë dukuri në vazhdimësi, kemi autorët Sami e Naim Frasherit, që një pjesë të krijimtarisë e shkruan ne gjuhet orientale, ndërsa veprat e tyre janë pranuar dhe integruar ne historinë e letrare shqiptare, edhe pse tanimë kishim një kontekst të ndryshëm dhe gjuhet kombëtare ishin ne kultivim e sipër dhe lidhjet e këtyre autorëve me gjuhet orientale s’ishin domosdoshmëri e shkrimit letrar. Pra veprat e tyre janë të inkuadruar në historinë e letërsisë shqipe dhe ky përbën një aspekt të selektimit. Atëherë, si të interpretohet korpusi letrar parakombëtar dhe autorët Niketë Dardani, Shën Jeronimi, etj, mbetet një çështje e rëndësishme që duhet shpjeguar.
Rivlerësimi i letërsisë shqipe duhet të shtresoj elementet bazike të kulturës letrare shqipe që nga datimet më te hershme, deri tek aktualiteti. Në këtë hallkë, kjo histori duhet ri/integroj autorët e përjashtuar me diktat politikë, duke vënë hierarkinë cilësore, sikundër duhet inkorporoj letërsinë shqipe të krijuar jashta kufijve të Shqipërisë, letërsi kjo që përbën rëndësi sikundër në planin cilësor, njashtu në atë sasior. Në këtë linjë, një çështje mjaft e rëndësishme dhe komplekse mbetet studimi dhe vlerësimi i drejt i autorëve shqiptar që jetojnë dhe krijojnë në diasporën e gjerë shqiptare, e cila letërsi sot ka shumë autorë me nam, pa të cilët letërsia shqipe do ishte shumë më e cunguar.
Historia e letërsisë dhe kritika letrare
Një histori i letërsisë mund të shkruhet drejt vetëm atëherë kur asaj i paraprinë një kritikë letrare sistematike. Pa këtë ndërlidhshmëri, s’mund të ketë rezultate të qëndrueshme dhe të pranuara gjithandej. Në këtë kontekst ajo që mendoj se duhet të shtrohet si temë diskutimi ne sensin e debatit për rivlerësimin e letërsisë shqipe, ne literaturën shqipe, mbetet pyetja nëse kritika letrare është liruar nga dogmatizmi? Dhe pastaj, sa ajo i ndihmon letërsisë dhe historisë së letërsisë? Dijetari i letërsisë Northep Fraji shkruan se: “artet janë memece, ndërkaq kritika mund të flasë”. Nëse pajtohemi me këtë tezë, që gjithsesi ka mbështetje të gjerë ne studimet letrare, atëherë mund të themi se problemet e letërsisë shqipe janë të ndërlikuara dhe kanë një shtrirje të gjerë, që prek relacione të komplikuar mes shkrimtarëve dhe studiuesve të letërsisë.
Segmente të rëndësishme të mendimit për letërsinë, apo më mirë të themi kritika letrare shqipe ende nuk ka arritur t’i riparoj gabimet e trashëguara dhe kjo përbën një pengesë në rrugën e emancipimit të saj dhe zhveshjes nga dogmatizmi. De facto kritika letrare shqipe, ende nuk e luan funksionin e saj për të vlerësuar, karakterizuar, seleksionuar, ndërmjetësuar, por kurdoherë mban rolin e apologjetit apo mohuesit. Kjo për mendimin tim përbën një aspekt të dogmatizmit që pengon rivlerësimin e letërsisë shqipe dhe në këtë sens rishkrimin e historisë së letërsisë shqipe. Ndërsa në aspektin tjetër ky fakt pengon letërsinë shqipe të vlerësohet si dukuri estetike.
Mendimi letrar shqiptar dhe kritika letrare përgjatë shumë dekadave ka përjetuar dhe përjeton krizë identitetit, që ka konsekuenca të fuqishme në konsolidimin e kritikës letrare, por edhe letërsisë shqipe përgjithësisht. Ka segmente të caktuara të kritikës letrare, të cilat, jo që nuk janë shkëputur përfundimisht nga dogmatizmi e kritika ideologjike, por tentojnë me çdo çmim të krijojnë brezin pasardhës të kësaj ideologjie letrare. Për fat të keq, në këtë regjistër hyjnë të ashtuquajtur emra të mëdhenj e autorë me famë, sikur në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë. Megjithatë, konsideroj se kritika dogmatike përfundimisht është në zvetënim e sipër. Tanimë ka një tendencë për hapje të kritikës letrare dhe emra të rinj në Tiranë e Prishtinë kanë qasje inovative dhe tejet të avancuara letrare. Por, kriza e defamiljarizmit (nocion i formalistëve rus) nga dogmatizmi, për mendimin tim ka krijuar një paradokse tjetër, që është po aq i rrezikshëm, ngase ekziston një tendencë çoroditëse e interpretimit të letërsisë shqipe, përmes fenomenit të glorifikimeve dhe përbuzjeve ekstreme, që gjithashtu ka një segment dogmatizmi në vete.
Vlerësoj se dy dekadat e fundit në letërsinë shqipe gjithsesi kanë shënjuar ndryshime dhe formësime pozitive, në kuptimin e hapjes së studimeve letrare, përvetësimit të metodave dhe shkollave të shumëfishta letrare. Në fakt, sot nuk ndjehet ndonjë uniformitet në studimet letrare, ndërkaq ka një shumësi e shkollash dhe vlerësimesh letrare, duke u bazuar tek teoritë klasike e bashkëkohore. Dhe kjo është një shenjë e shpresëdhënëse që gjithsesi do të ndihmoj në shkrimin cilësor të historisë së letërsisë shqipe.
Dy dekadat e fundit ka pasur një shtim cilësor të studimeve të rëndësishme letrare për autorë dhe dukuri të caktuara letrare. Në këtë periudhë kemi një sfond të pasur dhe cilësor studimeve letrare, që janë fokusuar tek letërsia e vjetër shqipe, tek letërsia e arbëreshëve të Italisë, tek autorët e shumtë të ekskomunikuar, (Fishta, Koliqi, Harapi, Haxhiademi, Santori, Kuteli, Zorba, Pipa, Camaj), apo tek autorët tjerë të rëndësishëm: Reshpja, Podrimja, Pashku, Pllumbi, etj. Këto studime sigurisht se mund të ndihmojnë shumë në një shkrim cilësor të historisë së letërsisë shqipe, nëse ajo do të shkruhet me qëllime të shëndosha, për të vënë kuptime cilësore në një mjedisi letrar të çoroditur.
4 Shtator, 2008
Arti i të Shkruarit
Në traditën e shkrimit letrar, ekziston një debat i pambarim për rolin që ka letërsia në një shoqëri. Platoni donte t’i dëbonte poetët nga shteti i tij ideal si prishës të moralit dhe ketë e bënte nga fakti se pranonte ndikimin e jashtëzakonshëm të letërsisë tek rinia, edukimi i pasioneve dhe ndjenjave të saj. Më tej, dijetari tjetër antik Aristoteli vë në spikamë katharsin si një aspekt funksional të letërsisë në shoqëri. Ndërkaq shkrimtari gjenial argjentinas Jorge Luis Borgesi, tek letërsia sheh shpirtin, andaj ja dedikon librit atributin më te madh të lumturisë njerëzore. Në këtë linjë mendimesh për artin letrar na del edhe filozofi dhe esteticienti Friedrich Hegel, i cili shkruan: “Vepra artistike vjen nga shpirti dhe ekziston për shpirtin, dhe epërsia e saj rrjedh nga fakti që, nëse një produkt natyror është një produkt i pajisur me jetë, ai është i vdekshëm; ndërsa një vepër artistike është një vepër që vazhdon të ekzistojë”. Pra, njëfarë mënyre, nëse do synonim të interpretonim një nga esencat e shumta të botës së madhe të letërsisë, do të mund të pajtoheshim se: “vepra artistike është e përcaktuar të ndërmjetësojë midis krijuesit të saj dhe kolektivit” (Jan Mukarzhovski). Dhe pikërisht ky aspekt e bënë letërsinë një univers autonom e krejt specifik në përvojën njerëzore, që vazhdon të qëndroj e fuqishme në çdo kohë.
2.
Poesis, ky term antik aristotelian që ka kuptimin e “krijimit nga asgjëja” nëpër kohë është bërë paradigma e shkrimit imagjinativ. Në të vërtetë, shkrimi konceptohet si përjetësia, mbi të gjitha amshueshmëria e fjalëve të lidhura me kuptime filozofike e ndjesore. Në universin e pafundmë, aty ku Olimpi i magjishëm ruan pushtetin e shkrimtarit, ekziston një fije transcendentale që e bën artin letrar të përjetshëm. Shkrimtari, kjo qenie mistike, heshtur ndërton botëra të ndryshme e të shumta, mbi të gjitha specifike, të cilat njerëzimi përherë i admiron, jeton me to, ndjen e frymëzohet nga to. Shkrimtari shëmbëllen me Krijuesin, ngase ai krijon nga asgjëja, tamam si Krijuesi dhe qëndron karshi universit të pafundmë me gjuhën e orakujve, një gjuhë që ligjërimin krijues e mishëron me përvoja të shumëfishta filozofike e artistike. Shkrimtari është qenia më tipike që ndërthur të bukurën dhe të madhërishmen, të këndshmja dhe të shëmtuarën, më tragjiken e lumturinë, brenda një simbioze letrare që sfidon kohët dhe ekziston përjetshëm. Ky kontrast dramatik e bën letërsinë gjithmonë aktuale, gjithmonë të nevojshme për mendjen njerëzore, për fisnikërimin e shpirtit njerëzor, mbi të gjitha për të pastruar njeriun nga pasionet e shumta: pra për domosdonë e një katharsis të përhershëm, në të cilin aspekt letërsia ka një rol fundamental. Është libri i letërsisë ai që me fuqi autonome tejkalon konceptet e kohës dhe lidhet me pakohësi, duke përmbys ligjet e ngurta të kohës, vjetërsisë, harresës, etj. Sa më shumë ecin kohët aq më i admirueshëm bëhet Homeri, Virgjili, Dante, Shekspiri, Kafka, apo në rastin e letërsisë shqipe, Bugdani, De Rada, Mjeda, Frashri, Fishta, etj.
3.
Për shkrimtarin e madh Jorge Luis Borges, ndër instrumentet e shumtë të njeriut, më i mahnitshmi, pa dyshim mbetet libri. Borgesi këtë atribut të posaçëm për librin e mbështetet në një sërë arsyesh, e mbi të gjitha, për faktin se libri ka fuqinë e shpirti. Pikërisht fuqia e shpirtit si tipar themelor, e nën substratin e së cilit qëndrojnë shumë shtresa narrative dhe stilistike, si gjuha e kultivuar dhe atributive, rrjeti imagjinativ me nuanca e prirje estetike e stilistike, e bëjnë librin e botës së letërsisë të posaçme, madje për shumë aspekte të veçantë, edhe në raport me gjitha librat tjerë të fushave të ndryshme shoqërore. Arti letrar, apo thënë ndryshe, libri i letërsisë mbetet ndër referenca themelore për emancipimin njerëzor. Letërsia gjithmonë ka influencuar dhe sot ka një funksion të fuqishëm në shoqëri. Pikërisht kjo fuqi e jashtëzakonshme, e cila kur konvertohet në atë që e konceptojmë shkrim letrar, krijojnë një soj lumturie të posaçme, të cilën njerëzimi vazhdimisht e kërkon, e admiron, e dashuron. Ky asociacion perceptimesh e bën letërsinë fushë superiore dhe tërësisht autonome. Këndej pari, prirja ndaj letërsisë, ndaj shkrimit letrar përgjatë gjithë gjallimit njerëzor ka qenë prirja me sublime për të bukurën dhe shëmtuarën, për të këndshmen dhe të dobishmen (Dulce et Utule), siç shkruante Horaci, për këto kategori estetike që përcjellin qenien njerëzore përherë. Nga bota e madhe dhe e pakufishme e letërsisë, shumëçka është transformuar në kulturë globale, duke mbetur letërsia, arena ku shkrihen shekuj, kultura, distanca dhe sintetizohen në atë që është e bukura, sublimja, e madhërishmja, tragjikja, etj. Prandaj, edhe në kohërat moderne ngjarjet dhe motivet që i ka përcjell letërsia, s’ mund të shkëputen nga jeta, madje as pas qindra shekujsh. Kështu, rrëfimi për Luftën e Trojës dhe Homerin vazhdon të përdoret në arte e kulturë, ashtu sikurse s’mund të shkëputet përvoja njerëzore nga “Komedia Hyjnore” e Dante Aligerit, “Hamleti” i Shekspirit, apo në kontekstin shqiptar nga “Lahuta e Malcis” e At Gjergj Fishtës.
4.
Përkundër lashtësisë së saj, edhe në shekullin tonë shtrohen pyetje për letërsinë, për natyrën e saj, për funksionin e saj. Megjithë përkufizimet e shumëfishta për artin e fjalës, mbetet e vështirë të gjendet një përkufizim i kënaqshëm për atë çfarë është qenia e letërsisë. Përtej një përkufizimi të pranuar si të mirëqenë, le ta kundrojmë dhe shijojmë letërsinë si artin e shpirtit njerëzor, shtratin ku derdhen emocione dhe drithërima vibruese, dashuri dhe urrejtje të gjithfarshme, lindje dhe vrasje, paqja dhe luftëra, shkruar me një ligjërim të veçantë brenda një struktura komplekse, që quhet tekst letrar.
5.
Letërsia dhe libri që konceptohet brenda letërsisë, për shoqërinë njerëzore është kult në saje të kënaqësisë që krijon, prandaj Borgesi e përkufizon një ese të tij, “Lumturia e librit”. Pra arti letrar, jashtë çdo qëllimi praktik, sikundër do të shkruante Paul Auster, lumturon shpirtin njeriut, lumturon njerëzimin dhe realizon katharsisin letrar, ajo kumton me gjuhën e orakujve të pathënat, ato që s’ mund ta bëjë asnjë dije tjetër shoqërore dhe asnjë formë tjetër e komunikimit të mesazhit drejt recpetuesit/lexuesi. Mjetet e letërsisë i mungojnë edhe muzikës, filmit, pikturës, skulpturës, filmit. Nëse letërsia, në një aspekt sintetizon shpirtin njerëzor, libri i letërsisë është vetë shenjtëria e botës, memoria kolektive ku ruhen me emocione të veçanta të mirat dhe të këqijat.
6.
Nëse e marrim për bazë mendimin e Borgesit se libri është i shenjtë, dhe shtojmë se këndej pari shenjtëria e tij krijon një soj lumturi të veçantë, duhet të shtojmë edhe se libri mbetet ngushëllim i kohëve, me librin ndjejmë e bashkëndiejmë, me librin bashkudhëtojmë e bëhemi pjesëtarë të kulturave të ndryshme, bëhemi pjesëtarë të rrëfimeve të shumëllojshme, të lumturisë së pakufishme dhe tragjikes tronditëse; asociacione dhe ndjenja këto që sjellin kënaqësi të veçantë estetike, por edhe drithërima nga më të ankthshmet. Njëfarë forme libri është ngushëllim i së kaluar, memorie e saj, mbi të gjitha ngushëllim i së tashmes, një pasqyrë ku përthyen kohë, një arene ku ndeshim lumturinë që vazhdimisht dëshirojmë ta kemi në mbamendje, por edhe tragjiken që vazhdimisht dëshirojmë ta kemi në mbamendje, madje edhe nëse rrëfimi apo krijimi tragjik, krijon makth, tmerr, trishtim, lemeri, prapëseprapë s’mund të shkëputemi nga ai. Librin e letërsisë e ndjejmë, dëshirojmë ta përcjellin tek tjerët edhe në qoftë se ai ka reflekse tragjike. Është interesante të mendohet se e gjitha kultura letrare, dhe jo vetëm ajo dëshiron ta lexojë e rilexojë “Procesin” e Kafkës, edhe pse e ka parakonceptin se Jozefi K do të dënohet dhe vdes si një qen, pa ndonjë mëkat. Pra, tek ky roman lexuesi gjënë diçka nga vetja, nga rrethi, nga përditshmëria e tij. Në fund të fundit aty është një pjesë e unit të tij. Prandaj ai roman është kurdoherë aktual, i përballon kohës, sepse lidhet me amshueshmërinë. Lexuesi, qoftë ai model apo empirik i letërsisë (Umberto Eco) pikëllohet me vuajtjet Gregor Hamzës dhe sfilitet në peripecitë e tij që shkakton metamorfoza e çuditshme në horizontin e një estetike të pritjes së ankthshme. Por, përfundimi i tyre tragjikë nuk e molepsë lexuesin e pasionuar të letërsisë, përkundrazi. Më tej, nëse e marrim si shembull një nga prelat e artit botëror, dramën Hamleti, tekst ky letrar që përfaqësuar kulmin e tragjikes letrare e njerëzore, shohim se ai s’na moleps, përkundrazi na trimëron, nga bën më të fortë. Ne e duam Hamletin duke e përjetuar si fenomen universal, bashkëndjejmë me të dhe çlirohemi nga ankthet bashkë me të. Ne e ndjejmë dashurinë në këtë dramë, ashtu sikundër fajin, tragjiken e vrasjes, hakmarrjen dhe së fundi, zgjedhjen e dilemës e enigmës së vrasjes misterioze. Ndërsa, tek Charls Bodleri ndeshim modelin më të shkëlqyer te këtij konteksti, ku nga pelmi dhe krimbat krijohet estetika e tekstit, që e lexojmë me kënaqësi, edhe pse lexuesi he për he ec në tehun e tragjikes së jetës. Ndërkaq nëse këtë çështje e kontekstualizojmë brenda letërsisë shqipe, lexuesi shqiptar ka makth nga tmerret e komunizmit, por dëshiron ta lexojë letërsinë e Kadaresë, sikundër romanin “Nata me hanë”, “Hija”, “Përbindëshi”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazarekut”, etj. Apo në trajtat me rrëqethëse Atë Zef Pllumin dhe rrëfimin e tij. Në memorien njerëzimit ekziston një galeri personazhesh që mbesin në mbamendje përjetësisht, qofshin edhe atëherë kur kanë elemente tragjike.
7.
Letërsia lexohet me endeje. Leximi i letërsisë mund ndryshe të kuptohet edhe si një përqafim me idetë kulturore. Letërsia më fuqinë e saj autonome të komunikimit kënaq lexuesin.”Kënaqësi e tekstit, tekst kënaqësie. Këto shprehje janë me dy kuptime. Sepse nuk ka fjalë të gjuhës frënge që të japë njëherësh kënaqësinë (përmbajtjen) dhe shijimin (emocionin). A nuk është kënaqësia një emocion i vogël? Emocioni, a nuk është në vetvete një kënaqësi e skajshme?” shkruan Roland Barthes në esen “Kënaqësia e tekstit”. Në këtë ese të shkëlqyer Barhtesi bën një raport mes kënaqësisë së tekstit dhe institucionit të tekstit.
8.
Letërsia ka fuqinë të zbut dhe miklojnë zemrat e njerëzve. Letërsia riprodhon te kaluarën, kohët, librat, personazhet e saj pozitiv e negativ. Por letërsia edhe projekton një realitet imagjinar të së kaluarës, të së mundshmes, me një sens racional, të një realitet që është specifik. Ndërsa në anën tjetër, letërsia projekton të ardhmen, të cilën e kundron në një prizëm krejt të veçantë, me perceptimet e shpirti dhe imagjinatës. Në këtë qerthull të krijimit, teksti letrar krijon e riprodhon. Ai kthehet tek modeli pararendës, nga i cili asnjëherë nuk dëshiron të shkëputet, edhe pse gjithmonë tenton origjinalitetin. Pra, letërsia dialogun me autorë të ndryshëm, me modele kulturash, reflekton tragjiken dhe peripecitë e njeriut, përmes një mesazh specifik, mesazh ky që konstruktohet me elementet e së bukurës dhe figurativitetit të mendimit. Sikundër thoshte edhe Aristoteli, Historia tregon të njëjtat ngjarje shpeshherë sikurse letërsia, por nuk e arrit asnjëherë përmasën e saj. Ato janë fakte që krijojnë një regjistër ngjarjesh kronologjike pa asnjë asociacion ndjeshmërie, emocioni, invencioni. Dhe këndej pari lexohen si të tilla, përkundër librit të letërsisë i cili lexohet me afsh, pasion, emocione.
9.
Letërsia duke riprodhuar kohët rikthen klasikët. Kjo logjikë arsyeton faktin se shumë shkrimtarë me nam rikthejnë klasikët; Xhems Xhojsi (James Joyces) rikthen Homerin dhe Odisenë, ndërsa neoklasicizmi francez rikthen antikitetin greko-romak. Në këtë linjë të mendimit për librin dhe letërsinë dijetar i madh Roland Barthes shkruan për kënaqësinë e tekstit, për atë kënaqësi emocionale që shkakton teksti letrar, duke evidencuar tipologjitë e mundshme të kënaqësisë vë në spikamë aspektin psikanalitike, ngase “kënaqësia nuk është atribut, nuk është produkt, nuk është dukuri sociologjike. Kënaqësia e frazës është një ide kulturore. Kënaqësia e tekstit. Klasikët. Kulturë (sa më shumë kulturë të ketë në tekst, aq më e madhe do të jetë kënaqësia)”. Kjo qasje vetëm sa hap temat dhe dilemat lidhur qëllimin e artit dhe vetë qenies së letërsisë.
10.
“Çka është letërsia”, pse lexojmë letërsi, çka është ajo që e bën këtë fushë shpirtërore krejt të veçantë, edhe përkundër faktit se letërsia nuk ka ndonjë qëllim praktikë, sikur ta zëmë arkitektura. Pse ndjejmë kënaqësi kur lexojmë letërsi, qoftë edhe atëherë kur përmbajta e saj të jetë tejet tragjike, sikundër ta zëmë Hamletit. Pse edhe sot zhvillimeve marramendëse teknologjike, njerëzimi ndjen nevojë për letërsi. Janë këto një sërë pyetjesh që vazhdojnë të shtrohen e tërheqin vëmendjen e dijetarëve të shumtë të letërsisë. Janë këto pyetje e dilema sa të vjetra aq edhe të reja. Megjithë pikëpamjet e shumta ndonjëherë edhe kundërthënëse, letërsia vazhdon të jetë domeni i së bukurës, ku përthyhet historia e filozofia, religjioni dhe morali, e bukura dhe e shëmtuara, etj.
11.
Natyrisht, nëpër libra teorik për letërsinë gjenden shumë përgjigje të mundshme për pyetjen komplekse “Çka është letërsia”, pastaj për natyrën e saj, si dhe funksionin e përmasat e saj. Përgjigjet në nivel sprovash, tezash e teorish japin shumë shpjegime teorike e semantike për përmasën shumëdimensionale që ka qenia e letërsisë. Ato përpiqen të sintetizojnë mendime dhe empiri për të dhënë orientime të caktuara. Rezultat i këtyre përplasjeve, në mendimin për letërsinë dhe vet letërsinë, janë zhvilluar shumë shkolla dhe formacione letrare. Kjo vetëm vë në spikamë “mospërputhshmërinë” e ideve dhe mendimeve për letërsinë dhe njëherit thellon “enigmën” për këtë fushë superiore që e quajmë letërsi. Njëra nga përgjigjet interesante dhe gjithherë aktuale është se letërsia është dialog, një dialog ku gjenerata të reja shkrimtarësh reagojnë dhe përgjigjen për të tjerët kolegë shkrimtar, lidhur me kuptimet për botën dhe njerëzit në kohë të ndryshme e realitet të ndryshme, duke sfiduar kështu kohët dhe harresën. Megjithatë letërsia nuk është histori, por pasqyron historinë përmes asociacionit të ndjenjave dhe gjuhës së figurshme. Xhems Xhojsi (James Joyces) rikthen Homerin dhe Odisenë, ndërsa ta zëmë, Kadare në kohën tonë rikthen Homerin dhe Kalin e Trojës në romanin “Përbindëshi”. Pse ndodh kjo? Kjo lojë letrare është quajtur nga njëherë si intertekstualitet, nocion ky që mbulon përmasa semantike e estetike të tekstit, paratekstit, hipertekstit dhe kontekstit si dhe diskursit. Kjo domethënë se tekstet letrare, të poezisë apo prozës komunikojnë me tekste tjera, marrin e japin në mënyrë reciproke. Pra, në njëfarë forme kjo vetëpërkufizon letërsinë si dialog, një dialog aktiv me sferat e së cilës janë shpirtërore. Nevoja që të krijosh është një ndër ndjesitë bazë humane shkruan shkrimtari Paulo Auster (Pol Oster), për të shtuar se çfarë qëllimi i shërben arti, në veçanti arti i fiksionit, asaj që e quajmë botë reale? -përpos lumturimit dhe fisnikërimit të shpirti njerëzor përmes artit të së bukurës. Ngase janë krijuesit ata që përmbushin boshllëqet e botës. Prandaj, në këtë kontekst poeti bashkëkohorë Gjekë Marinaj ia shton krijimit Hyjnor një ditë për vete (dhe krijuesit), nga shtatë ditët e krijimit biblik, ngase kësisoj përmbushet plotënia e universumit, apo: “Engjëjt të zbresin nga parajsa/ e të bëhen poetë”.
Poezi
Apokalepsia e artit
Ndue Ukaj
Vjen dita jote poezi e mbytur nga pika e zezë në horizont,
I mermerët shtrihet kujtimi për kohën e Komedisë Hyjnore,
Prapa hapave të molisur nëpër barrikada të panumërta
Rri hije shpirti im i etur për të fshehtat tuaja
E shembur koha e pasioneve lakuriqe që fluturon si korb
Endet tamam si ylber mbi kokat tona të topitura nga betonet e gjithfarshme
Të përgjumur dehemi në universin e mendimeve shpërthyese
Ka me ardh dosido dita jote poezi,
Rri e qetë në hijen e magjisë që e njeh vetëm ti
Dhe mos e zhvesh imunitetin e trashëguar nga Zoti,
Zeus s’ ka mbi tokë, fli e qetë dhe përkunde kohën hallakatur
Njeriun e përhumbur nëpër reklama çoroditëse
Dhe epokën e dokrrave, e zhurmës së gjithfarshme
S’ka vend për art, sa trishtueshëm, s’ka kohë për poezi
Digjen merimanga digjen fjalë e bashkë zemra
Në horizontin e pritjes prehet një metaforë në fyt,
I është zënë fryma, qanë pa ju kuptuar dhembja,
E ledhatoj në buzët e kallura të saj qetësohem,
Kalendari im pa data, pa muaj e pa vite po tretet
Nga djersët verore që të djegin ballin,
Duhet terapi në buzë, më duhet ta puth vargun e etshëm,
Sot nuk këndohet shpirti im,
Në vend të këngëve dëgjojmë zhurmë çmendurake
Kronika të zeza dhe aspak art.
Rropatje kotas për të prodhuar hamendësimet e panumërta:
Çdo gjë zë vendin e vet
E poezia…!.
Logosi i fjalës poetike
Logosi i fjalës poetike
Nga Ndue Ukaj
![]() |
| Ndue Ukaj |
Logosi i fjalës poetike
Nga Ndue Ukaj
Në komunitetin e kritikës letrare, ekzistojnë pikëpamje për letërsinë, sipas së cilave, forma e shkrimit që definohet si poezi, është përfaqësim i letërsisë që ka vlera estetike (kritika e re anglo-amerikane) dhe se vlera e saj lidhet me realizimin e funksionit emotiv të gjuhës. Pra, gjuha, përveç se është esencë për letërsinë, për poezinë, veçanërisht është vetëidentifikim e objekt, përfaqësimi dhe sintetizimi i gjitha niveleve tjera që përcaktojnë e definojnë si zhanër letrar. Duke përjashtuar rrëfimin, poeti përmes gjuhës evokon situata, ide e ndjenja poetike, përmes trajtave shprehëse emocionale. Janë këto elemente që e bëjnë këtë formë shkrimi një art specifik letrar.
Në fakt, duke qenë “letërsia një lloj i veçantë gjuhe apo një përdorim i veçantë i saj” (Jonathan Culler), poezia, si zhanri themelor i letërsisë vlerësohet si manifestim më praktik i fjalës, që fokusohet tek gjuha, semantika evokuese e saj, me një vëmendje të posaçme në parimet organizuese të tingullit dhe ritmit. Poezia apo arti i orakujve, shprehja më sublime që simbolizon modusin tematik (Northrep Fraji), kjo mbretëreshë e sublimes estetike tejkalon përmasat e zakonshme të ligjërimit njerëzor dhe hynë funksionalisht në rrafshin universal, për t’i inkorporuar koncepcionet metafizike e transcendentale, nëpërmjet domethënieve të përtejshme, figurative, filozofike. Poeti, në cilësinë e orakullit evokon me gjuhën e së bukurës dhe sublimes perceptimet për jetën e universin. Këto perceptime dhe observime poetik i gjejmë të sintetizuara në librin me poezi të Gjekë Marinajt, “Lutje në ditën e tetë të javës” ku kënaqësia e tekstit dhe institucioni i tekstit (Roland Barthes), sintetizojnë parimet themelore të një poetike të konsoliduar estetike. Ky interkomunikim i shpërfaqur në titull, korrespondon në esencë me dimensionin semantik e estetik të letërsisë së tij dhe njëherit implikon koncepcionet universale për krijimin, të cilat poeti i ndërlidh në kontekstin e një kodi kulturo, i cili ka referencë ka atë biblik. Poezia e Marinajt mbetet arenë afreskesh, ku gërshetohen e bukura dhe e këndshmja (Dulce et Utule sipas Horacit), mesazhi dhe semantika e tekstit, tingulli dhe ritmi funksional, elemente këto të cilat i japin dinamik tekstit poetik, në pikëpamje ideore, ndërsa krijojnë synesa ritmike të posaçme, në aspektin e formës poetike. Ky vëllim poetik që në titull implikon nivelin e leximit intertekstual të poezisë, që këtu nënkupton kontekstin e shtatë ditëve të krijimit biblik. Kjo lojë poetike, përveç se reflekton koncepcionet për krijimin, këtë akt të magjishëm, e sforcon aktin krijues deri në kod kulturologjik, universal e të përtejmë: poeti Marinaj ia shton krijimit Hyjnor një ditë për vete (dhe krijuesit), nga shtatë ditët e krijimit biblik, ngase kësisoj përmbushet plotënia e universumit, apo:
“Engjëjt të zbresin nga parajsa
e të bëhen poetë” (“Lutja e së djelës”)
Për faktin e thjeshtë se poezia është “shpirt i zbardhur gjerë në shpirt” dhe “lëshon tinguj marramendës nga kontakti i filozofisë me ndjenjën” (“Poezia”), së këndejmi shkakton katharsisin e nevojshëm letrar, sepse, sugjeron Marinaj, misioni i artistit është, që të “ndihmoj”: “Kafshët të zbuten/ e të bëhen humanë” (“Lutje e së dielës”)
Ndër elementet e rëndësishëm të poetikës së Marinajt mbeten akti imagjinativ i bashkëdyzuar me shenja e simbole empirike, të cilat i japin tekstit poetik tonalitet të theksuar dhe krijojnë një dinamik specifike tekstuale. Ky aspekt poetik, në plotëni është i konsoliduar dhe realizuar përmes një sistem figurative të konstruktuar me potencë të fuqishme kreative e frymëzim; me nuanca të fuqishme intelektuale e kulturolologjike. Kjo nënkupton se poezia e tij automatikisht parakoncepton apo i dedikohet lexuesit të kultivuar, një sintetizim të lexuesit empirik dhe model të letërsisë (Umberto Eco). Në esencialitetin e saj, poetika e Marinajt, është e krijuar me vokacion të kultivuar, ndjeshmëri të thellë dhe tension të fuqishëm dhe e bën këtë poet, krejtësisht veçantë dhe model në poezinë e sotme shqipe. Poezia e vëllimit poetik “Lutje në ditën e tetë të javës”, është e organizuar në cikle poetike, parimet e së cilës mbështetën në njëtrajtshmërinë e toposeve dhe rrjetit tematik. Më tutje, në pikëpamje të formës, lirika e Marinajt mbart në vete konceptin përsosmërisë ritmike, një parimi organizues simetrik, ku gradacioni poetik dhe aluzionet e vargjeve në përpikëri gërshetohen me harmoninë mes përmbajtjes dhe formës, dimensionit semantik dhe artistik të figurës, vargut dhe vjershës në tërësi (poezitë “24 orë dashuri” dhe “Bisedë me vdekjen”). Madje, mund të themi se Marinaj na del më specifik se kushdo në komunitetin tonë letrar, i pakrahasueshëm me format dhe mënyrën si e organizon materien poetike, si e koncepton temën e si i mishëron vargjet me figura dhe sistemin e brendshëm të rimimit dhe ritmit. Këto elemente i japin lirikës së tij gradacionin shumëformësh, ndërsa vargjet përçojnë kuptime ekoivoke. Dimensioni i kësaj përmase poetik, variohet në trajta të ndryshme të diskursit poetik, brendapërbrenda një sistem vargëzimi të përpunuar, ndërsa merr përmasë kuptimore tragjike, ta zëmë, tek vjersha “Sot u lind Frederik Rreshpja”, përmes së cilës Marinaj skalit vargjet nga më të fuqishme e poezisë shqipe:
“Poetit i pat humbur me kohë harmonia e trupit
Me mendjen. Koordinimi i shpirtit
Me vargun, jo. E gjithë kjo në platformën
Që luciferi patë projektuar për poetët shqiptar”
Në të vërtet, poezia e Marinajt në tërësinë e saj referencën e ka të etabluar në vetë qenien e poezisë, në artin e shkrimit, në artin e empirisë dhe universumit, aty ku gjendet siç do thoshte Umberto Eco bota e madhe e librit. Në fakt, ky është Olimpi i poezisë së Marinajt, ndërsa ai zgjerohet vazhdimisht dhe prek thellësitë e magjisë së botës së librit, nuancat e dashurisë dhe perceptimet për të bukurën që sjell kjo ndjeshmëri. Më tutje, poezia e Marinajt evokon fuqishëm kodet e mëdha poetike, ato që janë shenja të përhershme semiotike e semantike të tekstit letrar, Homerin, Danten, Gëten, Neruden, , Fishtën, Migjenin, e shumë të tjerë, me të cilët interkomunikon, në rrafshin e diskursit dhe dimensionit semantik. Këndej pari, ky soj vargjesh konoton fuqishëm në aspektin kuptimore dhe shpërfaq ambivalencën poetike që tërheq paralele, gjithnjë në funksion të substancës së lirikës dhe intencës ideore:
“Marloëe më ka bërë shumë nder me Faustus
Tani i njoh mirë vlerat e shpirtit, kostot e dijes”
(“Autoportret i avancuar”).
Në fakt, zbërthimi i këtyre esencave, sjell vargun dramatik, i cili na implikon disa nivele tekstesh intertekstuale e interdiskursive, ngase vargjet (teksti poetik) krijojnë relacione të ndërmjetvetshme e funksionale me tekste e njohura në kulturën e shkrimit letrar:
“Të më falë Miltoni, por për mua do të ishte më mirë
Të jem shërbëtor në parajsë se sa sundues në ferr”.
(“Autoportret i avancuar”).
Këto perceptim poetike, Marinaj i sforcon brendapërbrenda një kodi të madh letrar. Prandaj, me shpirtin e artistit të madh e sofistifikon vargun estetikisht, i jep përmasë të thellë kuptimore, do të thosha krijon vargjet emblematike, sikundër nga fuqia ideore, ashtu edhe fuqia stilistike-letrare:
“Sa herë jep shpirt një poet diçka vdes brenda meje”
(“Me Neruden pranë Atlantikut”).
Në të vërtet, ky varg shpreh tërë intencionalitetin poetik, qëllimet e përtejme të fjalës së shkruar të poezisë së Marinajt, poezi kjo që karakterizohet fuqishëm nga mendimi i thellë dhe filozofik, nga reflekset që përshkojnë vargun dhe figurën, por asnjëherë që ta rëndojnë atë, përkundrazi:
“Perëndim në të dyja kuptimet e fjalës
Gravitet specifik ekstrem:
Kripë dhe shqiptar
Ujë dhe vdekje”
(“Flluska mbi Adriatik”)
Dhe më tej:
“A ka më shumë
Shpirtra
Apo zgjedhime
Folja
Jap”
(“Pyetje)
Këtë model të diskursit poetik e hasim edhe në poezitë “Sugjerimi më zë të ultë”, “Labirintet e mendimeve të Tanugunit”, “Reaksion”, “Fytyrën tënde”, “Ailropada në gjyqin e fjalës”, etj.
Duhet përmendur se poezia shqipe e dy dekadave të fundit, duke u liruar nga dogmat e krijuara në art e letërsi, ka shënjuar ngritje të ndjeshme, sikundër në planin sasior ashtu edhe në atë cilësor. Kemi një sërë poetësh që kanë hyrë në botën e letërsisë, me prirje të fuqishme novatore stilistike, duke zgjeruar komunikimin poetik dhe pikërisht në këtë kontekst, shkrimtari Gjekë Marinaj shënjon një moment të ri në poezinë shqipe, duke i sjell poezisë elemente të reja, origjinale, bashkëkohëse dhe specifike, brenda korpusit të letërsisë shqipe të dy dekadave të fundit. Poet elegant, me shprehje të përpunuar filozofiko-meditative, Marinaj në artin e tij shkrin dogmat për artin, drejtë një intencë sublime poetike: krijimit të artit të esencave origjinal, duke i kundruar brenda sistemit estetik. Dhe këto esenca i percepton me shije të hollë estetike, i kundron nga këndet më të ndjeshme dhe më dridhmuese, për t’i sintetizuara me gjuhën e së bukurës dhe këndshmes (Horacit). Këndej pari, poezia e tij shënjon një raport të nderligjshem e kuptimor mes semantikës së gjuhës dhe gjetjes së fjalës adapte, e cila pastaj ngjeshët me figurën dhe përplotëson qëllimin poetik. Toposi i temave dhe rrjeti tematik i poezisë së Marinajt është i shumanshëm. Uni lirik kalon nëpër tri rrethet Dantiane, drejtë shkrirjes së tyre dhe prehjes në lumturinë e poezisë, këtë lumturi që ja dhuron fuqia e letërsisë dhe qëllimi i saj përtej çdo qëllimi praktike. Këto nuanca janë të projektuara me gjuhë evokuese tek poezia “Purgatori”, në të cilën, në variante të ndryshme shpërthen bota e dashurisë profane, mes mashkullit e femrës, por vargu tejkalon përmasën e këtij toposi dhe përplotësohet me funksionin e rrjetit intertekstual:
“…Françeska pat rënë në dashuri sekrete me Paulon.
Pa i lexuar njëri tjetrit asnjë pjesë nga tregimi…
Madje as Dantja
Nuk hodhi dritë mbi dramën e tyre,
Nuk e trajtoi atë
Si një nga kualitetet e romancës tragjike.
Sa për ta
Dantja më mirë ta lente
Të pabotuar “Komedinë Hyjnore”:
Ata do ia shtonin edhe një rreth të ri
(“Purgatorit”).
Për poetin, dashuria në trajtat më të fuqishme rrezaton plotëninë, ajo është vetë bukura. Në poezinë “Vajzat” poeti shpërfaq diskursin idilik, një trajtë lirike të bukur që kurdoherë e përcjell poezinë e Marinajt, edhe kur ajo tejkalon përmasat e poezisë së dashurisë dhe merr konotacione meditative-filozofike, sikundër ngjet tek poezi “Dusitës, në 14 vjetorin e Martesës”
“Pa vajzat-diejt dhe hijet e vetë bukurisë,
Dashuria do tkurrej në një gëzhojë vezake”
(“Vajzat”)
Ky rrjet toposesh e motivesh ndeshet kudo në poezinë e Marinajt. Madje, nuancat e dashurisë reflektojnë dimensionin ideor të palcës së poetikës së tij, për të mos thënë se ky rrjet toposesh përbën boshtin e librit. Për faktin e thjeshtë, por sublim, se dashuria është fytyra e tij, ajo është përfytyrimi më i mirë i qenies së poetit, së këndejmi edhe i aktit krijues:
“Faleminderit për pjesën tënde të fytyrës sime”
(“Dusitës, në 14 vjetorin e martesës”)
Gjitha këto ndjesi e perceptime poetike, kanë rëndësi të shumëfishtë, e veçanërisht për aktin krijues, çastet e ekzaltimit shpirtëror, ngase:
“Poezitë e mia nën lëkurën tënde vajzore
Japin e marrin metaforën melankolike”
(“Në inkubatorin e Grabutës”).
Rrjeti tematik i poezisë së Marinajt është i shumanshëm. Fati dhe katrahura e vendit të tij dhe e qenies së tij mbetet pjesë e frymëzimeve të ndjeshme poetike. Tek poezia “Në datëlindjen e nënës” ka një mall të çiltër, një spontanitet cilësor, por asnjëherë poeti nuk lëshohet në retorikë:
“…Koka e
Saj akoma e varur në
Qiellin e një jete me re të
Zeza që hezitojnë të kthehen
Në shi…”
Apo, në rastin tjetër:
“Lexoj duart e nënës
Që fytyra të ketë vlerë” (“Duart e nënës”)
Pikërisht në poezitë për nënën vërehet ndjeshmëria e thellë poetike, përplasja e filozofisë së jetës dhe artit të shkrimit.
Poetika e Marinajt karakterizohet nga diskursi shumëplanësh ligjërimor, dimensioni lirik bashkëdyzuar me trajtat e ligjërimit përshkrues, trajta këto që i japinë ritëm e sistem ritmik cilësor dhe funksional. Në fakt, idealet poetike dhe ferri i botës pasqyrohen në poezi me nuanca të konstruktuara në kontraste të fuqishme, e nganjëherë i nënshtrohen një ironie therëse:
“Trup qiellor në orbitën ku fjala s’mbahet vetjake.
Fali fytyrat në rrethin e dytë të purgatorit,
Mburojë prej intelekti përballë krijesave bajate”.
(“Fytyra në rrethin e dytë të purgatorit-Fishtës”)
Poezia e Marinajt shquhet për realizimin metafizik. Kjo poezi duke patur për observime të përbashkëtën e njerëzimit, me nerv lirik, thërrmon esencat e filozofisë së jetës, së këndejmi edhe filozofisë së shkrimit, sikundër tek poezia “Vija ndarëse me Emily Dickindonin-in”, ku Marinaj spikat efektin konceptual të vargjeve:
“Orët plakën tek i kthejnë mendimet në dëborë-
Dëbora vjetrohet tek flakëron e menduar në erë-
Unë, pa kuptuar, jam poli i ngrirë e veriut tënd”.
Një aspekt cilësor dhe jashtëzakonisht të arrirë në kuadër të këtij vëllimi poetik përbëjnë poezitë për artin poetik, poezinë, prozën, poetin, për qenien e letërsisë, pastaj ato lirika kushtuar figurave të njohura, sikundër “Homeri”,”Migjenit”, “Nëna e poetit Luigj Çeka dha shpirt”, poezitë për Fishtën, Rreshpajn, Dalan Lucajn, Neruden etj. dhe pastaj ato për Shkodrën, për Nënë Terezën, për Gjergj Kastriotin, Rozafën, për Shqipërinë, Kosovën, Nju Jorkun. Këto poezi i shquan dhe i përshkon frymëzimi i thellë, sikundër shihet tek poezia për Shkodrën, apo dy vjershat e bukura për Nënë Terezën. Duke konsoliduar poetikën e tij, Marinaj nuk ngarend pas ndonjë stili apo sistemi të caktuar stilistik-poetik, por si artist i rryer kombinon trajta dhe stile të shumta, për të krijuar stilin e veçantë, dallues Marinjan, një stilistikë që harmonizon shumësinë e koncepteve për qenien e poezisë.
“Për dreq, të gjithë banorët e erës e morën vesh.
Merkuri u shkëput nga vendi dhe u zhyt në det.
Dielli vuri duart në bel e u lartësua plot ëndje
Dhe muskujve të tokës u pëshpëriti një sekret:
Bëmë dashuri në natyrë, natyrshëm, natyrisht”
(“24 orë dashuri”)
Kështu, poezia e tij aq sa mbetet moderne është posmoderne, endet mes klasikes e simbolikës, mes lirikës dhe trajtave epike, mes shkollës letrare shkodrane dhe amerikane, mbi të gjitha, teksti poeti ndërtohet mbi parimet e Artit Poetik. Ajo mbetet në vete një pikë referimi, për krijues e studiues të letërsisë dhe artit poetik. Parimi poetik i Marinajt është i ndërtuar mbi eksperienca të shëndosha dhe perceptime të shumëfishta për artin dhe njeriun si epiqendër e tij. Për të sforcuar kodet e mëdha tematike, poeti i formësuar e rrahur në artin e shkrimit, interkomunikon me parakonceptimet për artin e letërsinë. Këndej pari, në ketë poezia e tij shpërfaq trajtat funksionale të intertekstualitetit dhe interdiskursit, si efekte të posaçme poetike.Ndërlidhja mes botës materiale dhe shpirtërore, në funksion të katharsisist poetik, ndjehet kudo si intencë karakteristikë e mesazhit poetik. Dhe këto gërshetohen nga ndjeshmëria e thellë humane, për të bukurën, për sublimen dhe kategoritë e saja estetike, për dashurinë si përjetësia e fjalëve dhe amshueshmëria e vargjeve. Brenda poezisë së Gjekë Marinajt, poetit, përkthyesit dhe profesorit të letërsisë, shkrihen në universin e pafundmë dy dimensionet themelore poetike: prirjes semantike, ku fjala dhe mesazhet tingëllojnë për të shpreh intencë ideor; dhe prirjes estetike, ku sintaksa e vargut është e kursyer, idetë, mesazhet, vishen me figuracion të zgjedhur, të seleksionuar, përmes një logosi e diskursit poetik, e cili metaforën dhe krahasimin i kombinon dhe kështu krijon tipologjinë e kënaqësive të lexuesit dhe më tej prodhon lexues të kënaqësisë, (Roland Barthesi). Për fund, poezia e Gjeke Marinajt mbetet një apologji për artin, ajo nuk demonstron, por është vetë pasqyra më e bukur e artit të fjalës.
* (Ky tekst është botuar si parathënie e librit më të ri poetik të Gjekë Marinajt, Lutje në ditën e tetë te javës, Faik Konica, Prishtinë, 2008)
Poezi
Apokalepsia e artit
Ndue Ukaj
Vjen dita jote poezi e mbytur nga pika e zezë në horizont,
I mermerët shtrihet kujtimi për kohën e Komedisë Hyjnore,
Prapa hapave të molisur nëpër barrikada të panumërta
Rri hije shpirti im i etur për të fshehtat tuaja
E shembur koha e pasioneve lakuriqe që fluturon si korb
Endet tamam si ylber mbi kokat tona të topitura nga betonet e gjithfarshme
Të përgjumur dehemi në universin e mendimeve shpërthyese
Ka me ardh dosido dita jote poezi,
Rri e qetë në hijen e magjisë që e njeh vetëm ti
Dhe mos e zhvesh imunitetin e trashëguar nga Zoti,
Zeus s’ ka mbi tokë, fli e qetë dhe përkunde kohën hallakatur
Njeriun e përhumbur nëpër reklama çoroditëse
Dhe epokën e dokrrave, e zhurmës së gjithfarshme
S’ka vend për art, sa trishtueshëm, s’ka kohë për poezi
Digjen merimanga digjen fjalë e bashkë zemra
Në horizontin e pritjes prehet një metaforë në fyt,
I është zënë fryma, qanë pa ju kuptuar dhembja,
E ledhatoj në buzët e kallura të saj qetësohem,
Kalendari im pa data, pa muaj e pa vite po tretet
Nga djersët verore që të djegin ballin,
Duhet terapi në buzë, më duhet ta puth vargun e etshëm,
Sot nuk këndohet shpirti im,
Në vend të këngëve dëgjojmë zhurmë çmendurake
Kronika të zeza dhe aspak art.
Rropatje kotas për të prodhuar hamendësimet e panumërta:
Çdo gjë zë vendin e vet
E poezia…!.
Përleshëm
Nganjëherë i kafshoj dhëmbët furishëm
I kafshoj fort gjuha më përleshet me dhëmbë,
Më mbetet gjuha në dhëmbë nganjëherë,
Me gjilpërë më duhet ta qep gjuhën,
Engjëllushka ime, Jo pse dua, nganjëherë
Çuditem edhe me veten si i kafshoj ëndrrat,
Hahem me to deri në përgjakje
I kafshoj dhe përleshëm me realitetin,
Nëpër net me ëndrra vjeshtore
Dhe pranvera me buzëqeshje dashurore
Hamendja për fitore mbyt trishtimin
I kafshoj ditët, edhe netët i kafshoj,
Të zeza si futa, netët e paperënduara,
Krejt përgjakëm nganjëherë,
Me dhëmbët e mi të rëndë- të rëndë,
Sa shkëmbinjtë e Bjeshkëve të Nemuna,
Nganjëherë botën e zë gjumi ‘mes të ditës,
Dhe aty përulet miti i fuqisë së qëndresës
Trulloset bota krejt e humbur përkundet,
Harron përuljen e gjurit nganjëherë bota
Bije në gjumë nëpër ninulla ledhatuese
Papritur tretet nga thartira që të qetë zorrët
Tëhuajsohet mendja dhe humb imazhin në pasqyrë
Pema Jetës zë rrugën në mëngjesin me vese diellore
E unë, nganjëherë i vetmuar përleshem me botën
Dhe përhumbem në lakuriqësinë e poezisë
Thirrje
Muzë, mos fli hape sythin
Dhe më huazo zërin e kangës
Përkulem para teje
Digjem e flakë s’jam
Muzë, në fillim ishte fjala
Dhe fjala ishte gjithçka
Tanimë s’mbet gjë tjetër
Përpos fjala e dashuria
Më dëfto kufirin e jetës dhe vdekjes
Dhe mbretërinë poezisë
Në qytetin tim më kufij e mure
Më dëfto mbretërinë prej urate
Dhe më mëso të bëhem dishepull i fjalës
I muzikës së shpirtit të dëlirë
Që vallëzon kurrë pa ndal
Më dëfto shumë
Se historia është nyje në këmbë
E shkruar dhe e rishkruar
Nëpërmjet gishtave të dridhur
Për të prodhuar mite
Dhe një kodër rrenash
E pra Muzë, këndo me mua
Dhe dashurinë që vlon
Në metamorfozën e kohës
Më dëfto Zoti im se
Dielli lind për të mirët dhe të këqijtë
Gjuha e zjarrtë shndërrohen në hije
Dhe shikimi im në horizontin e pritjes
Tek rikthen mendjen në ditën e djeshme
Dhe kundron strukturën e kohës
Në pikën e së nesërmen
Poetët vetmitar
Dje takova poetin e vetmisë së madhe
Rrugës së qiellit thithte diellin
Kishte mbështjell kokën me ëndrra
Që t’mos i harliseshin vargjet
Dje takova poetin e dashurisë së madhe
Rrugës së pyllit me ngjyra të panjohura
Kishte lidh kokën me sytë e erosit
Që t’mos i çorodiseshin vargjet
Dje takova poetin e vetmisë së madhe
Rrugës së pluhurosur lëpinte gjurmët e tij
Kishte lidh me histori kokën
Që t’i fashiste rrenat si koka prej gjarpri
Dje takova poetin e vetmisë së madhe
Rrugës së vetmisë së metaforave
Kishte dal i lakuriqësuar
Të dehej në sytë e tij bota
Dje takova poetin e vetmisë së madhe
Me matematikën e zemrës
Zgjidhte të panjohurat e bëra lëmsh.
Gjyqi per vjershën time
Kështjella e drejtësisë s’mund të përmbyset
Me një të fryrë nga zgafellja e gojës
Edhe nëse Jozefi K vdiq si qen rrugëve të Parisit a Pragës
Procesi s’ u mbyll e ai mbetet proces
Të premtet e mëdha s’ kuptohen pa të dielën e madhe.
Ç’ faj ka poezia që e sulmon
Imunitetin s’mund t’ia marrësh as kur lakuriqësohet
Mjekrën time të pakrehur kurrë,
Të rritur zjarreve përcëlluese
Mbuluar me merimanga gërdie
Edhe po deshe s’mund ta puthësh kurrë
Dhe beso, kjo poezi vlon për dashuri
Është e lakuriqësuar se i është falur kjo dhunti
Po deshe vraje, në varr mund ta vësh
Strukturën e mendimeve s’mund t’ia prekësh
Poezia është e panjollë mos e sulmo
Barbar, po deshe vraje
Do pjell gjarpinj, që sytë të t’i helmojnë
Macet e çartura vrapojnë gjoksit trishtueshëm
Po deshe vraje ajo kurrë s’vdes
Edhe nga varri shpirtin e trazon.
Hija e korbave
Në ishullin e pritjes vetmia e thartë
Dhe struktura e deformuar e seksit
Në lumin e kohës ecte zvarrë, Grua
Nuk e njoha Homerin as verbimin e tij
Me hapa të Akilit masë kohën prapa
Dhe kilometrat deri matanë Itakës
Sythi yt kaltrosh përhumbet në lakuriqësinë
E natës së zezë ku tëhuajsohet mendja
Akti i çoroditur i shpirtit hije
Në të qarën e seksit tënd rrjedhin pikat
E dushit të ftohtë në ishullin e vetmisë
Drama e pashkruar në teatrin e gërmadhave
Dhe puthja e akullt që dogji sythin e përlotur
Një korb vështroj shikimin tim prej të dashuruari
Ditën me mendime të hallakatura
Dhe miti reflektoj fragmentin
E artit të shkruar nën hije korbash
Sytë nuk janë dritare prej motesh
As dyer të largimit nga trishtimi.
Dramë
Shalli i zi në qafën e rënduar
Dhe një shikim i përvujtshem
Treten ngjyrat e shndritshme
Dhe rekuizitat e zaza na marrin sytë
Një gomar pallë sa të shurdhon veshët
Dhe hijet e korbave mistershëm
Kafshojnë fjalët e aktorëve të rraskapitur
Një puthje prej Jude
E deh aktoren me emrin Çudira
Zhvesh brekët me duhmë shurre
Dhe i hedh në publik e llastuar
Akti i parë pa orgazëm
Loja zgjati disa minuta
Dhe akti i dytë i kredhur në soditje
Një gomar defilon në skenë për të satën herë
Dy korba i bëjnë hije prej uji
Aktori i turpshëm refuzon të lakuriqësohet në skenë
Perceptimi për dramën mi gërryejnë sytë
Godo nuk priti sa unë
Dramë…!
Poetët vetmitar
Dje takova poetin e vetmisë së madhe
Rrugës së qiellit thithte diellin
Kishte mbështjell kokën me ëndrra
Që t’mos i harliseshin vargjet
Dje takova poetin e dashurisë së madhe
Rrugës së pyllit me ngjyra të panjohura
Kishte lidh kokën me sytë e erosit
Që t’mos i çorodiseshin vargjet
Dje takova poetin e vetmisë së madhe
Rrugës së pluhurosur lëpinte gjurmët e tij
Kishte lidh me histori kokën
Që t’i fashiste rrenat si koka prej gjarpri
Dje takova poetin e vetmisë së madhe
Rrugës së vetmisë së metaforave
Kishte dal i lakuriqësuar
Të dehej në sytë e tij bota
Dje takova poetin e vetmisë së madhe
Me matematikën e zemrës
Zgjidhte të panjohurat e bëra lëmsh.
Koha shumëngjyrëshe
Me kërkua është art si me puth diellin,
Me lundrua nëpër natën e braktisur, oh
Nga hëna bythprape e ngjyrat e errëta
O natë e vetmuar me sy gjysmëqorre,
O kohë shumëngjyrëshe e trashur n’ vete,
Lak e bërë mbi kokën time vallëzon
Kryelartë i shndrisin sytë e Ciklopit i ka
E sheh si i lëvizin këmbët e shpejta..
Akil s’është por fluturon si në beteja antike
Herë në Amerikë, e zë trishtimin në ëndërr,
Herë në Europë, e kap ankthi në shtrat,
Herë në Azi, e zë makthi në rrugë,
Herë zgjohet me kujtimet për kalin,
Bën dashuri në barkun e kobshëm
Dhe i ngatërrohen rrugët para këmbëve
Koha e pa ngjyrëshe, e paemër e pakënduar
E pashkruar, me muzikë të harlisur vallëzon
E çmendur përdridhet si vajzë në take t’larta
Cunam që si duron metaforat as ironitë
Me struktura të deformuar deri në përjashtim,
Endet me shikimin e tretur në asfaltet moderne
Dhe s’gjen pandehem krahasimi nga modernistët
As nga progresistet e posmodernistet
Nga injorantët e regjur me fjalorë demagogjishë,
Që kurrë s’ e kuptojnë artin e heshtjes
Për të mbytur zhurmën dhe gumëzhimën e frikshme.
Koha ime e përveçme në globin e ngulfatur
E paemër, e pagëzuar natën e braktisur me muzikë të harlisur
Me hije korbash e sorra të çartura
Si ngjan assesi kohës së Virgjilit,
Me heronj të çmendur e luftëra absurde.
Madje si përngjan as kohës së Krishtit e Judës tradhtar,
Koha ime kurrsesi s’është koha e lumit të Heraklitit.
Më duhet të kthehem neper të, dy herë ta nuhas,
Dhe të ec nëpër kujtesën e trashur nga merimanga
E krimba që bluajnë pamëshirshëm.
I inatosur me duhet të mos pajtohem me Heraklitin,
Dy herë më duhet të lahem në të njëjtën kohë:
Në të njëjtin ujë njëherë me zjarr përvëlues
Pastaj me artin e heshtjes dhe ujin e uratës.
Mes meje e kohës fluturon zogu pranveror
Me pupla të mërdhita e sythin e trembur,
E trazon pikëllimin e vizatuar në majën e Kështjellës së mendimeve
Kohën e grabitur nga leckaman me lëkurëgjarpri,
Dardania ime e Shenjtë e goditur nga antikoha.
Dhe miti i harresës që qelë si lule çdo mëngjes
Alfabeti im
Shkronjat si gurë zbresin
Në alfabetin me figura të pakuptimta
Fragmenti i jetës sime kthen në udhëkryq
Sikur nëpër ëndrra të çmendura
E nuhat ikjen deri në skëterrë
Alfabeti im
E zgjatë rritën prej poezi
Duke i zgjeruar pasionet deri në qiell
Dhe zanoret e afshit që shpërthejnë
Mbi sytë e mijë
Pezmi i shkronjave të gurta,
Prish gjumin e kufijve
Në universin e kohës pa poezi
Si leckaman metropoleve të botës
Kërkoj këshilla nga poetë
Të kuptoj fjalën prej guri
Si i trazon mendimet abstrakte
Unë jam hapi im dhe rruga deri tek atdheu i poezisë
Në rrugën që prehet pas çdo ecje
Nga injorantë që vallëzojnë me zhurmën
Maratona e poezisë nëpër shpirtra të dergjur
Shumëzon ujin, tamam si Krisht
Pikëpyetje
Largësia pikturohet në varg,
Me nuanca ngjyrash që thyhen
Mes vete si në pasqyrë
Thyhet dielli në perëndim
Koha shpërlan trutë
Fjala digjet në zjarr
Zjarri humb në fjalë
Unë humb bashkë me fjalët
Bashkë me vargjet digjem
Me copëzat e qiellit
Që më kafshojnë
Me lotët e djegur
Nën gurgullimë ujërash
Ujis vargjet
Pëshpëris ofshama dehëse
Me mall
Kultivoj rimat, ritmet
Bashkë me pikëpyetjet e çelikosura,
Që rëndojnë sot, nesër… përgjithmonë.
dhe sot:
Këputje vargjesh
Përthyerje motivesh
Ngjiten pa dashje vargut tim
Jo në emër të shenjtërisë
As të djallëzisë
Plotë shikime të përhumbura, të zbehura, të hutuara
Ngjiten si merimanga gërdie vargut tim të lodhur
Jo vetëm kaq
Dashuri, të mbërthyen pamëshirshëm
Këngë laviresh të shprehin dhembjen
Për kohë të mykura
Kokave të trasha
E ti vazhdon të besosh gjithçka
E s’e kupton vargun e këputen
Në harresë të lënën
Në fyt të prerë
Magjeve përplot merimanga gërdie,
Kullave të fikura kanunesh
O zot, shpirti im dashuri
Beso
Nëse jeta ushqyet me metafora
e ushqehet me krimbat e qelbur
apo ushqehet me art e dashuri
beso
Me metaforat vrasëse
Me ofshama helmuese
Me leshrat që s’gjejnë gërshërët dot
S’tunden muret e heshtjes,
Muret e moskalimit
Unë vazhdoj t’i lutem Zotit,
Mësomë t’mos dua kurrë djallëzoren për shenjtëri
Matanë mendimet qëndron hijerënde shpresa.


